FUTBOLLI NË VATËR

Nëna ime e sheh futbollin në TV ndryshe nga unë: nëse mua më tërheq më shumë loja në mos edhe thjesht rezultati, apo një gjest atletik, një kombinim ose një gjuajtje e bukur, ajo përqendrohet në lojtarët si persona, dramën e tyre dhe konfliktin mes tyre, dhimbjen e kujt bie përdhé i lënduar, trishtimin e kujt humb penalltinë, ritualin e gëzimit të kujt sapo ka shënuar.

“Faji” për këtë diferencë i mbetet televizionit: sepse kush shkon ta shohë futbollin në stadium zakonisht ulet tepër larg fushës, që të mund të ndjekë intimisht shprehjet dhe gjestet e lojtarëve. Në një kuptim, eksperienca në stadium mund të përqaset me atë gjatë një pjese teatrale, ndërsa ajo në televizion me filmin. Dua të them: kamera na detyron ta shohim lojën ndryshe, të orientuar e të udhëzuar edhe nga telekronisti.

Kjo nuk prek vetëm publikun a spektatorët. Lojtarët vetë, të vetëdijshëm se janë në kamera, performojnë si të ishin aktorë. Por jo ngaqë performimi është për ta diçka e re: më parë, e bënin këtë për arbitrin, për shokët e skuadrës dhe kundërshtarët, për trajnerin dhe, me përpjesëtimet përkatëse, për spektatorët në stadium. Tani u duhet ta bëjnë edhe për një publik të padukshëm, por të panumërt; që nuk komunikon dot me ta drejtpërdrejt, as jep dot feedback për sjelljet e tyre; por që njëfarësoj subvencionon statusin e tyre special.

Sa për spektatorët në stadium, këta mund ta shohin vërtet një lojtar të rrëzohet, por vështirë se mund t’ia shquajnë shprehjen në fytyrë; siç mund ta shohin që t’i afrohet arbitrit, por pa ia lexuar dot buzët, si ne të tjerët në ekran, për të marrë vesh se çfarë thotë. Në detaje, publiku në fushë dhe publiku televiziv shohin dy shfaqje (performanca) të ndryshme.

Kujt e ka mësuar veten ta shohë futbollin kryesisht në televizion, mund t’i ketë ndodhur që, po të qëllojë të shkojë pastaj ndonjëherë në stadium, të mos e ndjekë dot lojën siç arrinte dikur. Për shembull, ne të televizionit nuk jemi më në gjendje të riprodhojmë mendërisht si u shënua një gol – sepse tani më parë perceptojmë eventin në tërësi, ose golin; dhe vetëm më pas, kur ndjekim përsëritjen (replay) e kuptojmë në hollësi se çfarë ndodhi pikërisht.

Dhe jo vetëm. Kamera e shfaqjes futbollistike është kamerë televizive – që ndihet më mirë në plane të para; ekrani i vogël ndihmon më shumë për të ndjekur ndërveprimet njerëzore mes lojtarëve, lojtarëve dhe arbitrit, etj., sesa taktikën dhe manovrat kolektive të një skuadre në fushë. Priret, pra, që ta kthejë ndeshjen në telenovelë – ku lojtarët të diferencohen si i miri, i ligu, dredharaku, i bukuri, mashtruesi, budallai, ekstravaganti, palaçoja, simulanti, qaramani, e kështu me radhë. Në televizion mund të mos shohim mirë si lëviz Pogba në fushë, por modeli i flokëve të Pogbës nuk na hiqet sysh.

Shto këtu edhe telekronistin në sfond, i cili shpesh komenton dhe vë në pah më shumë çfarë tregon ekrani se çfarë ndodh realisht në fushë, i vetëdijshëm se po i flet teleshikuesit: roli i telekronistit mund edhe të krahasohet, këtu, me atë të korit në teatrin antik.

Kësisoj për nënën time futbollistët vijnë dhe identifikohen me ndonjë karakteristikë të spikatur – Piqué-ja ka “fytyrë të mirë”, Mesi është “si i metë”, Cristiano Ronaldo-ja “si fëmër”, Higuaín-i “burrë i mbrusur”, Dybala “si fëmijë”, e kështu me radhë. Atje ku unë shoh lojë, ajo sheh maska aktorësh të commedia dell’arte.

Nga kjo pikëpamje, televizioni – veçanërisht tani që teknikat e produksionit të një transmetimi live janë sofistikuar shumë – e ka njerëzuar sportin në përgjithësi, dhe futbollin në veçanti; mbase duke tërhequr edhe një lloj publiku që përndryshe nuk do të pyeste shumë për taktikën, skemat dhe teknikën e skuadrave dhe të lojtarëve individualë.

Stadiumi është, në vetvete, një lloj teatri për shfaqje – me skenë dhe vend ku të rrijë publiku. Por ndryshe nga teatri, publiku në stadium është edhe ai vetë protagonist madhor i spektaklit: me brohoritje, reagime të tjera të zhurmshme, koreografi, daulle, këngë korale, parulla, trumbeta, flamuj shumëngjyrësh, pankarta, vuvuzela, posterë, fishekzjarrë. Nëse lojtarët performojnë për publikun, publiku performon edhe për vetveten edhe për lojtarët në fushë. Këtë plotësi të spektaklit në stadium televizioni nuk mund veçse ta përcjellë pjesërisht dhe të reduktuar. Prandaj edhe epikën live e shndërron në një sagë më intime dhe më personale, të fokusuar te protagonistët, ose të preferuarit e kamerës.

Kamera, nga ana e vet, ka ndikuar në sjelljen në fushë edhe të lojtarëve, edhe të trajnerëve, edhe të arbitrave; duke i bërë më të vetëdijshëm për rolin që kanë dhe “aktrimin”. Jo rrallë i sheh të kapurit në ekran që të mbulojnë gojën me dorë, kur i flasin njëri-tjetrit; për këtë fshehtësi ka arsye të ndryshme, por mes tyre është edhe nevoja për të shmangur ndonjë keqkuptim ose skandal.[1] Këtu mbase ka vend të pyetet edhe nëse e njëjta kamerë e planeve të para dhe e zbulimit të çka duhej të kish mbetur përndryshe e fshehur, ka ndryshuar edhe mënyrën si po luhet futbolli.

Në një aspekt, përgjigjja është fare e thjeshtë: lojtarët tani druhen të bëjnë ndërhyrje të rënda ose gjeste të shëmtuara, sepse mund të ndëshkohen ashpër më vonë, edhe në qoftë se nuk i sheh ndonjë nga arbitrat në çast. Kamera televizive funksionon, në këtë rast, si dispozitiv survejimi: ndihmon për të kufizuar “ilegalitetin” dhe për të vendosur “drejtësinë”.

Por ka edhe një rrafsh tjetër të analizës: kamera i ndihmon lojtarët të marrin pjesë në krijimin e figurës së tyre publike; sepse publiku tani ua ndjek jo vetëm lëvizjet sportive, por edhe reagimet njerëzore; i sheh më pak si shifra algjebrike dhe më shumë si persona. Kjo i afron lojtarët edhe më shumë me aktorët në teatër ose në film. Edhe pse kamera zakonisht nuk ndikon dot drejtpërdrejt në vendimet që do të marrë arbitri në fushë, personazhi që arrin të krijojë një lojtar hap pas hapi, nëpërmjet “aktrimit” të tij live, do ta gjejë herët a vonë rrugën deri te përfytyrimi i arbitrit dhe i të tjerëve që vendosin për fatin e lojës së tij.

Performimi i lojtarit nuk kufizohet vetëm me fushën: tani janë bërë praktikisht rutinë edhe intervistat televizive ose edhe të gjitha ato kontekste ku publiku i gjerë – ndonjëherë shumëmilionësh – i sheh dhe “i njeh” lojtarët ndryshe nga ç’ndodhte edhe vetëm 40-50 vjet më parë (përfshi këtu edhe renderimin e lojtarëve në videolojëra). Pa llogaritur pastaj ndikimin që kanë “yjet” e futbollit në rrjetet sociale dhe fëmijët e adoleshentët dhe të gjithë ata të tjerët që tërhiqen pas tyre si celebrities, pa qenë detyrimisht të interesuar për futbollin.

Si dukuri, kjo duket e kundërt me rastet kur interesi për ndeshjet e futbollit ka të bëjë vetëm e vetëm me bastet; sepse për ata që vënë baste, futbolli – sikurse çdo lloj tjetër sporti antagonist – nuk është veçse një lloj randomizatori, i ngjashëm me ruletën ose me zaret; pavarësisht nga fakti që shumë “bastexhinj” ende e shijojnë lojën në vetvete.

Pyetja e fundit që do të kërkonte përgjigje, në kontekstin e këtyre shënimeve, është nëse televizioni – si tashmë ingredient i spektaklit futbollistik – ka ndikuar apo jo tek tifozi “klasik”. Ky i fundit e ndjek ndeshjen me emocion shpesh të verbër dhe nuk pret veçse që skuadra e tij të fitojë; estetika e lojës i intereson më pak, në mos fare; dhe njëlloj i intereson më pak aspekti mirëfilli “dramatik” i lojës në fushë, si përplasje vullnetesh të kundërta ose rimarrje kundërvëniesh të vjetra – sociale, lokale dhe kombëtare. Prandaj tifozi përfiton një eksperiencë individuale më të pasur falë kamerës, sepse i sheh nga afër lojtarët e preferuar, në mos idhujt e vet, gëzon së bashku me ta dhe po ashtu dëshpërohet së bashku me ta. Edhe në një rast, edhe në tjetrin, e bën këtë duke u sinkronizuar. Atë çfarë humb, kur privohet nga atmosfera e elektrizuar e stadiumit, kameraderia, afshi kutërbues i stresit kolektiv, dehja e të qenit pjesë e një turme që ndien njëlloj, pjesëmarrja në festë dhe mundësia për t’u ngushëlluar në grup në rast disfate, e fiton në intensitetin e raportit që vendos me lojtarët individualë ose të ndierit virtualisht i pranishëm në fushë. Si të thuash, televizioni e shndërron tifozin nga psikotik, në neurotik – çfarë ka të mirat dhe të pamirat e veta.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të faqes.

 


[1] Gjatë një loje disa vjet më parë, kur trajneri i Juventusit, Allegri, vendosi ta ndërrojë qendërsulmuesin Tevez, ky i fundit, duke dalë nga fusha, ktheu kokën nga bossi i vet dhe, gjithë nerva, i tha: “cagón” (ekuivalenti italisht do të ishte “stronzo”). Kur këtë e përcollën kamerat dhe pastaj të gjitha gazetat sportive, Tevez u shfajësua duke shpjeguar se ajo “cagón” ishte thjesht shpjegimi që po i jepte Allegri-t se pse e paskësh kërkuar ndërrimin: i shkohej urgjentisht në banjë (!).

6 Komente

  1. Meqe kam pare qe permend shpesh Roland Barthes, skenarin dhe fjalet e ketij dokumentari per domethenien e sportit e ka bere Barthes:

    1. Falemnderit, do ta shoh. Në fakt, koncepti im për funksionin social të sportit kompetitiv i detyrohet shumë esesë seminale të Barthes-it për Tour de France, që gjendet mes të tjerash te Mythologies.

      1. Ky film eshte bere mbasi autori pati lexuar Mythologies, e me pas i kerkoi nje bashkepunim Barthes.

        Shkrimit i mungon edhe nje pikpamje tjeter e futbollit, pikpamja e vete lojtarit. E kuptueshme kjo mungese, duhet me qene vete lojtar. Megjithate duhet me u mor parasysh edhe kjo pikpamje qe duket krejt aestetike dhe brutale, krahasuar me dy tjerat.

        Nuk e di nese Barthes ka lujt vete futboll ndonjehere.

        1. Shkruan:

          Shkrimit i mungon edhe nje pikpamje tjeter e futbollit, pikpamja e vete lojtarit.

          Kam folur pak në shkrim, me aq sa mund t’ia lejoj vetes (si i jashtëm) për kushtëzimin e lojtarit nga kamera dhe nevojën për të komunikuar me publikun televiziv.

        2. E kam prasysh, e lexova shkrimin, por desha te them si sugjerim qe zhvillimi teknologjik ne kete rast, si dhe ne çdo rast tjeter, ka per qellim te na beje sa me te brendeshem te jete e mundur (dhe sa me te jashtem qe te jete e mundur qe te shihet si skeme logjike). Pra pikpamja e brendeshme duhet konsideruar sidoqofte, gje qe ti e ke kap ne shkrim ne masen qe eshte sot teknologjia.

          Po neser ne nje teknologji te re me te zhvilluar?

  2. TV-ja na e sjell vertet futbollin si nje film artistik, apo dokumentar me e pakta. Cuni im di me mire kercimet e lojtarve pas shenimit te golit, se sa fuqine dhe tekniken e tyre, kercime keto qe tashme gjindet edhe ne lojrat e disa figurave te tij elektronike. Duket se gjithshka ka si prapaskene xhirimin dhe fitimin e parave, dhe tashme edhe vete ndeshja e futbollit eshte ne funksion te parave dhe jo ndjenjave te tifozllekut.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: