Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Nostalgji

VENDE DHE LODRA PËR MEMORIEN

Dy makineri të rënda erdhën papritur në vëmendjen e publikut këto ditë vere: një lokomotivë me avull, e fillimeve të hekurudhës shqiptare, që u soll dhe u vendos – si dekor urban, skulpturë dhe locus memoriae – te Bulevardi i Ri në Tiranë, por edhe si gur varri për stacionin e dikurshëm të trenave të udhëtarëve; dhe një nëndetëse nga të Pasha Limanit, e cila u “restaurua” dhe së shpejti do të jetë gati të presë vizitorë dhe turistë – dhe që e përfytyroj të ngjashme me tunelet ushtarake Bunk’Art të hapur vitet e fundit në Tiranë gjithnjë në kuadrin e “industrisë” së turizmit, ku eksperimentet post-muzeologjike kryqëzojnë shtigjet me instalacionet; po aq klaustrofobike, po aq post-apokaliptike.

Të dyja mjetet janë ndrequr njëfarësoj dhe sidomos hijeshuar; por jo për t’i kthyer sërish te funksionet e tyre origjinale: lokomotiva nuk do të tërheqë dot vagonë, nëndetësja nuk do të patrullojë dot më nëndetin (dhe as mbidetin). Përkundrazi, ato janë riformuluar tashmë si shenja të vetes së tyre të dikurshme, nëpërmjet operacionesh plastike të ngjashme me taksiderminë, ose balsamosjen a mumifikimin e shpesëve, shtazëve të gjahut dhe gjysmë-perëndive.

Lokomotiva TKT-48 e prodhimit polak, që ka qenë në shërbim për gati 35 vjet, tani do të shërbejë për t’u kujtuar njerëzve epokën e transportit hekurudhor; por vjetërsia e teknologjisë së saj me avull nuk ka me çfarë të krahasohet, sa kohë që trenat në Shqipëri praktikisht e kanë humbur dukshmërinë. E ruan një farë hijeshie mekanike elementare, si prej plake të stolisur, që u atribuohet zakonisht mjeteve të vjetra (vintage); por për brezin e pas-1990-ës që hekurudhat tek ne praktikisht nuk i ka njohur dhe as i ka përdorur, gjasat janë që t’u referohet drejtpërdrejt filmave historikë.

Me sa duket, një filmi historik të Realizmit Socialist – “Ballë për ballë” – do t’i referohet edhe një nga nëndetëset e bazës detare të Pasha Limanit, e njohur me emrin “nëndetësja 105” dhe e përjetësuar, më parë se te filmi, te një roman shumë i lexuar i Ismail Kadaresë në vitet 1970. Si simbol, ajo i ka shërbyer mitit të përplasjes shqiptaro-sovjetike në bazën e Vlorës në vitin 1961, të rrëfyer në art më shumë e më gjerë edhe se në historiografi.

Dokumente Kryesore të PPSH, volumi nr. 4, faqe 45

Ironikisht, një shkrim i botuar në gazetën “Sot” këtu e pesë vjet të shkuara, përcjell një letër të qytetarit Agron Gërbi, i cili shpjegon se “Nëndetësja 105” nuk ka ekzistuar, se nuk ka asnjë dokument për të dhe se nëndetësja reale ka pasur numrin 196 (sikurse del edhe në një dokument zyrtar të PPSH-së). Korrigjimi duket trivial (në bazë edhe të dëshmive të tjera të sjellë nga protagonistë të nderuar të atyre ngjarjeve), por vetë ngatërresa duket sikur konfirmon pështjellimin e historisë me rrëfimin artistik; në kuptimin që konflikti shqiptaro-sovjetik në bazën e Vlorës tingëllon më heroik në romanin e Kadaresë dhe artikulohet më dramatik në filmin përkatës, se ç’ka ndodhur në realitet.

“Restaurimi” i këtij objekti tani, për ta bërë të vizitueshëm nga kureshtarët, e plotëson procesin e filluar prej kohësh, të normalizimit të historisë; duke bërë që edhe një mjet lundrimi real i asaj kohe të përfaqësohet nga karkasa e vet e balsamosur, e cila nuk është veçse një lodër, e barasvlershme me topat mesjetarë që i lënë ndonjëherë në muret e kalave, për bøthët e lodhura të turistëve. Dhe ndryshe nga lokomotiva, e cila në mënyrën e vet u ka shërbyer njerëzve dhe tani i shërben memories së tyre, “nëndetësja 105” është produkt artificial, një vegël vrastare që, për fat të mirë, nuk është përdorur kurrë. Asnjë vizitori nuk do t’i kujtohet gjë, kur ta vizitojë; me përjashtim të çfarë mban mend nga romani e ndoshta më shumë nga filmi. Prandaj “rikthimi” i saj është një operacion i denjë për një Disneyland made in Albania (në vazhdim logjik të Muzeut të Skënderbeut në Krujë).

Nga një vështrim, edhe lokomotiva edhe nëndetësja – të lyera me makijazh dhe të gatshme për të nusëruar për turistët – trashëgojnë periudhën industriale në Shqipëri; kur vendi kish përnjëmend rrjet hekurudhor dhe baza detare funksionale. Rehabilitimi i tyre simbolik, balsamimi i tyre dhe ekspozimi i tyre në trajtë mumjesh tërheqëse, shënjon edhe kalimin në periudhën post-industriale për Shqipërinë, ku përshpejtimi i djeshëm teknologjik mund të përjetohet nëpërmjet “lodërzimit”, ose ndarjes së veglës nga funksioni i saj parësor. Kjo mundëson edhe arkeologjizimin krejt të parakohshëm të së djeshmes. Gati-gati, të duket sikur Shqipëria nuk është më në gjendje ta riprodhojë nivelin teknologjik të së shkuarës dhe tani arrin ta rikuperojë vetëm në rrafshin simbolik; duke u përpjekur, in extremis, t’i shndërrojë të paktën varrezat në muzeume.

Një operacion i ngjashëm me këtë të nëndetëses 105 thuhet se është ndërmarrë edhe në Kuçovë, ku vizitorët dhe kureshtarët mund të shohin nga afër karkasat e bojatisura të MIG-ëve të dikurshëm. Normalisht, këto lloj instalacionesh ndërmerren për të vendosur kontakt me të shkuarën në kontekstin e një së tashmeje ekzistuese dhe në kontrast me të; përndryshe, nuk di ç’kuptim do të kishte, për vizitorin e sotëm shqiptar, një MIG i viteve 1960-1970, në rrethanat kur Shqipëria nuk ka më forcë luftarake ajrore.

E megjithatë – që këta avionë janë ekzo-skeletet e atyre të djeshëm, sikurse kjo nëndetëse është zhgualli i asaj të djeshmes, sa e bën kjo më reale praninë e tyre si eksponate muzeu, përtej efektit të kërkuar ludik? Sa rëndësi duhet t’i japim këtij fetishizmi lojcak, që na bën t’u atribuojmë objekteve lidhje magjike me ngjarjet që kanë ndodhur në afërsi të tyre, brenda tyre? Për një ajror të vogël “amerikan” të tipit Lockheed T-33 ekspozuar dikur në Muzeun e Armëve në Gjirokastër u pat thënë më pas se nuk paskësh qenë autentik (i kapur prej tanëve), por i dhuruar prej sovjetikëve; por për ne që e patëm vizituar Muzeun në vitet 1980, ajo lodër e brishtë prej llamarine ishte nga kuriozitetet kryesore, që na tërhiqte vëmendjen përtej domethënies si relike e Luftës së Ftohtë. Midis pasionit të koleksionistit dhe kuriozitetit prej fëmije ka gjithnjë një tension që nuk ka të bëjë me autenticitetin historik, por me historinë të shndërruar në spektakël.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat.

Imazhi në kopertinë, © Gent Domi, www.albanian-transport.com

5 Komente

  1. U përpoqa të gjej ndonjë informacion më shumë për rastin e “Nëndetëses 105”, e kujt ishte ideja, kush financon meremetimin dhe kush do të administrojë shërbimin e saj në të ardhmen, por nuk gjeta gjë on-line. Ndoshta është një ndërmarrje që kërkon shumë leje institucionesh, sikur qoftë dhe për shkak të trupit masiv të objektit. Po, më kujton franchising Bunk’Art, dhe nuk më pëlqen aspak ideja e zhvillimit të mëtejshëm të atij vizioni. Mirëpo, në këtë mes, nuk kuptoj pse qëndrojnë në të njëjtën kategori nëndetësja, avionët e Kuçovës, avioni i kalasë së Gjirokastrës, dhe lokomotiva e Bulevardit të Ri? Më habiti ndërmarrja e vendosjes së asaj lokomotive aty ku dikur ka qenë Stacioni i Trenit, prandaj pyeta dhe mësova se ky projekt nuk është aspak shtetëror, por krejtësisht privat. Autoritetet shtetërore vetëm kanë lejuar të ndodhë vendosja e lokomotivës, ose, instalacionit, në vendin ku ndodhet tani. Lokomotiva nuk i shërben (apo, të paktën, pavarësisht se kush i del “baba” projektit, qëllim në vetvete nuk e pati t’i shërbejë) ndonjë politike dritëshkurtër, por vetëm kujtimit të Stacionit të dikurshëm. Mes shembujve të artikullilt, më duket i tepër karakterizimi “lodër” për lokomotivën, për arsyen e vetme sepse bart brenda saj edhe ironinë paqësore ndaj zhvillimit kapitalist të kryeqytetit, edhe ironinë ndaj faktit se jemi vend që aspirojmë anëtarësimin në Europë, por pothuaj pa rrjet hekurudhor dhe pa stacion qendror në kryeqytet (ndoshta edhe për këtë duhet të marrim ndonjë çmim ndërkombëtar, por komplet si popull, jo vetëm si qeverisje lokale). Bulevardi i Ri është simboli horizontal, në dallim nga kullat vertikale, i zhvillimit kapitalist që rrafshon ç’i del përpara. Çelje e perspektivës zhvillimore në një krah të pa zhvilluar të kryeqytetit, dhe mbyllje përhera e një tjetër perspektive: zhvillimit të rrjetit hekurudhor deri në zemër të kryeqytetit. Sipas syve të mi, lokomotiva është ironia therëse, tallja me gjithë arkitektët që vijnë dhe projektojnë Tiranën pa pasur as idenë më të vogël ç’është Tirana, dhe simbol i dyzimit mes qeverisjes dhe qytetarit. Metafora të tilla nuk i kanë objektet e tjera të sjella në artikull.

    Në fund, pastrimi i lokomotivës (se, nuk është restauruar, pasi nuk është funksionale, është pastruar dhe lyer me bojë, vetëm kaq) dhe monumentalizimi i saj nuk i shërben asnjë përfitimi privat apo publik, kushdo mund ta kundrojë lirshëm sa herë të dojë. Madje, është ndërmarrje e pa financuar nga ndonjë organizëm shtetëror, por vetëm nga të ardhurat private të ca djemve që patën dëshirë ta bënin. Mik e kam Platonin, por më shumë kam mike të vërtetën. Nuk mund të jemi cinikë gjithmonë dhe për gjithçka. Të paktën jo pa argumentuar arsyen.

    1. Siç e shoh unë, lokomotiva e restauruar kremton një kujtesë kolektive të një moshe të caktuar, por edhe një teknologji specifike – hekurudhën, trenin – e cila i përket, hë për hë, së kaluarës dhe, praktikisht historisë. Zakonisht, dhe siç i kam parë, objekte të tilla hijeshojnë vende dhe hapësira ku praktikohet – për qëllime utilitare – e njëjta teknologji, por tashmë e çuar një hap më tej: për shembull, një aeroplan me helikë i ekspozuar në një aeroport modern; ose një lokomotivë me avull në një stacion hekurudhor trenash elektrikë. Në këtë pozicion, ato mbajnë të gjallë një memorie dhe një traditë dhe bashkojnë mes tyre brezat. Ndërsa lokomotiva e ekspozuar te Bulevardi i Ri në Tiranë vjen në një kohë kur në Shqipëri – për shkaqe që nuk po i diskutoj këtu – hekurudhat dhe trenat janë braktisur si teknologji dhe janë lënë të amortizohen. Prandaj operacioni – pavarësisht se nga kush është ndërmarrë dhe me ç’qëllime, të cilat kurrsesi nuk dua t’i paragjykoj – është në fakt i ngjashëm me ekspozimin e një kafshe të balsamosur, e cila përndryshe është zhdukur. Ndoshta mund të lexohet edhe si një qortim ndaj pushtetit, që i ka lënë shqiptarët pa hekurudha; por kam frikë se edhe më shpesh do të lexohet si një Ersatz i teknologjisë së djeshme; instalacion që ia lejon vetes të zëvendësojë hapësirat kyçe të qytetit europian modern – si stacioni hekurudhor – me shenjat e tyre. Mua nuk më duket cinik ky interpretim; edhe pse mund të mos e ndajmë bashkë. Ajo çfarë e bashkon lokomotivën me nëndetësen 105 dhe ajrorin në Gjirokastër dhe avionët e Kuçovës dhe tunelet, në vizionin tim, është balsamimi i teknologjisë, që ofrohet tani për konsum – pavarësisht se nga kush dhe pse. E kam quajtur lokomotivën “lodër”, por për mua lodra nuk e ka atë konotacion negativ, që mund ta ketë për njerëz super-utilitarë, të cilët mendojnë se e kanë kapërcyer fëmijërinë; aq më tepër që, gjithnjë për mua, sekreti i një jete të jetuar lirisht është të dish si ta rikuperosh fëmijërinë. Dhe kjo s’ka të bëjë me atë se kush luan me atë lodër.

  2. nje shenim per nendetesen 105. flota luftarake detare e atehershme per arsye deception apo edhe kamuflazhi ndryshonte hera-heres numrat anesore te anijeve (dhe sidomos te nendetesve) keshtu qe zbulimi armik nuk ishte ne gjendje te jete i sigurt per sasine apo per gjendjen operative te mjeteve te flotes.

  3. Ndoshta ne shkrimin e mesiperm ka nje mase nihilizmi, por per ne shqiptaret jo aq dramatike, besoj.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin