Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Gjuhësi

DUKE NUMËRUAR GABIMET

nga Teuta Toska 

Që niveli i zotërimit të standardit në shkollë ka rënë, ky është një fakt i pranuar tashmë nga të gjithë. Dhe kur flas për standardin, po iu referohem rregullave të drejtshkrimit, edhe pse këto janë veç një pjesë e standardit, një nënsistem i tij. Por duhet të themi se norma drejtshkrimore është pasqyra e drejtpërdrejtë dhe më e prekshme e zotërimit dhe përdorimit të standardit si sistemi me shtrirjen më të madhe funksionale në komunikimin publik në shoqëri. Përvoja na ka treguar se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes zotërimit të kësaj norme dhe zotërimit të standardit si tërësi. Një performancë e ulët dhe e dobët e normës drejtshkrimore është tregues i një kompetence me mangësi dhe të ulët të standardit si tërësi.

Kur flasim për “përdorimin e standardit”, po flasim edhe për shfaqjen kryesore të aftësisë së të shkruarit të individit. Edhe pa ndonjë studim të veçantë, të gjithë mund të shprehen se ka një lidhje të ngushtë mes nivelit kulturor të një individi dhe zotërimit të standardit prej tij (duke përjashtuar rastet kur ai me vetëdije ka zgjedhur të përdorë një variant tjetër shkrimi). Ka një lidhje, mund ta pohojë çdo mësues, mes nxënësit dhe studentit të mirë dhe nivelit të lartë të zotërimit të standardit.

Në vitin 2009 kam kryer një studim për të matur shkallën e shmangies/ shkeljes së standardit dhe për të kuptuar se cilat rregulla gabohen posaçërisht. Edhe pse mund të duket një kohë e largët, po i risjell këto të dhëna me bindjen se realiteti mund të ketë ndryshuar fare pak. Dhe ky ndryshim nuk është përmirësim. Gjithashtu edhe për t’i publikuar këto të dhëna përpara fillimit të një studimi tjetër matës që kemi ndërmend të kryejmë, tashmë me një grup. Krahasimi i dy gjendjeve do të jetë burim të dhënash edhe më interesante.

Ky studim ishte një mbledhje e të dhënave numerike e statistikore në lidhje me zotërimin e standardit në shqipen e shkruar të studentëve në detyra kursi, prezantime, ese, provime[1] etj.

Punimi është i nxitur nga një periudhë e gjatë e kaluar me vëzhgime tekstesh të shkruara dhe përvijimi gjithnjë e më i qartë i një hipoteze sipas së cilës pjesa dërrmuese e përdorimeve të gabuara të standardit ose më mirë shmangieve vijnë për shkak të predominimit të formës së folur (e të dëgjuar) të fjalës mbi atë të shkruar në një realitet kur po lexohet gjithnjë e më pak.

Të dhënat janë vjelë nga ligjërime të shkruara nga studentë të Universitetit të Elbasanit, të programeve të ndryshme të studimit (gjuhë-letërsi, gazetari, cikli i ulët, edukatë qytetare dhe bio-kimi).

Pse kampioni është marrë nga shkrues të nivelit universitar? Për shkak se në asnjë mjedis tjetër më mirë se në shkollë nuk mund ta hetosh nivelin e tij të ngulitjes. Po ashtu niveli universitar i ligjërimeve të shkruara duhet të përmbajë performancën më të mirë të pritshme të normës drejtshkrimore. Nisur nga ky këndvështrim real dhe po ashtu optimist, kërkimi është përqendruar në këtë terren.

Kërkimi sasior është drejtuar nga rregullat e përcaktuara në botimin[2] e vitit 1973, “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, duke mos hulumtuar të dhëna që lidhen me pikësimin standard të shqipes, sepse shenjat e pikësimit janë konvencione të gjuhës së shkruar dhe marrëdhënia me realitetin e folur është thjeshtëzuese, kufizuese dhe të një përmase tjetër funksionale gjuhësor. Ne jemi përqendruar në ato rregulla të normës drejtshkrimore që kanë një marrëdhënie të ngushtë mes formës së folur dhe të shkruar të gjuhës. Kështu nuk është numëruar si e dhënë në vlerësimin e të dhënave:

– përdorimi i apostrofit;

– shkrimi i fjalëve njësh, ndaras dhe me vizë në mes;

– përdorimi i shkronjave të mëdha;

– ndarja e fjalëve në fund të rreshtit;

– shkrimi i datave,

për shkak se arsyet e gabimit të këtyre rregullave janë të njohura, nuk janë objekt i ndërhyrjes së një forme tjetër të komunikimit dhe përdorimi në tekste i trajtave që janë subjekt i këtyre rregullave është më i pakët.

Në rastin e studimeve statistikore gjuhësore lënda në hulumtim përbëhet ose nga një listë fjalësh, ose nga një rrjedhë fjalësh që përbëjnë një tekst, p.sh. në rastin tonë 59 fjalët që përbëjnë këtë paragraf (që po lexon), duke pasur parasysh numërimin e programit kompjuterik që përdor Microsoft Word-i (Word Count, por jo statusin dhe kufirin e fjalës në shqip).

Kemi marrë si njësi të kërkimit sasior ortogramin, d.m.th. fjalëformën që përmban një zgjedhje gjuhësore drejtshkrimore, të kuantifikuar si të ndryshme sa herë paraqitet në tekst, edhe pse ajo mund të përsëritet[3].

Kështu, në tabelat e mëposhtme do të japim të dhëna nga tekstet e numëruara për çdo grup (N është numri i elementeve pasi janë kuantifikuar të gjitha tekstet e shkruara), numrin e gabimeve drejtshkrimore për çdo rregull kur shkronja mungon, shtohet ose përdoret një tjetër në vend të saj. Të dhënat janë paraqitur me përqindje, duke krahasuar numrin tërësor të gabimeve me numrin e gabimeve për çdo rregull.

Të dhënat sasiore krijojnë një pamje faktike të problemeve me ngulitjen e standardit dhe duhet ta drejtojnë më mirë punën për përmirësimin e tij. Bëhet fjalë për 104 tekste, në të cilat janë kuantifikuar 33 218 ortograma.

 

Tabela 1. Të dhënat nga të gjitha programet e studimit, kampioni = 104 subjekte

N1 = 33 218

Rregulli Mungon Shtohet Tjetër Gjithsej Përqindje
E e theksuar 121 121 5.9
E e patheksuar 3 4 7 0.34
Ë e theksuar 13 13 0.64
Ë paratheksore 237 16 1 254 12.4
Ë pastheksore 76 21 97 4.7
Ë fundore 748 120 7 875 42.8
Zanore të tjera 7 2 29 38 1.9
Grupe zanoresh 79 1 6 86 4.21
Shkrimi i i-së dhe j-së 51 7 45 103 5
Shkrimi i rr-së 81 10 91 4.46
Bashkëtingëllore të tjera 53 15 33 101 4.95
Takime bashkëtingëlloresh 4 1 5 0.24
Fjalë me prejardhje të huaj 68 1 82 151 7.39
Nyja/pjesëza 54 54 2.64
Emrat e plotësat ambigjenë 30 16 46 2.25
Gjithsej 1497 193 358 2042

 

Nga të dhënat e Tabelës 1 mund të shohim se shkrimi i zanores ë fundore përfshin numrin më të madh të gabimeve (42.8%) që kryejnë studentët. Shkrimi i zanores ë të patheksuar (ë paratheksore dhe pastheksore dhe fundore) zë pjesën më të madhe të gabimeve (59.9% të gabimeve). Por kjo nuk do të thotë se shkrimi i kësaj zanoreje është problemi kryesor në zbatimin e drejtshkrimit, sepse dhe shkrimi i fjalëve të huaja, përdorim i gabuar i I-së dhe i J-së apo përdorimi i e-së së theksuar janë gabime po aq të zakonshme, duke marrë parasysh dendurinë e përdorimit të zanores ë në tekst, jo vetëm në temën e fjalës, por edhe në treguesit gramatikorë.

Një e dhënë tjetër interesante është që në tërësinë e gabimeve dominon mungesa e elementit që e kërkon drejtshkrimi, me 74.96 % të gabimeve, ndërsa në 7% të gabimeve shtohet shkronja dhe në 17.99 % përdoret një shkronjë tjetër në vend të asaj që e kërkon rregulli.

 

Tabela 2. Pasqyrë përmbledhëse

Kategori analize Numra
Kampioni (Tekste të kontrolluara) 104
N (numri i njësive të kuantifikuara në tekste) 33 218
Numri i gabimeve 2042
Raporti i gabueshmërisë 1:16.26
Përqindja e gabueshmërisë 6.14%

Në këtë tabelë shohim numrin e teksteve që kemi kontrolluar dhe praninë e gabimeve në to. Një student në një tekst që shkruan gabon mesatarisht 1 në 16 fjalë nga pikëpamja drejtshkrimore. 6.14% e fjalëve të tekstit të tij janë shkruar me gabime drejtshkrimore. Më poshtë mund të shohim rregullat që gabohen më shumë duke zbritur deri tek ato që gabohen më pak.

 

Tabela 3. Përmbledhëse sipas rregullave dhe sipas rendit zbritës

Rregulli Numri i gabimeve Përqindje
Ë fundore 875 42.8
Ë paratheksore 254 12.4
Fjalë me prejardhje të huaj 151 7.39
E e theksuar 121 5.9
Shkrimi i i-së dhe j-së 103 5
Bashkëtingëllore të tjera 101 4.94
Ë pastheksore 97 4.7
Shkrimi i rr-së 91 4.45
Grupe zanoresh 86 4.21
Nyja/pjesëza 54 2.64
Emrat e plotësat ambigjenë 46 2.25
Zanore të tjera 38 1.8
Ë e theksuar 13 0.63
E e patheksuar 7 0.34
Takime bashkëtingëlloresh 5 0.24
Gjithsej 2042

 

Të dhënat e mësipërme mund të paraqesin dhe një interes për të hetuar raportin që ekziston ditët e sotme (pas më shumë se 40 vjetësh) mes shqipes së folur dhe shqipes standarde.

Në të vërtetë, të dhënat e gabueshmërisë në tabelat e mësipërme nga pikëpamja gjuhësore janë një tregues i prirjes psikologjike të përdoruesve për ta harmonizuar shkrimin me shqiptimin. Në fakt pjesa më e madhe e gabimeve në raport me normën janë gjuhësisht paraqitje grafike e imazhit akustik të dëgjuar apo të shqiptuar. Sistemi ynë i shkrimit (fonematik) dhe parimi kryesor i hamendësuar i drejtshkrimit (fonetik) duket se e drejtojnë psikologjinë e përdoruesve vetvetiu tek një harmoni e tillë. Nga ana gjuhësore të dhënat e mësipërme janë tregues i zhvillimit gjuhësor dhe i veprimit të ligjeve fonetike të zakonshme për jetën e gjuhës. Nga ana normative të dhënat e mësipërme pasqyrojnë “një situatë të papërgjegjshmërisë gjuhësore[4]” me tregues të thuash deri “alarmantë”.

Shkaqet e rrënjosjes së një prirjeje të tillë të vetvetishme të nxënësve/studentëve për të harmonizuar shqiptimin me shkrimin sigurisht duhen kërkuar, më së pari, në mënyrën e mësimdhënies së shkrimit, dhe në veçanti në mësimin e shkrimit fillestar (nëpërmjet abetares). Hamendësoj se një pjesë e madhe e mësuesve në klasën e parë e drejtojnë fëmijën ende te forma e dëgjuar e fjalës dhe jo tek ajo e shkruar.

Edhe pse prirja për t’u mbështetur në elementet fonetike të fjalëve gjuhësisht është e natyrshme, ajo sot nuk i shërben më shkrimit në shqip, tashmë një sistem tjetër dhe historik komunikimi, me zhvillim të drejtuar dhe që parakupton një mënyrë krejt tjetër të receptimit.

Pra, drejtshkrimi i fjalëformës nuk duhet të lidhet më me shqiptimin e saj, por me imazhin shkronjor të saj. Forma e fjalës dhe shkrimi i saj ndjek një konvencion, që duhet të përjashtojë çdo motivim (gjatë përdorimit te shkruesi i zakonshëm) që vjen nga struktura e saj tingullore/fonemore (që dallohet, identifikohet prej shqiptimit) apo morfologjike. Në këtë kuptim tradita e shkrimit, si element që e errëson çdo gjykim e motivim mbi/për formën e të shkruarit, bëhet parimi drejtues për shkrimin e drejtë të fjalëve.

Kështu, parimi historik-tradicional i drejtshkrimit është në fakt parimi gjuhësisht i qenësishëm (i vërtetë) i shkrimit të një gjuhe. Lidhja mes strukturës grafike dhe asaj fonemore është arbitrare dhe gjithaq konvencionale (duke parakuptuar marrëveshjen për institucionalizimin e saj).

Gjendja e papërgjegjshmërisë në mënyrën e të shkruarit është edhe gjendja e një shoqërie përballë rregullit në përgjithësi, në Shqipëri sot. Por zotërimi i mirë i standardit, duam apo s’duam, është zotërim i mirë i aftësisë së të shkruarit. Dhe të shkruarit është përbërësi kryesor që mat performancën e nxënësit/studentit dhe aftësia që e synon, më së pari, shkollimi (midis 4 aftësive gjuhësore: të folurit, të dëgjuarit, të lexuarit, të shkruarit). Pra, puna për përmirësimin e kësaj gjendjeje i takon shkollës, mësuesve në radhë të parë, të çdo profili. A janë ata përdorues të përgjegjshëm dhe a kanë ata një nivel të lartë të përdorimit të standardit ashtu si pritet prej tyre? Studimi ynë i radhës do të masë pikërisht këtë gjendje, duke u nisur nga një hamendësim tjetër se rënia e nivelit lidhet drejtpërdrejt me aftësitë e mësuesit, të çdo profili, posaçërisht të mësuesit të gjuhës shqipe në shkollë.

Ballafaqimi me realitetin e zotërimit të normës prej mësuesve shpresojmë të nxisë përgjegjshmëri më të madhe ndaj përdorimit të shqipes, nga vetë ata që duhet të kenë përgjegjësi për çdo fjalë që shkruajnë përpara syve të nxënësve.

(c) 2018, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Kemi numëruar (apo kuantifikuar, term që përdoret në gjuhësinë statistikore) posaçërisht vetëm punët e shkruara me dorë, pasi punët me shkrime kompjuterike paraqesin një gjendje tjetër dhe më të ndërlikuar të ligjërimeve, pasi përmbajnë probleme të shtypshkrimit dhe të nivelit të ulët të zotërimit të njohurive të programeve shkrimore kompjuterike nga ana e subjekteve.

[2] Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë, Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Tiranë, 1973.

[3] Ja një shembull i numërimit të ortogrameve në këtë fjali nga teksti ynë: “Duke marrë1 idenë2 e konvencioneve3 që e përmendëm4 më lart5, mund6 të përcaktojmë7 si njësi8 grafike9 të kërkimit10 ortogramin11, d.m.th.12 fjalëformën13 që përmban14 një zgjedhje15 gjuhësore16 drejtshkrimore17.” Pra, kjo fjali ka 17 njësi të kuantifikuara.

[4] Shezai Rrokaj, Çështje të gjuhës shqipe, “Dy çështje për mësimdhënien e gjuhës shqipe në shkollë”, Albatros, Tiranë, 2007, f.211

23 Komente

  1. Teuta, nuk di nëse i kam interpretuar drejt rezultatet e këtij studimi; por kam përshtypjen se do të kish vlerë edhe krahasimi brenda llojit – p.sh. numri i fjalëve me gabim në shkrimin e ë-së fundore, i krahasuar me numrin e fjalëve ku kjo ë fundore është shkruar drejt. Ky lloj krahasimi do të maste luhatjet në zbatimin e normës përkatëse (idealisht edhe luhatjet në shkrimin e së njëjtës fjalë). Më tej, do të çelte rrugën për krahasime midis luhatjeve në rregulla të ndryshme – për të parë se ku janë më të mëdha: për ë-në fundore apo për ë-në paratheksore (po sjell një shembull kot); por më të mëdha në kuptimin e peshës, jo të numrit absolut. Dhe më tej, diferencat mund të mateshin për nga domethënia (sa sinjifikante janë).

    1. Te falenderoj Ardian per leximin dhe sugjerimet. Ne po bejme gati nje studim tjeter, dhe keto qe shkrove jane shume te rendesishme. Ne kete kerkim sasior, masa e gjetjeve ishte pak e madhe dhe duhej kohe per te perzgjedhur dhe vendosur kritere brenda llojit. Per mua ka qene shume e rendesishme te behej nje matje e pare nje here. Tani “do ta hedhim vallen” me mire

  2. Ne rast frazen “…dhe marrëdhënia me realitetin e folur është thjeshtëzuese, kufizuese dhe të një përmase tjetër funksionale gjuhësor…”, te cilen e shkeputa nga shkrimi I mesiperm, do ta kishte shkruar nje student dhe, me pas, kjo te kishte perfunduar ne tavolinat e nje komisioni studimor me objekt, jo nxjerrien e gabimeve dretshkrimore, por morfologjike, , a do t’I gjente ai komision korrekte disa forma te tilla aty?
    apo nese komisioni do te studionte edhe format e ndertimit sintaksor, do te kishte pune edhe shembujt e meposhtem: “…Kërkimi sasior është drejtuar nga rregullat e përcaktuara në botimin[2] e vitit 1973, “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, duke mos hulumtuar të dhëna që lidhen me pikësimin standard të shqipes, sepse shenjat e pikësimit janë konvencione të gjuhës së shkruar dhe marrëdhënia me realitetin e folur është thjeshtëzuese, kufizuese dhe të një përmase tjetër funksionale gjuhësor,,,” ?
    Apo “…Edhe pse prirja për t’u mbështetur në elementet fonetike të fjalëve gjuhësisht është e natyrshme, ajo sot nuk i shërben më shkrimit në shqip, tashmë një sistem tjetër dhe historik komunikimi, me zhvillim të drejtuar dhe që parakupton një mënyrë krejt tjetër të receptimit….” Kërkimi sasior është drejtuar nga rregullat e përcaktuara në botimin[2] e vitit 1973, “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, duke mos hulumtuar të dhëna që lidhen me pikësimin standard të shqipes, sepse shenjat e pikësimit janë konvencione të gjuhës së shkruar dhe marrëdhënia me realitetin e folur është thjeshtëzuese, kufizuese dhe të një përmase tjetër funksionale gjuhësor

    1. Aleks, une po e marr si pyetje dhe nevoje per shpjegim ate qe ke shkruar ti me siper:
      Me pak fjale, ne te folur ka aq larmishmeri ne intonacion. Ne te shkruar ne kemi vetem nje grusht shenjash pikesimi (pika, presja, pikeçuditja, pikëpyetja, trepikeshi e ndonje tjeter). Prandaj thashe qe shenjat e pikesimit e thjeshtojne realitetin e gjuhes se folur, e kufizojne. Nga ana tjeter, funksionojne edhe si elemente stilistikore, pra marrin nje funksion tjeter, perveçse te “transkriptojne” intonacionin.
      Shpresoj te kesh kuptuar.

      1. Teuta, pergjigjen tuaj e lexova lirshem dhe pa pengesa, sepse sipas meje, eshte shkruar ne menyre korrekte; ndersa shkrimi per te cilin po flasim me beri te kthehem disa here ne disa vende, ku sipas meje o une o fjalia e humbiste “intonacionin”. Psh. nese nuk eshte gabim shtypi, ne kete fraze:”…kufizuese dhe të një përmase tjetër funksionale gjuhësor…” me duket se mungesa e e-se tek fjala e fundit -gjuhesor- eshte nje forme e gabuar lakimi, mospershtatshmeri e gjinise etj.

        gjithashtu, tek :”…tashmë një sistem tjetër dhe historik komunikimi,..”, pjesa …dhe historik komunikimi, me beri ta lexoja jo vetem nje here; them se ka diçka qe nuk shkon.

        Tek kjo fjali, qe po e jap te plote, “Gjendja e papërgjegjshmërisë në mënyrën e të shkruarit është edhe gjendja e një shoqërie përballë rregullit në përgjithësi, në Shqipëri sot”, pikerisht rrethanori ne fund: -ne Shqipwri sot- madje rrethanoret sepse jane dy te tille, vendi dhe kohe, me dha pengese ne te lexuar. Edhe pse e di qe rendi i gjymtyreve ne fjali, ne gjuhen shqipe, eshte i lire, them se diçka aty nuk shkonte.

        Dhe e gjitha kjo meqenese shkrimi i referohej problemit te korrekteses drejtshkrimore.
        Pse te mos numerohen edhe gabimet morfologjike apo ato sintaksore?

        Meqenese ishim tek numerimi i gabimeve, druaj se aty siper duhet te kete gabime.

        1. Aleks, këto që keni vënë re, janë gjëra që duhej t’i kish kapur dhe ndrequr redaktori teknik. Nuk mund t’i kërkohet autorit të dorëzojë shkrim ortografikisht perfekt, madje edhe kur shkrimi merret me çështje të ortografisë. Për fat të keq, ne në Peizazhet jo gjithnjë i kemi mundësitë dhe kohën të kujdesemi për ndreqje të tilla. Si administrator dhe moderator, do t’ju lutesha që ta vazhdonit këtë argument, por jo duke qëmtuar shembuj në tekstin më lart. Nuk shkon.

  3. Kerkoj ndjese per perseritjen dhe ngaterresen pjeseve nder thonjeza marre nga shkrimi i mesiperm, por qellimi ishte evidentimi i tyre, ku sipas meje shfaqen gabime gramatikore+sintaksore. Une vete s’eshte hera e pare qw bej gabime te tipit selekt,copy, paste dhe vrap per te dale nga zyra 🙂 pa pare se çbera. ..por sidoqofte, kerkoj ndjese per gjera te tilla.
    Atehere, po i perseris shprehjet ku mendoj “…dhe marrëdhënia me realitetin e folur është thjeshtëzuese, kufizuese dhe të një përmase tjetër funksionale gjuhësor…”, “…Edhe pse prirja për t’u mbështetur në elementet fonetike të fjalëve gjuhësisht është e natyrshme, ajo sot nuk i shërben më shkrimit në shqip, tashmë një sistem tjetër dhe historik komunikimi,..”,
    Por doja te shtoja edhe kete: “Gjendja e papërgjegjshmërisë në mënyrën e të shkruarit është edhe gjendja e një shoqërie përballë rregullit në përgjithësi, në Shqipëri sot”

  4. Eshte e qarte, se pa standartin drejshkrimor gjuha do te behej corap. Por per fat, shqipja mua me duket nje zonje mjaft tolerante ne lidhje me shume gabime gramatikore qe behen me dashje e padashje, ne krahasim -bie fjala- me gjermanishten, ku kjo ushtare e disiplinuar nuk mund te dale fare nga rreshti, sepse rrezohet. Ne shume fjale, “ë”-ja ne fund te tyre edhe mund te mos perdoret, dhe gjate leximit kjo nuk ndjehet fare, kjo per faktin se ka edhe fjale te tjera qe nuk e pranojne “ë”-n ne fund, si partizan, plak (mashkull), luan, etj. Nganjehere nuk eshte tragjedi edhe kur “ë”-n ne mes te fjales nuk e perdorim, si p.sh. shqiptar. Po edhe presja ne nje fjali ka me teper mundesi levizje aty-ketu-atje, nga sa ka gjermanishtja p.sh.. Po dhe fjalet e perbera, disa mund ti shkruajme me vize ne mes e disa pa vize. E sa e sa perjashtime, qe na i lejon kjo zonje fisnike! Edhe vete fjalia ne shqipe ndertohet ne disa menyra me te njejtat fjale. Kur kjo gjuhe e ka kete mundesi alternimi fjalesh, pse u dashka tu qendrojme 100% besnik rregullave te drejtshkrimit?!?

    1. r.th. – mendoj se ka ndryshim (mos)përdorimi i ë-së në kontekste të ndryshme. Psh si kur shkruhet “ata janë” ashtu edhe kur shkruhet “ata jan” është e qartë që referimi është në shumës (ndonëse të them të drejtën më shqetëson thuajse fizikisht mungesa e ë-së).
      Në ndryshim nga kjo, t’i heqësh për shembull ë-në shumësit të “shqiptar” sipas meje është shumë problematike pasi i mohon lexuesit cilësimin e njëjësit apo shumësit dhe e çorodit kuptimin. Psh kur shpesh shprehemi “o shqiptar”, po të mos e respektonim ë-në, do ta kishim me atë shqiptarin përballë apo me shqiptarët në përgjithësi.
      Unë e kuptoj se gjuha evoluon dhe sidomos shqipja që është një gjuhë e lëvruar vrullshëm në këtë shekullin e fundit duhet të jetë e përgatitur dhe e hapur ndaj ndryshimeve që lypen po aq vrullshëm, por jo kur këto e varfërojnë gjuhën e ndaj më duket se duhet patur shumë po shumë kujdes e vëmendje në sistematizimin e ndryshimeve.

      1. R.Th. nuk e kishte fjalën per ë fundore.Duket Nuk e di që shqiptar shkruhet pa ë.
        P.S.Vërejtjet e Aleksit për autoren janë të drejta.

  5. E qarte Ardian dhe shume e drejte. Une thjesht mendova qe specialistet e fushes, per vete natyren e tyre, jane pike referimi jo vetem ne çeshtjet drejtshkrimore por dhe ne ato te gramatikes. Kurse persa i perket ndertimit te formave sintaksore, me thene te drejten e se kam per turp te them, une shkrimet e ustallareve i ndjek edhe si nje leksion per te rregulluar difektet e mija.

  6. Aleks ke kapur nje pike shume interesante, sepse gabimet sintaksore jane me thase dhe nuk i veme re. Une vete bej aq shume gabime, saqe per t’i ndrequr sadopak fus pikepresjen e kllapat dhe nuk respektoj presjen e ndonje rregull tjeter ( ka presje qe e vrasin rrjedhshmerine – psh ketu forma korrekte eshte ”ka presje, te cilat e vrasin rrjedhshmerine”-).

    Ne nje nga shembujt e tu te mesiperm, …… ne Shqiperi sot, do te mjaftonte futja ne kllapa.

    – “Gjendja e papërgjegjshmërisë në mënyrën e të shkruarit është edhe gjendja e një shoqërie përballë rregullit në përgjithësi (në Shqipëri sot)”,

    Dmth me e mira do te ishte qe fjalia te mos i kishte ato kllapa e te niste:

    Ne Shqipërine e sotme, gjendja e papërgjegjshmërisë në mënyrën e të shkruarit është edhe gjendja e një shoqërie përballë rregullit në përgjithësi.

    Me mire akoma do te ishte qe fjalia te rindertohej sepse folja ”eshte” nuk e permbledh idene, dmth eshte çfare; eshte tregues, eshte pasoje , eshte identike, ecen krahperkrah, perfaqeson, me pak fjale folja ”eshte” eshte per t’u zevendesuar apo rregulluar.

    Ndoshta nisja nje forme ne kallzore, ”gjendjen e papergjegjshmerise” do te ishte me e pershtatshme per t’i dhene fjalise foljen e duhur dhe per te pamundesuar ate zgjatimin ne fund ( ne Shqiperi sot).

    Hamendesoj se prirja e sotme per emeroren vjen si pasoje e ndikimit te gjuheve te huaja dhe nje pjese e gabimeve sintaksore dhe gabime te tjera morfologjike jane rrjedhoje e pashmangshme e nje inflacioni te emerores.

    Nejse se eshte çeshtje e gjate, po gjithsesi Teuta ka bere pune te levdueshme, meqenese ë-ja ne veçanti eshte problem shume serioz dhe heret a vone i duhet dhene nje zgjidhje. Problemi nuk eshte i ketyre 30 vjeteve, por ka qe ne 1972-shin.

    1. Hyllin, me kujtohet qe ne nje nga komentet e tua, rreth nje vit me pare, ne nje nga shkrimet e Xha xhait, ku trajtohej nje nga aspektet e metodologjise se etimologjise se Çabejt, keni shfaqur shqetesimin e bjerrjes se nyjes se perparme …., e cila, ne pikpamjen tuaj, rrezikonte sistemin e lakimit te shqipes, pra behej fjale per diçka me pasoja te renda ne sistemin tone gramatikor. Une e mora shume seriozisht shpjegimin tuaj per rendesine e nyjes dhe, te jem i sinqerte, kur veçova disa fjali ne komentin tim, ne nje prej tyre mu kujtove ti. Behet fjale per kete rast: “…marredhenia…te nje permase tjeter..” Meqe erdhem deri ketu, e kam gabim apo nyja -te- duhet te ishte -e-?

      1. Padyshim qe duhet e-ja e jo te-ja, por besoj se shume nga keto gabime jane lapsuse qe behen rruges; pak a shume i bejme te gjithe.
        Lakimi i emrit ( jo lakimi emrit, te pakten lakim’ i emrit) eshte nje nga elementet me te goditur te shqipes dhe hamendesoj se do te vazhdoje te goditet. Gjuhet e huaja me te perdorura nuk kane rasa, keshtu qe do te ndikojne per keq gjithnje e me shume.
        Perpos gjinores jane ne rrezik edhe kallzoret vendore e kohore, te cilat do te perdoren rendom ne te pashquar, sepse ngjajne si emerore, si ne shembullin lart, ne Shqiperi sot, qe eshte kallzore vendore ne te pashquar.
        Ne fakt, thuhet sot ne Shqiperi, perndryshe ”ne Shqiperine e sotme”, qe eshte forma e rrezikuar, kallzore vendore e shquar. Kjo eshte forma ne absolut e parapelqyer ne krahasim me ”sot ne Shqiperi”, kur behet fjale per aktualitetin, perndryshe sot ne Shqiperi, parapelqehet posaçerisht per diten e sotme, 24 h.

        Dallimi thelbesor eshte se sot ne Shqiperi, thekson konceptin e kohes, kurse ”ne Shqiperine e sotme” thekson vendin.

        Parapelqimi i emerores per subjektin e fjalise eshte diçka normale, kur fjalite vendosen ne rregullin SVO, subjekt-folje-objekt, por shqipja ka aq shume tolerance ne vendosjen e fjaleve, saqe vrapimi pas SVO-se edhe kur fjalia ndertohet me mire me rend tjeter, nuk eshte gje tjeter veçse efekt i gjuheve te huaja, sidomos anglishtes, e cila eshte nje gjuhe SVO mjaft e ngurte.

        Kjo me tej krijon probleme ne vete konceptimin e fjalise, meqenese kur vendosim ne fillim subjektin ne emerore duam s’duam gjithe fjaline do t’ia pershtasim. Si rezultat shruajme gjera qe nuk na dalin mire ose qe do te dilnin me mire ne rend tjeter apo me subjektin ne kallzore apo dhanore.

        Nejse, aleks se tema eshte e gjere dhe e gjate, nuk po zgjatem me tej, se tangjentja puthet ne nje pike, nuk ben shume rruge bashke me objektin tjeter (perndryshe nuk do te ishte tangjente 😀 ).

        1. Më lejoni të ndërhyj këtu dhe të tërheq vëmendjen tek nevoja për përdorimin e ë-së.
          Aleksi sjell në vëmendje një koment të Hyllinit të një viti më parë: “marredhenia…te nje permase tjeter”.
          Këtu psh mungesa e përdorimit të ë-së i bjerr qartësinë frazës, sepse “marrëdhënia…te një përmasë tjetër” është tjetër gjë nga “marrëdhënia…të një përmase tjetër”. E shkëputur kështu nga konteksti nuk jep mundësi të kuptohet cila nga të dyja është në të vërtetë origjinalja, pikërisht sepse i mungojnë ë-të.

        2. Nuk me ka cituar mua, por Teuten. Duhet te ishe me e vemendshme ne lexim, pastaj te shkoje tek pikat e schwa-se.
          Ne parim qendron, por na stervit theksi qe nuk vendosim.

        3. Vërejtje për stilin
          1. “…sepse shenjat e pikësimit janë konvencione të gjuhës së shkruar dhe marrëdhënia me realitetin e folur është thjeshtëzuese, kufizuese dhe të një përmase tjetër funksionale gjuhësor.”
          Keni të drejtë për të dyja vërejtjet: më ka shpëtuar një “të” në vend të një “e” dhe më ka shpëtuar “gjuhësor” pa “ë”. Këto janë gabime që shpëtojnë kur e lexon tekstin aq e aq herë. Dhe jo se janë copy paste e vrap për një punë tjetër.
          2. Po bëj një shtesë në kllapa për ta parë më qartë:
          “…ajo sot nuk i shërben më shkrimit në shqip, tashmë [shkrimi] një sistem tjetër dhe [sistem] historik komunikimi, [një sistem] me zhvillim të drejtuar dhe që parakupton një mënyrë krejt tjetër të receptimit.”
          Fjalët në kllapa tregojnë konceptet të cilave u referohem. Pra, pjesa e fjalisë pas presjes shpjegon “shkrimin”, që në gjuhësi konsiderohet si një sistem tjetër, i ndryshëm nga gjuha e folur. Pra, pjesa e fjalisë “problematike” janë disa përcaktorë të rreshtuar dhe gjymtyrën e përcaktuar nuk mund ta përsëritësh. Ndonjëherë mendimin e ke të vështirë ta ndash me thikë, dhe sintaksa e shqipes ta lejon lirinë.
          3. “Gjendja e papërgjegjshmërisë në mënyrën e të shkruarit është edhe gjendja e një shoqërie përballë rregullit në përgjithësi, në Shqipëri sot.”
          Pjesa “në Shqipëri sot”, mund të kish qëndruar në kllapa. Por unë e kam përdorur si rrethanor të veçuar, si një shtesë, sepse nuk kam dashur të jap një ide që është pak si shumë e skajshme. Pra, jam përpjekur të shtoj më drojë një mendim që më është dukur pak i guximshëm. Sintaksa e shqipes ta lejon këtë liri.
          Sintaksa e një gjuhe ka rregullat e veta, sigurisht. Por ajo ka nevojë të eksplorojë edhe të zgjerojë përmasat e veta. Se, nëse ne përsërisim po atë struktura dhe modele, ku është zhvillimi? Dhe si arrin ajo ta pasqyrojë mendimin që thellohet e zgjerohet?
          Ju falënderoj të gjithëve për vërejtjet.

        4. Teuta nuk kishe ç’e doje kete sqarim pike per pike, se po duket si ora e qortim-hartimit.

          Te them te drejten nuk e kuptova pjesen e fundit, ate te eksplorimit te hapesirave te reja ne sintakse, se shqipja ka nje tolerance sintaksore qe te fut friken ( zbaton tregtine e lire ne sintakse).
          Marrim nje shembull :

          1 – Goni i tha Benit….

          Kjo eshte forma neutrale, standart, formale, me rend SVO (KFK). por ne shqip qendrojne gjithe format e tjera:

          2- I tha Goni Benit (VSO)
          3- I tha Benit Goni (VOS)
          4- Goni Benit i tha (SOV)
          5- Benit i tha Goni (OVS)
          6- Benit Goni i tha (OSV)

          Ne kete strukture mund te fusim çfare te duam e si te duam, po nuk tingelloi mire, atehere perdorim kllapat dhe e zgjidhim. Edhe fjalia qe thone se nuk duhet nisur me lidheza, ne fakt mund te niset si ne kete fjali ( perndryshe fjalia pararendese behet teper e gjate me shume koncepte brenda, gje qe nuk favorizon leximin, por e veshtireson ne menyre te pakuptimte).
          Vazhdojme me shembullin:

          -I tha, me shume qetesi dhe dashuri, Goni, ky kordhetar (i oreve te para) i lirise se fjales, Benit, ketij faraoni te mediave te kapura shqiptare, pikerisht dje, qe …….

          Une besoj qe shqipja ka aftesi te medha per te bere terkuz e krejtesisht te palexueshem çdo lloj teksti, sikunder e demostroi pak dite me pare Skandinav Kamberi (s’po me vjen emri tani), por kjo tolerance formale, qe te mos krijoje kaos ka disa rregulla kontekstuale.

          Keshtu nqs dua t’i jap theksin veprimit atehere e nis me folje, duke krijuar fjali VSO ose VOS, nqs dua t’ia jap rendesine subjektit atehere e nis me subjektin e krijoj SVO ose SOV e çfare mbetet ne rast te theksit tek objekti.

          Toleranca/liria sintaksore eshte menyre per te krijuar kaos, por edhe menyre per te çliruar kapacitete te caktuara, varet per çfare e perdorim. Tregtia e lire te çon edhe ne grope.
          Per mendimin tim, nje shkrimtar i mire eshte edhe mjeshter i sintakses (dhe shqipja do goxha mjeshteri se i ka rregullat e pashkruara shume fine), nderkaq publicistika dhe shkrimi akademik, mund te mjaftohen me redaktimin nga nje i trete.

  7. Po, falemnderit, marr zotim dhe premtoj se do të jem më e vëmendshme në lexim herës tjetër.

    1. Ok, po nuk ishte dashakeqe, thjesht verejtja per rolin e schwa-se nuk ka shume lidhje me çfare po diskutonim, qe ishte pikerisht nyja e gjinores ( dhe nyje gjinoreje pa schwa nu’ ka).
      Qe schwa-ja eshte e rendesishme, kete nuk e diskuton njeri, biles eshte germa me e rendesishme, si per nga shpeshtesia e perdorimit si per nga funksionet gramatikore. Pikerisht per kete arsye do vemendje me te madhe dhe disa nga propozimet qe jane hedhur duhen marre parasysh.
      Nje nga format qe paraqesin problem eshte forma ”do te te”, do te te them, do te te bej etj. Ketu mund te hiqej nje schwa, psh do te t’them apo do te t’bej etj. Mund edhe te shkohej tek nje bashkim tet’, psh do tet’ them apo do tet’ bej ( version pa apostrof, do tet them, do tet bej).
      Nqs nuk behet nje rishikim, luften do ta fitoje zhdukja e nje prej te-ve dhe bashkimi formal i koheve te foljes.

      Ky shembull me erdhi tani, po ka nje numer te madh rastesh qe duhen ripare, ne fund te fundit cilesia e akademikeve te 1972 ishte vertet shume e ulet, per shkak te moshes se re dhe mungeses se dukshme te kualifikimit shkencor. Kaq sa kane bere eshte mrekulli me vete, kur sheh çfare defiçiti shkencor kishte Kongresi.

  8. Teuta, ketu tek Pejzazhet, jo rralle jane bere shkrime qe prekin problematika te fushes se gjuhesise. Pavaresisht komenteve dhe kendveshtrimeve kundershtuese qe i kane shoqeruar ato, duke qene se autoret kane qene profesioniste te fushes, keto shkrime kane qene pikw referimi per te gjithe ndjekesit e interesuar. Gjithkushi ka pasur se ç’te mesoje prej tyre, apo te rikujtoje gjera e rregulla te harruara nder vite.
    Ne te gjitha keto shkrime, per vete natyren e tyre, autoret kanw qene skrupuloz ne drejtwshkrimin e fjaleve, formave gramatikore dhe ndertimin sintaksor te fjalive. Flas per shkrimin, qe supozohet se kontrollohet me kujdes nga autori. Komentet jane tjeter gje, ato shpesh jane pasionante, te nxituara, here shkruar drejtepersedrejti ne kutizen e pergjigjeve e here ne word etj, dhe si te tilla kalojne me gabime. Ne komentin tuaj, une perseri konstatova gabime, por nuk me shqetesojne; pasi ne koment ndiqet ideja shume me shume se forma. Shkrimi eshte tjeter gje.
    Ne perfundim, une perseri jam i paqarte ne shpjegimin tuaj te pikes 2.
    E paça une gabim.

  9. Jo student, pa qellim. eshte nje 1/2 shprehi. kur shkruaj gjate ne word punet e mia e perdor ne vend te ë-së, siç e praktikojne te gjithe. Kur shkruaj komente pertoj ta bej kete gje dhe shkruaj me e. Ne te dyja rastet jam i pakujdesshem.
    Cili mendoni ju se mund te ishte qellimi?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin