Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

FREEDOM

Gjatë një mbrëmjeje të festivalit letrar POLIP që u mbajt këto ditë në Prishtinë, i erdhi radha Bashkim Shehut tonë për të lexuar një pjesë të shkurtër nga një tregim i tij; dhe me këtë rast, moderatorja e eventit e prezantoi si të birin e një kryeministri komunist dhe pastaj si ish të burgosur politik, për ta pyetur më në fund: nëse do të mund ta përmblidhje me një fjalë të vetme eksperiencën tënde në burg, cila do të ishte kjo? Bashkimi nuk foli menjëherë, e bloi përgjigjen një copë herë dhe pastaj tha: FREEDOM. Kaq. Duartrokitje.

Përgjigjja më futi në mendime. M’u kujtua menjëherë fragmenti nga romani i Solzhenjicinit, që pata sjellë këtu të përkthyer, pak javë më parë; kushedi Bashkimi kish parasysh çlirimin nga sistemi diabolik i rregullave dhe tabuve, të cilat i duhej t’i respektonte, kur ishte ende bir i kryeministrit të Shqipërisë dhe pjesë e një elite të privilegjiuar në Tiranë? Duke pasur parasysh se ai prej kohësh ia kish pirë lëngun propagandës së regjimit të udhëhequr mes të tjerësh edhe nga babai i tij, nuk do shumë mund për të përfytyruar torturën e kujt detyrohet, hap pas hapi, ndjekë një skript të rreptë në sjellje, ngaqë përfaqëson familjen dhe pushtetin; ose sfilitjen e kujt nuk lejohet të jetë vetja, sepse duhet të jetë fytyra dhe imazhi i fisit dhe i pushtetit. Ngaqë e kam njohur disi Bashkimin nga ato vite, e them këtë me një farë sigurie. Edhe letërsia e shkruar prej tij aso kohe tradhton një autor të cilit i rri ngushtë kanoni i Realizmit Socialist dhe përpëlitet për të gjetur një mënyrë si ta nisë seriozisht revoltën e tij kundër “të atit”.

Prandaj, duke iu referuar sërish romanit të Solzhenjicinit, Shehu i viteve 1970 do të rezultonte i asimilueshëm me Shulubinin, ndërsa ai i viteve 1980, i rropatur në internim dhe në burg, me familjen të shkatërruar nga dhuna totalitare, i asimilueshëm me Kostoglotovin. Në romanet e tij, përfshi këtu edhe aq të suksesshmin Angelus Novus, lexuesi gati e ndien këtë ngazëllim metafizik të kujt nuk ka ç’të humbë më, dhe që vetëm në mjerimin e burgut komunist arrin të çlirohet nga pesha e skripteve e protokolleve elitare dhe e privilegjeve aristokratike, për të qenë më në fund vetvetja.

Para se t’i hidhja këto shënime, i telefonova Bashkimit, për t’i kërkuar leje që t’ia përdorja përgjigjen; duke i përshkruar edhe analogjinë me dialogun te romani i Solzhenjicinit, që kisha përkthyer. Më tha se përgjigjjes së tij, në skenën e POLIP-it, mund t’i jepej edhe një interpretim tjetër: vetëm në burg mundet njeriu ta vlerësojë vërtet se ç’është liria. Një përgjigje që mund të tingëllojë edhe më e natyrshmja, derisa fillon të përfytyrosh sa pak të lirë kanë qenë fëmijët e nomenklaturës në totalitarizëm; përfshi këtu edhe ata të familjes së Kryeministrit, pavarësisht nga privilegjet materiale dhe kulturore që doemos nuk u mungonin. Jetesa e tyre publike dhe gjysmë publike, konsumi i spikatur, mundësitë për të udhëtuar jashtë dhe për të lexuar libra të huaj dhe për të dëgjuar disqet e Beatles-ve (të gjitha këto, positional goods), ishin të gjitha prova të varësisë së tyre ndaj rolit që u kish dhënë pozicioni; ngjashëm me rolin që kanë pinjollët e familjeve mbretërore dhe aristokratike, për të përfaqësuar dhe riprodhuar gjakun blu. Në mbështetje të kësaj po sjell vetëm katastrofën e fejesës së prishur të djalit tjetër të Mehmet Shehut, me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë, brutale dhe tërësisht banale të patriarkut të totalitarizmit shqiptar, Enverit.

Prandaj, edhe nën këtë interpretim të dytë, ajo LIRI e përjetuar rishtas në burg nuk ka si t’i referohet jetës prej djali të privilegjiuar të kryeministrit të Shqipërisë; por një versioni të imagjinuar të asaj jete, ku Bashkimi kushedi gjente shpëtimin nëpërmjet letërsisë dhe krijimit artistik. Burgu, në këto rrethana, do të ishte i barasvlershëm me tërheqjen e disave në manastire, izolimin, zbritjen në shpella a në katakombe, kalimin në një përmasë më të kithtë, largimin nga e përditshmja, refuzimin e varësisë dhe skllavërisë ndaj parave, sendeve dhe ëndjeve, për hir të gjetjes së vetvetes. Është si ajo qetësia në pyll, që të lejon të dëgjosh edhe fëshfërimat më të lehta, por edhe më domethënëse; sepse të çliron nga automati brenda teje, ose zëri autoritar që të kërkon të përfaqësosh, orë e çast, dikë dhe diçka tjetër.

Në çdo rast, shënimet më lart nuk janë aq për Bashkim Shehun, sa për të gjithë ne, që kemi jetuar “të lirë” nën totalitarizëm – dhe që gjithnjë na është dashur të negociojmë midis privilegjit dhe tabusë, dëshirës për të rënë në sy dhe nevojës për t’u fshehur, impulsit për të folur dhe imperativit për të heshtur, dëshpërimit dhe frikës.

Sot kur po përpiqesha të organizoj mendimet, ime më më tregoi një histori për një kushërirën e saj, e martuar fare e re, gjashtëmbëdhjetë vjeç, me një bej të pasur të Shqipërisë së Mesme; të shoqin ia futën brenda shumë shpejt pas Çlirimit, dhe fill më pas atë fat pati edhe kushërira jonë. Burrit i bënë tortura të parrëfyeshme, deri edhe duke e lënë të zhytur në një fuçi me ujë, për 60 ditë; aty mori edhe një infeksion në kolonën vertebrale, që e kërrusi keqazi. E megjithatë, e nxorën nga burgu para së shoqes. E para gjë që ky bëri, ishte t’i shkonte kushërirës sonë në burg, për ta vizituar. Por kur kjo e pa, pas kaq e kaq vitesh, u tmerrua kaq shumë nga përçudnimi fizik, sa i kërkoi të mos i vinte më.

I duhet gjetur një vend, në vetëdijen tonë kolektive, tmerreve të tilla, pavarësisht shëlbimit moral; dhe jo thjesht për të mos i përsëritur. Janë gjëra që i kemi bërë dhe nga të cilat mund të çlirohemi vetëm nëpërmjet kujtesës. Kushedi, dhe këtu po i rikthehem fjalës FREEDOM të shqiptuar prej Shehut në skenën e POLIP-it, është mbajtja gjallë e kujtimit të së keqes sonë historike, që do të na bëjë më të mirë, me njëri-tjetrin dhe veten.

14 Komente

  1. Ka ndodh keqkuptim midis teje dhe Bashkimit, i cili e ka pas fjalen per diçka krejt tè kundert. Por keqkuptim eshte fatal ne kete rast, nuk mjafton vetem nje fjale e bertitur, aq me teper e bere boze si bertitje, per te kuptuar çfar donte te thoshte Beshkimi, qe vertet ka domethenie te madhe: vetem me kufizimin e lirise, e kupton vleren e lirise. Shume e vertete.

    Ndersa persa i perket kujteses, vertet ka vlere kujtesa, por, varet sipas personit dhe kontestit, mund te kete po aq vlere edhe harresa. Psikologjia dhe letersia kane punuar shume me keto dy shtysa ose mekanizma psikike.

    Njerzit ca gjera nuk duan me i kujtu, prandaj nuk kuptojne, dmth nuk duan me kuptu. Po te qe ndryshe, lidhur me ç’flitet ne fund te shkrimit, nuk do te ndodhte Lufta II Botrore, mbasi u “harrua” e Lufta e I Botrore. Nuk eshte aq kollaj, jane me te thella gjerat.

    1. Nuk di të them nëse ishte apo jo keqkuptim (tek e fundit, m’u dha edhe sqarimi përkatës); por mua më pëlqeu interpretimi që i kisha dhënë unë “lirisë” dhe prandaj e solla njëhershëm me atë tjetrin, të mirëfilltin. Përndryshe nuk do të kisha shkruar fare. Tek e fundit, secili sjell diçka nga vetja në interpretim, sa kohë që merr pjesë në komunikim.

      Di të them, nga ana tjetër, që Bashkimi, me atë “freedom” që tha, nuk është se po i referohej lirisë relative që gëzonte kur ishte akoma pinjoll i numrit dy të regjimit totalitar. Ai e ka sqaruar edhe herë të tjera se, sa më shumë që formohej intelektualisht, aq më shumë e përjetonte të qenit fëmijë i nomenklaturës si barrë në mos si brengë në shpirt.

  2. Kujtesa është Inkuzitori madh, në këtë rast , psikopati. Po shikoja në tv një aktivitet në përvjetorin e revoltës së Spaçit. Atyre të gjorëve që provuan atë ferr e që ishin të pranishëm në event , koha u kishte lënë të pashqitshme nê fytyrë dhimbjen , rrënimin ( imagjino në shpirt) . Dëgjonin ligjëruesit gjithë me ato futyra gjithë benga kurse kanarinat dhe papagallët që përdorin dhimbjen e ryre për projekte, shend e verë.
    Nga ana tjetër nuk mund të mos admirosh “bijtë e Bllokut” që provuan Spaçin si Shehu, Lubonja, Ngjela – përmenda këta si persona publikë, pra e admirueshme sesi dolën nga ai ferr të pacënuar e të parrënuar në shpirt, shpresë dhe kurajo për tê jetuar e në beteja t reja me ra fli ( simbolikisht). Se këta janë reformistë tani…llo llo llo nëpër ekrane.
    Ndoshta se këta e kishin vënë mullën në kuzhinën e bllokut ku dhe sytë e qenit gjeje, si thotë pooulli ynë qënëdaahës.
    Por të flasim seeiozisht , rasti tyre tregon se forca përballë të keqes buron nga drita e intelektit, nga morali dhe dituria. Ose duhet të jesh shumë idiot ose me shumë intelekt të përballosh katastrofa të tilla në jetë.
    A ka gjasa të përsëritet e keqja nëse kultivojmë kujtesën dhe reflektimin e thellë për fytyrën e totalitarizmit shqiptar dhe krimeve tê komunizmit?
    Unë them : Po! Historia nuk përsëritet dy herë.E keqja që përgjon pas derës ( së BE apo USA) mund të mos ketë pamjen e totalitarizmave të shek. 20-të. Mund të jetë një fashizëm kibernetik, një shoqëri e kontrollit postindistrial, trashumanizëm etj.etj.
    Por dua të them se kujtesa nuk ka forcë të ndalojë forca më madhore, trende zhvillimi, tregjet dhe klubet e të fortëve që kontrollojnë botën.
    Eshtë vetë konteksti historik që thërret forcat e errëta të cilat përherë vijnë si ëngjëj shpëtimtarë. Eshtë ajo metafora e Benjamin me ëngjëllin Novus Angelicus i cili shikon rrënojat e historisë (kujtesa) por ndërkohë erërat e kohës e shtyjnë përpara.
    Dmth po patën “erën” në favor , forcat e së keqes ngjiten në skenë
    Le të tjerrë fijet e kujtesës nëpër workshqope ajo zonja kanarinë dhe ai zotriu papagall…se komunizmi zotri ..se Spaçi e të tjera …e të tjera.

    1. Nisem nga ky rast, dmth nga rasti i shkrimit ne post, perfitoj nga rasti qe me jep blogu, per te nxjerre perfundime pergjithsuese per çdo rast qe perballime me te keqen ne jete. Ky ishte sensi i komentit tim qe perballej me te keqn duke treguar mekanizma psikike, dmth reagimin e njerzve ndaj te keqes kudoqofte dhe kurdoqofte, qofshin ne Alaske apo ne para faraonit Tutankhamon, apo ulur rehat ne divan.

      Kurse per rastin specifik te Spaçit nuk kam gje per te thene me teper se lla lla llou i zakonshem, por edhe sikur te kisha, kam zgjedhur, per vete pozicinin si anonim, te mos them gje per te te dhe per ke ka qene ne te.

      Komenti yt prek shume çeshtje, eshte shume i gjere, e s’di ç’te them me pare. Perveç se nuk bej dot lidhje midis gjerave qe ke thene.

    2. Edhe unë nuk besoj se ka gjasa që të përsëriten krimet e së shkuarës. Sikurse edhe besoj në aftësitë shëruese të harresës dhe të faljes. Por nëse mund t’ia falim të keqen Tjetrit, nuk mund t’ia falim vetes. Në kuptimin që të keqen që kemi bërë, si shoqëri, në të shkuarën, nuk mund ta harrojmë. Në kuptimin që hebrenjve edhe mund t’u lejohet që ta harrojnë Holokaustin, por gjermanëve kurrë. Ajo e keqe na tregon – sipas nevojës – kapacitetin tonë për të shkatërruar, për të shfarosur, për të munduar. Ajo e keqe, e mbajtur gjallë në kujtesë, është ferri ku duhej të përfundonin, virtualisht, autorët e saj.

    3. “[K]ujtesa nuk ka forcë të ndalojë forca më madhore, trende zhvillimi, tregjet dhe klubet e të fortëve që kontrollojnë botën.”

      Dakord, Pika.s, por meqë zakonisht ekuilibri arrihet/ruhet përmes balancimit të të kundërtave, cila mund të jetë ajo forcë që iu kundërvihet këtyre forcave madhore?

      P.s.: Novus Angelicus duket disi fatalist me krahët e shtangur prej erës.

  3. Ardian, nuk kam gje kunder keqkuptimit, me teper e kam kunder keqdashjes. Ndodh bile qe keqkuptimi mund te jete produktiv, ne sensin pozitiv, siç edhe ka ndodh ne kete rast.

    Persa i perket fridomit, eshte nje alergji me teper personale, sidomos e bertitur ne anglisht. Se çdo gjuhe bertitja e kesaj fjale ka nje nuance te veten, ose me mire nuancen qe i ka dhene eksperienca personale.

    1. Pa merak. Nuk pres asnjë përgjigje unë. Komenti yt ishte nje pretekst. Dy gjëra kam prekur unë : e para, ish të persekutuarit marrin nga shteti dëmshpërblim…një mënyrë e të drejtës restaurative. Por për jetën si të tillë, si segment i shkuar për lesh, as shteti dhe as Zoti nuk u jep dot viktimave reparacione me kohë. Koha shëron plagët, kujtesa krijon makthe, harresa mbetet bari shërues për ata qe provuan ferrin.
      E dyta ishte ideja se kultivimi kujtesës dhe kultura nuk parandalojnë dot kasapanat e reja. Tê kulturuar e me kujtesë ishin gjermanët dhe Hitleri i vuri në resht .
      Shnet dhe kultivo harresën.

  4. Tani po kuptova se çfar do te thuash, shkurt dhe qart Pika.S. Vetem se nuk kuptoj si koncept sherimin prej vetem harreses. Ardiani ka fut me te drejte edhe faljen.

    Eshte procesi i faljes qe shkrep mekanizmin e harreses. Vetem se te gjithave muhabeteve rreth faljes, edhe te vete ata qe kane falur (edhe te faljes hebreje qe tashme e kane bere industri faljen), ka nje mungese te madhe. Kerkohet rendom qe vetem xhelati te arrije nje nivel shpirteror te tille qe te arrije faljen – gje me se legjitime, e vertete dhe funksionuese per faljen – dhe lihet mbas dore çfare eshte me e rendesishme: qe edhe viktima duhet te arrije nje gjendeje shpirterore qe te fale. Nuk e di nese e keni provuar, gje banale nuk eshte nevoja te kesh qene ne Spaç, por nuk eshte e lehte te falesh, duhet te jesh ne nivel te larte shpirteror qe te falesh. Vuajtja e zgjatur te mbush me acid urrejtes, dhe duhet mund dhe permbushje kushtesh per ta pastruar, te dalesh nga ferri acid eshte nje proces shume i komplikuar. Atehere ke fituar autoritetin qe te falesh, dhe tjetri e ndjen qe e ke falur vertet, ndihmon edhe tjetrin te dale nga ferri.

    Kurse ve re vetem formalizma rreth e qark dhe ne histori, prandaj perseritet historia acide, akoma me acide, acid i grumbulluar ne kohe.

    1. Po shtoj edhe unë, si coda, një sfidë tjetër: t’ia falësh vetes. Për këtë, duhet të kesh vete (e kam fjalën për shoqëritë).

  5. Me duhet te plotsoj komentin qe e lash pergjysem se duhet te beja nje pune tjeter.

    Pra, ndryshe nga sa mendohet rendom, eshte viktima qe ka nevoje per faljen, sepse nuk mjafton qe e kane bere te vuaje, po edhe i kane grumbulluar urrejtjen sa nje mal me skorie qe duhen pastruar. Koha duhet per te pastruar kete skorie, jo per te harruar.

    Pastaj eshte edhe nje gje tjeter e paditur shume e rendesishme: ne nuk jemi qenie vetem me emocione, kemi edhe inteligjence, dmth kemi nevoje t’i kuptojme gjerat. Ne rastin konkret viktima duhet te kuptoje dhe te dije. Psh sa per te prek pak kete dituri: perse e te keqes ne histori? Ndryshe nese nuk ka shpjegim ateher vuajtja eshte absurde, bota eshte absurde, historia eshte pa kuptim, vetem interpretohet (kush beson qe Hitleri ishte mesia, ben interpretim, çfar ben tjeter?). Atehere edhe falja, harresa, kujtesa jane absurde. Perse duhen? Per te hedhur hi syve?

    Problem tjeter jane paret qe i permend Pika.S. Edhe demshperblimi ka efektin e vet te konsiderueshem, jo qe merr i dor me leke, e as e kunderta qe nuk shdemtohet me para vuajtja. Parja nuk eshte vetem vlere materiale, siç rendom kuptohet, eshte edhe vlere shpirterore, dhe ketu qendron fuqia e saj per te pastruar skorjet e urrejtjes. (ky mekanizem do me teper fjale per tu sqaruar, por po e hedhe keshtu, kush mund ta kuptoje la ta kuptoje).

    Idene e fuqise se pares dhe autoritetit per te trasfomuar ne menyre te detyruar punen e detyruar ne pare te investuar ne keneten e Terbufit, shprehur ne menyre tjeter, as Hyllin nuk e kapi, ose e kapi, por nuk i pelqeu si justifikim e shantazh. Diskutimin e keni ketu:

    https://peizazhe.com/2018/05/19/regjimi-i-hoxhes-si-institucion-total/#comment-36566

    Faljen nuk mund ta beje bytha e politikanit, kushdo qofte ai. Eshte tjeterkush qe ka autoritet dhe legjimitet per ta bere faljen.

  6. “Po shtoj edhe unë, si coda, një sfidë tjetër: t’ia falësh vetes. Për këtë, duhet të kesh vete (e kam fjalën për shoqëritë).”

    E ke fjalen qe ka shoqeri, ose ka “vende dhe popuj”, qe nuk kane “vete”?

  7. Eshte nje pyetje ne shqip iluminuese per situaten, qe ju drejtohet individeve, veteve, kur humbin pusullen:

    “A je ne vete?”

    Pyetja vlen njesoj edhe per popujt ne periudha te ndryshme. Bile edhe per popujt e iluminuar, psh gjermaneve, italianeve dhe francezeve ne gjysmen e pare te shek. shkuar, qe i bie gjithe Evropes. Futur me thelle, zhbiriluar me thelle se pse keto popuj dolen prej “vetes”, legjitime eshte pyetja: “A kane qene ne vete me pare?”. E pse jo pyetja akoma me e rendesishme, sepse e tanishmja ka me teper rendesi: “Evrope, a je ne vete?”. E me tej e me tej mund te shkoje pyetja, vetem se kam hallin e Hyllinit se mos na shantazhohet duke qare ne diskote paret qe kan humb kot ne keneten e Terbufit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin