nga Teuta Toska
Martesa në shoqërinë shqiptare njëjtësohet me dasmën (darka apo vakti publik, ku mblidhet i gjithë farefisi dhe të njohurit e ngushtë), edhe pse ka ceremoni e rite të tjera që përfshihen në të: celebrimi në bashki, dërgimi i pajës, qethja e dhëndrit, shikimi i pajës, festa me shoqërinë ose fqinjët, marrja e nuses etj. Dasma është shfaqja publike më e rëndësishme e marrëdhënieve njerëzore minimale të një shoqërie. Nëse shkojmë prapa në kohë, mund të themi se ajo ka qenë shfaqja e vetme publike e një grupi shoqëror: çift, familje, farefis. Në këtë shfaqje ky grup zbulonte dhe ekspozonte jashtë shtëpisë së vet gjithë çfarë kishte më të mirë: në ekonomi, në zotësi, në trashëgimi, në pronësi, në veshje, në artizanat etj. Përkundër ceremonisë mortore, e cila ishte shfaqja tjetër publike e grupit, por e ngarkuar me dramaticitet dhe e shënuar me intensitet emocional negativ dhe solemn, dasma është e ngarkuar me të gjitha elementet pozitive e të kënaqshme që mund të ketë prodhuar një grup shoqëror i caktuar.
Dasma në Shqipëri kështu bëhet një tekst ku mund të lexosh arritjet e një grupi në një çast të caktuar. Leximi i këtij teksti mund të bëhet sipas interesave dhe këndvështrimeve të ndryshme.
Dasma është institucioni që konfiguron njësinë familjare më të madhe: farefisin. Nuk ka asnjë ngjarje tjetër në të cilin farefisi është i thirrur “nën armë”. Ngjarja tjetër – ceremonia mortore – mund të mos ia dalë ta mbledhë kështu këtë njësi, për shkak të paparashikueshmërisë së saj. Por dasma është një ngjarje e parashikuar, e ngulitur një herë e mirë dhe ndryshimi i datës së saj është i pagjasë. Edhe nëse ndodh ndonjë kob, dasma do të kryhet domosdo. Kështu që prania e çdokujt është një shtrëngim. Mosprania është rast për prishje raportesh, damkosje sociale, këputje “dege” gjenealogjike, pikërisht se kjo ishte ngjarja madhore, por dhe e vetme kur privatja lejohej të bëhej publike.
Dhe, duke qenë kështu, që privatja dilte në publik, ajo është një ngjarje private e zmadhuar dhe e qëruar nga elementet e rëndomtë: ngjarja kulmore e martesës – dasma, është një vakt familjar publik. Dhe e organizuar që në krye të herës si çdo vakt familjar: në hierarki. Pavarësisht nëse radhiten familje (në ato dasma ku burrat e gratë janë bashkë dhe marrin pjesë në darkë si familje) ose individë (në ato dasma kur burrat festojnë veç e gratë veç), hierarkia është rendi themelor i organizimit të darkës publike, edhe në vendosje, edhe në paraqitjen përpara të tjerëve. Dasma shqiptare është edhe një paraqitje e familjeve përpara të tjerëve, me anë të valleve sot, por edhe të këngëve. Dasma sot është një vakt “i vallëzuar”, ku farefisi shpaloset në hierarki në rend zbritës, largues (fillojnë të kërcejnë më të afërtit me nusen e dhëndrin e pastaj duke u larguar, deri te fqinjët).
Në ato kultura që e kanë fetaren në ceremoninë e dasmës, ngjarje e rëndësishme është edhe ceremonia fetare. Kjo ceremoni është një estetizim i ngjarjes së zakonshme të jetës fetare: mbledhjes së besimtarëve për takimin fetar. Ajo zhvillohet kryesisht me këtë strukturë: njeriu me autoritet fetar drejton ceremoninë dhe mëson fjalën e shenjtë, kënga, lutja, e gjithë kjo nën autoritetin hyjnor. Në këtë autoritet drejtuesi i ceremonisë i bashkon të dy personazhet qendrore. Prej Zotit buron edhe hierarkia, pandryshueshmëria, solemniteti i ngjarjes, rendi i ngjarjes ceremoniale, diskursi që e mbështjell. Në dasmën shqiptare estetizohet, maksimizohet, imitohet vakti familjar: si shenjë e zgjerimit të marrëdhënieve shoqërore të ngushta. Për shkak se “ngrënia e bukës” është një ngjarje e zakonshme e jetës njerëzore. Në një shtëpi, ajo është ngjarja themelore e jetës. Në një sofër marrin pjesë ata njerëz që kanë marrëdhënie të sigurta, të qëndrueshme, të afërta, të pacenueshme me njëri-tjetrin. Dhe kështu, nëse dikush jashtë shtëpisë merr pjesë në këtë sofër, bëhet i denjë për të marrë pjesë në këtë rrjet marrëdhëniesh të sigurta, të qëndrueshme, të pacenueshme. Kështu, dasma shqiptare maksimizon ritin e mikpritjes. Një mikpritje që parakupton, më së pari, bërjen vend në sofër. Autoriteti nuk është Zoti, por bërthama e raportit familjar. Asnjë person, por një rrjet marrëdhëniesh, të përforcuara nga koha (si traditë dhe ndjenjë e së vjetrës) dhe e tashmja.
Për ironi, personazhi më i rëndësishëm i dasmës, nusja (jo aq dhëndri, për disa arsye që do t’i themi më poshtë) është një qenie e pangjashme, e panatyrshme, jonjerëzore, sikur zbret nga një realitet tjetër. Është si një qenie mitike që trupëzohet një herë në jetë në pjesën më të madhe të femrave. Duke qenë kështu, kur femrat “veshin” nusen, ato zhvishen nga vetvetja dhe luajnë një rol social të përcaktuar prej mijëra vitesh.
Kundërvënia e dasmës shqiptare nuk është nuse – dhëndër, por nuse – jonuse. Dhëndri merr pjesë si një koeficient që i ndryshon vlerën një madhësie, ndërsa i rri afër.
Një qenie e tillë është, si të thuash, e panatyrshme, sepse gjithë çfarë ajo vesh si shenjë e fsheh natyrën e saj (njeriun femër). Në ceremoninë shqiptare asaj i hiqet elementi më i rëndësishëm njerëzor: gjuha. Ajo është e ndaluar të flasë. Ajo mund të flasë tinëz vetëm nëse është në prani të familjarëve të ngushtë. Nëse krushqit kanë ngrirë për shkak të një mallkimi, nusja në dasmën shqiptare ka ngrirë për shkak të një betimi, një marrëveshjeje të pafolur. Ajo nusëron. Fjalori na përshkruan një sërë veprimesh që e shoqërojnë këtë veprim. Mbi të gjitha heshtjen e saj[1]. Asgjë e tillë për “dhëndëroj”[2]. Sytë e gjuhës janë te nusja.
Ajo është e privuar edhe nga një element tjetër njerëzor: lëvizja. Ajo nuk merr asnjëherë iniciativë për të lëvizur. Gjithnjë është dikush afër saj që ia dikton dhe ia shtrëngon lëvizjen. Ajo duhet të jetë e përgatitur për këtë, kështu që detyrohet të privohet nga çdo nevojë biologjike për sa kohë që ajo nusëron: nuk ha, nuk pi, nuk fle. Shkurt, ajo është si një ide e trupëzuar në jetën e dikujt, në një çast në jetë.
Gjithë ceremonialiteti dhe ligjërimi që e shoqëron dasmën e qendërzon nusen: këngët, vallet, ritet, urimet, ndalesat, veshjet etj.
Nusja është personazhi më i rëndësishëm i dasmës, për shkak se ajo ekspozohet si “trofe”, si “plaçkë luftë” e admiruar nga të gjithë. Duke qenë kështu, marrja e saj dhe futja në shtëpi është më e rëndësishme se ai që e merr dhe e zotëron atë. Ceremonialiteti dhe solemniteti që e shoqëron futjen e saj në shtëpi na thotë qartë se personazhi kryesor është ajo. E pra, në kulturën shqiptare të dasmës, dhëndri është si një hije që shoqëron nga pas personazhin qendror.
Këto kohë kam parë dasma pa dhëndër (dhëndri ka qenë në emigracion, familja e tij ka qenë në zi etj.), por dasmë pa nuse nuk ka dhe nuk kam parë.
Ka një akt të vetëm që i kundërvihet dasmës: e ky është rrëmbimi i nuses. Në këtë rast, meqë dhëndri na bëhet më i rëndësishëm sesa nusja, duke shfaqur forcën e tij mbi autoritetin madhor, që është familja, ngjarja është e dënueshme shoqërisht. Në historinë familjare nuk përmendet asnjëherë, rrethohet gjithnjë me mister, thuhet vesh me vesh si diçka e turpshme dhe për të kaluarën e familjes është një njollë e zezë. Në zonën e Shpatit, ky bashkim shënohet me një eufemizëm: u martuan ferrsi (duke kaluar nëpër ferra, dmth “ferrat” si kundërvënie ndaj rrugës së hapur, të pastruar e të shkelur nga të gjithë).
Në këtë ceremoni, më intereson edhe raporti mes individuales dhe kolektives: nusja është e zhveshur nga çdo element individual, duke përjashtuar atë që ajo e ka marrë prej natyre: flokë, sy, buzë, shtat, duar etj. Por a nuk “maskohet” ajo në të gjitha këto gjëra? Për t’u dukur diçka tjetër? Çfarë ka mbetur natyrore në të?
Sa më afër nuses në raporte familjare, aq më shumë ndihet shtrëngimi që të sillesh sipas normës së grupit sesa sipas zgjedhjes individuale. Ka një shprehje që përdoret shpesh në shqipe: “Sikur të martohesha edhe një herë, dija unë si nusëroja”. Kjo shprehje idiomatike shënon kryesisht një pamundësi: të përsëritjes së një përvoje, të prapakthimit në kohë, të ndryshimit të vetes apo edhe të situatave. Në të dyja pjesët e kësaj shprehjeje ka një pamundësi. Në shoqërinë shqiptare martesa e dytë dhe e tretë mund të ndodhë, por dasma për herë të dytë, ajo e madhja, me konfigurimin e gjithë fisit nuk ka gjasa të bëhet. Nuk mendohet. Thuajse ndalohet. Edhe pjesa e dytë, “të nusërosh ndryshe, të nusërosh si do vetë” ndryshe nga ç’e kërkon norma e grupit është e pamundshme. Pikërisht se te “nusërimi” nuk ka asnjë individuale. Si mund të bësh ndryshe një veprim në të cilin je i detyruar të mos bësh asnjë?
Si një ngjarje e përsëritshme në çdo jetë, në çdo kohë, në çdo shtëpi, një herë të vetme, dasma duhet të jetë e pacenueshme nga koha. Duke qenë se ajo që ka kaluar është një përvojë më e sigurt sesa ajo që pritet të ndodhë, kjo ngjarje priret të mos ndryshojë dhe të përsëritet në elementet e saj kolektive. Ndryshimi përjetohet si ankth. Grupi shoqëror nuk mendon ta ndryshojë ngjarjen e ritualizuar dhe përsëritja pikë për pikë e saj ndodh edhe nëse një element në këtë sistem do të mungojë: dhëndri, krushqia, prindërit e çiftit etj.
Përsëritja e ritualizuar e ngjarjes e ndalon të menduarit. Ajo ruhet në kohë e paprekshme, sepse individi nuk mendon për të. Por në kohët e sotme, me shndërrimin e shpejtë të raporteve shoqërore për shkak të shumë faktorëve (ndryshimi i rendit politik, lëvizjet e popullsisë, kontaktet me kulturat e tjera, prania e medias në çdo shtëpi), individi është i lirë të mendojë për të, ta vlerësojë, të dekonstruktojë, ta analizojë dhe kështu të vendosë ta ndryshojë. E ndoshta, në këto lëvizje të reja shoqërore dhe “rrëzim” të mureve rrethuese të shtëpisë, ka shumë gjasa që nusja të fillojë të shkrijë.
(c) 2018, autorja
[1] Fjalori e përshkruan kështu: “Qëndron me këmbë a në fron kokulur dhe pa folur nusja ditën e dasmës sipas zakoneve; u rri më këmbë nusja njerëzve të burrit dhe u shërben ditët e para pas martesës.”
[2] Bëhem dhëndër; jam dhëndër, nisem dhëndër. Rri si dhëndër, qëndroj si dhëndri ditën e dasmës.
Vertet, nusja eshte personazhi (personazhi dhe jo njeriu, ndonse duhet te ishte edhe njeriu) me i rendesishem ne nje dasem. Mire deri dje ishte dasma pjese e nje kulture te caktuar, por sot duket si e dale demode! E neser dej, dasmat tradicionale ka mundesi te humbin fare! Gjynah, sepse nusja me ate fustan te bardhe madheshtor sikur simbolizon ardhjen e nje engjelli ne shtepi. Mirpo sot nuk duhet me engjelli, sepse edhe teknika nga njera ane i ka mundesuar burrit te bej ato pune shtepie qe nuk i bente me pare.