(nga Stanislaw Lec*)
Në epokën romantike, ishin të modës rrënojat artificiale. Sa pak romantikë që jemi!
Herë pas here, ndokush i lodhur nga revolucioni, çlodhet në poltronën e pushtetit.
Ka ca heshtje të tilla që të dëgjohen përreth zërat e brendshme të njerëzve.
Nuk di nëse më kanë edukuar mirë – mendoj me zë të lartë.
Na kapën në flagrancë duke jetuar.
E dimë që njeriu ka krijuar qiellin dhe ferrin, mbetet për t’u sqaruar se kush e ka krijuar botën.
Kush nuk dëshiron ta dëgjojë të vërtetën në formë maksimash elegante, do ta njohë në mënyrë më pak elegante.
Zhvillim hormonik.
Brirët nuk e pengojnë djallin të vërë në kokë gjithfarë kapelash.
Fjala krijoi vetëm botën dhe ndonjë poemë. Asgjë më tepër.
Kurrë të mos lejojmë që analfabetizmin ta eliminojnë analfabetët.
Mos trego me gisht, trego me veten tënde.
“Të jesh i lirë si zogu?” Dhe të cicërish, gjithë jetën, një melodi të vetme, të përcaktuar paraprakisht?
Atij tipit ia njihja vetëm versionin e së dielës.
Ndonjëherë, çizmja e fitimtarit i përkiste të mundurit.
Shkenca konfirmon përfytyrimet tona të gabuara.
Gjithçka varet nga moda: për çdo epokë, ndryshon mënyra si vdesim.
Zhvillimi i mjekësisë do t’u japë fund atyre kohëve liberale, kur qytetari mund të vdiste kur t’i shkrepte.
M’i vjedhin mendimet nga sytë.
Një njeri vërtet i urtë, mund t’ia lejojë vetes edhe budallallëkun.
Të saktësosh mendimin, është si t’ia kufizosh lirinë krijuese.
Vetëm kush ka ideale nuk mund t’i arrijë.
Kush ishte ministër i Kulturës dhe Arteve, në kohët e Shekspirit?
Nuk ka asnjë mënyrë për ta ndalur kohën, industria e orëve nuk do ta lejonte më.
E konsideroj veten epigon të mjeshtërve të mëparshëm, në atë masë që viti i ardhshëm është i vitit të shkuar.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).
Si gjithnje te forta shprehjet e Stanislav Lec-it!