PËR NJË AMBIENTALIZËM TË LEXIMIT

Gjatë një bisede pjesë e Panairit të Librit të Përdorur, mbrëmjen e së shtunës 20 tetor 2018 te “Logu i Shkëndijës”, ra fjala te statusi i librit të përdorur sot dhe i qarkullimit të këtij libri, si model alternativ ndaj atij thjesht komercial.

Ky i fundit kërkon – në analizë të fundit – që leximi i librit të përkojë me konsumin e tij edhe material, në mënyrë që pastaj ti si konsumator të blesh librin tjetër dhe të sigurosh, me angazhimin tënd si lexues, vijueshmërinë e biznesit të botimit dhe të libërshitjes.

Brenda modelit komercial, statusi i librit të përdorur është problematik: ose ky do të marrë funksion thjesht muzeal ose statusi dhe të pleqërojë i ekspozuar në raftet e bibliotekave private; ose do të përfundojë si monedhë e zhvleftësuar në tregjet e bamirësisë dhe të dhurimit masiv.

Pa çka se libri i përdorur, në vetvete, gjithnjë shënjon traditën si lexim dhe traditën e lexuar, në kundërvënie virtuale me traditën kanonike, që idhullzon autorët dhe i përdor si “shenjtorë” mbrojtës të rendit kulturor establishmentar.

Brenda traditës kanonike, libri rregullisht ribotohet; mundësisht në botime luksoze autorësh të kanonizuar, të cilat nuk janë të destinuara për lexim, por për ekspozim dhe shkëmbim simbolik – të tilla si “veprat e plota” që përurohen në kontekste përvjetorësh dhe kremtimesh.

Këtij modeli të ribotimit protokollar do t’i kundërvihej riciklimi social i librit, ose qarkullimi i tij jashtë kanaleve dhe diktateve komerciale.

Dhe këtu vetë termi riciklim i referohet diskursit dhe problematikës ambientaliste; jo thjesht për hir të një përkimi leksikor, por edhe ngaqë riciklimi social i librit si kontejner shënjor është – ose të paktën duhet të jetë – pjesë e një ambientalizmi kulturor, ose një gjakimi masiv dhe të organizuar, për ta mbrojtur kulturën nga ndotja prej produkteve kulturore fast food, ose nga abuzimi konsumerist.

Libri, si produkt dhe si objekt, mund ta përballojë me lehtësi rileximin serial; është i projektuar, për nga struktura e tij “inxhinierike”, që të jetojë për një kohë të gjatë në duart e lexuesve, jo i balsamosur në raft. Ndoshta këtu duhet bërë një përjashtim për librat e tipit “mass paperback” (pulp) ose të xhepit, që janë prodhuar për t’u lexuar një herë dhe pastaj për t’u hedhur tutje; ose që e kanë obsolescencën të programuar (planned obsolescence); si në përmbajtje, ashtu edhe në strukturë. Me fjalë të tjera për një kategori librash që janë të destinuar për asgjësim material dhe harresë kulturore.

Gjithsesi, libri fast food vetëm sa konfirmon që shumë prej librave në qarkullim ose, më mirë, në ekzistencë, i kundërvihen modelit të konsumit frenetik; dhe i kundërvihen jo vetëm sepse përmbajtja e tyre i reziston harresës, por edhe sepse ata vetë, si objekte, mund të jetojnë gjatë, madje edhe t’u mbijetojnë shumë leximeve dhe rileximeve (përdorimeve), nga një lexues ose shumë lexues.

Modeli konsumerist gjithnjë e krijon këtë kokëçarje – çfarë duhet bërë me produktet tashmë të shitura, por që janë në gjendje të funksionojnë ende mirë? Me librat, një nga zgjidhjet do të ishte që, përtej nevojës për të sjellë në treg gjithnjë tituj të rinj dhe për t’i reklamuar këta me forcë si kryevepra në ngjizje e sipër, të ripropozohen edhe titujt ekzistues, me ndryshime, rishikime, ripunime dhe aparate të reja (parathënie, etj.); çfarë do të mund ta quanim edhe një lloj riciklimi instrumental (komercial, kur bëhet nga shtëpitë botuese; ritual, kur bëhet nga institucionet).

Ndërkohë, shumë e shumë libra dërgohen për karton, një pjesë e tyre madje të palexuara kurrë (riciklim material). Por shkatërrimi i “mallit të pashitur” është në vetë logjikën e prodhimit dhe të tregut kapitalist; dhe nevoja e shtëpive botuese për të hedhur në treg tituj të rinj ose tituj të vjetër me kostume të reja nuk ka ndonjë lidhje inherente me nevojën e kulturës për t’u riprodhuar, ose me nevojën e ruajtjes së traditës së leximit.

Madje, po t’i kthehemi sërish metaforës ambientaliste, saturimi i tregut me produkte të reja ka efekt toksik ndaj qarkullimit të vlerave kulturore dhe riprodhimit të kulturës.

Libri i përdorur përfaqëson një mënyrë për ta mbrojtur ambientin kulturor të leximit; dhe mund ta arrijë këtë përtej edhe modeleve të organizuara të grumbullimit, përzgjedhjes dhe tregtimit. Mund ta përfytyrojmë, në këtë kontekst, si një reagim imunitar të sistemit ndaj dhjamosjes së tregut të librit.

Paradoksalisht, duke qenë në Shqipëri çmimet e librit tejet të larta për publikun e gjerë, dhe duke munguar këtu modeli fast food i librit të lirë, që lexohet dhe pastaj lihet në një stol parku ose, edhe më keq, hidhet në plehra; pra në rrethanat kur tregu i librit ende nuk ua mbush dot lexuesve masivisht raftet e bibliotekave private, libri i përdorur ofrohet edhe si alternativë ekonomike e nevojshme, për të gjithë ata që nuk i kanë mundësitë financiare për të përballuar çmimet e larta të librave të rinj, por që janë të etur për librin.

Në këtë mënyrë, tradita e leximit vjen e ruhet më mirë në shtresat leximdashëse më pak të kamura të popullsisë; nga raporti i të cilave me librin varet edhe riprodhimi i shëndetshëm i kulturës, jashtë modeleve ngushtësisht komerciale dhe në konflikt herë-herë të hapur me to.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin