Tek u ngrit të ikte, një burrë disi i rrëgjuar dhe i kërrusur që kish gjerbur për një copë herë salep te tryeza përbri, ia hodhi një vështrim të gjatë zotit Shyti, me sy të lëngshëm, gati rrjedhës prej profeti të plakur e me gjunjë të thyer prej fshatari. Dhe këtu z. Shyti priti derisa tjetri doli nga lokali, para se të na thoshte se, me gjasë, e kish njohur kush ishte: një shok i tij i lashtë i kursit në universitet, poeti Baftjar Abedini. Këtu ne shprehëm një farë mosbesimi dhe thamë se nuk e kishim dëgjuar ndonjëherë këtë poet, dhe as i kishim lexuar gjë. Kur thashë poet, nuk e kisha fjalën për një autor të botuar dhe të lexuar; por një njeri që i përkushtohet artit të poezisë, njëlloj siç i përkushtohet oshënari Perëndisë, na kundërshtoi z. Shyti. Nuk di nëse Baftjar Abedini arriti ndonjëherë të botojë gjë; nuk di as nëse u përpoq ndonjëherë të botojë gjë. Ishte natyrë e tërhequr, e përvuajtur, e përvëluar; njeri që shikonte hije dhe që dëgjonte zëra; mendje e trazuar nga vegime të parrëfyeshme. Ndoshta prandaj edhe kish zgjedhur të ushtronte artin e poetit dhe t’i shkruante vargjet me laps në një bllok të vogël shënimesh, me cepat të shtrembëruar nga përdorimi dhe zgjyra. Hiqej mënjanë, ulej në një rrëzë muri a më mirë akoma peme, dhe shkruante, duke e lëvizur lapsin e shkurtër sikur po e gdhendte me të fletën e letrës. Ne të tjerët llokoçiteshim e pllaquriteshim në muhabete për kompleksin dhe kompleksitetin e Edipit dhe për teknikat e vonimit të ejakulacionit, ri-tregonim episode kontroversiale ndeshjesh futbolli të arkivës dhe qesëndisnim njëri-tjetrin hareshëm; por ai u rrinte larg argalisjeve tona – se nuk e lejonte vokacioni i penës të vepronte ndryshe. Pyetjes sonë nëse kish lexuar gjë nga vjershat e Baftjar Abedinit, z. Shyti iu përgjigj kështu: Baftjari e ruante bllokun e vet si ta kish hartën e ndonjë thesari të fshehur, që do ta shfrytëzonte në momentin e duhur; nuk ia jepte kujt, sepse nuk ishte gati që t’i dorëzohej kujt. Por një natë, gjatë muajit të stërvitjes ushtarake, pasi i hodhëm hi duhani në uzo dhe e dehëm paq, arritëm t’ia nxjerrim bllokun nga xhepi i xhaketës së ngushtë dhe t’ia lexonim disa nga vjershat, që i kish hedhur atje pjerrët e pjerrët, me kaligrafi të imët prej murgu. Ia lexonim dhe kukuriseshim – sepse aso kohe ne reagonim gjithnjë me të qeshura ndaj gjithçkaje që nuk e ftillonim dot. Pastaj Baftjari, ashtu i topitur siç ishte, i hapi sytë prej fëmije dhe na vështroi të gjithëve – dhe ne u ndiem më keq edhe sikur të na kish parë një i vdekur që na e kishin besuar për ta ruajtur. E lamë leximin përgjysmë, tha z. Shyti, dhe me kujdes ia futëm prapë bllokun në xhep të xhaketës, pastaj edhe e mbuluam me batanije, si ta mbulonim me qefin: ne që e vramë, ne edhe do ta varrosnim. Këtu ne vërejtëm se kjo histori paskësh qenë prekëse në vetvete dhe pastaj e pyetëm zotin Shyti se si u ishin dukur atyre vargjet e këtij krijuesi kaq introvert dhe të turpshëm. Do të ketë qenë gjeni në llojin e vet, thamë ne, gjeni sui generis, si Kafka. Në fakt jo, na u përgjigj z. Shyti. Vjershat i kishte shumë të dobëta. Aq të dobëta sa, pasi e nxorëm dufin duke qeshur, filloi të na vijë keq për të shkretin Baftjar; pa e kuptuar, kishim shpresuar se ndrojtjen e tij aq totale do ta kompensonte njëfarësoj nga arti i madh. Por vjershat i paskësh pasur edhe më të rreckosura se xhaketën kadife: një turli e pazier mirë rimash foljore, imazhesh të ripërtypura nga qilimat prej kadifeje të mureve me sorkadhe blu dhe dritë hëne, tekste këngësh pastorale të Radiopostës dhe klishesh të distiluara nga poemat pseudo-idilike të Mehdiut, që atëherë kishin popullaritet të pashoq mes vajzave të virgjra të shkollave të mesme profesionale. Mbase prandaj edhe i mbante aq të fshehta, shpjegoi më tej z. Shyti: Baftjar Abedini mund të kish qenë i ndrojtur, por jo budalla; dhe vjershat ua ofronte si sakrificë fantazmave që e mundonin, jo ndonjë publiku imagjinar dhe duartrokitës gjëkundi. Ne kujtuam se ia patëm gjetur më në fund çelësin e të fshehtës që mbyllte në vete, por e vërteta ishte se i kishim zbuluar veç kutinë e ilaçeve.
© 2018, autori.
Shënim: si rregull, ua kam kursyer Peizazheve bëmat e z. Shyti, duke i ruajtur për Facebook vetëm (dhe për librat që kanë dalë dhe, kushedi do të dalin në të ardhmen). Po e bëj një përjashtim, meqë tema lidhet njëfarësoj me çfarë kemi diskutuar gjerësisht së fundi.
E morra vesh se çfar do te thuash, kjo per te thene se mos kujto se kaloi pa u vene re. Thene kjo pozitivisht, qe aprovohet ideja.
Nuk i kam lexuar 2 (apo 3?) librat me hstorine e zotit Shyti, (veres qe shkoi pyeta ne nje librari, nuk i njihnin), por duket se ato kalojne permes nje gjuhe mjaft terheqese; vetem kam frike mos kane ngelur gjate tek cingerimat e jetes dhe e lagu s’e lagu! Nejse, pjese te sjella ketu nga libra te ndryshem, eshte gje e mire, sepse nxisin me teper interesin per ‘to.