Në vitet 1950-1980, kur të paktën në qytetet e mëdha vajzat kishin dalë, në masë, nga shtëpia në rrugë – ende nuk ish dihej mirë se ku do të takoheshin dhe të njiheshin çiftet, përtej hapësirave fort të rregulluara dhe të mbikëqyrura të shkollës dhe të vendit të punës.
Nuk kishte bare, kafe të posaçme, klube ose salla vallëzimi të specializuara për “njohje”; ose zona ku vajzat të shkonin me vetëdijen dhe vendosmërinë për t’u parë nga djem të panjohur dhe për t’u takuar me ta. Edhe për këtë arsye, i vetmi vend ku “hapi i parë” drejt formimit të çiftit mund të hidhej spontanisht dhe lirisht mbetej sërish rruga.
Në afrimin dhe njohjen e parë të çiftit, ishte djali ai që merrte iniciativën; ndërsa prej vajzës pritej të ishte e ndrojtur, e pavendosur dhe ritualisht refuzuese. Vajza, nga ana e vet, shpesh ishte e vetëdijshme që, kur dilte në rrugë, e bënte këtë edhe për t’u parë prej djemve; që këtej edhe kujdesi që duhej të tregonte për paraqitjen dhe mesazhet e dhëna tërthorazi, nëpërmjet veshjes, shpejtësisë së ecjes, lehtësisë ose tundjes së ijeve, shprehjes së fytyrës, modelit të syzeve të diellit e kështu me radhë.
Djemtë zakonisht i gjenin vajzat në zona me përqendrim të lartë femëror – si në dalje të shkollës ose të një qendre pune. Përzgjedhja merrte një farë kohe, gjatë së cilës vajza mbetej nën vëzhgim, pavarësisht sa e vetëdijshme ishte për këtë; pastaj, vinte momenti që djali të kalonte në veprim, duke iu afruar vajzës së zgjedhur në rrugë.
Për të përshkruar këtë akt të “propozimit”, përdorej folja ndaloj; meqë djali vërtet i kërkonte vajzës të ndalonte, për një bisedë të shkurtër – tema e së cilës nuk kish rëndësi, por predisponimi i vajzës kishte. Kur e ndalonte vajzën, djali jo vetëm që i deklaronte qëllimet e veta, por edhe shpresonte të dukej mjaftueshëm “serioz” dhe jo kërcënues para saj.
Akti ka simbolikë domethënëse. Para së gjithash ngaqë ndalimi, ose kontakti i drejtpërdrejtë me një vajzë relativisht të panjohur, ishte rezultat i një procesi të mëparshëm përzgjedhjeje dhe ndjekjeje në distancë (stalking), të cilat i shërbenin djalit jo vetëm për t’u mësuar me vajzën, por edhe për të parë sjelljen e saj me të tjerët dhe për t’u siguruar që kjo ishte “e lirë”. I gjithë ky proces përgatitor njihej edhe si gjuajtje dhe djali i përfshirë në të thuhej se po gjuan. Shumë djem parapëlqenin që gjuajtjen ta bënin me biçikletë, pse kjo e fundit lehtësonte zhvendosjet dramatike nga një cep i lagjes te tjetri.
Por ndalimi kish edhe një komponente koreografike: sepse vajzës në ecje i kërkohej që të ndërpriste çfarë po bënte, ose të shkuarit diku, për t’u angazhuar në një ritual çiftimi. Kjo do të thotë se ndryshe nga djali, vajza kapej e papërgatitur, në befasi nga ndalimi në rrugë; ose të paktën të hiqej sikur nuk e priste.[1] Prandaj edhe logjika e kërkonte që “propozimin” ta bënte djali.[2]
Krejt rituali i ndalimit sa i pasqyronte dhe i rimerrte, aq edhe i riprodhonte dallimet tradicionale në sjellje midis djemve dhe vajzave – njëra palë “propozitive”, tjetra “deliberative”. Nëse djalit i mbetej iniciativa, vajza ruante të drejtën e refuzimit, e cila ishte gjithnjë pjesë e ritualit standard; kjo edhe ngaqë djali e kish bërë zgjedhjen e vet paraprakisht, ose gjatë fazës së gjuajtjes, ndërsa vajza duhej ta bënte gradualisht, gjatë kohës që kalonte me djalin.[3]
Njëfarësoj, ky dallim i diferencon edhe preferencat e të dy palëve për suksesin e çiftimit: djali mbështetej në shenja më shumë vizuale, si pamja (look), sjellja në publik, ecja, shija në veshje, etj.; ndërsa vajza në shenja më shumë verbale, ose aftësia e djalit për t’u prezantuar me fjalë.
Edhe mekanika e procesit ndikonte në ecurinë e tij, meqë ndalimi ndodhte zakonisht në një vend publik, dhe pikërisht në rrugë; ku të dy palët do të rrinin në këmbë, në distancë korrekte ndaj njëri-tjetrit, si kompromis midis intimitetit jo-premtues dhe mos-kërcënimit. Në fazën e ndalimit as që bëhej fjalë për të vazhduar bisedën diku tjetër, për shembull në një pastiçeri dhe aq më pak në një stol të parkut. Gjithçka duhej të konsumohej shpejt dhe në këmbë – edhe pse mundësia që kjo të përsëritej mbetej e hapur.
Duke qenë e ndaluar prej djalit, vajza e shihte lirinë e saj në rrugë relativisht të vënë në pikëpyetje, meqë ndërprerja e kontaktit dhe largimi i menjëhershëm mund të lexohej edhe si shenjë e të qenit e pasjellshme. Disa vajza kishin edhe frikë instinktive për ta ndërprerë ndalimin pa filluar mirë, ose për të mos ndaluar fare. Nga ana tjetër, shumë vajza nuk donin që të tjerët t’i shihnin duke biseduar gjatë, në mes të rrugës, me një djalë të panjohur; prandaj ndalimi nuk mund të zgjaste përtej pak minutave, çfarë e bënte këtë herë djalin që të ndihej i kufizuar në lirinë e vet për ta formuluar “propozimin.”
Kjo dinamikë diktohej deri-diku edhe nga vetë natyra e rrugës, si vend publik ku realizohej edhe teatri i ritualit të ndërveprimit[4]. Në Shqipërinë e para 1990-ës, rruga u përkiste (a) banorëve të lagjes dhe (b) kalimtarëve (kjo e fundit merrte përparësi në rrugë kryesore, në sheshe, dhe në rrugë larg blloqeve të banesave); trafiku i makinave praktikisht nuk ekzistonte. Veçanërisht në mëhallët, rruga ishte edhe nën mbikëqyrjen e përhershme të syve: plaka vigjilente që rrinin në dritare ose para shtëpive të tyre, djem që vrisnin kohën në cepat e pallateve dhe të rrugicave duke pritur të ndodhte diçka, dyqanxhinj dhe zanatçinj që shfaqeshin te dera e dyqanit për të marrë pak diell. Asgjë nuk mund të ndodhte, pa u regjistruar nga dikush diku.[5]
Duke qenë skenë teatri e sjelljes publike, rruga kërkonte rituale të caktuara ndërveprimi, edhe për çiftet në kërkim të çiftimit. Edhe djali edhe vajza e dinin që ndalimi do të regjistrohej dhe mund të përfundonte i thashethemuar (kjo varej nga shumë faktorë, si nga reputacioni i djalit dhe i vajzës dhe opinioni i mëhallës për secilin, ora se ku kish ndodhur ndalimi, vendi, gjestikulimi i palëve, etj.), prandaj sjellja e tyre me njëri-tjetrin ishte edhe sjellje për publikun anonim, që vrojtonte nga përtej. Sidomos për vajzën, kjo prani e syve të rrugës ishte edhe një garanci e shtuar sigurie; ndërsa për djalin, me kusht që vajza të pranonte të kalonte me të pak minuta, garanci se ajo nuk e konsideronte të papranueshme që të shihej në shoqërinë e tij.
Edhe djemtë zakonisht e mirëkuptonin këtë nevojë të vajzës për ta konsumuar ndalimin në një vend publik të sigurt, prandaj e mbanin këtë parasysh, kur u duhej të vepronin. Përkundrazi, ai që zgjidhte për ta ndaluar vajzën në një vend të shkretë, ose të pandriçuar mirë, ose në orë “të këqija”, e tradhtonte sakaq veten si i mbrapshtë dhe i rrezikshëm, në mos thjesht si ngucës seksual. Ideja prapa këtyre manovrave ishte që vajza gjithnjë të ndihej e lirë, në vendimin e saj për t’i ndaluar djalit apo jo, për të pranuar ta dëgjonte “deklaratën” e tij, për të refuzuar madje thjesht për të vazhduar rrugën, duke e injoruar tjetrin; dhe kjo liri nuk mund të ushtrohej normalisht në rrethana dhe rrethina kërcënuese, ku dikush mund të kalonte në ngacmim fizik pa u parë dhe pa u censuruar prej të tretëve. Prandaj djemtë që “gjuanin” për vajza dhe kërkonin të flisnin me to gjithnjë kujdeseshin për t’u dalluar prerazi prej predatorëve të skutave, ose atyre që vepronin në terr dhe që nuk e shihnin ndalimin si pikënisje për të ndërtuar diçka, por si qëllim më vetvete, ose si akt dhune seksuale potencialisht të shijueshëm.[6]
Ndalimi i një vajze në rrugë nuk ishte kurrë akt rutinë ose i rëndomtë – meqë gjithnjë vinte edhe si efekt i një seleksioni të kujdesshëm. Nga njëra anë, jo çdo djalë mund të gjente në vete aq guxim ose fundja edhe aq interes, sa t’i dilte një vajze të panjohur përpara; nga ana tjetër, jo të gjitha vajzat ishin “të ndalueshme”. Nëse djemtë seleksionoheshin vetvetiu në bazë të një virtyti – guximit për të vepruar dhe besimit në vete, vajzat seleksionoheshin në bazë të pamjes (look-ut), hijeshisë (grace) dhe tërheqjes seksuale (sex appeal); ndonjëherë edhe për arsye të tjera minore – si veshja e bukur ose ekstravagante, shtati i gjatë, etj. Pas ndalimit, vajza jo vetëm duhej të vendoste nëse i pëlqente djali fizikisht ose si njeri, por edhe të merrte me mend qëllimet e tij (“serioze” apo thjesht “seksuale”) si dhe, në shumë raste, të gjykonte sa e përshtatshme do të ishte kjo lidhje, nga pikëpamja sociale dhe politike.
Fakt është që djemtë më të hedhur, më të guximshëm, më të etur për vajza (por edhe që e vuanin më shumë vetminë, ose mungesën e partnerit seksual) shpesh vinin nga shtresa relativisht më të ulëta se vajzat që këta lakmonin; dhe kur një djalë ndalonte një vajzë, i nisur nga kriteret e look-ut dhe të sjelljes, gjasat ishin që vajza të ishte “më e mirë”[7] se djali: familje politikisht më e ngritur, vajza studente ndërsa djali punëtor, etj. Shto këtu edhe që vajza vërtet tërheqëse nuk kishte shumë; dhe nga ato që kishte, akoma më pak dilnin rregullisht në rrugë të pashoqëruara ose ishin të lira (pa shok/boyfriend ose të dashur). Nga ana tjetër, disa prej këtyre virtuozëve të rrugës – që prej prindërve të vajzave të zgjedhura mund të konsideroheshin si “vagabondë”, “rrugaçë”, “gagarelë”, “gango” – e ruanin një farë atraksioni sado primitiv ose animal për vajzat e sërës së lartë, sepse ndryshonin shumë nga djemtë me të cilët këto vajza kalonin përndryshe kohën në shkollë. Jo pak “skandale” kanë ndodhur, si pasojë e këtyre përzgjedhjeve: vajza nga familje “intelektuale”, “me qëndrim të mirë”, “kuadrosh”, e kështu me radhë përfundonin të seduktuara (“të gënjyera”, nga pikëpamja e rojtarëve të rendit moral dhe të hierarkive sociale) nga futbollistë, kitaristë, aktorë ose edhe djem politikisht të prekur ose të deklasuar, por me virtyte të forta vetëbesimi dhe që, njëfarësoj, e sundonin rrugën.
Gjithsesi, dhe pavarësisht dinamikave sociale, ndalimi duhej të ndodhte disa herë, që vajza të kish kohë – qoftë edhe vetëm sa për sy e faqe – që ta njihte djalin, gjithnjë me kusht që të kish ndonjë interes për ta eksploruar këtë lidhje. Më pas, vajza mund të pranonte që djali ta shoqëronte rrugës ku ajo ishte nisur, për shembull për te rrobaqepësja ose për te dentisti. Edhe ndalimi, edhe shoqërimi nuk kishin fuqi premtuese – meqë si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, vajza vetëm sa i nënshtrohej, me mirësjellje ose për shkak të temperamentit të butë, “agresivitetit” simbolik të djalit, i cili e kërkonte haptazi edhe ndalimin edhe shoqërimin.
Nëse gjithçka shkonte mirë, atëherë marrëdhënia mund të kalonte një nivel më lart, dhe çifti të merrej vesh për të lënë një takim, ose për të dalë. Dalja në këtë kontekst nuk ishte veçse shëtitje e gjatë në rrugë, e tillë që t’i jepte kohë vajzës të njihte djalin më mirë, duke biseduar me të. Vetë folja e përdorur, dalim, së bashku me emrin prejfoljor dalje, tregojnë një lloj zgjerimi të marrëdhënies ose të hapësirës së veprimit të çiftit; gjithë duke mos e komprometuar vajzën aq sa kjo të mos largohej dot nga marrëdhënia.
Që dalja bëhej duke ecur, kjo impononte një lloj ndërveprimi bisedor të gjatë por jo face-to-face, meqë edhe djali edhe vajza do ta shihnin njëri-tjetrin kryesisht në profil, duke shmangur kontaktin e syve. Kjo e vononte pak momentin kur duhej vendosur për diçka më tepër, ose për ta çuar lidhjen një hap më tutje; dhe i jepte ndërveprimit një natyrë më të tërthortë, me më shumë hapësirë lirie për secilën palë.
E megjithatë, dalja (shëtitje) në rrugë imponohej edhe ngaqë qytetet, në atë kohë, ende nuk kishin vende publike të specializuara për çiftet që të kalonin kohë së bashku, pa u komprometuar me njëri-tjetrin dhe me të tjerët. Kafetë, pastiçeritë dhe aq më pak restorantet, ose në përgjithësi “lokalet” nuk vlenin, sepse një çift që shkonte në lokal ishte tashmë çift; kinemaja përjashtohej gjithashtu, sepse në kinema pritej që çifti të konsumonte një farë kontakti fizik (edhe sikur kjo të mos ndodhte, të tjerët do ta presupozonin); dhe aq më shumë përjashtohej parku, sidomos – në Tiranë – parku i liqenit, që mbetej i shoqëruar me aktivitetin seksual eksplicit.
Natyrisht, që të gjitha këto të realizoheshin sipas skriptit, duhej plotësuar, para gjithçkaje tjetër, premisa madhore e lirisë së vajzës për të dalë vetëm në rrugë, e cila nuk u arrit pa vështirësi dhe nuk u manifestua kudo njëlloj. Një vajzë mund të dilte nga shtëpia edhe për arsye fare të rëndomta – për të blerë diçka, për të shkuar te një shoqe, për të shkuar në bibliotekë etj. – por edhe vetëm kjo mundësi e vinte atë në dispozicion të gjuetarëve; të cilët e identifikonin dhe e përzgjidhnin më parë nëpërmjet shikimit (vrojtimit), dhe më pas ndalimit. Por rruga, sa e ekspozonte vajzën ndaj këtyre hazards, aq edhe e përgatiste për t’i bërë ballë presionit seksual, meqë ia mundësonte ndërveprimin pa rrezikuar shumë; në kuptimin që një vajzë qyteti të madh në ato kohë – të themi në Tiranë, në Durrës, në Korçë a në Shkodër – ishte në gjendje ta ruante gjithnjë kontrollin ndaj situatës, e vetëdijshme se pa pëlqimin e saj asgjë nuk do të ndodhte. Sado paradoksale të duket, vajza mbetej ende më shumë e rrezikuar në familje, ku mund ta shtynin për t’u lidhur (fejuar) me dikë pa dëshirën e saj, se në rrugë, ku refuzimi i lidhjes ishte pjesë e lojës.
Shënim: sa më lart, janë kryesisht përshtypje të miat dhe përpjekje për të organizuar përvojën e brezit tim, dhe që nuk duhen lexuar si përgjithësime dhe as si orvatje për të ndërtuar ndonjë model të ndërveprimit përkatës. Të tjerë do të kenë pasur përshtypje dhe përvoja të tjera, të cilat idealisht do t’i mirëprisja në komentet.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Ky shkrim mund të kopjohet, me kusht që kopjuesi ta lexojë paraprakisht deri në fund, përfshi edhe shënimet (sidomos shënimet).
[1] Përshtypja ime është se shumë tentativa ndalimi dështonin; sepse vajzat thjesht vendosnin t’i injoronin djemtë që u afroheshin me fjalët “a ka mundësi një minutë…” Kjo përqindje e lartë dështimi besoj është e krahasueshme me çfarë i ndodh një predatori klasik, p.sh. një luani, kur gjuan antilopa. Prandaj edhe djemtë që e merrnin në sy të ndalonin një vajzë në rrugë nuk është se turbulloheshin shumë kur kjo refuzonte; sepse një vajzë e denjë për t’u ndaluar pritej që të refuzonte, të paktën në fillim.
[2] Këtë dinamikë e rimerrte pastaj rituali i mbrëmjeve tradicionale të vallëzimit, ku fuqinë e kishin zakonisht “kavalierët”, të cilët shkonin dhe u propozonin vajzave vallëzimin; përveç momentit unik kur shpallej se “fuqinë e kanë damat.” Që të realizohej ky ritual, duhej që djali dhe vajza të vallëzonin në çift – ose të kërcenin tango, fokstrot, rumba, vals ose diçka të ngjashme. Mbrëmje të tilla shërbenin shpesh edhe për njohjen e parë të çiftit, që i paraprinte ndalimit në rrugë; me kusht që djali (ose më rrallë vajza) të ishin futur në mbrëmje “kontrabandë.” Përndryshe, ti mund të vallëzoje me një vajzë të klasës, por do të ishte qesharake ta ndaloje atë pastaj në rrugë.
[3] Në ligjërimin vulgar, për të përshkruar aktin e propozimit (së bashku me ndalimin) përdorej shpesh shprehja ia lypi (ia kërkoi), por kjo ndodhte më shumë mes djemsh, që mburreshin mes tyre për sukseset seksuale dhe për qasjen kinse hiper-agresive ndaj seksit tjetër – thjesht bravado, dhe zakonisht krejt e padëmshme. Në bisedat mes tyre, djemtë do të përdornin edhe shprehje si ia dha/nuk ia dha; pa e përmendur objektin që “jepej” dhe që nënkuptohej se ishte seksualiteti i vajzës, ndonjëherë, edhe organi i saj seksual, si metonimi e asaj që “lypte” djali; por, për të qenë realistë, çfarë i lypej vajzës ishte para së gjithash mirëbesimi. Përkundrazi, komplimentet dhe pasthirrmat me përmbajtje seksuale eksplicite, të tipit “amon mi sa e mirë që je!” nuk synonin gjë afrim të mëtejshëm me vajzën që kalonte në rrugë, por vetëm njohjen e një miratimi sportiv, po aq jetëshkurtër sa edhe kryqëzimi i rrugëve ose i vështrimeve. Djemtë do t’i flisnin ose fishkëllinin rëndom një vajze, sa për t’i treguar se e kishin parë, se nuk u kishte shpëtuar. Disa madje do ta përligjnin këtë sjellje si të kërkuar nga etiketa e rrugës – në kuptimin që, sipas tyre, një vajzë e vetme seksualisht tërheqëse do të priste që djemtë t’i lëshonin gjithfarë fjalësh në rrugë. Kjo nuk duhej të ndodhte kur vajza ishte e shoqëruar.
[4] Termi interaction ritual është i sociologut Erving Goffman, i cili edhe e ka studiuar këtë dukuri gjerësisht dhe i ka kushtuar më shumë se një vepër madhore. Unë kam përfituar jashtëzakonisht nga leximi i Goffman-it, edhe për ta konceptuar këtë ese, por nuk mund të them se, në arsyetimet e mia, kam ndjekur teoritë dhe modelet e këtij autori; Goffman-i thjesht më ka treguar se marrëdhëniet interpersonale mund të analizohen edhe nga kjo perspektivë “teatrale”. Me këtë dua të them edhe se një analizë e ritualeve të ndërveprimit në Shqipërinë totalitare, në bazë të teorive dhe të kategorive të Goffman-it, do të ndihmonte në mënyrë unike për ta kuptuar si funksiononte ajo shoqëri në nivelin mikro-social.
[5] Eyes on the street, e ka quajtur këtë efekt Jane Jacobs, e cila njihet për qasjen e saj ndaj planëzimit urban të bazuar në komunitetet.
[6] Më duket e kotë të shtoj se rregullat e lojës kërkonin që vajza, për të qenë “e ndalueshme”, duhej të ishte e lirë (e pazonme, për ta thënë me të folmen tironse). Mund të ndodhte që dikush t’i afrohej ndonjë vajze pa e ditur që ajo ishte e fejuar dhe pastaj të hiqte dorë sapo të sqarohej për këtë; përndryshe, ndalimi do të shndërrohej në ngucje dhe do të shihej si vandalizëm i rregullave të sjelljes në publik.
[7] Kjo në kuptimin relativ dhe vetëm brenda një sistemi konvencional vlerash, të cilin palët e kishin pranuar. Vajza e një ministri kish status më të lartë se djali i një teneqexhiu; djali i një ministri nuk do të ndalonte vajzat në rrugë, meqë supozohej se “i vinin vetë.”
E pashë këtë shkrim të importuar edhe te TEMA, të cilën e lexoj më shumë – nga një kërshëri antropologjike – për komentet që u ngjajnë atyre zhgarravinave nëpër muret e nevojtoreve publike, poshtë ndonjë nr. telefoni apo karikature të trashë me natyrë seksuale. Përmbajtja nuk ka ndryshuar aspak në këto 25 vjet, ka ndryshuar vetëm mediumi… tashmë këto krijime me natyrë ilegale kanë gjetur vendin e vet në muret virtuale.
Një analizë e detajuar me lente sociologjike e “aktit të ndalimit” të vjazës nga djali , si ritual i shpalljes së dashurisë në hapsirat urbane në shoqërinë totalitare. Sigurisht që asokohe kishte dy tipologji, të themi, të ngjizjes së dashurisë:
-njëra ishte ajo që realizohej në mjediset e përbashkëta , në uzinë, fabrikë, shkollë dhe këtu tërheqja mes djalit dhe vajzës mund të ishte “dashuri me shikimin e parë” ose një proçes gradual njohjeje, tërheqjeje deri në pikën e prpozimit , të shpalljes së ndjenjës, akt që e bënte përherë djali.
-tipologjia e dytë,kjo e analizuar nga Vehbiu, është mjaft interesante si fenomenologji. Rrjedha e zakonshme e jetës së një vajze papritur “ndërpritet” në rrugë, para pallatit, në qoshen e furrit të bukës dhe në skenë del djali, mëtonjës, që shpall interesin për vajzën. “Intersi” si fjalë duket e sferës së transaksioneve ekonomike, banale dhe larg metafizikës së dashurisë, si lidhje shpirtërore pa interes por, pak a shumë, kështu proçedohej: jam i interesuar për ty..dua të flas me ty.. Poshtë frazave aludohej dëshira për lidhje intime. Rrjedha ekohës për vajzën ndërpritet dhe akti ndalimit është , të themi, një seksuencë kohe e marrë në arrest.
Sigurisht që në këtë skenografi kishte dhe meshkuj të cilët, rënien e njëanëshme në dashuri, ja deklaronin vajzës me shprehjen “ të kam fiksim”.Por nuk mund të themi se, në çdo rast që një djalë ndalonte një vajzë, ai tashmë kishte “rënë” totalisht në dashuri. Më së shumti ,akti të ndaluarit të vajzës ishte ftesë për fillimin e dashurisë, për krijimin e një raporti intim seksual. Dhe për të shmangur keqkuptimet, djali e mbyllte propozimin me shprehjen “e kam seriozisht”,çfarë nënkuptonte se ftesa nuk ishte thjesht për një raport seksual të përkohshëm por për një lidhje serioze e cila do të kurorëzohej me fejesën.
Badiou shkruan se akti takimit (ndalimit të vajzës në këtë rast) ka brënda një lloj mistike , si moment I kalimit nga Njëshi tek Dyshi. Por, sidoqoftë, dashuria sipas tij, përtej mitit të aktit të takimit si përmbushje dhe konsumim i aktit dashuror, dashuria është një duree, një përjetim i kohës dhe një aventurë këmëngulëse. Deklaratën verbale “e kam seriozisht”, djali e materializonte me këmënguljen në kohë, me (për)ndjekjen që i bënte vajzës pas aktit të parë të ndalimit. Ishte një lloj përndjekje prej predatori, derisa sa “preja”, vajza pra, të dorëzohej. Nga ana tjetër, vajzat zakonisht refuzimin dhe mospranimin fillestar, e përdornin jo vetëm si taktikë për të fituar kohë dhe njohjen e nevojshme për djalin, por edhe si shenjë të etikës së dlirësisë së vajzës serioze, e cila nuk është nga ato që dorëzohen lehtë para çdo mashkulli.
Këmëngulja e djalit, të qepurit nga pas deri në përndjekje ( në kohën e sotme përbën akt të dënushëm nga ligji ) gjente si plotës të vet rezistencën dhe qëndresën e vajzës .Përndjekja dhe qëndresa deri në arritjen e konsesusit,shpaloseshin si dy forca kundërshtuese dhe plotësuese të njëra tjetrës në ritualin dhe dialektikën e dashurisë “në kohën e kolerës”.
Pas aktit të ndalimit dhe pranimit nga ana e vajzës, fillonte “beteja e dytë”, ajo e kalimit nga dashuria platonike e pushtimit të zëmrës së vajzës, tek beteja e zotërimit të trupit dhe përmbushjes së aktit seksual. Por kjo është temë tjetër.
Meqenese artikulli ka nje kornize kohore, do ishte interesante po te dihej kur mori xhiroja rolin e vet si hapsira publike me e rendesishme e te parit mes cifteve. Gjuha e perdorur ne ‘ndalim ‘ duke qene se shpesh mbarte perseritje dhe klishe gjithashtu do ishte interesante te regjistrohej. Fjalia me interesante qe kam degjuar edhe pse pas 1990, vjen nga Vlora: Ndal se ma bere jeten malore.
Esht’ e zonme!!
Diku aty ne fillim te 80-ave nisen te tregoheshin per lezet edhe dy-tre tip barcaletash, (por qe mund te ishin edhe te verteta), per keto ndalime. Nje e forte ka qene: njoni ndaloi njonen. -M’fal nji minute goce! Ajo ndalon, ai fillon ligjerimin e zakonshem: -Kam jave qe te vrojtoj… jeni nje vajze e mrekullueshme… Kur mbushet gati minuti, ajo e nderpret: -Me fal cuno, minuti mbaroi. Shendet! Dhe iken, duke e lene tjetrin si m… ne shi.
Esht’ per te ardhur keq, qe shume djem i linin te dashurat pas rreth 4-5 vjet njohje te perbashket.