Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Intervista

INTERVISTË PËR ZËRIN

(një intervistë që më mori Bardh Frangu, nga Zëri, gjatë ditëve të Festivalit POLIP në Prishtinë).

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Cilën ëndërr nuk po e kujtoj dot? Çfarë humba që nuk do të duhej ta humbja? Çfarë më mbeti jashtë vëmendjes sot?

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Një udhëtim përreth botës, edhe pse virtual. Tre vendet e mia ku kam (ngritur) folenë: Shqipëria, Italia, SHBA; ose edhe më konkretisht, Tirana, Roma (Napoli), New York. Në hartën time imagjinare, këta janë tri ishuj pranë e pranë, madje edhe të mbivendosur njëfarësoj. Sa herë e kam kapur veten duke kërkuar Rrugën e Durrësit në Romë, ose Piazza del Popolo në Manhattan… Përndryshe, po të ma lejojë moti, një shëtitje e gjatë në Prospect Park (Brooklyn, afër shtëpisë sime), për të rregulluar qarkullimin e limfës dhe të mendimit.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Një libër me tregime i Borges-it (“Finzioni” në italisht) që pashë në një raft të një librarie në Corso Umberto I, afër Institutit Oriental në Napoli, në vitin 1991. Deri atëherë nuk kisha lexuar asgjë prej këtij autori, por veç ia kisha dëgjuar emrin dhe kurioziteti më shtyu ta blej. Dhe që nga ajo ditë, fillova ta shoh botën ashtu si vetëm një i verbër si Borges-i kish mundur ta shohë. Sikur ta dija atëherë çfarë po ia bëja vetes, ndoshta do të kisha qenë, e pakta, më solemn. Kaq përcaktuese janë vepra të tilla, sa të duket pastaj e habitshme, që ka pasur një kohë kur s’i kishe lexuar akoma. Edhe një libër tjetër: “Gödel, Escher, Bach” nga Douglas Hofstadter; isha trokë ato vite dhe, për ta blerë, më është dashur të prisja kur të më paguanin një honorar të vonuar përkthimi, sërish në Napoli. Kur e kam lexuar, nuk arrija të kuptoj pjesë të tëra – por ato pjesë që s’kuptoja, më dëgjoheshin si muzikë: muzikë për intelektin. Dhe së fundi, por jo më së paku, “Dimri i vetmisë së madhe”, i I. Kadaresë, kur e kam lexuar – dhe rilexuar – në vitet 1970. Mbaj mend se do të kisha dashur aso kohe, ende gjimnazist, të isha personazh i atij romani (por jo natyrisht Hrushovi, as Enver Hoxha! Një nga djemtë e “Brodueit” të Tiranës, me gjasë; tmerri i shoqërisë së atëhershme ishte edhe se, nëpërmjet tabuve që vendoste dhe mirëmbante, na e kish fisnikëruar deri edhe banalitetin suprem).

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Në anën e së mirës; edhe pse të jesh në anën e së mirës është gjithnjë privilegj, përveçse sakrificë. Por nuk mund të rrish në anën e së mirës, pa qëmtuar dhe gjetur të tjerë që gjykojnë si ti, përjetojnë si ti, vuajnë si ti. Prandaj edhe lufta për virtytin është edhe një kërkim i pandërprerë. Sa për identitetin, mua gjithnjë më vjen e kristalizohet, sa më kohë kalon që jam larguar nga atdheu: a thua se të ndierit shqiptar matet me kilometrat e distancës gjeografike nga vendlindja.

Çfarë mund të thoni për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Kultura duhet të jetë si uji për peshkun: fakti që merremi me të përditë, do të thotë se nuk e kemi të mjaftueshëm, nuk e kemi të oksigjenuar mirë, nuk e kemi të shëndetshme. Është një kulturë kjo e sotmja, që na sëmur; sepse mesazhet që qarkullon dhe modelet që na imponon janë virulente për mendjet e kthjellëta. Sëmurin, në vend që të shërojnë. Por njëherësh, e shoh veten edhe si të përgjegjshëm për këtë dëmtim – qoftë edhe vetëm ngaqë nuk bëj aq sa duhet, për ta mënjanuar. Përgjigjja që kam gjetur deri më sot? Vetë-karantina. Aftësia për të ngritur dhe banuar manastire imagjinare, ku zhurmat e ndyra të rrugës dhe të tregut nuk futen dot. Aftësia për ta mbajtur forcërisht të përzgjedhur botën rreth teje. Mundësia – ose le ta quaj fati i mirë – për t’u marrë vesh me tjetrin edhe pa folur.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dje ishte botë e rralluar, ku edhe mund të ndërroje vend dhe ajër, por të mbeteshe vetja; sot ka një mbipopullim fjalësh, idesh, mallrash, ngjyrash, që sundojnë nën shenjën e mizërisë dhe s’të lenë as të jesh vetja. Nesër druhem se do të mbetet veç një kod binar: 01111010 01100101 01110010 01101111.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Më vijnë në mend tabloja “Nighthawks” nga Edward Hopper; poema “The Second Coming” e Yeats; kënga “The Great Gig in the Sky” e Pink Floyd; filmi “Blade Runner” i Ridley Scott. Por janë zgjedhje të dhunshme për koleksionet e kujtesës sime, sepse edhe vlera e atyre gjithnjë llogaritet në raport me çfarë lashë jashtë.

6 Komente

  1. “Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

    Në anën e së mirës … ”

    Nuk eshte pyetje e bere per provokim, as me cinizem, por jam kurioz se ku mbeshtetesh per te qene kaq i sigurte ne nje bote krejt te pasigurte: ku e di ti, ose pse je kaq i sigurte, se ana jote eshte ane e se mires?

    1. Në kuptimin që, aq sa mundem, gjithnjë e pyes veten para se të marr një vendim, nëse po bëj të mirën. Me fjalë të tjera, kriteri etik. Por etika është diçka që fitohet hap pas hapi, ndonjëherë me mundim, ndonjëherë tjetër me fat. Jo rrallë, të jesh në gjendje të veprosh në mënyrë etike është edhe privilegj. Tani, shpesh perceptimi i së mirës për mua është intuitiv – i ka rrënjët në eksperiencë, por vetë procesi vlerësues nuk është se më ndodh në vetëdije. Nuk bëj pjesë tek ata që pyesin veten “What would Jesus do?”. Prandaj, kur them “në anën e së mirës”, më shumë kam parasysh rëndësinë që i jap etikës, sesa procesin e vlerësimit (ose të vetting-ut etik).

      1. I pari qe thoshte se “What would Jesus do?” ishte vete Jezui, sepse kjo pyetje i referohet kontestit te nje situate qe duhet zgjidhur taktikisht duke ruajtur etiken strategjikisht. Dhe vete Jezui disa situata i ka zgjidhur taktikisht me intuite dhe eksperience, por, per te qene ne rregull strategjikisht, i ka zgjidhur ne menyre te gabuar nga pikpamja formale etike. Psh kapi me shkelma tregtaret ne tempull, gje qe eshte e gabuar nga etika qe imponon Karta e Helsinkit. Eshte njesoj sikur te kapte me shkelma Sorosin psh.

        Nuk e vija ne dyshim per çfare ke thene me siper si kerkese, eksperience dhe menyre jetese tenden, por pyetjen po mundohem ta formuloj ndryshe me zhvillimit e reja te diskutimit:

        Perveç eksperiences dhe intuites per te zgjidhur etikisht, a ke nje strategji etike?

        Per te bere te qarte ku e kam llafim e te mos humbemi duke i dhene, si rendon ndodh, interpretime te ndryshme fjaleve: a ke parime baze qe veshtire mund te shkelen?
        Per te folur akoma me qarte: meqe permende Jezuin, per strategji ai kishte Dekalogun.

        1. Më bëre të mendoj. Dy parime morale që them se i ndjek me këmbëngulje janë drejtësia (edhe si justice, edhe si fairness) dhe gatishmëria për të ndihmuar dikë në nevojë (që lidhet me empatinë). Por nëse flasim për strategji morale, atëherë mund ta formuloj kështu: i them vetes, gjithnjë SUPOZO se ti ke kapacitet moral më të madh se tjetri, se je më inteligjent se tjetri, se je më empatik se tjetri, se je psikologjikisht më i balancuar se tjetri (ky do të ishte një supozim krejt hipotetik, ose të themi teorik a konjektural, për SUPERIORITETIN) dhe mbi këtë bazë merr një vendim etik. Për të shmangur ndonjë keqkuptim, ky SUPOZIM është i natyrës “zëre se ke moshën 347 vjeç”; nuk ka asnjë bazë vërtetësie, por vetëm shërben si premisë KUNDËRFAKTUALE për të vazhduar deduksionin. Po të flasim me terma të psikanalizës lakaniane, mua më pëlqen që të jem “baba”; çfarë më bën të mendoj që e kristalizova këtë strategji të veprimit etik kur isha prind me orë të plota; dhe e pashë që më rrinte mirë – njëlloj siç të rri ndonjëherë mirë ndonjë xhaketë.

  2. Nuk e ke plote. Ekziston parimi i reprocitetit, ne kete rast te jesh baba implikon edhe filial piety qe eshte nje koncept qe tani na ka lene shendene. E ka vetem Orienti, sidomos Lindja e Larget.

    Nejse s’po e zgjas me, megjithse desha me e zgjat edhe me estetiken, meqe e ke prek ne fund te intervistes, por çeshtja e zgjedhjes estetike eshte me e nderlikuar se etika. Nuk ka thene gje Jezui per te bukuren, estetiken. ha – ha

  3. Me fjale te tjera: jo vetem “zëre se ke moshën 347 vjeç”, por edhe “zere se e ke moshen 3 vjeç” dhe takon Jezuin, qe e ka moshen 2000 vjeç, “What would Vehbiu do?”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin