Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Totalitarizëm

DYZIME SH-KRIM-TARËSH

“Unë fitova Nobelin në letërsi. Po ti çfarë krimi ke kryer?”

Bill Mauldin fitoi një Pulitzer për karikaturën e botuar në 30 tetor 1958, në gazetën “St. Louis Post-Dispatch”, ku shihej një i dënuar në një gulag sovjetik pyeste të dënuarin tjetër: “Unë fitova Nobelin në letërsi. Po ti çfarë krimi ke kryer?”

I dënuari fitues i Nobelit nuk ishte veçse Boris Pasternaku i Dr. Zhivagos, suksesi i të cilit në Perëndim, me përkthimin e një vepre ende të pabotuar në atdhe, ishte sa letërsisht i merituar, aq edhe efekt i luftës së ftohtë.

Pushteti totalitar sovjetik, edhe pse i dobësuar pas destalinizimit dhe i etur për ta zbutur imazhin e një vendi të sunduar madje të formësuar nga terrori policor, reagoi ashpër ndaj vendimit të Akademisë Suedeze, duke nxitur dhe mbështetur një fushatë masive në mediat kundër Pasternakut.

Në kohën e Stalinit Pasternaku ndoshta do të kish ngrënë sakaq një plumb kokës; dhe ish-viktimat e terrorit të viteve 1930 nuk u impresionuan shumë nga linçimi që iu bë nobelistit të ri në mediat. Prandaj edhe poetja dikur e persekutuar keq Anna Akhmatova e komentoi kështu fushatën anti-Pasternak, me shoqen e vet Lidia Çukovskaja: “Një betejë fluturash.”

E megjithatë, historia nuk njeh rast të dytë, kur një super-shtet të ngrihet i gjithi në këmbë kundër fituesit të Nobelit letrar, për shkak të fitores[1]. Ky paradoks, i kontrastit mes prestigjit të Nobelit dhe poshtërimit të autorit nga autoritetet, ndihmon për të kuptuar natyrën paranoide të pushtetit totalitar.

Romancierja Galina Nikolajevna i pat shkruar atëherë Pasternakut, për t’i thënë se i adhuronte poezitë e tij të hershme, por tani ishte gati t’ia jepte një plumb ballit. “Jam grua që kam hequr shumë dhe nuk e kam zakon t’i përçmoj të tjerët, por për tradhti si kjo juaja nuk do të ngurroja ta shkelja këmbëzën,” përfundonte letra.

Pasternaku iu përgjigj kështu: “Ju jeni më e re se unë dhe do ta jetoni ditën kur njerëzit ta interpretojnë ndryshe se çfarë ndodhi.”

Të mos i humbasim dy ironi: Pasternaku po dënohej edhe për romanin, por sidomos për Nobelin që i dhanë – diçka që nuk varej prej tij. Dhe ironia tjetër: ndëshkimi publik ishte i rëndë, sepse autori i Dr. Zhivagos konsiderohej si poet i madh sovjetik.

Kjo asimetri absurde, mes meritës dhe përgjegjësisë, do ta bënte gjithnjë të frikshme mënyrën si ndëshkonte pushteti totalitar.

Edhe Nikolajevna, e cituar më lart, që fliste me “zërin e masës”, e bënte qartë dallimin mes poezive të mira të Pasternakut dhe tradhtisë së tij: poezitë ishin vërtet të mira, por Pasternaku njeri dhe qytetar nuk mund të kapitalizonte mbi vlerën e tyre.

Me fjalë të tjera: poezitë ishin të mira, por plumbin simbolik ballit nuk do ta merrte dr. Zhivagoja, por autori i romanit.

Fatin e Pasternakut e pat ndjekur nga afër, aso kohe, edhe yni Ismail Kadare, që gjendej në Moskë, për të studiuar shkrimtarí, në Institutin Gorki. Kadareja e ka rrëfyer këtë incident – duke i dhënë vetes nuk dihet çfarë licencash letrare – te novela Muzgu i perëndive të stepës.

Versioni i hershëm i Muzgut qarkulloi në Shqipëri dikur në vitet 1978-1979; ose disa vjet pasi Kadareja vetë e kish përjetuar një fushatë linçimi të ngjashme me atë të Pasternakut, pas botimit të Dimrit të vetmisë së madhe, në 1973.

Krimi i tij ishte se kish shkruar një roman të bukur.

Me siguri do të ketë patur, edhe gjatë asaj fushate, letra që i kanë kujtuar Kadaresë poemat e tij për Partinë dhe romanet e tij ideologjikisht më solide.

Si poet, Kadareja fitoi ekspozim të madh me poemat “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe “Përse mendohen këto male”, të qarkulluara në vitet 1960; të cilat e transformuan mënyrën si shkruhej poezia e Realizmit Socialist në Shqipëri.

Këto poema, që në vitet 1970-1980 i mësonin përmendësh nxënësit e shkollave anembanë vendit, tani nuk i kujton kush më; dhe kritikët më të balancuar i këqyrin si një kompromis mes bindjeve vërtet komuniste të Kadaresë rinor dhe haraçit që një shkrimtar i atyre viteve në Shqipëri duhet t’i paguante regjimit, për të botuar veprat brenda një kulture në thelb në shërbim të pushtetit.

Paralelizmi mes Pasternakut dhe Kadaresë gjen shprehje edhe në këto aspekte biografike dytësore: edhe Pasternakun, pas botimit të Dr. Zhivagos dhe Nobelit, filloi ta shqetësonte interesimi i admiruesve të vet, në Perëndim, për poemat e tij të dikurshme, meqë ai gjykonte se këto meritonin të harroheshin: “Është hidhërim dhe dhimbje e parrëfyeshme për mua,” i shkruante ai një përkthyesi, “që të më zënë në gojë, gjithnjë e gjithnjë, ato thërrime të varfra jete dhe të vërtetash, të shpërndara në një shkretëtirë marrëzirash të vdekura dhe skematike … Më habit përpjekja juaj për të shpëtuar gjëra që e kanë merituar të dënohen me rrënim dhe harresë.”

Dhe më tej, në një bisedë me Lidia Çukovskajan, u pat shprehur kështu:

“Poemat nuk ngrenë peshë… Nuk e kuptoj pse njerëzit humbin kohë me vargjet e mia. Unë gjithnjë ndihem keq, kur yt atë [shkrimtari Kornei Çukovski] u kushton vëmendje atyre marrëzirave. E vetmja gjë e vlefshme, që kam bërë në jetën time, është romani [Dr. Zhivago]. Dhe nuk është e vërtetë që këtë po e vlerësojnë veç për arsye politike. Është gënjeshtër. Njerëzit e lexojnë sepse iu pëlqen shumë.”

Sërish, dy hije ia ngjethin mendimet shkrimtarit: frika se mos reputacioni i tij si poet i madh sovjetik i detyrohet edhe raportit të tij të privilegjiuar me elitën politike sovjetike; dhe frika tjetër, se mos edhe suksesi i Dr. Zhivagos në Perëndim, i detyrohet sërish nevojës së Perëndimit për ta përdorur romanin kundër Bashkimit Sovjetik. Nuk janë në fakt dy hije, por dyzim djallëzor i së njëjtës hije: makthit se mos krejt jetën letrare Pasternakut ia kish falsifikuar politika.

I bindur se poezitë e tij agjitative tani nuk mund të shpëtohen, autori i Dr. Zhivagos kapet pas së vetmes vepër, të cilën nuk arriti t’ia japë lexuesit të vet për së gjalli: romanit tashmë të anatemuar.

“E vetmja gjë e vlefshme që kam bërë në jetën time është romani.”

Aq i madh ishte suksesi i Dr. Zhivagos në Perëndim, sa edhe kritiku më apolitik nuk do të mund ta shpjegonte dot thjesht me meritat artistike të romanit. Ja edhe një ironi tjetër: pasi u botua në SHBA në shtator të vitit 1958, vepra e Pasternakut me të shpejtë doli në krye të listës së best-sellerëve të The New York Times, duke zhvendosur që andej… Lolitën e Nabokovit: edhe kjo kontroversiale, por për arsye të tjera; edhe kjo e linçuar, por për arsye të tjera. Dy autorët, Pasternaku politikisht sa i anatemuar aq edhe i admiruar, dhe Nabokovi buzëhollë dhe politikisht indiferent, ishin të kundërt mes tyre, e megjithatë vinin nga e njëjta xehe letrare: kultura ruse.

Por edhe diçka tjetër i bashkon këta të dy: Nabokovi pat ikur nga Rusia ende i ri, në vitin 1918, dhe i pat shkruar veprat e veta në mërgim, më parë në Berlin dhe pastaj në SHBA, më parë në rusishte dhe pastaj në anglishte; Pasternaku, përkundrazi, nuk u largua kurrë nga Bashkimi Sovjetik dhe as mund ta përfytyronte jetën e vet si shkrimtar larg atdheut – pa çka se një nga masat ekstreme, që u propozuan kundër tij dhe ajo masë që ai i druhej për vdekje, në periudhën e linçimit post-Nobel, ishte dëbimi nga Bashkimi Sovjetik.

Një nga inkuizitorët e tij në atë periudhë, sekretari i përgjithshëm i Komsomolit Semiçastnij, në një fjalim të mbajtur përballë njëzet mijë të rinjve dhe të rejave ë Pallatin e Sportit në Moskë dhe në praninë e Hrushovit vetë; por edhe të transmetuar live në radio dhe në televizion; e krahasoi Pasternakun me një derr që dhjet atje ku ha dhe pastaj vazhdoi:

“Pse të mos ia lejojmë këtij emigranti të brendshëm të thithë ajrin kapitalist që aq shumë e ka dëshiruar dhe për të cilin paska folur në librin e vet? Jam i sigurt se shoqëria tek ne do ta mirëpresë këtë. Le të bëhet ai, pra, emigrant i vërtetë dhe të shkojë te parajsa e tij kapitaliste. Jam i sigurt se askush prej nesh dhe aq qeveria nuk do ta pengojë në ndonjë mënyrë – përkundrazi, të gjithë do të mendojmë se ikja e tij do të na pastrojë ajrin.”

Edhe në letrën që i shkroi Hrushovit, pas këtij kërcënimi, Pasternaku thotë se “nuk mund ta konceptoj fatin tim ndaras Rusisë, ose jashtë saj… Largimi nga vendi im do të jetë për mua i njëvlershëm me vdekjen, prandaj po ju kërkoj që të mos e merrni këtë masë ekstreme kundër meje.”

Një intelektual shqiptar i fundviteve 1980, përfshi këtu edhe Pasternakun tonë, Kadarenë, do ta kish të vështirë ta kuptonte këtë dramë ekzistenciale të autorit të Dr. Zhivagos: modeli Nabokov tashmë kish triumfuar edhe në teori.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.

Shënim: Për shkrimin më lart, janë shfrytëzuar të dhëna nga libri The Zhivago Affair: The Kremlin, the CIA and the Battle Over a Forbidden Book, nga Peter Finn dhe Petra Couvée (Pantheon Books, New York, 2014).


[1] Hitleri i pat ndaluar tre shkencëtarë gjermanë, Richard Kuhn (1938), Adolf Butenandt (1939) dhe Gerhard Domagk (1939), që t’i pranonin çmimet Nobel, dy të parët në Kimi dhe i treti në Mjekësi.

3 Komente

  1. “Një intelektual shqiptar i fundviteve 1980, përfshi këtu edhe Pasternakun tonë, Kadarenë, do ta kish të vështirë ta kuptonte këtë dramë ekzistenciale të autorit të Dr. Zhivagos: modeli Nabokov tashmë kish triumfuar edhe në teori.”

    Mua më duket se IK e kishte kuptuar më mirë se kushdo dramën ekzistenciale të Pastërnakut.
    Ka shkruar gjatë për këtë dilemë të intelektualit që kërkon të arratiset , të kaloj kufirin e njëherazi ruan ” kufirin” ( Lul Mazreku)
    Ikja kur regjimit i ranë brekët ishte fundi kësaj drame, dileme a dyzimi.

    1. Unë besoj se Kadareja do të ish larguar nga Shqipëria që në fillim të viteve 1980, po të mund ta bënte këtë pa rrezikuar familjarët e vet. Pa folur për tundimet e tij të disahershme për t’u arratisur, që në fillim të viteve 1960 – për të cilat gjithashtu ka shkruar. Si shumë shqiptarë të tjerë, edhe tek ai ideja për t’u arratisur ishte pjesë e identitetit “dinamik”. Kjo bie ndesh me mendësinë e Pasternakut dhe të shumë rusëve të tjerë, për të cilët dëbimi ishte i barasvlershëm me dënimin me vdekje dhe as që mund ta përfytyronin dot si mund të jetonin larg Rusisë. Madje mu për këtë arsye, regjimi sovjetik vazhdoi ta praktikonte dëbimin deri relativisht vonë, si ndëshkim të rëndë – dhe jo vetëm për artistët dhe intelektualët (kujtoj Trockin që gjithashtu e dëbuan).

  2. Do të doja të dija – rast i hamendësuar – se si do të reagonte regjimi në Shqipëri, ne rast se Kadareja do ta fitonte Nobelin gjate socializmit. Dua të besoj se marrëzia nuk do te shkonte kaq larg, sidomos në gjysmën e 2-të të viteve¨80. Me gjasë do të mburreshin se sistemi komunist nxjerr edhe nobelistë Shihni pra, ju perëndimorë, se sa I përparuar është sistemi ynë dhe doktrina jonë.., etj, etj.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin