ORBITAL

Përveç një përdorimi tejet teknik në anatomi, fjala orbitë në shqipe shënon zakonisht rrugën që përshkon një trup qiellor në lëvizjen rreth një trupi tjetër; ose, në fizikë, rrugën që përshkon një grimcë atomike rreth bërthamës – nëpërmjet një metafore të njohur si modeli planetar i atomit (orbita e elektronit rreth bërthamës). Dy janë elementet kryesore kuptimore të fjalës – lëvizja a zhvendosja në trajtë pak a shumë rrethore ose eliptike përqark një qendre; dhe referimi astronomik. Me temën orbitë është formuar pastaj mbiemri orbital, i cili tregon një karakteristikë që lidhet me orbitën, p.sh. stacioni orbital është një stacion në orbitën e Tokës, ndërsa shpejtësia orbitale është ajo shpejtësi me të cilën një trup lëviz në orbitë, ose përreth një trupi tjetër (saktësisht, bariqendrës së sistemit).

Megjithatë, kush i ndjek nga afër mediat dhe propagandën e pushtetit në Tiranë, do ta ketë ndeshur mbiemrin orbital në një kontekst tjetër – dhe pikërisht, si cilësor në togfjalëshin pylli orbital (i Tiranës). Kështu, “pylli orbital” në Google ndeshet plot 68 000 herë; “pyllin orbital” rreth 30 000 herë dhe “pyllit orbital” rreth 23 000 herë (në krahasim me këto, “foresta orbitale” në italishte ndeshet vetëm 376 herë, edhe pse koncepti i kësaj gjëje fantashkencore na ka ardhur nga Italia).

Po çfarë është “pylli orbital” i Tiranës pikërisht? Në vija të trasha, projekti për të krijuar një pyll prej 2 milion pemësh i cili do ta rrethojë kryeqytetin e Shqipërisë me një brez të gjelbër. Ndërmarrja e mbjelljes së studiuar të pemëve është në vetvete për t’u përshëndetur, edhe pse i ka rrënjët në një plan strategjik të thuash pak psikadelik, të hartuar nga Stefano Boeri Architetti, i cili përfshin mes të tjerash përfytyrimin e Tiranës si kopsht zoologjik i përmbysur dhe i de-antropocentrizuar, të përfshirë nga një proces i demineralizimit të ndërtesave i dhe të pikësuar nga korridore biologjike.

Por këtë lloj gjelbërimi, e kanë quajtur dikur kurorë të gjelbër të Tiranës; dhe kjo metaforë e dytë më duket e gjetur, sepse brezat e pemëve i rrinë kryeqytetit rreth “kokës” si kurorë; ndërsa fjala orbital, e cila e çon lexuesin e informuar drejtpërdrejt e te vizionet e Boerit, tingëllon pretencioze përveçse edhe e tepërt dhe semantikisht e gabuar.

Që një pyll të jetë “orbital”, duhet që ai t’i vijë rrotull diçkaje tjetër – sepse, siç e shënuam në krye, orbita si gjurmë a trajektore rrethore e një trupi nuk mund të ndahet nga kuptimi i lëvizjes. Ja, për shembull, si e përshkruan “pyllin orbital” Dan Simmons, në romanin e tij fantashkencor Endymion (Hyperion Cantos, Book 3):

[d]isa mijëra pemë, secila e të paktën gjysmë kilometër e gjatë, lëvizin me një koreografi të ndërlikuar përgjatë planit të ekliptikës: korije të grupuara falë forcës së gravitetit, trungje e kurora të gërshtetuara dhe kombinime të ndryshueshme pemësh, gjithnjë në lëvizje, me gjethet e kthyera drejt diellit të tyre të llojit G, me degët e gjata duke u përkundur, për të gjetur drejtvizim të përsosur, rrënjët e tyre të etura zhytur thellë në mjegullën e avullt të lagështisë dhe ushqimit të siguruar prej kometave baresha, që kalojnë përmes lëmsheve si topa gjigandë dëbore të pistë.

Ky pyll orbital është vërtet në orbitë rreth një ylli – çfarë do të thotë se lëviz përqark tij, i shtyrë nga forca e gravitetit. Përkundrazi, pylli orbital i Boeri-t nuk lëviz, as është në orbitë rreth Tiranës, por vetëm e rrethon (do ta rrethojë, pritet ta rrethojë) Tiranën si kurorë.

Këtu mund të bëhen së paku dy pyetje: (1) a ka ndonjë ndryshim mes këtij objekti kozmik të Boeri-t dhe asaj që është quajtur Kurora e gjelbër e Tiranës? Dhe (2) zgjedhja e këtij termi, orbital, për një brez të gjelbër rreth një qyteti, mos është bërë si homazh ndaj Boeri-t dhe ekipit të tij?

Sepse për mua – dhe këtu po hyj në territorin e subjektivitetit – ky mbiemër, orbital, tingëllon jo vetëm pa kuptim (sa kohë që pylli nuk është se do të lëvizë si karusel rreth Tiranës), por edhe pretencioz, ose i zgjedhur jo aq për saktësi përshkruese, sa për t’i thënë publikut “shiko se ç’mendje të holla e të nalta po punojnë për këtë projekt”, ose për ta zhvendosur vëmendjen nga orbita e mjedisit të Tiranës, tek orbita e mendjeve të shquara që janë ftuar të meditojnë për këtë mjedis. Anglishtja e ka një fjalë për këtë lloj zhvendosjeje të fokusit: bullshit.

Dhe pyetja ime, tani, do të ishte se ç’nevojë ka që një projekt i mbjelljes masive të pemëve rreth kryeqytetit të ndotet me bullshit (bajga demi), duke u quajtur me një fjalë pordhace, e cila kërkon ta turbullojë publikun duke i ndjellur vizione kozmike dhe duke iu referuar, tërthorazi, teknologjisë dhe aventurës në hapësirat rreth Tokës (ose në orbitë). A thua se pemët në kodrat e rrëgjuara të Tiranës do t’i mbjellë NASA, si pjesë e ndonjë projekti (gjithnjë) eksperimental terraformues…

Sepse, në fakt, i njëjti demiurg i pyllit orbital, Boeri, njihet edhe për një projekt tjetër, atë të pyllit vertikal, si projekt të ripyllëzimit metropolitan për rigjenerimin e mjedisit dhe biodiversitetin urban, nëpërmjet dendësimit vertikal të natyrës brenda qytetit. Këto “kopshte vertikale”, që thuhet se janë ideuar nga biologu frëng Patric Blanc, kanë pasur sukses të madh në arkitekturën bashkëkohore, por edhe janë kritikuar si gjeste në thelb vanitoze dhe propagandistike, flluska sapuni dhe vese starkitektësh, pa ndonjë vlerë praktike. Megjithatë, nëse pylli vertikal kërkon investime të mëdha fillestare dhe kosto të larta mirëmbajtjeje, nuk mund të pohohet e njëjta gjë për pyllin orbital, përveçse po të kemi parasysh çfarë përshkruan Dan Simmons-i.

Sërish po pyes: pse duhen përdorur fjalë të tilla të mëdha? Për të impresionuar kë? Publiku, palët drejtpërdrejt të interesuara, qytetarët e Tiranës dhe pemët vetë nuk kanë nevojë që t’ua “shesësh” projektin e pyllit rrethues: të gjithë do ta përshëndetnin, sepse gjelbërimi sot është mungesa më e dhimbshme për kryeqytetin e Shqipërisë. Prandaj – dhe këtu po spekuloj – fjala orbital është menduar për t’u qarkulluar dhe konsumuar në mjedise ku fjalët e mbjella në faqe të PowerPoint-it zëvendësojnë realitetin dhe ku suksesi matet para së gjithash me të qenit “attractive”, “interesting”, “alluring”, “cutting-edge”, “trail-blazing” dhe, siç mund të merret me mend, “cool.”

Dhe nuk ka asgjë cool në termin “kurora e gjelbër”, që tingëllon si i shkulur me zor nga ndonjë dokumentar i Kinostudios “Shqipëria e Re”; ndërsa pyll orbital ua xixëllon sytë të gjithë atyre që presin të projektohen në orbitat e takimeve ndër-planetare, çmimeve dhe përgëzimeve “stelare”, projeksioneve ndëryjore, prezantimeve futuristike dhe ambicieve trans-galaktike; mjediseve ku mund të flitet vërtet për vizione yjore, por ku prodhohen yje të një lloji tjetër. Një term ky po aq i lustruar sa renderimet e ndërtesave që i tregohen publikut sylesh dhe po aq i kuratuar sa edhe dizajni i, të themi, një filmi si Elysium me regji të Neill Blomkamp, ku një grusht të privilegjiuarish jetojnë në luks, në vitin 2154, në një stacion orbital përrallor, rreth Tokës tashmë të rrëgjuar. Na sillni ndonjë uthull, tha.

(c) 2018. Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi në mediat elektronike dhe të shkruara.

3 Komente

  1. Mbase te pylli orbital do bejne vilat orbitale per nje Elysium orbital qe rrethon Tiranen. Po sidoqofte Lana gjithe beharin te me falet shprehja, kundermon era mut. Shqiptaret jane te forte qe nuk i ze kolera, mos kemi bere te gjithe vaksinim per koleren, qe nuk ze askend ? Ka lezet shprehja ; Pylli orbital qe tejshkohet nga nje kanal muti ne qiell te hapur.
    Kam pershtypjen se pylli orbital do jete Lana e Lali Erit, do i dale era gjekundi.
    Deri atehere te gezojme fidanet, le te na vije dhimbja e kokes me vone.

  2. A.Vehbiu e ke qare e ke njomur ne palce,lere te thahet te rreshket te zhuritet,shpjegim hokatar&shkencor&llogjik te keshilloj filmin nese nuk e ke pare te nje regjizori Britanik,krejt i veçante luan me parodine sarkazmen,shakane e holle,si ikonathyes tipik i botes moderne te konsumit& i”bajgave te Demit”duke perdorur madje edhe filozofine.”Imaginarium of Dr.Parnassus”nga Terry Gilliam,po te pelqeu”Brazil”bazuar tek libri 1984 i G.Orwell,”12monkey”ktu perzien kohen&hapesiren,me nje lirshmeri te pazakonte,duke paditur eksperimentet me qeniet njerzore&trafikun e lendeve kimike,”Monty Pyton&Holy Grail”nje sarkazem mbi mbretin Artur&besimin e verber fetar,”The teorema of zero”njerzimi&teknologjia mbytese ngulfatese,”Rosenkraft&Gildershtern”merr kte pjese nga”Hamleti”i Shakespeare dhe krijon,nje bote ku çmenduria marrezia,jane rregull,”Doktor Fisher”çmenduria qe pason nje qenie njerzore,kur nje”Virtual Hero” i Video-lojrave,armatoset dhe shtie mbi turmen e njerzve,duke te vrare njeriun me te dashur ne jete,roli me i bukur i Robin Williams,I paharruar,ndjese se ndofta te bezdisa,por mendoj se ky rregjizor duhet te jete,te pakten pjese e programeve shkollore,te shkollave kinematografike,anipse”Vox clamantis a deserto”Tungjatjeta.

    1. z. Sulaj, ju kemi shkruar edhe një herë tjetër: është absolutisht e nevojshme që ju t’i shkruani mirë komentet tuaja, duke vendosur hapësira pas presjeve, pikave dhe shenjave të tjera të pikësimit. Na bëre me dhimbje koke. Ne nuk i kemi mundësitë teknike dhe njerëzore, për t’i korrigjuar këto tekste.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: