Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Jurisprudencë / Politikë

DETI JON SI DET I PAQES

nga Agron Alibali, LL.M.[1]

Sërish për Marrëveshjen e Delimitimit Shqipëri – Greqi

“Good fences make good neighbors”.[2]

1. Hyrje; 2. Spektri i Ligjit të Gjendjes së Luftës…; 3. Marrëveshja Detare e riparë; 4. Ishujt – efekt të plotë apo të pjesshëm?; 5. Divergimi i regjimeve në brezin e Detit Territorial; 6. Zbatim i pjesshëm apo i padeklaruar; 7. Traktati i Konstatinopojës dhe Marrëveshja Detare; 8. Delimitimi i ZEE-së dhe i shelfit kontinental; 9. Precedenti i Ishullit të St. Martin-it; 10. Përfundime.

  1. Hyrje

Traktativat e fundit midis Shqipërisë dhe Greqisë për “zgjidhjen” e problematikës dypalëshe, dhe sidomos për delimitimin e hapësirave detare në Detin Jon, natyrisht që duhen përshëndetur.  Eshtë pa dyshim zhvillim pozitiv kur dy palë apo shtete sovrane negociojnë në barazi dhe mirëbesim.

Megjithatë, trysnia dhe ngutja janë armiku i marrëveshjeve të drejta e të qëndrueshme. Trysnia shfaqet tërthorazi me përdorimin e kartës së “hapjes së negociatave”, apo anëtarësimit në BE. Deklarata të papërshtatshme janë bërë nga zyrtarë të lartë të BE-së dhe të shtetit grek. Kurse ngutja duket tek afatet e vendosura artificialisht, dhe tek nxitja, sidomos nga pala greke, për t’i mbyllur negociatat sa më parë, kinse problematika e akumuluar tash 110 vjet mund t’u zgjidhka brenda 110 ditëve…Dhe gjithshka u dashka bërë para Samitit të rradhës të BE-së në qershor…

  1. Spektri i Ligjit të Gjendjes së Luftës…

Mirëpo punët e mira bëhen ngadalë, jo “me goditje të përqendruar”. E prapëseprapë, duket se pala shqiptare ka bërë ca lëshime të paparimta, në kundërshtim me interesat jetike të vendit, me të drejtën ndërkombëtare e me kuadrin historik përkatës. Qeveritarët vendit kanë bërë herëpashere deklarata, jo shpesh patetike se, tash e mbrapa, në marrëdhëniet me fqinjin e lashtë e të mirë të jugut, do të uleshim si të barabartë në bisedime. E megjithatë, ishte pikërisht VKM-ja antikushtetuese e dhjetorit 2017 lidhur me trajtimin e eshtrave të të rënëve në Luftën Italo-Greke që i përgënjeshtron ato[3].

Me të drejtë është shtruar pyetja: nëse italianët i morën të rënët e tyre në atë luftë, pse të mos i tërheqë edhe pala greke? Pse të devijohet nga qëndrimi zyrtar, konstant dhe i prerë i shtetit shqiptar se eshtrat e një ushtrie të paftuar nuk mund të prehen në territorin e vendit?

Përveç rrezikut të manipulimit për qëllime shoviniste të varrezave në të ardhmen, “kryelëshimi” ka edhe ndërlikim tjetër serioz, pasi pranon në mënyrë implicite se Shqipëria paska qenë vend agresor në Luftën Italo-Greke, dhe për pasojë, është shtet humbës në Luftën II Botërore, sikurse pretendojnë sot e gjithë ditën disa qarqe në Greqi[4]

Në këtë kuadër, edhe qasja e “zgjidhjes globale” të problematikës dypalëshe [Marrëveshje e Delimitimit të Hapësirave Detare, Marrëveshje e Demarkimit të Kufirit Tokësor, dhe Shfuqizim i Dekretit Mbretëror të Gjendjes së Luftës me Shqipërinë i v. 1940], pa u kryer paraprakisht me Dekret Presidencial akti i anulimit të Ligjit të Gjendjes së Luftës, është objektivisht mungesë e vullnetit të mirë në raportet dhe traktativat dypalëshe. Mosanulimi paraprak, dhe pa kushte, bie ndesh edhe me interesat jetike të Shqipërisë, për të mos përmendur cenimin e barazisë e të dinjitetit shtetërore e kombëtar. Duhet përshëndetur dënimi haptas që i ka bërë Ministri i Jashtëm Kotzias statusit de jure të “gjendjes së luftës” midis dy vendeve[5]. Mirëpo veprat vlejnë më shumë se sa fjalët.

Duke i parë në optikë optimiste dhe bashkëpunuese negociatat e tanishme intensive me Greqinë, ritheksojmë se kryerja e çfarëdo bisedimi apo traktative dypalëshe stonon përderisa në atmosferën përmbi tryezën bisedimore mbetet i pranishëm spektri i ligjit “skizofrenik” të Gjendjes së Luftës. Absurdi thellohet më tej po të kujtojmë se të dyja vendet janë tashmë anëtare të NATO-s.

Prandaj, ndryshe nga qëndrimi grek për anullimin e Ligjit të Gjendjes së Luftës njëkohësisht me miratimin e Marrëshjes së Delimitimit, trajtimi dinjitoz dhe me bona fide i problematikës së marrëdhënieve dypalëshe kërkon që Ligji i Gjendjes së Luftës të shpallet paraprakisht dhe menjëherë i pavlefshëm nga ana e Presidentit të Greqisë. Pa u bërë ky hap, i ndërmarrë pa kushte dhe pa vonesë, nuk ka kuptim që të bisedohet, pavarësisht nga Samiti i Qershorit, i Dhjetorit apo i “kalendave” greke.

  1. Marrëveshja Detare e Riparë

Gjithsesi, le të analizojmë zhvillimit e negociatave dypalëshe për delimitimin e hapësirave detare në Detin Jon.

Siç dihet, marrëveshja e v. 2009, e anulluar nga Gjykata Kushtetuese[6], bazohej në ekuidistancën strikte, dhe pra, binte ndesh me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit. Ajo nuk mbante parasysh “rrethanat e veçanta” të konfiguracionit gjeografik përkatës dhe, pra, nuk sillte “një zgjidhje të drejtë dhe të ndershme”.

Dihet tashmë se komisioni i ekspertëve ka ca kohë që ka ndërmarrë bisedime për një marrëveshje të re delimitimi në këtë fushë delikate të së drejtës ndërkombëtare.

Sipas njoftimeve zyrtare, raundi i parë i bisedimeve për delimitimin e zonave detare u mbajt  në Tiranë me 30 prill 2018 “në një frymë pozitive dhe bashkëpunuese”,[7] apo “ndërtuese dhe bashkëpunuese”[8]. Raundi i dytë “konstruktiv” u zhvillua me 15 maj në Athinë. Edhe ky u zhvillua në një “klimë pozitive dhe bashkëpunuese”.[9]

Siç e kemi thënë më herët, çështjet e delimitimit të hapësirave detare midis dy vendeve zgjidhen përmes bisedimeve dypalëshe ose përmes një forumi gjyqësor ose arbitrimi ndërkombëtar. Bisedimet dypalëshe janë hapi i parë i domosdoshëm në këto procese.

Strategjia greke për delimitimin e hapësirave detare është konsideruar “shumë serioze nacionale”.[10] Elemente tërësore të saj u shpalosën nga Ministri Kotzias në një intervistë të 1 majit 2018. Sipas saj, Greqia është duke negociuar marrëveshjet për ZEE-në me tri vende: Egjiptin, Shqipërinë dhe Italinë. Për Egjiptin, Greqia pret stabilizimin e gjendjes politike; përparësi merr negociata me Shqipërinë, ku parashikohet mbyllja e afërt e marrëveshjes; kurse me Italinë do të procedohet “fill pas përfundimit me Shqipërinë”.[11]

Në thelb, strategjia greke duket se është si vijon:

(i) deklarimi gradual dhe i pjesshëm i gjerësisë së Detit Territorial të Greqisë në brezin12 md nga 6 md të sotme;

(ii) arritja e marrëveshjes me Shqipërinë dhe delimitimi i Detit Territorial, Shelfit Kontinental dhe i ZEE në Detin Jon sipas një kufiri të njëjësishëm [single, all-purpose boundary];

(iii) lidhja e marrëveshjes me Italinë për delimitimin e ZEE-së në Jonin Verior, dhe

(iv) me gjasë përdorimi i precedentit shqiptar të gjerësisë së Detit Territorial prej 12 md në traktativat eventuale me palën turke edhe për rrethanat gjeografike në Detin Egje.

Në një intervistë në shtyp, MPJ grek Kotzias parapa se marrëveshja me Shqipërinë për hapësirat detare do të arrihet brenda fundit të majit ose deri në fillim të qershorit, dhe mbetej për t’u diskutuar vetëm çështja e Zonës Ekskluzive Ekonomike [ZEE].[12]

  1. Ishujt – efekt të plotë apo të pjesshëm?

Ndarja e hapësirave detare dypalëshe në Detin Jon ka karakteristika të veçanta. Së pari, këtu kemi të bëjmë pjesërisht me kufi shtetëror [Deti Territorial] dhe pjesërisht me kufi detar [shelfi kontinental dhe ZEE. Së dyti, kufiri ravijëzohet edhe (i) midis brigjeve të përngjitura [adjacent], në Gjirin e Ftelias ku është edhe pika fundore e kufirit tokësor; edhe (ii) të kundërta [opposite], siç janë bregu lindor i Korfuzit me dheun kontinental ballkanik përballë.

Për qëllimet e kësaj analize, dhe edhe në praktikë, besojmë se koordinatat e Marrëveshjes së Re për Detin Territorial do të përputhen edhe me ato të Shelfit Kontinental dhe të Zonës Ekskluzive Ekonomike. Për kujtesë, Deti Territorial është brezi detar ngjitur me bregun dhe me gjerësi deri në 12 milje detare nga bregu, ku shteti ushtron sovranitet të plotë në shtrat, nëntokë dhe hapësirën ajrore mbi të.[13] Shelfi Kontinental shkurtimisht përfshin shtratin e detit dhe nëntokën përtej Detit Territorial.[14] Zona Ekonomike Ekskluzive është hapësira përtej dhe ngjitur me Detin Territorial deri në 200 md nga bregu, ku shteti bregdetar ushtron të drejta sovrane për eksplorimin, shfrytëzimin, konservimin dhe administrimin e burimeve natyrore të ujrave mbi shtratin e detit, si dhe të shtratit të detit dhe të nëntokës të tij etj.[15]

Pra, sikurse ka qenë edhe qëllimi dypalësh në Marrëveshjen e anulluar të prillit 2009, kufiri detar midis Greqisë dhe Shqipërisë parashikohet të jetë i njëjësishëm dhe gjithëfuksional [all purpose, single boundary], i cili do të ndajë Detin Territorial, Shelfin Kontintental dhe ZEE-në, përfshirë pra nëntokën, shtratin e detit, shtyllën e ujit mbi to, dhe rrafshin ajror vertikalisht pingul me syprinën e detit.

Dihet se ndërlikimi kryesor në përcaktimin e drejtë të hapësirave detare në Jon është konfiguracioni i veçantë gjeografik apo pykëzimi i Korfuzit dhe dy ishujve të Diapontit, më saktë Erikusa [Merlera] dhe Othonoi [Fano] në veri. Praktikisht, këta ishuj përbëjnë pengesë natyrale për dheun kontinental shqiptar, duke krijuar ndikim “ndërprerës” [cut-off effect] ndaj “fasadës” së bregdetit shqiptar në Jonin Verior, qysh nga Gjiri i Ftelias e deri në gjerësinë gjeografike që kalon përafërsisht nga Vunoi.

Për më tepër, konfiguracioni i veçantë gjeografik ngre pikëpyetje të qenësishme lidhur me shkallën apo masën e efektit që këta ishuj do të kenë për hapësirat detare që u takojnë [entitlements]. Pozicioni i palës greke ka qenë maksimalist – i shprehur më së qarti me Marrëveshjen e anulluar të Delimitimit të v. 2009. Sipas tij, ishujt kanë efekt të plotë dhe si metodë delimitimi ndiqet ekuidistanca strikte.

Mirëpo Gjykata Kushtetuese përcaktoi disa piketa tejet të rëndësishme në këtë pikë. Ajo qartësoi me të drejtë se Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit, e drejta zakonore ndërkombëtare dhe jurisprudenca përkatëse trajtojnë, në varësi të rastit specifik, shkallën e efektit që mund t’i jepet një ishulli, në varësi të tipareve të tij, konfiguracionit gjeografik e faktorëve të tjerë, gjithnjë me synimin për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe të ndershme [equitable solution] në procesin e delimitimit. Konkretisht, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, Tribunali i të Drejtës Ndërkombëtare të Detit [ITLOS] në Hamburg apo Tribunalet e Arbitrazhit, sipas rastit, u kanë dhënë ishujve efekt të plotë, efekt të pjesshëm, ose nuk u kanë dhënë fare efekt.[16]

Duke abstraguar këtu lidhur me raportet midis masët tokësore kontinentale dhe masës tokësore ishullore me të drejtat përkatëse të tyre [entitlements] mund të vërehet se prirja e përgjithshme në të drejtën ndërkombëtare të detit sot është që “dheu kontinental sundon ndaj dheut ishullor”, në zgjatim logjik me parimin kardinal se “dheu sundon detin” [land dominates the sea].[17]

Kanali i Korfuzit dhe delimitimi sipas Marrëveshjes së anulluar Greqi-Shqipëri.

Dihet se vija kufitare e Detit Territorial Shqiptar me atë Grek fillon në një pikë bazë afër piramidës së fundit të kufirit tokësor në në Gjirin e Ftelias, ku bregu është i përngjitur [adjacent]. Ajo më tej ecën sipas vijës së mesme pingule me vijën e drejtë bazë[18] përmbyllëse të Gjirit të Ftelias, deri në një pikë të barazlarguar nga pika bazë përballë në bregdetin ishullor të Korfuzit. Këtë pikë po e quajmë Pika Pika Ω [omega]. Vija kufitare mandej kthehet djathtas në trajtë bërryli me orientim verior dhe transformohet në mesore të barazlarguar nga dy vijat bazë të brigjeve të kundërta [opposite], duke ndjekur “mesin e Kanalit të Korfuzit”.

Pika më jugore është quajtur këtu Pika Ω, me koordinata 39° 38′ 25.97″ gjerësi veriore dhe 19° 59′ 29.25″ gjatësi lindore. Paraleli 39° 38′ 25.97″ gjerësi veriore mund të shërbejë si vijë indikative e të drejtave të mundshme [entitlements] për ZEE-në dhe shelf kontinental që mund t’i takojnë fasadës bregdetare të Shqipërisë në hapësirën detare në VP të ishullit të Korfuzit, përtej Detit Territorial [6 md] dhe Zonës së Puqur [6 md]. Harta është ndërtuar me ndihmën e personelit të Bibliotekës së Kongresit amerikan.

Në rastin hipotetik të mungesës së Korfuzit, vija e mesme do të vijonte tranversalisht në Detin Jon me delimitimin e ZEE-së dhe shelfit kontinental deri sa të takohej me hapësirat detare të buruara nga dheu kontinental i Gadishullit Apenin. Kuptohet që e drejta ndërkombëtare detare i pranon rrethanat gjeografike ashtu siç janë, dhe ishujve u njihen hapësirat e nevojshme detare, edhe pse praktika përkatëse është e pakonsoliduar, dhe secili rast ka specifikat e veta.[19]

Në rastin tonë, dhe sa i takon Detit Territorial, duhen mbajtur parasysh këto rrethana të posaçme:

(i) Në Gjirin e Korfuzit, që përputhet me përkufizimin e Konventës si gji i mbyllur[20], mesorja e baraslarguar e mbështetur mbi diametrin që përmbyll Gjirin e sjell kufirin detar fare pranë bregut shqiptar. Kësisoj për të arritur rezultat të drejtë dhe të ndershëm lypet korrektim i mesores paraprake dhe shtyrjen e saj kah Perëndimi;

(ii) Në Kanalin e Korfuzit, si korridor lundrues ndërkombëtar, vija e kufirit kalon “nëpër mesin e kanalit”. Ishulli i Barketës, apo shkëmbinj të tjerë në bregdetin grek, nuk mund të merren si pika bazë. Barketa, të cilin hartat e google maps ia njihnin Shqipërisë, duhet të jetë vetë si pikë ndarëse e kufirit dypalësh, ose të paktën të administrohet bashkërisht si kondominium. Në këtë kuadër, dhe për të qenë krejtësisht objektivë, duhet thënë se as vijat e drejta bazë në bregdetin shqiptar në hapësirën e Kanalit të Korfuzit nuk përputhen me Konventën e OKB për të Drejtën e Detit[21].

  1. Divergimi i regjimeve në brezin e Detit Territorial

(iii) Mirëpo një veçori e rëndësishme në delimitimin e Detit Territorial në Jon është diferenca midis regjimeve të brendshme ligjore për gjerësinë apo brezin [breadth] e Detit Territorial.

Vija e delimitimit të Detit Territorial në Kanalin e Korfuzit është kufi shtetëror. Ajo ndjek “mesin e Kanalit”, ose mesoren e ndërtuar mbi ekuidistancën e korrektuar nga pikat/vijat bazë të brigjeve të kundërta, dhe pranohet se do të përcaktojë kufirin e Detit Territorial dhe të shelfit kontintental.

Dihet se Shqipëria, në zbatim të Konventës dhe me akt ligjor të brendshëm, gjerësinë e Detit Territorial e ka përcaktuar në masën e 12 miljeve detare (md). Mirëpo Greqia sot për sot zbaton brezin prej 6 md. Problemi dypalësh i regjimit divergues haset në delimitim kur distanca midis dy brigjeve të kundërta në pjesën veriore të Kanalit të Korfuzit zgjerohet përtej 12 md. Deri në atë pikë, kur mesorja e barazlarguar nga çdo pikë bazë në brigjet përballë është në distancën 6 md, pra distanca nga bregu në breg është 12 md, të dyja shtetet ushtrojnë sovranitet të plotë mbi Detin e tyre Territorial.

Por ç’ndodh kur distanca midis brigjeve të kundërta zgjerohet përtej 12 md? Me fjalë të tjera, si duhet kryer delimitimi në një rast mospërputhjeje të regjimeve të brendshme juridike për gjerësinë përkatëse të Detit Territorial? Dhe e shtruar ndryshe, cili shtet do të ushtrojë sovranitet në një pikë hipotetika  të quajtur α [alpha], të barazlarguar nga bregu i Korfuzit dhe bregdeti shqiptar, e ndodhur në hapësirën ujore ku distanca midis dy brigjeve të kundërta është 13 md?

Konventa e Detit [Neni 15] përcakton se:

“Në rastin kur brigjet e dy Shteteve janë të kundërta ose të përngjitura, asnjë shtet nuk ka të drejtë, përveç se kur janë marrë vesh ndryshe, të shtrijë detin e vet territorial përtej vijës mesore, secila pikë e së cilës është e barazlarguar nga pikat më të afërta në vijat bazë prej nga matet gjerësia e Detit Territorial të secilit nga të dy Shtetet.”[22]

Bazuar në Konventën e Detit, Greqia ka shprehur qëllimin për ta kryer zgjerimin në 12 md në një kohë të përshtatshme. Mirëpo dihet botërisht se një veprim i tillë do të konsiderohej nga Turqia si casus belli, për shkak të implikimeve të pritshme në Detin Egje, me rreth 7500 ishujt dhe shkëmbinjtë ujorë atje.

  1. Zbatimi i Pjesshëm apo i Padeklaruar

Deklarata të palës greke nënkuptojnë se Geqia ka ndërmarrë zbatim të pjesshëm të brezit prej 12 miljesh në Detin Jon dhe Shqipëria e ka pranuar këtë.[23] Për analogji, edhe Turqia në delimitimet e veta në Detin e Zi ka zbatuar brezin prej 12 md të Detit Territorial, duke mos ndryshuar brezin prej 6 md në Detin Egje. Kësisoj, përmes marrëveshjes dypalëshe me Shqipërinë, Greqia shmang nevojën e shpalljes me ligj dhe erga omnes të brezit të Detit Territorial në gjerësinë prej 12 md, duke konsideruar edhe reagimet e pritshme të palës turke.

Mirëpo kjo nënkupton se Korfuzit dhe Ishujve të Diapontit u është njohur efekt i plotë, çka mund të bjerë sërish ndesh me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese, duke kritikuar rezultatet e Marrëveshjes së anulluar të Delimitimit lidhur me ndikimin e ishujve Lazereto, Erikusa, Othonoi “por edhe vetë i ishullit kryesor të Korfuzit”, u shpreh se:

Marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të vendit tonë.”[24]

Duke iu kthyer sërish Nenit 15 të Konventës së Detit, parimi thelbësor që parashikohet është ky:

“…asnjë shtet nuk ka të drejtë… të shtrijë detin e vet territorial përtej vijës mesore…”

Pra, dy janë momentet kryesore për analizën tonë:

(i) përdorimi i metodologjisë së mesores së barazlarguar dhe të korrektuar, dhe (ii) përcaktimi i “detit të vet territorial” [theksimi yni, A. A.].

Një mënyrë për shmangien e divergimin të deteve territoriale mund të ishte përdorimi nga pala greke e konceptit juridik të zonës së puqur [contiguous zone].

Pra, në rastin tonë Shqipëria nuk mund ta shtrijë Detin e vet Territorial përtej vijës mesore pavarësisht nga divergimi i regjimit të brezit të gjerësisë [12 md ndaj 6 md]. Nga ana e vet, Greqia ka të drejta sovrane deri në vijën mesore, por ajo sovranitet të plotë mund të ushtrojë vetëm brenda brezit të Detit Territorial me gjerësi 6 md. Përtej kësaj vije Greqisë mund t’i vijë në ndihmë zona e përngjitur [contiguous zone], ku tagret e sovranitetit të saj ruhen, por janë më kufizuara.

Problemi mandej në traktative lind tek efekti që do t’u jepet ishujve të Erikusës dhe Othonoit, të cilët e përforcojnë më tej “ndikimin pengues” dhe “shtrembërues” të Korfuzit ndaj dheut kontinental të bregdetit shqiptar. A do t’u njihet atyre “efekt i plotë” apo “i pjesshëm” sa i takon Detit Territorial? Çfarë të drejta të tjera [entitlements] do të kenë ata sa u takon ZEE-së dhe shelfit kontinental? Nëse nuk arrihet marrëveshje e drejtë në këtë pjesë të Detit Jon, ndofta mosdakordësia i duhet referuar një forumi gjyqësor ndërkombëtar, sikurse ka deklaruar edhe opozita shqiptare.[25]

  1. Traktati i Konstantinopojës dhe Marrëveshja Detare

Nevoja për pauzë reflektimi e për mosngutje në traktativat e delimitimit detar shqiptaro-grek del më së miri në pah po të kemi parasysh një tjetër faktor të rëndësishëm historik: Traktatin e Konstantinopojës të 21 marsit 1800[26]. Traktati në fjalë njihet apo studiohet fare pak në historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, mirëpo ka vlerë të veçantë në të drejtën ndërkombëtare të kohës, dhe mund të ketë implikime edhe në periudhën e sotme.

Konventa e Konstantinopojës e 21 marsit 1800 – pjesa hyrëse.

Fare përmbledhurazi, Traktati është një marrëveshje ndërkombëtare midis Perandorisë Ruse dhe asaj Otomane që krijoi një republikë sui generis të ishujve jonianë pas daljes nga skena e historisë të Venedikut. Ajo, pra, trajton juridikisht, pas rënies së Republikës së Venedikut, sovranitetin dhe të drejta të tjera rrjedhuese të ish-zotërimeve venedikase në territoret e mëposhtme:

(i) ishujt jonianë, d.m.th. Korfuzi, Zaçinti, Santa Maura, Itaka, Paksos, Cerigo, etj, dhe

(ii) në “bregdetin shqiptar” siç quhej rripi jonian atëbotë, d.m.th. në Prevezë, Pargë, Vonicë dhe Butrint.

Traktati i vendoste ishujt e lartpërmendur nën sovranitetin e Portës së Lartë dhe nën garancinë e Perandorisë Ruse, duke krijuar Republikën e Shtatë Ishujve Jonianë të Bashkuar, me status të njëjtë vasaliteti e privilegjesh sikurse kishte Republika e Raguzës.[27] Kurse zotërimet në bregdetin “shqiptar” i aneksoheshin apo kalonin përfundimisht nën sovranitetin e Perandorisë Otomane, d.m.th. Ali Pashë Tepelenës, duke u dhënë status të njëjtë sa u takon tagreve fetare dhe juridike si për Principatat e Moldavisë dhe Vllahisë.[28]

Për subjektin tonë merr rëndësi të veçantë Neni VII i cili, sa u takon ishujve jonianë, përmend, “…kufinj detarë që janë përcaktuar dhe markuar [shënuar] qysh prej një periudhe shumë të gjatë ndër vite[“…limites maritimes qui ont été assignées et marquées depuis une très grand nombre d’années”].[29]

Cila është relevanca e këtij traktati në lidhje me konfiguracionin aktual politik – gjeografik të bregdetit shqiptar nga Kepi Stillos e veri? Ç’janë këta kufinj, të përcaktuar dhe shënuar, dhe ç’lidhje eventuale kanë ato me Korfuzin dhe bregdetin shqiptar?

Në dukje referenca në Traktat i drejtohet Regjencës së Barbarisë, ose territoreve në bregun e Afrikës Veriore që ishin në varësi të Sulltanit, dhe pra, larg kontekstit tonë gjeografik.[30] Neni i plotë është si vijon:

“Përderisa Porta e Lartë ka në zemër sigurinë dhe qetësinë e Ishujve të lartpërmendur, Ligjet e përparshme për lirinë e tregtisë dhe lundrimit në detrat ku gjenden këta ishuj do të ruhen të pandryshuar, në mënyrë të tillë që të mos cenojnë Nenet që kanë të bëjnë me tregtinë dhe sigurinë, dhe që janë përfshirë ab antiquo [qysh në të shkuarën, A.A.] në Traktatet e Portës së Lartë me Shtetet kufitare, dhe Porta e Lartë do të urdhërojë me ashpërsi dhe rigorozitet Regjencave të Barbarisë që të mos kapërcejnë kufinjtë detarë që janë caktuar dhe markuar qysh prej një periudhe shumë të gjatë vitesh.”[31]

Dihet se pirateria që vinte nga bregu i Afrikës Veriore ishte shqetësim i madh dhe i vazhdueshëm në rajonin e Deti Jon, përfshirë Korfuzin, e madje deri në Kotorr e më lart në Adriatik. Siç përmend Prof. Pëllumb Xhufi në veprën e tij ” Árbërit e Jonit”, piratët nga Afrika infiltronin gjerësisht ujërat dhe brigjet nga Grama në Karaburun, Gjiri i Vlorës, Apollonia e Kotorri në brigjet shqiptare, e deri në Kalabri e Loreto në brigjet italiane.[32]

Kuptohet se referenca për “kufinjtë detarë” të përmendur në Traktatin e Konstantinopojës, tejkalonte objektin e parandalimit të akteve të piraterisë të asaj kohe. Me të vërtetë, siç del më pas në Traktat, ata “kufinj detarë” mund të konsideroheshin mirëfilli edhe si kufinj politikë, të cilët Porta e Lartë angazhohej dhe “i premtonte” Republikës së re se anijet e saj të luftës do t’i respektonte […ses bâtiment de guerre n’iront point au-delà des si dites limites maritimes…], përveç rasteve të urgjencës.[33]

Është mëse e qartë, pra, se “kufinjtë detarë” të Republikës së Bashkuar të Ishujve Jonianë, ku bënte pjesë edhe Korfuzi, ishin të njohur dhe relativisht të përcaktuar, qysh në vitin 1800. Prandaj edhe relevanca e rrjedhimet e tyre të mundshme juridike për periudhën e sotme sa i takon delimitimit të hapësirave detare në Detin Jon as nuk mund të injorohen, as nuk mund të anashkalohen.

Kjo invokohet qartë dhe drejtpërdrejtë edhe në Konventën OKB-së për të Drejtën  Detiit, më konkretisht tek dispozitat e Nenit 15 për delimitimin e Detit Territorial, ku thuhet shprehimisht se ekuidistanca nuk zbatohet në rastet e “titullit historik” ose “rrethanave të posaçme”.[34]

Sqarimi i kësaj reference të rëndësishme kërkon kohë. Lypet para së gjithash studim e thellim i mëtejshëm i materialit përkatës arkivor, gjegjësisht edhe hartave apo koordinatave të mundshme që, nëse ekzistojnë, duhet të gjenden në arkivat e Portës së Lartë në Stamboll, dhe/ose të oborrit perandorak në Shën Petersburg.

Kuptohet se kjo punë e domosdoshme nuk mund të varet nga kalendari i Samiteve të BE-së. Nëse Bullgaria dhe Rumania kanë mbi 20 vjet që negociojnë – dhe ende nuk bien dakord – për një trekëndësh të vogël të ZEE-së përkatëse në Detin e Zi, pse u dashka kaq ngutje e paparë në rastin e Detit Jon?

  1. Delimitimi i ZEE-së dhe shelfit kontinental

Edhe më delikat paraqitet problemi i ZEE-së dhe shelfit kontinental.  Sikurse e kemi theksuar tjetërkund,[35] për arsye të ndryshme Shqipëria deri më sot nuk ka deklaruar ZEE dhe nuk marrëveshje për ZEE-në me ndonjë shtet tjetër. Përsërisim se marrëveshja me Italinë ka të bëjë vetëm me shelfin kontinental, dhe jo me Detin Territorial apo me ZEE-në. Për Adriatikun, si det i mbyllur, kjo shpjegohet me detyrimin për bashkëpunim ndërshtetëror midis shteteve bregdetare, në përputhje me Pjesën IX të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit.[36]

Kurse marrëveshja e anulluar me Greqinë e v. 2009 ishte, në një kuptim, marrëveshje mjaft moderne, pasi përcaktonte përfundimisht një “kufi të njëjtësuar” e shumëfunksional për të gjitha hapësirat detare [all purpose, single boundary]. Kjo është tjetër arsye që negociata të tilla duhet të jenë sa më të matura, të kujdesshme dhe të përgatitura.  Shkurt, ato duan kohën e tyre.

Sa i takon Shqipërisë, çështjet themelore janë efekti që do të marrin Korfuzi dhe Ishujt e Diapontit, si dhe të drejtat  [entitlements] që projeksioni i dheut kontinental shqiptar, në fasadën bregdetare nga Gjiu i Ftelias në Jugë e deri në Gjirin e Gramës në Veri, mund të gjenerojë për ZEE-në dhe shelfin kontinental, edhe në hapësirën detare në Veriperëndim apo shpinë të ishullit të Korfuzit.

Me fjalë të tjera, pyetja shtrohet nëse Shqipërisë i takon ndonjë hapësirë detare në anën e djathtë [ose lindore] të mesores ndarëse midis bregut apenin me atë ballkanik?  Theksojmë se, në rastin hipotetik të moskonsiderimit të Korfuzit thjesht për lehtësi të argumentit, atëhere përgjigja do të ishte e qartë: të drejtat për hapësirë detare do t’i takonin edhe dheut kontinental të buruar nga Gadishulli Ballkanik. d.m.th. Shqipërisë.

Mirëpo ishulli i Korfuzit është aty ku është dhe nuk lëviz dot. Atëhere si do të veprohej?

Në këtë rast na vjen në ndihmë jurisprudenca në kazusin Bangladeshi kundrejt Myanmarit.

  1. Precendenti i Ishullit të Saint Martin-it

Vija e Delimitimit të Detit Territorial e vendosur nga ITLOS lidhur me Ishullin e Sh. Martinit. Ishullit i njihet efekt i plotë sa i takon Detit Territorial [marrë nga vendimi përkatues i ITLOS].

Mosmarrëveshja për delimitimin detar në Gjirin e Bengalit midis Bangla Deshit dhe Birmanisë, sot Myanmarit është trajtuar nga Tribunali i së Drejtës Ndërkombëtare të Detit me seli në Hamburg.[37] Vendimi përfundimtar u shpall me 14 mars 2012, ose rreth tre vjet pas Marrëveshjes së anulluar të Delimitimit Greqi-Shqipëri. Precedenti i rëndësishëm, që tashmë është pjesë e asaj që quhet acquis judiciaire[38] në të drejtën ndërkombëtare të detit, është veçanërisht relevant në rrethanat e posaçme gjeografike të delimitimit në Detit Jon.

Në atë rast, ishulli i St. Martin-it, i cili i takon Bangladeshit, ka ngjashmëri të rëndësishme me ishullin e Korfuzit. Sikurse Korfuzi, ai është i banuar, është i madhësisë mesatare, ndodhet në largësi 5 md nga bregdeti përkundruall, i cili përndryshe i takon Myanmarit.

Bangladeshi i kërkoi Tribunalit që ishullit të St. Martinit t’i akordoheshin të gjitha hapësirat detare që do t’i takonin normalisht, d.m.th. Deti Territorial në brezin prej 12 md, dhe përtej tij, ZEE dhe shelfi kontinental përkatës, deri në gjerësinë prej 200 md.[39]

Tribunali mori një vendim shumë të rëndësishëm. Duke theksuar se “nuk ka formulë magjike[40] në delimitim, Tribunali pranoi se “objektivi i vijës [së delimitimit, A.A.] është që t’u mundësojë brigjeve relevante të Palëve që t’i prodhojnë efektet e tyre, lidhur me të drejtat [entitlements] detare që u takojnë, në mënyrë të arsyeshme dhe reciprokisht të balancuar“. [theksimi A.A.].[41]

Sa i takon Detit Territorial, Tribunali i dha efekt të plotë ishullit të Shën Martinit duke i njohur gjerësinë deri në 12 md. Kujtojmë se brenda kufinjve të Detit Territorial shteti përkatës ushtron sovranitet të plotë.

Sa i takon ZEE-së dhe Shelfit Kontinental, Tribunali vërejti se efekti që i takon ishullit “…varet nga realitetet gjeografike dhe rrethanat e rastit specifik. Në këtë drejtim nuk ekziston rregull i përgjithshëm. Çdo rast është unikal dhe lyp trajtim të veçantë, ku synimi përfundimtar është arritja e një zgjidhje të drejtë dhe të ndershme” [equitable solution].[42]

Në pasazhin më relevant, Tribunali deklaroi:

Vija e plotë e Delimitimit midis Bangladeshit dhe Myanmarit në Gjirin e Bengalit. Ishullit të Sh. Martinit i jepet efekt zero [0] sa i takon EEZ dhe shelfit kontinental [marrë nga vendimi përkatës i ITLOS].

Ishulli i Shën Martinit është tipar i rëndësishëm që mund të konsiderohej rrethanë relevante në rastin tonë. Mirëpo, për shkak të vendndodhjes, dhënia efekt e ishullit të Shën Martinit në delimitimin e zonës ekskluzive ekonomike dhe shelfin kontinental do të rezultonte në një vijë që do të bllokonte projeksionin detar të bregdetit të Myanmarit në një mënyrë të tillë që do të shkaktonte një shtrembërim të pajustifikuar [unwarranted distortion] të vijës së delimitimit. Ndikimi shtrembërues i një ishulli në lidhje me vijën e baraslargësisë do të mund të rritej në mënyrë thelbësore kur vija zgjatet përtej 12 md nga bregu.[43] Rrjedhimisht, Tribunali vendosi që Ishullit të Shën Martinit “të mos i japë kurrfarë efekti në përcaktimin e vijës së delimitimit sa i takon zonës ekskluzive ekonomike dhe shelfit kontinental”. [44]

Me fjalë të tjera, Ishullit të Shën Martinit Tribunali ITLOS i dha efekt të plotë sa i takon Detit Territorial dhe efekt zero sa i takon shelfit kontinental dhe ZEE-së.

Precedenti i rëndësishëm i kazusit Bangladeshi kundrejt Myanmarit, i shpallur tre vjet pas marrëveshjes së dështuar të delimitimit të v. 2009, përbën pasurim të rëndësishëm të praktikës ndërkombëtare të delimitimit, ose të acquis judiciare.

Kazusi i mësipërm afirmon të drejtat e rëndësishme të shteteve bregdetare kur projeksioni detar i bregut të tyre “pengohet” nga ishuj që janë nën sovranitetin e një shteti tjetër.

Harta e Marrëveshjes së Delimitimit të Shelfit Kontinental midis Italisë dhe Greqisë.

Paralelisht me çështjen e shkallës së efektit përkatës ishullor, pyetja e shtruar mbi tryezë është nëse Korfuzi dhe Ishujt e Diapontit në Detin Jon, sikurse Shën Martini në Gjirin e Bengalit, krijojnë “ndikim shtrembërues” ndaj vijës së delimitimit të buruar nga bregdeti shqiptar.

Mund të argumentohet se projeksioni i bregdetit shqiptar në Detin Jon lidhur me ZEE-në dhe Detin Territorial, në përputhje me precedentin e Ishullit të Shën Martinit, fillon përtej Detit Territorial grek në Perëndim të Korfuzit, dhe shkon deri në hapësirat detare të Italisë. Ai ndodhet midis paralelit të nisuar në Jugë nga pika më jugore e Marrëveshjes së anulluar të Delimitimit, të quajtë Pika Ω, në Kanalin e Korfuzit, dhe në Veri me paralelin e dalë nga bregu i Himarës. Koordinatat e pikës Ω janë: 39° 38′ 25.97″ gjerësi veriore dhe 19° 59′ 29.25″ gjatësi lindore,[45]kurse paraleli gjeografik në bregun e Himarës ndodhet përafërsisht në gjerësinë veriore  40° 6′ 5″.

  1. Përfundime

Në diplomaci, sikurse edhe në jetën e përditshme, palët mbrojnë interesat e tyre në mënyrë kryesisht proaktive. Greqia ka një strategji të përcaktuar, si dhe merr nisma të ndryshme në kontekste të ndryshme, si p.sh. negociatat trepalëshe për çështje të tjera me Qipron dhe Izraelin në Mesdheun Lindor, dhe me Maqedoninë e Shqipërinë në rajonin e Prespës.

Prandaj nuk ka arsye që edhe Shqipëria të mos ndërmarrë iniciativën e vet diplomatike. Në rastin konkret, Shqipëria mund t’i propozonte palës greke një rradhë të tillë negociatash: (i) Anullimi i menjëhershëm i Ligjit të Gjendjes së Luftës, si parakusht për çdo traktativë tjetër; (ii) Lidhja e Marrëveshjes për Demarkimin e Kufirit Tokësor; (iii) Lidhja e Marrëveshjes për Trajtimin e Pellgut Ujor të Vjosës, për sa kjo mbetet ende shqetësim;  (iv) Marrëveshje të tjera të rëndësishme, pa harruar natyrisht “kryeçështjen”, apo problemin e minoritetetit çam të Greqisë që u shpërngul në Shqipëri, etj, të cilat mund të trajtohen krahas Marrëveshjes së Delimitimit Detar.

Për t’u kthyer tek kjo e fundit, dihet se praktika e zakonshme është që marrëveshjet e delimitimit detar zakonisht kryhen përmes negociatash midis dy shteteve drejtpërdrejt të interesuara. Mirëpo, duke patur parasysh interesat e ndërthurura trepalëshe, ndofta nuk ka pse të mos ndërmerren, në frymë konstruktive dhe mirëkuptimi, edhe negociata treshe midis Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, për përcaktimin dhe delimitimin e ZEE dhe shelfit kontinental në Jonin Verior në hapësirar ku puqen apo mbivendosen interesat e të treja shteteve. Qëllimi mbetet gjithherë i njëjtë: arritja e një zgjidhjeje apo rezultati të drejtë dhe të ndershëm [equitable solution].

Së pari, çdo çështje delimitimi ka veçoritë e veta. Pa dashur të nënkuptojmë në mënyrë absolute se parimet e parashtruara në precedentin e mësipërm zbatohen detyrimisht edhe në rastin tonë sa i takon delimitimit përkatës të shelfit kontinental dhe ZEE-së, precedenti i Ishullit të Shën Martinit ka vlerë udhëzuese në metodologjinë e delimitimit të hapësirave detare në raste analoge dhe duhet mbajtur seriozisht parasysh në negociatat aktuale.

Prandaj pala shqiptare nuk mund të neglizhojë të drejtat për hapësirat detare të ZEE-së dhe shelfit kontinental që mund të burojnë nga zhvillimet e fundit të acquis judiciare në praktikën e delimitimit në rastet dhe rrethanat gjeografike kur projeksioni bregdetar i njërës palë “pengohet” nga ishuj nën sovranitetin e palës tjetër, efekti i të cilëve sa u takon hapësirave detare, është i diskutueshëm. Një rast i tillë do të ishin “ndikimi shtrembërues” ndaj bregdetit shqiptar i Korfuzit dhe Ishujve të Diapontit.

Së dyti, problem tjetër që duhet sqaruar me palën greke është zbatimi i Dekretit Presidencial 6/18 të shtatorit 1931, që i përcakton se hapësira ajrore sovrane greke është përtej kufirit të Detit Territorial, gjegjësisht 10 md kundrejt 6 md. Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar botërisht se nuk njohin hapësirë ajrore territoriale që tejkalon hapësirën e Detit Territorial.[46] Për të davaritur çdo paqartësi, nuk ka kuptim që teksti përfundimtar i Marrëveshjes së Delimitimit të mos përfshijë edhe nenin ku të përcaktohet qartë se, në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, kufiri i Detit Territorial puqet me kufirin e hapësirës ajrore territoriale.

Së treti, në rastin tonë, rëndësi parësore merr çështja e efektit që do t’u jepet në marrëveshje ishujve grekë përballë bregdetit shqiptar. Ka aludime apo nënkuptime se atyre u është dhënë efekt i plotë.

“Dheu dominon detin”. Edward Lear, Himarë, 25 tetor 1848, në sfond ishulli i Othonoit.[47]

Prirja e përgjithshme në të drejtën ndërkombëtare të detit është e qartë: dheu kontinental sundon jo vetëm detin [parimi the land dominates the sea], por dheu kontinental merr përparësi edhe kundrejt ishujve përballë tij, që kanë sovranitet të ndryshëm nga shteti bregdetar. Me të vërtetë, jurisprudenca dhe e drejta zakonore ndërkombëtare deliberojnë shkallën e efektit të ishujve [nga 100 % deri në 0%], por në asnjë rast nuk ve në pikëpyetje shkallën e efektit të dheut kontinental, që është gjithnjë i plotë.

Nëse ishujve grekë u është dhënë efekt i plotë, kjo mund të bjerë sërish ndesh me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese, duke kritikuar rezultatet e Marrëveshjes së anulluar të Delimitimit të v. 2009 lidhur me ndikimin e ishujve Lazereto, Erikusa, Othonoi “por edhe vetë i ishullit kryesor të Korfuzit”, u shpreh se:

Marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të vendit tonë.”[48]

Në mungesë të pajtimit midis pozicionit maksimalit grek për ishujt [efekt i plotë], dhe “vijës së kuqe” të Gjykatës Kushtetuese [efekt i pjesshëm], ndofta nuk ka rrugëzgjidhje tjetër veç Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Së fundi, traktativat e tanishme të delimitimit mund ose mund të mos sjellin në një marrëveshje dypalëshe. Metodologjia e delimitimit është pasuruar dhe saktësuar së tepërmi nga jurisprudenca më e fundit, çka mund të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të ndershme [equitable solution].  Ajo ndjek kryesisht këto hapa: (i) përcaktimi i pikave bazë dhe brigjeve relevante; (ii) ndërtimi i vijës [mesore] provizore;  (iii) shqyrtimi i rrethanave të posaçme dhe i ndikimit të Ekitésë; (iv) korigjimi i vijës provizore; (v) shqyrtimi i testit të disproporcionalitetit bazuar në brigjet relevante; (v) ndërtimi i vijës përfundimtare të delimitimit.[49]

Thelbësore është që vija e delimitimit t’u mundësojë brigjeve relevante shqiptare dhe greke që t’i prodhojnë efektet e tyre lidhur me të drejtat detare [entitlements] përkatëse në mënyrë të arsyeshme dhe reciprokisht të balancuar.

Nuk mund të parashikohet nëse kjo do të arrihet me negociata, apo përmes ndërhyrjes së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Palët mund të kenë pozicione të largëta midis tyre dhe lëshimet e ndërsjellta mund të jenë të vështira.

Të mos harrojmë se “formula magjike nuk ka”, dhe se bëhet fjalë për delimitimin e njërit prej detrave më të rrahura qysh nga Lashtësia, si korridori kryesor komunikues midis Romës, Athinës dhe Konstantinopojës, dhe më tej në Mesjetë, si hapësirë simbiotike midis bregdetit “arbëror” dhe territoreve venedikase, e deri sot e gjithë ditën. Faktorë historikë, gjeografikë, politikë, ekonomikë etj. mbeten përherë relevantë. Prandaj, sa u takon afateve të Marrëveshjes së Delimitimit, nuk besojmë sa ka ngutje të madhe që kjo të përfundojë se s’bën në qershor 2018. Bisedimet duan kohën e tyre.

Sikurse parashtruam, lypet medoemos një pauzë studimore për të hulumtuar relevancën me Nenin 15 të Koventës së OKB-së për të Drejtën e Detit me dispozitat e Traktatit të Konstantinopojës për “kufinjtë detarë të përcaktuar dhe markuar…” që përmenden aty.

Lidhjet e ngushta, simbiotike midis dy brigjeve janë të tilla, sa që mund ta bëjnë të vështirë “ndarjen si me thikë” të ujrave, edhe pse kjo do të ishte zgjidhja ideale. Mirëpo, përveç vullnetit të mirë dhe atmosferës ndërtuese, kjo mund të kërkojë edhe qasje risore, përfshirë mundësinë e zgjidhjeve me jurisdiksion të përbashkët për hapësirat ku palët mund të mos bien dakord. Sot në botë ekzistojnë rreth 23 raste regjimesh juridike të përbashkëta, apo “kondominiume” të llojeve të ndryshme në hapësirat detare midis vendeve. Vetëm në hapësirat ujore që lagin Ballkanin ka rreth 4 “zgjidhje të tilla”, duke filluar nga “Zona e Përbashkët e Peshkimit” midis Italisë dhe ish-Jugosllavisë në ujrat e Triestes, tek “Zona e Përbashkët e Lundrimit” në ujrat e Kotorrit midis Kroacisë dhe Malit të Zi, e deri tek dy zgjidhjet e përbashkëta praktike tek kufiri shtetëror detar Bullgari – Turqi.

Përndryshe, qoftë me marrëveshje dypalëshe apo me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, synimi është, gjithsesi, që Deti Jon të mbetet përherë si Det i Paqes.

Tiranë, maj 2018


[1] Copyright © Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Autori ka qenë studiues për të drejtën ndërkombëtare të detit në Qendrën Ndërkombëtare të Studiuesve “Woodrow Wilson”, në Washington, D.C.

[2] “Gardhi i mirë, fqinji i mirë”, tek Robert Frost, Mending Walls, North of Boston, Henry Holt and Co. New York, 1914, ff. 11-13.  Ilustrimi në ballë është nga Edward Lear, Porto Tre Scoglie, Albania, v. 1862, ose Ksamili. Burimi, www.sothebys.com

[3] Shih Vendim i Këshillit të Ministrave nr. Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 742, datë 13.12.2017 Për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr. 10256, datë 25.3.2010, Fletore Zyrtare v. 2017, Nr. 225 f. 11972. Shih edhe Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 759, datë 20.12.2017 Për dhënien e statusit “Varrezë historike” vendprehjes së ushtarëve të rënë gjatë luftës italo-greke të viteve 1940–1941, me vendndodhje në fshatin Bularat, Bashkia Dropull, Fletore Zyrtare, v. 2017, Nr. 230, f. 12127.

[4] Shih p.sh. Fjalën e Presidentit grek Stefanopullos në darkën zyrtare për Presidentin amerikan Clinton në Athinë, nëntor 1999.

[5] Intervistë e Ministrit Kotzias, 11 maj 2018, www.mfa.gr. Teksti i plotë në anglisht është “I think that we have held the first meetings on the issues of economic zones. I think these are good and that, in the coming meetings that have been scheduled, they will lead to a fair agreement based on international law. I am optimistic about this agreement. I also must say that, together with this agreement, we will have a presidential decree on the abolition of the state of war, which is a kind of historical schizophrenia, along with certain agreements on land borders, which concern delimitation and determination of border markers.”

[6] Vendim Nr. 15. datë 15.04.2010, i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, www.gjk.gov.al

[7] Mesazh në twitter i Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bushati, 30 prill 2018.

[8] Deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, 30.04.2018, www.mfa.gr.

[9] Deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, 15 maj 2018, www.mfa.gr.

[10] Shih intervistën e z. Kotzias me 18 prillit 2018.

[11] Shih intervistën e z. Kotzias me 1 maj 2018, www.mfa.gr

[12] Deklaratë e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Kotzias, 4 maj 2018, www.mfa.gr

[13] Shih Nenin 2-4 të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, www.un.org

[14] Shih Nenin 76.1 të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, www.un.org

[15] Shih Nenin 56.1.a të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, www.un.org

[16] “Teoria dhe praktika gjyqësore ndërkombëtare ka treguar se sipas rrethanave, një ishulli mund t’i jepet efekt i plotë, efekt i pjesshëm, asnjë lloj efekti ose asnjë lloj efekti por përfiton pak hapësire detare neë delimitimin e hapësirave detare[16]. Ka raste ku ishujve u është dhënë efekt i plotëdhe këtu, si rregull, vija e kufirit kalon në mes të ishujve që u përkasin respektivisht të dy palëve. Por ka dhe raste kur ishujve u është dhënë efekt i pjesshëmose nuk u është dhënë fare efekt por kanë përfituar një hapësirë të kufizuar detare, ose kur ishujve nuk u është dhënë as efekt e as hapësirë detare”. Paragrafi 106 i Vendimit Nr. 15. datë 15.04.2010, të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, bashkë me referencat përkatëse në jurisprudencë. www.gjk.gov.al

[17] Parimi është afirmuar nga GJND tek North Sea Continental Shelf Case, 1969, para. 96. Për më shumë, shih edhe Stephen Fietta dhe Robin Cleverly, “A Practicioner’s Guide to Maritime Boundary Delimitation, Oxford University Press, 2016.

[18] Shih përkufizimet përkatëse në Nenin 5 dhe 7 të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit.

[19] Shih Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, Pjesa VIII, Regjimi i Ishujve, Neni 121.

[20] Shih Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, Pjesa II, Deti Territorial dhe Zona e Puqur, Neni 10 – Gjiret.

[21] Po aty, Neni 7 – Vijat e Drejta Bazë.

[22] Neni 15 i Konventës së OKB për të Drejtën e Detit, paragrafi i parë. Në origjinalin anglisht: “Where the coasts of two States are opposite or adjacent to each other, neither of the two States is entitled, failing agreement between them to the contrary, to extend its territorial sea beyond the median line every point of which is equidistant from the nearest points on the baselines from which the breadth of the territorial seas of each of the two States is measured”. United Nations Convention on the Law of the Sea (with annexes, final act and procès-verbaux of rectification of the final act dated 3 March 1986 and 26 July 1993). Concluded at Montego Bayon 10 December 1982. Authentic texts: Arabie, Chinese, English, French, Russian and Spanish. Registered ex officio on 16 November 1994. No. 31363, United Nations Treaty Series, 1994.

[23] Shih deklaratën e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, z. Kotzias për ERT1, dt. 29 janar 2018.

[24] Vendim Nr. 15. datë 15.04.2010, i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Para. 108, www.gjk.gov.al

[25] Deklaratë e deputetit të PD-së, z. Tritan Shehu, Koha Jonë, 2 mars 2018.

[26] Convention entre l’Empire de Russie et la Porte Ottomane, concernant la Republique des Sept Isles Unies, conclue a Constantinople le 21 Mars, 1800, tek Treaties, & c between Turkey and Foreign Powers, 1535 – 1855, Foreign Office, London, 1855, f. 321-325.

[27] Po aty, Neni I e II, f. 322.

[28] Po aty, Neni VII, f. 323-324.

[29] Po aty.

[30] “Les régences barbaresques d’Alger, Tunis et Tripoli, ne formet point partie des États du grand seigneur, mais sont sous sa dépendance.”  M. Magnein, M. Deu, Dictionnaire de production de la nature et de l’art qui font l’Objet de Commerce, Vol. 2, Part I., Paris, 1809, f. 97.

[31] Convention entre l’Empire de Russie et la Porte Ottomane, concernant la Republique des Sept Isles Unies, conclue a Constantinople le 21 Mars, 1800, tek Treaties, & c between Turkey and Foreign Powers, 1535 – 1855, Foreign Office, London, 1855, f. 321-325.

[32] Më konkretisht, në vitin 1554 “anije barbareske kishin kapur një fregatë veneciane në Gjirin e Gramës” në Karaburun. Po ashtu, në vitin 1555 një pirat nga Barberia “bënte namin midis brigjeve të Vlorës dhe Kalabrisë”. Në vitin 1638 një flotë pirate tunizo-algjeriane, pasi dështoi në inkursionin e vet në portin italian të Loretos në Adriatikun Verior, rrëmbeu disa anije veneciane në Kotorr, dhe mandej u ndoq nga skuadra e flotës venedikase deri sa u asgjësua në Gjirin e Vlorës. Në vitin 1671 “tre anije pirate nga Tripoli, të nisura nga Vlora, sulmuan në ujërat e Apollonisë një anije nga Perasti, të ngarkuar me grurë dhe e plaçkitën dhe e zunë”. Kurse në vitin 1680  ” piratët kapën në ujërat e Vlorës qeveritarin venedikas të Cerigos, Matteo Querini, që e dërguan për ta shitur në Algjer”, Pëllumb Xhufi, Árbërit e Jonit, Onufri, Tiranë, 2016, f. 1047 – 1050.

[33] Pasazhi relevant në paragrafin e dytë është:

“Porta e Lartë premton si favor të shkëlqyer dhe mirësi të shenjueshme kundrejt Republikës së lartpërmendur që luftanijet e saj nuk do të kapërcejnë kufinjtë detarë të lartpërmendur, përveç nevojave të domosdoshme urgjente dhe pasi të jetë njoftuar Republika e lartpërmendur dhe Konsulli i saj rezident pranë Portës së Lartë, me ç’rast atyre do t’u lejohet kalimi dhe luftanijet që do të dërgohen do të zbatojnë Karantinën dhe Rregullat e tjera të Vendit ku do të shkojnë”. Convention entre l’Empire de Russie et la Porte Ottomane, concernant la Republique des Sept Isles Unies, conclue a Constantinople le 21 Mars, 1800, tek Treaties, & c between Turkey and Foreign Powers, 1535 – 1855, Foreign Office, London, 1855, f. 321-325, Neni VII.

[34] Neni 15 i Konventës së OKB për të Drejtën e Detit, paragrafi i dytë. Në origjinalin anglisht:  “The above provision does not apply, however, where it is necessary by reason of historic title or other special circumstances to delimit the territorial seas of the two States in a way which is at variance therewith.”

United Nations Convention on the Law of the Sea (with annexes, final act and procès-verbaux of rectification of the final act dated 3 March 1986 and 26 July 1993). Concluded at Montego Bayon 10 December 1982.

Authentic texts: Arabie, Chinese, English, French, Russian and Spanish.

Registered ex officio on 16 November 1994. No. 31363, United Nations Treaty Series, 1994.  Shih edhe interpretimin e gjerë të koncepteve të “titullit historik”, “Ekitesë” dhe “rrethanave të veçanta” në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. 15, 15.04.2010, para. 91-95.

[35] Prezantim nga i nënshkruari në Qendrën Ndërkombëtare të Studiuesve “Woodrow Wilson”, Washington, D.C. maj 2014.

[36] Detrat e Mbyllur dhe Gjysëm të Mbyllur, Nenet 112-123 të Konventës.

[37] Delimitation of the maritime boundary in the Bay of Bengal (Bangladesh/Myanmar), Judgment, ITLOS Reports 2012, f. 4.

[38]  Termi referohet nga gjykatësi Wolfrum i ITLOS-it në çështjen e lartpërmendur. Fraza përkatëse është: “The ensuing international case law constitutes an acquis judiciaire, a source of international law to be read into articles 74 and 83 of the Convention.” Po aty, f. 137.

[39] Po aty, para 4. f. 27, para 138 – 145, ff. 44 – 46; para 292-308, ff. 81-84.

[40] Po aty, para 327, f. 88 duke iu referuar Arbitrazhit midis Barbados and Trinidad dhe Tobago, (Vendimi i 11prillit 2006, RIAA, Vol. XXVII, p. 147, p. 243, para. 373).

[41] Po aty, para 326, f. 87.

[42] Po aty, para 317,f. 86.

[43] Po aty, para 318, f. 86.

[44] Po aty, para 319, f. 86.

[45] Koordinatat përkojnë me pikën #20 në Marrëveshjen e anulluar për Delimitimin e Zonave Detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, Neni 1.2, prill 2009.

[46] Referenca është Dokumenti i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, DoD 2005. 1-M.

[47] Titulli i veprës nga A.A. Houghton Library, Harvard University, Provenance: Field (Northbrook), Call number/location: MS Typ 55.26 NII.L5, Bibliographic references: JOURNAL OF A LANDSCAPE PAINTER IN ALBANIA, opp. p. 274. Leja në pritje.

[48] Vendim Nr. 15. datë 15.04.2010, i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Para. 108, www.gjk.gov.al

[49] Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Delimitimi detar në Detin e Zi, (Rumania kundrejt Ukrainës), Citimi, Maritime Delimitation in the Black Sea (Romania v. Ukraine), Judgment, I.C.J. Reports 2009, p. 6 , para. 115 – 122.

 

8 Komente

  1. Mirë do të ishte që zotëria autor i shkrimit të ishte pjesë e ekipit negociator të palës tonë.

  2. “Prirja e përgjithshme në të drejtën ndërkombëtare të detit është e qartë: dheu kontinental sundon jo vetëm detin [parimi the land dominates the sea], …”

    E drejta ndërkombëtare është e drejtë e drunjtë.

  3. Nja dy pika me shume si pyetje:

    Se pari trajtimi i ceshtjes se ligjit te luftes dhe varrezave greke. Nese e shohim ne planin juridik, Shqiperia dhe Greqia jane fitues dhe perfitues te nje rendi nderkombetar qe i gjeti fitues ne fund te LIIB. Deklarimi i cdo pretendimi, ne te ardhmen ose tani, nga Greqia perkundrejt Shqiperise, do te duhet te kalonte paraprakisht nga zhberja e atij rendi ku aderojne te dyja vendet. Varrezat jane ceshtje qe inkuadrohen si pjese e nje zgjidhjeje qe vjen ne kontekstin e Traktatit te Miqesise dhe jo si ceshtje e shkeputur.

    Nese do spekullojme disi mund te pyesim: pse Konventa e Konstandinopojes vlen ende sot si traktat nderkombetar, qofte edhe si pike referimi per kufirin qe ka te beje me ishujt, pra edhe me Korfuzin ne raport me Shqiperine, dhe dorezimi i Kurores ne Itali nga asambleja shqiptare me 1939 nuk fiton vleren e vet juridike kur vjen puna per te konsideruar Juridikisht se Shqiperia ishte pjese e sulmit ndaj Greqise dhe jo vetem pikenisje territoriale e tij? Ka juriste nga pala greke qe argumentojne se ky argument qendron perderisa sipas tyre, qeveria e pas vitit 1992 ka zhbere vendimet e Kongresit te Permetit qe likujdonte cdo vendimmarrje te mepareshme, duke krijuar kushtet e nje legjitimiteti te ri politik dhe juridik ne vend. Vete fakti qe Greqia ulet ne bisedime per kufirin, teknikisht, por edhe politikisht e ka pranuar si te mbyllur ceshtjen e pretendimeve territoriale ndaj Shqiperise. Pse atehere do kerkuar si parakusht heqja e ligjit te luftes? Sa vlen kjo taktikisht ne negociata?

    Se treti, per ishujt. Ndoshta do kerkohej me shume sqarim se pse Korfuzi krahasohet me ishullin st. Martin, kur gjykaka ka cmuar se per ishujt duhet bere vleresim specifik dhe sipas konfiguracionit etj..
    Ishulli i st. Martin per nga pozicioni qe ka e qe mbyll gjirin e Bengalit, ngjan me shume me Sazanin, sikur kete ta kishte Italia e cila me aq sa di ka patur 100 persona ne te si banore(ushtarake).

    Korfuzi ka vije bregdetare perballe Shqiperise, sa 1/3 gati e bregdetit jonian shqiptar, ecen thuajse paralel me te dhe keto elemente e bejne ate te rendesishem sa per t’u skualifikuar. Me aq sa di, dy ishujt ne veri te tij, ne ndryshim nga marreveshja e vjeter humbasin vleren qe u ishte dhene dhe me kete konsiderohet e korrigjuar ne kete pike cedimi qe u be me marreveshjen e vitit 2009.

    Nuk e kuptoj shume qarte se cfare eshte “minoriteti cam” ne kete rast? Nuk e di nese ai komunitet mund te kerkoje status te vecante nga shqiptaret e tjere ne Greqi, flas per shqiptaret historike aty, perfshire camet ortodokse?

  4. Ne ndryshim nga n qe nuk di te lexoje harten perderisa krahason ishullin St.Martin me Sazanin ne kohen kur e kishte Italia, mua me duket se precedenti i St.Martin mes Bangladeshit dhe Birmanise i ka vene pikat mbi i edhe persa i perket shelfit dhe ZEE ne veri e veri-perendim te Korfuzit. Ky vendim i Gjykates Nderkombetare ka ardhur si me porosi.

  5. ”Mirëpo, duke patur parasysh interesat e ndërthurura trepalëshe, ndofta nuk ka pse të mos ndërmerren, në frymë konstruktive dhe mirëkuptimi, edhe negociata treshe midis Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, për përcaktimin dhe delimitimin e ZEE dhe shelfit kontinental në Jonin Verior në hapësirar ku puqen apo mbivendosen interesat e të treja shteteve.”

    Nqs harta e fundit, ajo qe tregon ndarjen mes Greqise dhe Italise eshte e perpikte, atehere me sy te lire duket se per efekt te precedentit te permendur, qofte Shqiperia, qofte Italia kane humbur ne favor te Greqise.

    Pjesa me veriore e kufirit e percaktuar si 1,2,3, pak a shume nga paraleli 39 (pika 3) deri ne paralelin 40 (pika 1), duhej te ishte kufi italo-shqiptar dhe jo italo-grek, me Fanosin e ato shkembinjte e tjere ujore te zones qe kane vetem ujera territoriale, por jo shelf e ZEE.

    Ne kete ndarje, kufiri italian do te shtyhej me ne lindje se ç’eshte, gjithnje persa i perket segmentit verior 1-3 dhe ne do te ishin kufitare me Italine duke e shtyre bollshem shelfin e ZEE-ne e tashme.
    Pra Shqiperia dhe Italia marrin ate qe u takon dhe greku humbet ate qe nuk i takon.

    Ne vend qe diskutimet te jene te kesaj natyre, greku do te na imponoje si pika referimi ca shkembinj te hedhur ne mes te detit, per te na bllokuar krejt Jonin, gje qe duhet te trajtohet si totalisht e panegociueshme dhe te propozohet arbitrazhi nderkombetar.

    1. Duke u bazuar me shume ne shkrime te tjera per kete probelem, ngaqe per shkak te kohes shkrimin e mesiperm e te gjate e kalova paksa shpejt, duhet pranuar se nuk mund ta ngaterrojm kufirin detar greko-ital me ate greko-shq.; i pari eshte shume me i thjeshte per tu dalluar dhe ndare, pa u ngaterruar fare me ishujt dhe shkembinjte e shumte, pa u ngaterruar fare edhe me kriteret e shumllojshme te ndarjes; ndersa i dyti eshte paksa me i komplikuar, si per shkak te kritereve te ndarjes (ishujt, shkembinjt, toka kontinentale, etj.), ashtu dhe distances mjaft te ngushte midis dy vendeve. Mendoj se ky lloj trajtimi, greku ka perfituar, italiani dhe ne kemi humbur, thjesht e zgjat diskutimin ne hapsira tymnajore pa fund e pa baze ligjore.

  6. Me pak me teper harta, mendoj se shkrimi do te ishte me terheqes dhe me i kuptueshem per ne lexuesit. Persa i perket pikes se “heqjes se ligjit te luftes” nga ana e Greqise, mua kjo me duket si gozhda e Nastradinit, qe greku i ka lene shqiperise, ndaj do thoja qe pala shqiptare duhet ta injoroje si krejt te pavlefshme kete pike, (kete idiotllek le ta mbaje vete Greqia), duke u perqendruar tek ato pika (kerkesa) te tjera qe autori permend, si dhe tek kufiri detar i parafitikuar ende.

  7. Arsyeja pse ne 2009 u perfol per nderhyrje italiane eshte pikerisht kjo, italiani negocioi me Greqine nje zone kufitare qe nuk i takon Greqise, beri gabim dhe e vetmja mundesi rregullimi per Italine eshte qe Shqiperia ta nxjerre jashte loje Greqine per hapesiren veriore mes pikave 1 dhe 3, keshtu Italia do rihape negociatat me pronarin e ligjshem, Shqiperine e do kete nje kufi me te favorshem, ashtu si i takon. Ne skemi pse merremi me shkembinj e matje kur ceshtjen mund ta cojme ne arbitrazh e te fitojme.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin