Kush e ndjek sado pak kampionatin italian të futbollit (Serie A) do të jetë familjarizuar tashmë me praktikën VAR – shkurtim për Video Assistant Referee – e cila është adoptuar, në mënyrë hë për hë eksperimentale, për të përmirësuar cilësinë e vendimeve të arbitrit, në momente kritike të lojës (game-changing situations): golat, dhënia e penalltisë, kartoni i kuq i drejtpërdrejtë dhe gabimet e arbitrit në identifikimin e lojtarëve.
Nëse e sheh të arsyeshme, arbitri VAR së bashku me asistentin e vet (AVAR) e informojnë arbitrin në fushë për një vendim që duhet rishikuar; pastaj i shpjegojnë këtij të fundit se çfarë ka ndodhur; nëse dëshiron, arbitri në fushë mund ta shohë edhe ai videon përkatëse, në anë të fushës; dhe pastaj vendos në mënyrë përfundimtare. Ideja këtu është që të mos lejohet që episode të parregullta të ndikojnë në mënyrë vendimtare në rezultatin ose ecurinë e një ndeshjeje.
Me gjasë, po të kish qenë përdorur një sistem si VAR-i gjatë ndeshjes Angli-Argjentinë të vitit 1986, goli me dorë i Maradonës do të ishte anuluar – dhe ky i fundit mund të ishte ndëshkuar me karton, të verdhë madje edhe të kuq. Në thelb, sistemi VAR mbështetet në regjistrimin e hollësishëm të çdo episodi të lojës nga kamera të ndryshme të shpërndara rreth fushës, për të ndihmuar që arbitrave t’u jepet mundësia të rishikojnë vendimet e tyre të gabuara. Kamerat këtu funksionojnë si fuqizim ose amplifikim i shqisave të arbitrit, duke i vënë këtij në dispozicion më shumë informacion për zhvillimet në lojë.
Duket si diçka për t’u përshëndetur; edhe pse në Itali e kanë pritur me kritika, rrudhje buzësh dhe skepticizëm. Në fakt, gabimet e arbitrit gjatë lojës mund të vijnë nga informacioni i pamjaftueshëm që ky arrin të mbledhë, në ato pak sekonda para se të marrë një vendim; madje edhe kur ndihmohet prej anësorëve; por mund të vijnë edhe nga anshmëria e arbitrit vetë, subjektivizmi ose ndonjë arsye tjetër personale. VAR-i të paktën pritet të mënjanojë në masë të madhe gabimet e llojit të parë, dhe të kufizojë në masë të konsiderueshme “gabimet” e llojit të dytë; sepse edhe një arbitër “i shitur” mund ta ketë të vështirë të konfirmojë një gol të cilin VAR-i e provon se është shënuar në pozicion jashtë loje.
Si çdo lojë tjetër agonistike, futbolli mbështetet në rregulla të caktuara, krejt arbitrare, por të tilla që të mundësojnë vetë zhvillimin e lojës (p.sh. asnjë lojtar, veç portierit, nuk mund ta kapë a ta prekë topin me dorë në lojë e sipër; edhe portieri lejohet ta bëjë këtë në rrethana specifike). Ka lojëra ku rregullat zbatohen në mënyrë pothuajse perfekte – për shembull në shah, ku është praktikisht e pamundur të mashtrosh arbitrin, në nivelet kompetitive. Gjetiu subjektivitetin e arbitrit nuk e shmang dot; madje edhe me ndihmën e teknologjisë së sofistikuar, e cila i zgjat dhe i fuqizon shqisat e arbitrit, për ta lejuar “të shohë” atje ku vetëm me sy nuk do të shihte dot.
E megjithatë – kjo teknologji, që në lojëra si futbolli pritet të përmirësojë fairness-in (paanshmërinë) e arbitrimit dhe zhvillimin më të rregullt të lojës, është në thelb e njëjtë me atë të mbikëqyrjes në mjedise publike – si rrugët dhe sheshet e qyteteve, stacionet e transportit publik, etj.; ose gjysmë private – si dyqanet, qendrat tregtare, etj. Edhe në këto kontekste, ideja është që të përmirësohet siguria e qytetarëve, ose rendi publik, duke u dhënë forcave të ruajtjes së rendit mundësinë për të vëzhguar (survejuar) edhe hapësira ku ato nuk mund të garantojnë praninë e agjentëve përkatës. Kësisoj, atentateve terroriste që kanë ndodhur dekadat e fundit gjithnjë u janë identifikuar, post facto, autorët në videot e survejimit, edhe pse nuk është e qartë nëse kjo ka ndihmuar gjë për të parandaluar atentate të ngjashme (pavarësisht se ç’na rrëfehet në filmat e në serialët TV).
Nëse kamerat e survejimit, së bashku me teknologjinë e gjurmimit celular (gjeolokacionin) dhe në përgjithësi rrjetëzimin kanë ndihmuar për ta përmirësuar rendin publik dhe për t’i bërë qytetarët të ndihen më të qetë, kjo mbetet e diskutueshme; edhe pse efektet duken të jenë pozitive. Tek e fundit, mjafton ideja se je gjithnjë duke u filmuar nga një kamerë, për ta modifikuar sjelljen dhe për të nxitur konformimin me rregullat – shumë nga ata që duan t’i shkelin rregullat, për synime nga më të ndryshmet, nuk duan gjithsesi që autoritetet t’i shohin duke vepruar kështu. Prandaj edhe teknologjia e survejimit vepron edhe drejtpërdrejt, edhe tërthorazi për t’i disiplinuar njerëzit të paktën në publik.
Futbolli, në këtë kontekst, shfaqet si një lloj modelimi i jetës publike në përgjithësi; meqë kamerat e VAR-it pritet që jo vetëm të nxitin konformimin e lojtarëve ndaj rregullave përkatëse, por edhe të bindin këta se çdo tundim për të përfituar diçka duke i shkelur rregullat ose me hile nuk ka më gjasë të ketë sukses, sa kohë që mund t’i shpëtojë vërtet arbitrit, por nuk do t’u shpëtojë kamerave. Në fushën e lojës, sot për sot, ndihet kryesisht efekti i drejtpërdrejtë i teknologjisë – gola të anuluar, penallti të dhëna me vonesë etj. – por nesër ndoshta do të mbizotërojnë efektet e tërthorta, meqë lojtarët do të binden se orvatjet për hile nuk do të kenë më sukses. Me fjalë të tjera, kostoja e shkeljeve të rregullave ose kundërvajtjeve do të rritet drejtpërdrejt, por edhe tërthorazi, meqë orvatjet do të dështojnë dhe do të ndëshkohen më shpesh.
Nëse kjo utopi mund të realizohet ose jo në fushën e lojës, për këtë s’na mbetet veçse të presim; por jashtë stadiumit, ose në jetën sociale të përditshme, rritja e survejimit nga ana e forcave të rendit gjithnjë kritikohet nga avokatët e privatësisë dhe të drejtave civile – ndonjëherë duke cituar edhe të drejtën e çdokujt për të mos u regjistruar në kamera. Nëse në futboll një regjistrim mund të përdoret nga VAR-i e shumta për të anuluar një gol të parregullt ose për të dhënë një penallti, survejimi i publikut mund të përdoret, dhe në fakt është përdorur për gjithfarë synimesh. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për kamerat e rrugës, por edhe për ato “kamera” të tjera që regjistrojnë gjithçka që bëjmë në linjë, gjërat që themi, faqet që shfletojmë, blerjet që bëjmë (i ashtuquajturi panoptikon dixhital); dhe që hap pas hapi krijojnë për gjithkënd një dosje virtuale, e cila mund të përftohet momentalisht dhe të përdoret sipas dëshirës dhe nevojës të kujt e ka financuar teknologjinë ose paguar survejimin.
Ndoshta duhet të fillojmë të pyesim edhe se çfarë humbim, nga kjo farë transparence – qoftë edhe si qytetarë që nuk kanë ndërmend të shkelin ligjin dhe as të rrezikojnë rendin publik. Duke filluar nga përmasa e mirëbesimit, ose e besimit të pushtetit ndaj qytetarëve dhe e qytetarëve ndaj njeri-tjetrit, meqë mirëbesimi kërkon investim moral të përfillshëm, në një kohë që survejimi ndihmon për “ta kursyer”. Dhe duke vazhduar pastaj me përmasën tjetër, të distancës që individët e kanë të nevojshme të ruajnë mes tyre dhe me institucionet, në mënyrë që të funksionojnë si individë; meqë distanca gjithnjë themelohet mbi një dialektikë të dukjes dhe të fshehjes. Richard Sennett, që beson te marrëdhënia miqësore mes teatrikalitetit dhe jetës publike të shëndetshme, e ka përshkruar transformimin teknologjik të publikes si një kalim nga bota si teatër, ku individët përfaqësojnë dhe interpretojnë vetet, në botën si treg, ku individët ekspozojnë, shesin dhe konsumojnë vetet e tyre (The fall of Public Man). Edhe Byung Chul-Han mendon se “hapësira transparente është semantikisht e varfëruar”, meqë “Kuptimet përftohen vetëm te pragjet dhe kalesat… si zona të misterit, të pasigurisë, transformimit, vdekjes dhe frikës, por edhe të dëshirës, shpresës dhe pritshmërive.” Madje ky i fundit shkon edhe më tej, duke shënuar se “Transparenca dhe e vërteta nuk janë identike. E vërteta është forcë negative, në atë masë që e prezanton dhe e imponon veten duke e shpallur gjithçka tjetër si false. Informacioni i mëtejshëm – ose thjesht akumulimi i informacionit – nuk prodhon vërtetësi” (The Transparency Society). Ai citon shkrimtarin austriak Peter Handke: “Unë jetoj me çfarë të tjerët nuk dinë për mua” (Am Felsfenster morgens).
Vallë do të thotë kjo se shndërrimi i fushës së futbollit në panoptikon – nëpërmjet teknologjisë së sotme VAR dhe asaj që do të vijë nesër – do t’ia heqë të vërtetën lojës? Ndoshta po, me kusht që të kishim një ide të qartë, se çfarë është pikërisht e vërteta futbollistike; dhe nëse edhe kjo përftohet te zonat e kalesave (tranzicionit) midis dukjes dhe padukjes, provës dhe mirëbesimit, lojës sipas rregullave dhe lojës me vetë rregullat; me fjalë të tjera, po ta përkufizonim këtë të vërtetë të futbollit si konflikt a tension midis improvizimit dhe disiplinimit. Dilema i tejkalon kufijtë e hapësirës së një stadiumi – për ta përfshirë krejt jetën publike të shtjelluar edhe ajo si spektakël, si teatër, ku individët realizojnë veten para të tjerëve, për të parafrazuar Sennett-in.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës.
VAR i heq magjine futbollit,ku ne ate kohe te Maradones cilesohej si veper artistike,mbas nje shkrimi te persosur,plot shpoti kendellese,ne stilin tend,me te cilin ke nje emertese te veçante,A.Vehbiu kryen nje”Mea Culpa”qe ne na len nje shije te hidhur,nese don te jesh mire me gjitha palet,eshte e drejta jote,une ndaj te njejtin mendim me Gabi Ashkenazi.
Ne fund fare fitoi Biscardi dhe Juventusi qe demostroi bindshem se si i fiton kampionatet . Ne jeten e perditshme kostot e mbikqyrjes jane shume te larta qe kamerat te fallsifikojne sjelljet. Shumica e kamerave o jane per bukuri o mbajne informacione te perkohshme. Nqs qytetaret do i percaktonin si te rrezikshme per lirine e tyre do i shkaterronin te gjitha, do mjaftonte t’ u thuhej kalamajve gjuani me gure kamerat.