nga Agim Vinca
(Dëshmi mbi përpjekjet e Nolit për shpëtimin e albanologut të famshëm nga kthetrat e nazizmit)
Në fillim të viteve ’40 të shekullit të kaluar (XX), ndërmjet albanologut austriak, dr. Norbert Joklit dhe poetit, intelektualit e klerikut shqiptar, Fan S. Nolit, është zhvilluar një letërkëmbim, për të cilin lexuesit shqiptarë nuk janë të informuar në mënyrë të plotë e të saktë.
Po kush ishte Norbert Jokli? Dr. Norbert Jokli (1877-1942) është pa dyshim një nga albanologët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, në mos më i madhi. Për të mund të thuhet me plot gojën se tërë jetën ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe. (Kur e patën pyetur se përse nuk martohej, ngaqë ishte beqar, ai qe përgjigjur: “Unë jam martuar me një nuse shumë të bukur – gjuhën shqipe!”). Me formim indoevropianist, Jokli i takonte plejadës së madhe të linguistëve gjermanë, që i çuan përpara studimet albanologjike, veçanërisht në fushën e etimologjisë, të fjalëformimit dhe të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera. Mbrojti tezën e autoktonisë së shqiptarëve si komb, duke e konsideruar djep të parë të tyre Dardaninë antike, pra Kosovën e sotme, ndërsa sa i përket origjinës së gjuhës shqipe bëri përpjekje të bënte një sintezë të tezave ilire e trake.[1] Punën e tij më të madhe në jetë, Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe, nuk arriti ta përfundonte për shkak të vdekjes së parakohshme.
Jokli ishte, siç dihet, me origjinë çifute, prandaj pas aneksimit të Austrisë nga Gjermania naziste në vitin 1938 (Anschluss-i famëkeq), atij, sikurse edhe shumë të tjerëve, iu rrezikua seriozisht jo vetëm karriera shkencore, por edhe vetë jeta. I vetëdijshëm për rrezikun që e priste, albanologu i famshëm, që jetonte e punonte në Vjenë, shestonte të largohej nga Austria dhe të vendosej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në vitet e Luftës së Dytë Botërore patën gjetur strehë shumë krijues e intelektualë gjermanë, në mesin e të cilëve edhe Brehti, Herman Brohu, Cvajgu (në Meksikë) e shumë të tjerë.
Për këtë qëllim, në dhjetor të vitit 1940, Jokli i drejtohet me një letër mikut të tij shqiptar në Amerikë, të përndritshmit Fan S. Noli, me anë të së cilës kërkonte nga ai që ta përdorte ndikimin e tij për t’ia bërë të mundur angazhimin në ndonjë nga universitetet amerikane dhe, rrjedhimisht, edhe vendosjen në Amerikën e madhe.[2]
Noli, pa humbur kohë, iu përvesh punës. U shkroi letra njerëzve që njihte në universitetet amerikane dhe veçanërisht në Universitetin e Jelit dhe të Prinstonit, por nuk pati sukses. Në një letër që merrte si përgjigje nga profesori i njohur i Universitetit Prinston, Harold Bender, ky i fundit e vlerësonte lart Joklin si dijetar, duke e quajtur, madje, “dijetarin më të mirë në botë”, por shtonte se “tani për tani nuk mund të bëjmë asgjë për pranimin e tij në Prinston”. Përgjigje të vakëta ose edhe kurrfare pat marrë edhe nga adresat e tjera në të cilat qe drejtuar, por përpjekjet e Nolit për ta shpëtuar mikun e tij dhe të gjuhës shqipe nuk pushuan. Pas heshtjes ose përgjigjeve kurtuaze nga universitetet, që s’ishin tjetër veçse një refuzim i kulturuar, Noli bëri përçapje edhe pranë Departamentit të Shtetit për punën e Joklit, por nga Ministria e Jashtme mori përgjigjen se këtë punë do të duhej ta rregullonte konsullata amerikane e Vjenës.[3] Por, siç do të shihet nga letra e dytë e Joklit drejtuar Nolit, ajo e vitit 1941, që edhe është objekt i këtij punimi, Konsullata amerikane në Vjenë u tregua tepër indolente dhe e papërgjegjshme.
Kur pa se nuk kishte rrugëdalje tjetër, Noli iu drejtua qeverisë shqiptare të kohës, asaj që ishte, sado që qeveri kuislinge. U desh më tepër se një vit që të merrte përgjigje dhe përgjigjja ishte, së paku formalisht, një sihariq i vërtetë. Dr. Norbert Jokli, shkruante në letrën që mori Noli më 10 shtator 1941, falë angazhimit të ministrit të arsimit, Ernest Koliqit, ishte emëruar drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Tiranës me një rrogë mujore prej 30 napolonash dhe së shpejti do t’i dërgohej pasaporta që t’i bëhej e mundur ardhja në Shqipëri.[4] Njeriu që i shkruante Nolit, një nëpunës i Zyrës shqiptare pranë qeverisë italiane në Romë (Sadik Hito), thoshte se këto të dhëna i kishte mësuar nga ish-nxënësi i Joklit, Eqrem Çabej, i cili atëbotë ndodhej në kryeqytetin italian.
Lajmet nga Shqipëria, të cilën Jokli e kishte vizituar për herë të parë dhe të fundit në vitin 1937, të bënin të shpresosh se odisejada e albanologut me nam do të merrte fund, por nuk qe e thënë. Nuk thuhet më kot se mes fjalëve dhe veprave shtrihet një det i tërë. Kështu ndodhi edhe në këtë rast. Pasi dështuan përpjekjet për strehim në Amerikë, albanologut të famshëm nuk iu bë e mundur të shkonte as në Shqipëri, me gjithë fjalët e mëdha që kishin ardhur prej andej dhe kështu mbeti në mëshirën e fatit.
Por, para se të vazhdojmë me shtjellimin e mëtejshëm të këtij subjekti, t’i kthehemi pak tekstit të letrës për të cilën e kemi fjalën. Pas letrës së parë dërguar Nolit në gusht të 1940-s, Jokli do t’i shkruante edhe një letër të dytë, më të gjatë, “të përndritshmit peshkop”, natyrisht pasi kishte marrë më parë përgjigje nga ai.
Kjo letër mban datën 31 tetor 1941. Është e shkruar me dorë, me penë, me një shkrim shumë të bukur. Shikuar nga aspekti gjuhësor, letra është shkruar në variantin geg, por një variant paksa i zbutur, ku ka, aty-këtu, edhe ndonjë element të toskërishtes.
Nga përmbajtja e saj mund të shihet se letra në fjalë kishte një synim konkret dhe krejt praktik: largimin e letërshkruesit nga Austria dhe vendosjen e tij në Shtetet e Bashkuara, kërkesë kjo që në rastin e Joklit nuk u realizua.
Nuk kuptohet mirë se ku kishte ngecur puna, por është e qartë se kërkesa e Joklit hasi në murin e rregullave burokratike, të cilat nuk janë specialitet vetëm i vendeve të prapambetura e autoritare, por edhe i vendeve të zhvilluara e demokratike si SHBA-të etj. (Në letër thuhet se dhënia e lejes për strehim në SHBA është kompetencë ekskluzive e Zyrës së Punëve të Jashtme të Departamentit të Shtetit në Uashington, por nuk lihet pa u çikur indolenca e Konsullatës amerikane në Vjenë, e cila “nuk më lajmëroi përmbi arritjen e dokumentave”).
Emigrimi në SHBA në atë kohë, qoftë edhe kur ishte fjala për personalitete si Jokli, nuk ishte punë aspak e lehtë. Në raste të tilla kërkohej, përveç të tjerash, që dy shtetas amerikanë të bëheshin dorëzanë për personin që kishte paraqitur kërkesën: njëri, që do të garantonte për “karakterin dhe moralin e tij” (fjala është me siguri për bindjet politike) dhe tjetri për “rrethanat landore”, çka nënkupton gjendjen financiare të paraqitësit të kërkesës, pra kapitalin që posedonte ai. (Në çdo vend të botës, e aq më shumë në një shtet kapitalist si SHBA-të, kjo është një kërkesë krejt normale).
Në fund të letrës dërguar Nolit, Jokli përshëndet, përveç tij, edhe dy amerikanët, të cilët kishin shfaqur gatishmërinë të bëheshin garantë për të, duke i falënderuar, si thotë me një fjalë të vjetër shqipe, për “mirëdashjen”.
Letra e Joklit paraqet interes jo vetëm nga pikëpamja e informacionit, por edhe e gjuhës dhe stilit. Në të hasen disa fjalë e shprehje të vjetra shqipe, të cilat sot pothuajse janë harruar ose zhdukur, si: i përshëndritshëm, mirëdashës, hirësi (fjalë e zhargonit fetar), dorëzanë (për garant), ndiesi, mirëbamës, mirënjohtësi, shprehja “lus ndjesën” (tue lutun ndjesën) e të tjera të ngjashme.[5]
“Tue Ju shprehun, Hirësí, ndiesít mâ të nxehta të mirënjohtësís s’eme për të gjitha ç’keni bâ për mue edhe tue Ju lutun ndjesën për kaq mundime qi Ju shkaktoj, mbetem, Hirësí, i Jueji me nder të madh Dr. Norbert Jokl” – përfundon letra e Joklit dërguar Nolit.
Kjo ishte letra e fundit që shkroi Jokli në jetën e tij. Atëbotë ishte 62 vjeç. Një vit më vonë nuk do të ishte më. Ca thonë se u hodh nga treni kur po e shpienin në kamp të përqendrimit, kurse disa të tjerë se vdiq në kamp në rrethana të panjohura. Ishte koha e holokaustit, që mori miliona jetë njerëzish, në mesin e të cilëve edhe shumë shkencëtarë e intelektualë të shquar. Horhe Semprun Maura, një nga intelektualët më të njohur të kohës sonë (kundërshtar i regjimit të Frankos, i arratisur në Francë, i deportuar gjatë LDB-së, ministër i kulturës në qeverinë socialiste të Spanjës etj.), thotë se kujtimi për intelektualët e mëdhenj hebrenj të Evropës qendrore është një nga tiparet e identitetit evropian. Judaizmi evropian, sipas këtij mendimtari spanjoll që shkruan frëngjisht, ishte “një laborator i vërtetë intelektualësh të mëdhenj me qasje universale e kozmopolite dhe me aftësi profetike e mesianike”, ndërsa si ilustrim përmend treshen: Marksi-Frojdi-Ajnshtajni.[6]
Jokli mund të quhet pjesë e kësaj tradite brilante dhe, ç’është më me rëndësi për ne, edhe e traditës së ndritur albanologjike në botën gjermanishtfolëse.
Noli bëri çmos që t’ia zgjaste dorën e ndihmës mikut të tij dhe albanologut në zë, dr. Norbert Joklit, por nuk pati sukses. Kohërat ishin të turbullta dhe as Noli vetë s’ishte plotësisht i sigurt atje tek ishte, ngaqë nuk mungonin as ata (dallkaukët smirëzinj nga radhët e shqiptarëve), që e akuzonin tek autoritetet amerikane për “flirt me komunizmin” (herë-herë, madje, edhe me fashizmin), duke e quajtur “bolshevik” dhe “antiamerikan”![7]
Autoritetet gjermane e bënë veshin të shurdhër ndaj kërkesave të shumta për shpëtimin e Joklit, sepse e kishin në listat e njerëzve që duhej të likuidoheshin. Në vitin 1942 (data e saktë nuk dihet), njeriun me syze, që jetën e kishte kaluar mes librave e dorëshkrimeve (Jokli ishte kryebibliotekar në Universitetin e Vjenës, ku edhe ligjëronte si pedagog i jashtëm për shqipen, baltishten etj.), e arrestojnë në shtëpinë e tij në Vjenë, e ngarkojnë në një kamion, bashkë me të tjerë dhe nuk dihet se ku e çojnë. Kurrë nuk u mor vesh tamam se ç’ndodhi me të, por nuk është vështirë të merret me mend se gjuhëtari i njohur e pësoi fatin e miliona njerëzve anembanë botës në vorbullën e luftës. U zhduk pa gjurmë nga ata që dhunën e bënë ligj e kanun, duke përfunduar ndoshta edhe në krematorium. Bashkë me të u zhduk edhe biblioteka e tij e pasur, të cilën Jokli shestonte t’ia dhuronte Shqipërisë, si dhe kryevepra e tij, Fjalori etimologjik i shqipes, që ishte vepër jetësore e këtij albanologu të madh.
Vdekja e Joklit, edhe pse në njëfarë dore ishte vdekje e paralajmëruar (në vitin 1938 Jokli u largua nga puna dhe iu mor e drejta e botimit), shkaktoi pikëllim të thellë te miqtë e tij, shqiptarë e të tjerë, ku bënte pjesë edhe imzot Noli, kurse për albanologjinë dhe shkencën në përgjithësi ajo qe një humbje e madhe dhe e pakompensueshme.
Në vazhdim po japim tekstin e plotë të letrës së Joklit dërguar Nolit si dhe faksimilin e saj.
Vjenë, 31 Tetuer 1941
Hirësí,
I Përshëndritshmi Peshkop.
Letra mirëdashëse e Hirësís së Juej më rá në dorë mjaft shpejt. Prej thelbit të zêmrës Ju lutem me i pranue falënderimet e mija má të nxehta edhe má të përzêmërta për gjithë përpjekjet edhe mundimet qi s’keni kursye në punën teme. S’do ta harroj kurr këtë njerëzí bujare të Hirësís së Juej qi më ep zêmër edhe gajret. Vetëm për këtë letër të Hirësís së Juej po marr lajmin përmbi 3 “Affidavit”-e qi keni pasë mirësín me më dërgue. Mjerisht Konsullati Amerikan në Vjenë nuk më lajmëroi dot përmbi arritjen a përmbi eksistencën e këtyne dokumentave të rândësishme. Edhe kështu shkuen kot, së pakut për orë e për ças, mbassi ndë shtiellin e verës së këtij moti 1941 Konsullatat Amerikane u mbyllnë edhe rregullimet përmbi ardhjen ndë Shtetet e Bashkueme u ndryshuen. Ndërsá kam marrë vesht këtu ndë Vjenë ndër ditët e fundit – edhe mbas së ardhmes së letrës së Hirësís së Juej i mora informata – vetëm Zyrja e Punëvet të Jashtme ndë Ëashington âsht ngarkue me dhânë lejet për immigrimin. Dy qytetarë amerikanë kanë për të qênë dorëzânë, njâni sá për karakterin e moralin e atij qi dishron me ardhun në Amerikë, tjetri nën pikëpamjen e rrethanavet lândore. Ndë qoftë qi Hirësíja ka mundësín me plotësue veprimin e deritashëm mirëdashës për mue mbas caktimeve të naltpërmenduna të rá, do të Ju isha mirënjoftës shum. Qysh prej të çuemit të telegramit tem gjendja e eme s’u ndërrue dot.
Me mallëngjim kujtimet e mija shkojnë edhe te dy Zotní: Elias Mitchell në Jamaica Plain, Mass., edhe Theodore Pako në Manchester, N. H. (U. S. A.), të cilët pa më njoftun personalisht ma dhanë dorën ndihmëse të vet. Tue mos ditun për fijë e për pê drejtimet e këtyne mirëbâsëve, s’më mbetet asgjâ se me Ju lutun, Hirësí, me i dërgue nd’emën tem falënderimet e mija mâ të sinqerta.
Tue Ju shprehun, Hirësí, ndiesít mâ të nxehta të mirënjohtësís s’eme për të gjitha ç’keni bâ për mue edhe tue Ju lutun ndjesën për kaq mundime qi Ju shkaktoj,
mbetem, Hirësí,
i Jueji
me nder të madh
Dr. Norbert Jokl
(c) Autori.
Shënim: Ky shkrim i prof. Agim Vincës është botuar më parë në përmbledhjen me ese (Po)etika e fjalës, ZZ, Tetovë 2010. Po e risjellim këtu me rastin e botimit të librit të Joklit Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes, i cili del këto ditë nga Botimet “Çabej”, në përkthimin e prof. Eqrem Çabejt.
[1] Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985, f. 435.
[2] Noli u njoh me Joklin në vitin 1915 në Vjenë dhe, siç pohon vetë, ai e nxiti t’i botonte veprat e përkthyera të Shekspirit, që ai vetë ngurronte t’i botonte, sepse “nuk i pëlqente”. “Doktor Jokli u entuziazmua prej tyre dhe më shtyu t’i botoja këta libra me çdo kusht”. Shih: Fan S. Noli, “Këshilla për shkrimtarët e rinj”, Vepra 5, Tiranë 1988, f. 285.
[3] Shih: Dr. Masar Kodra, Fan Noli në rrjedhat politike të shoqërisë shqiptare (1905-1945), “Rilindja”, Prishtinë 1989, f. 120.
[4] Po aty, f. 121.
[5] Të themi se kjo trajtë e lashtë e foljes “kërkoj ndjesë” haset edhe në poezinë e Azem Shkrelit, te vjersha Letër një miku, në të cilën, ndër të tjera, thuhet: “Lus ndjesën tënde të më lerë të vogël/ Të mendoj e të hesht si dua”.
[6] Enver Robelli, Anija pa kapiten, “Koha Ditore”, 1 qershor 2010, f. 10.
[7] Nasho Jorgaqi, Jeta e Fan S. Nolit II, OMBRA GVG, Tiranë 2005, f. 310.
Në lidhje me shënimin, kam për të vërejtur se botimi i parë në gjuhën shqipe i veprës së Jokl-it në përkthimin e E. Çabejt është bërë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Prishtinë 2011 me rastin e 100-vjetorit të botimit në gjermanisht. Libri shoqërohet nga origjinali si dhe nga shënime të vetë autorit dhe fotokopje nga përkthimi i daktilografuar i Çabejt.
Lajm i mirë që botohet libri edhe në Shqipëri se kush vallë e gjen botimin e Prishtinës. Lajm i mirë që vazhdojnë të botohen vepra të tilla pasi mu pre gjaku kur dëgjova në një emision (natyrisht mbi luftën iliro-pellazge të Trojës) Neritan Cekën të thoshte se fjala “bukë” është një nga fjalët bazë indoevropiane të shqipes (donte të thoshte e trashëguar) e cila korrespondon me fjalën “bekos” të frygasve. Et tu Neritan?!
Nga ana tjetër, një lajm i mirë është botimi i fjalorit etimologjik të K. Topallit por që e pres me një farë hidhërimi pasi mësoj se autori nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.
Inkursionet e guximshme të Cekës në gjuhësinë e krahasuar nuk janë thjesht rrufe në qiell të hapur; ato janë vërtet të rralla, por jo aq të papritura e çudindjellëse: në librin e tij “Apolonia e Ilirisë” (1982) autori hamendëson birësinë e toponimit “Pojan” – vendbanimit të sotëm pranë atij kompleksi të mirënjohur rrënojash antike – pikërisht prej emrit të qytetit të lashtë, pa marrë aspak parasysh këndvështrimet e dijetarëve të asaj fushe e pavarësisht se ky toponim, sikurse dhe një pjesë e mirë e tyre të atij pellgu/treve (Seman, Topojë, Povelçë, Boçovë, Novoselë, Levan, Peshtan, Radostinë etj) është qartësisht me prejardhje sllave.
Ca më tej, po në atë vepër, arkeologu kuturiset në një tjetër hipotezë: toponimi “Frakull”, sipas tij, mund të rrjedhë nga një formë jo aq mirë e përcaktuar “Orakull” por gjithsesi e lidhur me qytet-shtetin helen e mitologjinë përkatëse (!), ndërkohë që huazimi letrar “orakull” i përket mesjetës së vonë e, dhe sikur te supozonim se “frakull” është derivat i “orakull”, do të duhej të sillnim prova shkencore që toponimi në fjalë i përket një zhvillimi gjuhësor/kulturor relativisht të vonë.
Nëse nuk më gabon kujtesa, kam parë diku te Çabej se këtë lidhje midis Frakull dhe Oracul(um) e ka bërë i pari Hasan Ceka.
Nuk gabohesh aspak. Lidhjen e ka bere se pari H.Ceka qe me 1957. Cabej e ka miratuar. Per Demiraj qendron pervec kalimit o>u ne rrokjen nistore te patheksuar, qe mbetet per t’u hulumtuar me tej.
Meqe komentet nuk qenkan mbyllur akoma:
G.Bonnet ne ” Les mots latins del’ albanais”(1998) nuk e mbeshtet oraculum> frakull po per ate arsye qe veren Demiraj, pra te zanores nistore te patheksuar.
Duke u nisur nga emri i nje fshati Mbrakull (Berat), qe per te rrjedh pa asnje dyshim prej “miraculum”, Bonnet vendos barazimin frakull=mbrakull ,duke u mbeshtetur ne alternancen f/m nistore e duke sjelle shembellin fshikë/mshikë .
Per alternancen f/m mund te sillen edhe shembej te tjere , bile nga te dy dialektet , si psh :
fsheh =mësheh( tosk.,Vlore)= mçef(geg.,Elbasan).
Duke pasur parasysh edhe rezervat e Cabejt dhe Demirajt ,propozimi i Bonnet qendron si me i sigurte.
Një shqipe e hijshme – madje e fisme – kjo e Joklit; elegante aq sa e pasur.
Duket sikur lexon, në gjuhën tonë, ndonjë letrar frëng të 800-ës.
Shkurt, një shqipe e bukur.
“Kur e patën pyetur se përse nuk martohej, ngaqë ishte beqar, ai qe përgjigjur: “Unë jam martuar me një nuse shumë të bukur – gjuhën shqipe!””
Perveç shqipe te drunjte, kemi edhe shqipe erotike.