(ose si mund ta perceptojë një lexues i zakonshëm veprën e O. J. Schmitt)
nga Fatma
Siç u përmend, në pranverë të vitit 1443 Kara Hider pasha, një nëpunës i pallatit, ekzekuton me mbytje princin trashëgimtar Alaeddin Ali Çelebi, djalin e madh e të preferuar të sulltan Muratit II. Historiografia nuk jep ndonjë të dhënë se kush e kishte porositur atë vrasje.
Schmitt-i duke përsiatur për një vit të tërë letrën e ambasadorëve milanezë arrin në konkluzionin se “Alaedin Çelebiu kishte rënë viktimë e një përbetimi, ku fijet kryesore i luante Skënderbeu”. Në këtë përbetim sipas tij përveç kryearkitektit Skënderbe, merrnin pjesë dhe njerka e Mehmetit II, gruaja serbe e Muratit II, Mara Brankoviç si dhe vetë Mehmeti II. Dhe gjithë ky zbulim vetëm me një referencë, letrën e ambasadorëve(!). Edhe me një akuzë për Barletin, i cili sipas Schmitt-it kishte rrëfyer vetëm gjysmën e së vërtetës: “ky është ai Mehmeti që nga etja për pushtet mbyti të vëllanë ndërsa fajin e zotërisë së vet ai nuk e përmendte me asnjë fjalë”. Schmitt-i shton gjithashtu se sikur “të mos kishte folur diplomati i Skënderbeut, deri më sot nuk do të dihej asgjë për hollësitë e kësaj tragjedie në derën e Osmanëve.”
(Shtoj këtu kalimthi se nga 35 sulltanë të dinastisë osmane , duke përjashtuar nja dy nga fillimi e dy nga fundi, gjithë të tjerët janë ngjitur në fron vetëm mbi tragjedi të tilla, aq sa në osmanishte s’do të ishte fare çudi që fjala tragjedi të kishte marrë kuptimin e pafajshëm ‘si zakonisht’. Duke përdorur këtë term Schmitt-i duket sikur kërkon të sugjestionojë një figurë të ulët për Skënderbeun.)
Më tej, duke u përpjekur të zbulojë bashkëpunëtorët e Skënderbeut, për të cilin ai tashmë nuk ka asnjë dyshim se ka kurdisur dhe urdhëruar vrasjen e Alaeddinit, Schmitt-i konstaton, këtë herë më plot të drejtë, se :“Në mjedisin e drejtpërdrejtë të Muratit ishin dy vetë që kishin një motiv të fortë : në njërën anë bashkëshortja e tij [e Muratit II] Mara Brankoviç, pasi Murati më 1441 i kishte verbuar dy të vëllezërit në mënyrë mizore; në anën tjetër vëllai më i vogël i Alaeddin Ali Çelebiut, Mehmeti, i cili në atë kohë vërtet që ishte 11 vjeç, megjithatë me karakterin e tij kishte aq moshë sa t’i linte pa mend mësuesit e vet”
Në lidhje me karakterin e Mehmetit 11-vjeçar, Schmitt-i i referohet biografit të shquar të sulltan Mehmetit II, F. Babinger, por shmang pikëpamjen e këtij të fundit se një lidhje e mundshme e Skënderbeut me Mehmetin II është “pure fiction” meqenëse më 1443 Skënderbeu “ ..was almost forty years of age, while his alleged playmate was barely eleven”. Këto lloj komplotesh ku burrat bashkëpunojnë me kalamaj, mund t’i gjejmë vetëm në filma për fëmijë, por megjithatë për Schmitt-in “Përzierja e Skënderbeut në këtë vepër është e sigurtë, ajo e Mehmetit më shumë gjasë.”
Një parantezë këtu në lidhje me bashkëpunimin e Mara Brankoviçit në komplot. Mara ishte e bija e despotit serb Gjergj Brankoviç, i cili ia kishte dhënë Muratit II për grua në harem kur kjo ishte 16 vjeç, me shpresën e kotë se mund të blinte favoret e Sulltanit për të mbetur në territoret e veta si vasal i tij. Osmanët kishin një politikë të qartë për tokat që pushtonin; në fazën e parë pranonin vasalitetin kundrejt një haraçi të sundimtarit vendas dhe më pas në një fazë të dytë ia aneksonin perandorisë. Gjergj Brankoviçi veproi ashtu si gjithë sundimtarët vendas ballkanas, që shpresonin më kot se duke u shërbyer osmanëve do të mund të ruanin privilegjet e tyre. Por ai nuk mundi të bënte përjashtim nga kjo praktikë e perandorisë, megjithë sakrifikimin e së bijës. Ia vlen të përmendet këtu se i vetmi që nuk u mashtrua dhe nuk bëri kompromis me turqit osmanllinj, ishte Skënderbeu. Ai, që njihte aq mirë filozofinë e shtetit turk, nuk e pranoi kurrë vasalitetin megjithëse iu ofrua disa herë, çka dëshmon edhe për staturën e tij si politikan e burrë shteti me vizion.
Në maj 1441 Murati II verboi dy djemtë e Gj. Brankoviçit, vëllezërit e Marës, dhe aneksoi plotësisht territorin serb të sunduar nga Brankoviçi, ku bëri mijëra skllevër, që i degdisi në Anadoll (200 000 sipas Babinger-it). Brankoviçi gjeti strehim në oborrin mbretëror hungarez, ku nuk rreshti së planifikuari hakmarrjen dhe sipas Babinger-it: “But to his dying day George Brankoviç never forgot this humiliation.”
Pas vdekjes së Muratit II, Mara, derisa vdiq më 1487, pati marrëdhënie shumë të mira me thjeshtrin, Mehmetin II. Ajo i shërbeu atij si diplomate sidomos në marrëdhëniet me Venedikun, por dhe në raste të tjera me shtetet e krishtera europiane, si një këshilltare që kishte ndikim te sulltani. Mehmeti i la asaj dorë të lirë për të ndihmuar të krishterët ortodoksë, madje deri në emërimin apo shkarkimin e patriarkëve të Stambollit si p.sh. në rastin e emërimit të patriarkut Dionis, kur ndërhyrjes së Marës në favor të tij, Mehmeti iu përgjigj: Bëj si të duash! Mara merrte rregullisht ndihma nga thesari sulltanit për nevojat e veta dhe hynte e dilte në Stamboll pa kufizim kur, pas vdekjes së Muratit II, jetonte në Dafne, pranë Selanikut. Kur shkruan për pavarësinë e plotë të Mehmetit II nga gratë e haremit, F. Babinger shënon : “Përveç Marës, njerkës së tij, duket se asnjë grua nuk ushtronte, madje as nuk përpiqej të ushtronte ndonjë farë ndikimi tek sulltani.” Por as Babinger-i nuk jep ndonjë arsye të qartë për marrëdhëniet e tyre fort të mira.
Kjo marrëdhënie krejt e veçantë dhe mund të thuhet unike përgjatë historisë osmane, e Mehmetit II me njerkën e vet të krishterë, Mara Brankoviç, na shpie në një terren real për të bërë, nëse duam, një hipotezë të mundshme të bashkëpunimit mes tyre në vrasjen e Alaeddinit: njëra për hakmarrje për vëllezërit e verbuar dhe atin e shpronësuar, tjetri për t’i hapur vetes rrugën drejt fronit perandorak. Implikimi i Skënderbeut këtu është krejt artificial dhe ka shumë të dhëna që e bëjnë të pamundur. Mbi të gjitha Skënderbeu, në ndryshim nga Mehmeti II dhe Mara, ishte jashtë sarajeve ku thureshin e zbatoheshin intrigat perandorake.
Është vendi këtu të vërejmë se pikëpamja gjerësisht e përhapur (e mbështetur edhe nga Schmitt-i) se Skënderbeu ishte kanakar i sulltanit, se ky i fundit i besonte dhe e ngarkonte me detyra të vështira e të larta, është vetëm fantazi. Ajo që thuhet se Skënderbeu u rrit në oborrin e Muratit II, duhet kuptuar thjesht se ai u edukua e u stërvit si iç-ogllan në shkollën e sarajeve, që ishte pjesë dhe brenda pallatit perandorak të osmanllinjve. Megjithëse ka mungesa e paqartësi për këtë periudhë të jetës së Skënderbeut, shumica e studiuesve, të cilëve u bashkëngjitet edhe Schmitt-i, mendojnë se ai ka qenë një peng në oborrin e sulltanit, një fat fare i zakonshëm.
Nga ana tjetër Skënderbeu , që ishte afro 40 vjeç kur braktisi turqit dhe u kthye në Arbëri, nuk kishte marrë asnjë ofiq të veçantë dhe s’ishte ngarkuar kurrë të komandonte ndonjë ushtri osmane; gjithmonë kishte qenë nën varësinë e ndonjë gjenerali tjetër. Duket e arsyeshme të gjykosh se më tepër se mosbesim në aftësitë e tij luftarake, kishte mosbesim ndaj personit të tij. Kështu shpjegohet pse Murati nuk e la gjatë në detyrën e subashit të Krujës e pse nuk i dha kurrë të komandonte një ushtri në mënyrë të pavarur. Trajtimi i veçantë, « si bir » që gjoja i paska kushtuar Murati II, besimi i veçantë që paska pasur tek Skënderbeu, janë ndërfutur më pas në historiografinë e tij, nga Barleti e Frangu, për të glorifikuar cilësitë e tij; si edhe prej kronistëve turq, me qëllimin për ta bërë më të thellë kontrastin midis “sjelljes së mirë” të Muratit dhe “pabesisë” së Skënderbeut “bukëshkalë e tradhtar”. Gjergj Kastrioti , si askush tjetër, iu shmang karrierës në shtetin osman, iu kundërvu atij shteti, ku përndryshe do të ishte i harruar si shumë të tjerë të osmanizuar, dhe ishte pikërisht kjo, që historia e tij është parë me një dritë jo të zakonshme, me sy të keq nga historianët osmanë. Ndaj dhe ndoshta ndonjë element si ky, i trajtimit të veçantë nga sulltani, ka kaluar prej tyre edhe në historiografinë europiane, pa u shoqëruar me kritikën e nevojshme.
Në ngjarjen e vrasjes së Alaeddinit gjendet një detaj tepër i rëndësishëm që hedh dritë mbi fajtorin. Së bashku më Alaeddinin u vranë edhe dy djemtë e tij të mitur, 18 dhe 6 muajsh. Ky detaj e drejton fajësinë tërësisht ndaj Mehmetit II, sepse vetëm ai ishte i interesuar të eliminoheshin gjithë trashëgimtarët e mundshëm, pra jo vetëm i vëllai por dhe nipërit, ndërkohë që më 1431 kishte humbur jetën edhe Ahmedi, vëllai tjetër i Mehmetit, prej një sëmundjeje enigmatike, që nuk u sqarua kurrë. Kështu më 1443, Mehmeti mbeti i vetmi trashëgimtar i fronit osman. E tillë ishte kultura osmane, trashëgimtarët hynin në një luftë vrastare për të eliminuar njeri- tjetrin dhe fronin e gëzonte i fundit që mbetej gjallë. Vriteshin jo vetëm të gjithë meshkujt e çfarëdo moshe që përfitonin të drejtën e trashëgimisë, por edhe fëmijët e palindur ende të sulltanit në ikje. Gratë shtatzëna të haremit të tij ekzekutoheshin duke i futur në thes dhe duke i hedhur në Bosfor.
Mund të mendohet që Mehmeti II, për shkak të moshës, e kishte të pamundur të organizonte dhe eliminonte të vëllezërit e nipërit, por në emër të tij mund të vepronin tutorë e klane, që me kurorëzimin e Mehmetit do të kishin përfitimet e tyre. Klani i Marës mund të ishte një i tillë, që vepronte në emër të interesave të Mehmetit dhe sigurisht për hir të përfitimeve të ardhshme. Kjo mënyrë veprimi në perandorinë osmane nuk përbënte ndonjë përjashtim: mjafton të kujtohet Roxelana, gruaja e Sulejmanit të Madhërishëm, ndoshta sulltani më i shquar i gjithë dinastisë. Ajo e shtyu të shoqin të eliminonte djalin e tij më të talentuar, Mustafanë, e pas tij edhe tjetrin Bajazidin me të katër djemtë e tij të mitur, në mënyrë që fronin ta trashëgonte një tjetër bir i tij, Selimi II i mbiquajtur Sarhoshi, pa asnjë dyshim sulltani më i paaftë i gjithë kohërave.
Në të gjithë këtë histori hakmarrjeje të hartuar me kaq detaje (f. 56-62), e që do ta kishin zili nja dy dyzina shkrimtarësh romanesh policore, Schmitt-i, si alkimist i vërtetë, nga një pikë uji më prejardhje të dyshimtë, (raporti i ambasadorëve), krijon një oqean të tërë duke na siguruar se më në fund i ka dhënë fund enigmës “motivit të kryengritjes së Skënderbeut në vjeshtë të vitit 1443 që kishte mbetur për pesë shekuj e gjysmë e paqartë.” Sipas tij e vërteta është se “ Skënderbeu e filloi luftën e tij si gjakmarrje për vrasjen e t’et nga Murati II, një mënyrë veprimi që pritej prej tij dhe që e vendos atë në traditën e të menduarit pas së drejtës zakonore”(f. 149), por në një rast tjetër (f. 272) e absolutizon duke konkluduar se: “Kryengritja kundër sulltanit ishte lufta krejt personale e Skënderbeut.”
***
Pasi ka inauguruar në piedestal motivin e hakmarrjes së Skënderbeut, Schmitt-i fillon e kujdeset për pasojat , i ndërgjegjshëm se ka shumë brima për të mbyllur. Ja një përmbledhje e shkurtër :
a – Dhe ndërkohë që pazari i Romës ziente nga thashetheme (“..disa thonë…të tjerë thonë”) , të cilat këta mouchards milanezë i regjistronin dhe arkivonin nga përkushtimi për historinë e motiveve të vogla, i ati i viktimës sulltan Murati II, mbetej në terr të plotë megjithë hafijet e panumërta që i shërbenin sepse siç na siguron Schmitt-i:“ gjithë çka i kumtonte papës bajlozi, për Muratin II do të mbetej e fshehtë. Ai vajtonte të birin pa i njohur vrasësit e vërtetë që me ç’dukej ishin të tërë rrotull tij.”
Mirëpo Babinger-i, studiuesi i mirënjohur i Mehmetit II, nga ana tjetër na raporton se sulltani “e kishte mbuluar krejt gadishullin ballkanik dhe ndoshta Hungarinë e madje edhe Gjermaninë më një rrjet spiunësh të aftë…” dhe “Veçanërisht në shtetet italiane Mehmeti kishte agjentë të shumtë, aktiviteti zbulues i të cilëve shtrihej deri në sferat më të larta të qeverisë” e që arrinin të zbulonin planet më sekrete të fushatave ushtarake kundër tij, siç qe për shembull, ajo e vitit 1443 prej ku Skënderbeu braktisi turqit dhe u nis drejt Krujës. Do të ishte naive të besohej se këtë rrjet Mehmeti II e ngriti nga hiçi, d.m.th. afërmendsh që rrjetin e spiunëve në Europë e trashëgoi nga i ati Murati II, dhe që më tej mund ta ketë perfeksionuar.
A është e mundur që këtij rrjeti profesionist t’i shpëtonte ç’flitej hapur sokakëve të qyteteve të Italisë, sidomos për një problem aq të nxehtë për vetë padishahun sa ç’ishte zbulimi i autorëve të vrasjes së të birit? Askush nuk mund ta besojë këtë skenar të pamundur, ndoshta as vetë Schmitt-i.
b – Më tej për të justifikuar mungesën e plotë të një informacioni alternativ për vrasjen nga kronikanët osmanë të kohës, të cilët, të njohur për qëndrimin tejet armiqësor ndaj Skënderbeut nuk do ngurronin aspak ta përlyenin me krimin makabër, Schmitt-i shënon se “Mehmeti II u kujdes që kujtimi i vëllait të vet të vrarë të zhdukej thuajse krejt nga kronikat osmane..”
Kjo presupozon një censurë absolute në lidhje me ngjarjen për kronistët e kohës, por nuk shpjegon dot pse, edhe pas vdekjes së Mehmetit II, askush s’guxoi kurrë të thoshte as një gjysmë fjale, as në perandorinë otomane dhe çuditërisht as jashtë saj. (Megjithëse, duke cituar Schmitt-in , Barleti ‘i gjorë’ raporton vetëm pas 70 vjetësh se ishte Mehmeti II që kishte sakrifikuar të vëllanë për fronin e vet :” ky është ai Mehmeti që nga etja për pushtet mbyti të vëllanë…”)
Në të vërtetë kjo është një artific i kotë, sepse që Alaeddini mund të shfaqet vetëm sporadikisht nëpër kronika, nuk përbën ndonjë habi, ngaqë kronikat turke merren me sulltanët jo me kandidatët për sulltanë.
Nga ana tjetër përpjekja e Schmitt-it për ta paraqitur Mehmetin II kaq të shqetësuar për krimin e kryer është krejt e pakuptimtë sepse është botërisht e njohur që kalimi i pushtetit tek otomanët nga një sundues tek pasardhësi shoqërohej rregullisht me krime të tilla. Madje jo vetëm në perandorinë osmane por edhe në atë të Bizantit, prej nga otomanët kishin mësuar mjaft; është një përjashtim tejet i rrallë kurorëzimi i një sunduesi pa luftëra e krime brenda familjes midis konkurrentëve për pushtet.
Me kohë stërgjyshi i Mehmetit II, Bajazidi I kishte dhënë mbështetje morale vëllavrasjes perandorake kur në betejën e Fushë Kosovës më 1389 kishte ekzekutuar të vëllanë Jakup fill pas vdekjes së të atit, Murati I. Bajazidi e kishte gjetur mbështetjen në Kuran: “Shumë shpesh, kur ata ia nisin revoltës, ata duhen eliminuar bashkë me të; dhe nëse ata nuk ikin larg prej teje dhe nëse ofrojnë paqe dhe të shtrëngojnë dorën për të mos luftuar kundër teje, merri dhe vriti kudoqoftë që t’i gjesh”. Sipas tij ishte më ekonomike vëllavrasja se sa revolta kundër pushtetit të sovranit, një logjikë që në fakt siguronte parimin e mosndarjes së pushtetit dhe për pasojë ekzistencën e pandërprerë të dinastisë, dhe që prej asaj kohe praktikohej rregullisht. Këtë praktikë kishte ndjekur edhe gjyshi Mehmet I, edhe i ati Murati II duke vrarë të vëllezërit e tyre.
Për ironi, ishte pikërisht Mehmeti II, që legjitimoi krimin midis pasardhësve për marrjen e pushtetit, që për herë të parë në perandorinë otomane përligji legalisht vëllavrasjen, duke shkuar më tej së paraardhësi i vet. Formulimi që ka lënë Mehmeti II është : “ Për të mirën e shtetit, atij bir timit që do të trashëgojë Perandorinë, i kërkohet të vrasë vëllezërit e tij. Ky veprim ka miratimin e shumicës së juristëve”. Për më tepër, njihet që në ceremoninë e kurorëzimit, ndërsa e veja e Muratit uronte Mehmetin II të sapofronëzuar, në të njëjtën kohë me urdhër të tij i merrej jeta duke e mbytur në banjë të birin e saj të mitur dhe njëkohësisht vëllain e vet. Për të vëllavrasja dhe vrasja në përgjithësi ishte mbijetesë personale e sovranit dhe akoma më tej mbijetesë e perandorisë. Mehmeti II, një nga sulltanët më të suksesshëm të perandorisë, një vizionar, nuk mund t’u dorëzohej emocioneve të njerëzve të zakonshëm. Për mbijetesën e perandorisë, vëllavrasja për Mehmetin II nuk përbënte më tepër se një akt teknik të pashmangshëm. Perandoria osmane mbështetej në pushtetin absolut të sulltanit dhe si rrjedhim vrasjet brenda familjes perandorake përbënin një domosdoshmëri. Tek sovranët osmanë vrasja brenda familjes për të siguruar pushtetin personal ishte një kulturë me rrënjë të thella. Krime, që miletet e perandorisë osmane i pranonin normalisht në shkëmbim të qetësisë dhe shmangies së gjakderdhjes së luftës civile. Ishte pikërisht Mehmeti II, bashkëkohësi i Skënderbeut, që jo vetëm e bëri të tijën këtë kulturë moralisht, por i dha edhe forcën e ligjit.
Nuk kishte pra asgjë të fshehtë, asgjë të paligjshme që Mehmeti II të eliminonte gjithë vëllezërit për të siguruar pushtetin. Kujdesi i Schmitt-it për të hedhur një vello misterioze në këtë histori të rëndomtë lufte për pushtet është sa i papërligjur aq dhe i pakuptimtë.
c – Është normale pyetja se, mirë Mehmeti II, që po të besojmë Schmitt-in nuk donte të shfaqej duke mos lejuar daljen në dritë të krimit, po Skënderbeu për ç’arsye e ruante të fshehtën? “Skënderbeu nuk e përmendi më kurrë hakmarrjen e tij.”- këmbëngul Schmitt-i. Pa çka se ishte në luftë me sulltanin, madje mund të krenohej se jo vetëm e mundte në fushën e vet, por dhe i kishte bërë gjëmën në fushën kundërshtare të Anadollit. Për më tepër sipas Schmitt-it, ai kishte vepruar pas kanunit dhe s’mund të kishte asnjë problem moral.
Mund të pyetet gjithashtu se si është e mundur që këtë sekret kaq të thellë e kishte mësuar edhe një bajloz i radhës i Skënderbeut dhe se për ç’arsye ia raportonte Papës më 1454. Çfarë përfitimi mund të kishte Skënderbeu t’i zbulonte vrasjen Papës mbas një dekade? Asnjë, sepse në planet e Vatikanit, Skënderbeu ishte figura qendrore ushtarake e kryqëzatës së krishterë kundër Islamit dhe çdo përfitim ai mund ta kishte vetëm prej këtij pozicioni. Duke mos i mbetur dot konsekuent fabulës së vet irreale, vetë Schmitt-i pranon se historia e vrasjes së të atit të Skënderbeut nuk mund të kishte ndonjë impakt tek Papa kur shkruan :”Megjithë këtë argumentim jodiplomatik, papa Nikolla V u tregua i prirur për ndihmë..”(f. 167) . E më tej, në f. 62 Schmitt-i e pranon hapur fare se “..prej Papës nuk mori ndonjë ndihmë në një vepër gjakmarrjeje kundër sulltanit, porse si luftëtar i kryqit kundër gjysmëhënës.”
Më tej mund të pyetet më në fund, se si është e mundur që renegatët arbër si Hamza Kastrioti, Moisi Golemi etj nuk rrëfenin krimin e ish zotit të tyre kur arratiseshin e priteshin në oborrin perandorak dhe që kishin audiencë në Portën e Lartë në rrethana armiqësie me Skënderbeun, apo fundja edhe Gjon Muzaka që shkruante kujtimet e tij përtej detit, afër thashethemeve e larg sulltanit ndërkohë që Skënderbeu s’jetonte më e ndaj të cilit kishte aq mëri?
Për këto pyetje kaq të thjeshta të lexuesit të vet Schmitt-i, megjithëse është rropatur një vit të tërë, nuk ka përgjigje dhe tinëzisht i lë mënjanë.
Dhe për ta mbyllur këtë seri kontradiktash evidente në parashtrimin e Schmitt-it për motivin e luftës së Skënderbeut, le të vërejmë se , pavarësisht se mund të ketë pasur ose jo një hakmarrje për motive personale, me kanun apo pa kanun, ky motiv, pra i hakmarrjes personale, nuk mund të ketë qenë motiv i kryengritjes se Arbërisë kundër turqve nën Skënderbeun për arsyen e thjeshtë se kur në vjeshtë 1443 Skënderbeu nisi luftën kundër perandorisë otomane, hakmarrja e tij personale, nëse mund të kishte ekzistuar, ishte përmbushur plotësisht që në pranverën e vitit 1443 me vrasjen e të birit të Muratit II. Dhe një motiv i përmbushur nuk mund të jetë më një motiv. Duhej një tjetër motiv ose motive të tjera.
Në veprën e vet për Mehmetin II, F. Babinger flet qartë për krimin e Anadollit, vrasjen e Alaeddinit dhe bijve të tij, jep dhe kohën, pranverë 1443. Më e pakta që duhej të bënte historiani Schmitt do të ishte të polemizonte me Babinger-in për datën e kryerjes së krimit, më pas të jepte e të mbronte një datë të re që duhej të ishte pas vjeshtës 1443. Në të kundërt Schmitt-i mban heshtje të plotë, thuase dëshmia e një historiani të shquar si Babinger të mos kish ekzistuar kurrë. Kjo mënyrë e të bërit të historisë për lexuesin s’është veçse bizantine.
***
Si përfundim, duke përmbledhur gjithë çfarë u diskutua më sipër, nuk mund të mos arrish në konkluzionin se letra e dy ambasadorëve milanezë është pa vlerë historike. Asnjë konkluzion serioz e i qëndrueshëm nuk mund të nxirret prej andej. E vetmja vlerë që mund t’i jepet, është thjesht vlerë kureshtie.
Schmitt-i, si historian, padyshim e njeh sentencën aksiomatike të akademikut dhe historianit frëng J. Tulard që : “S’ka histori pa burime, por as historian pa kritikë burimesh.” Çuditërisht, në mospërputhje të plotë me pritshmërinë e lexuesit, ai nuk i kushton as dy rreshta kritikës së letrës së dy ambasadorëve milanezë për besueshmërinë dhe vlerën e saj. Ndërkohë që është i palodhur në kritikën ndaj autorëve shqiptarë që nga Barleti, Gegaj, Noli, Budës i nxjerr ujë të zi, K.Frashërit, …por duke kursyer Biçokun, që e paska shoqëruar në terren ku janë zhvilluar beteja të Skënderbeut dhe ku i shumëtalentuari Schmitt duke vëzhguar majë kodrash e brigjesh paska kuptuar strategjinë e taktikat e Skënderbeut(!). Zotëria jep mësime historie, por nuk do ishte keq të nxinte ca akoma për vete.
Nga pikëpamja metodologjike , përdorimi i letrës së ambasadorëve milanezë në këtë mënyrë dhe për pasojë edhe gjithë përfundimet e nxjerra nga Schmitt-i prej saj, janë tërësisht të palejueshme, janë nul.
Interpretimi i letrës së ambasadorëve milanezë prej Schmitt-it s’është veçse një analizë e dobët, gjykime të cekëta, përfundime të paargumentuara ose të gabuara e shpesh kontradiktore, në tërësi një punë e pavlerë.
Se këtejmi, përdorimi i letrës së ambasadorëve milanezë së bashku me interpretimet dhe përfundimet e nxjerra vënë në dyshim krejt veprën dhe më tej profesionalizmin e autorit O. J. Schmitt. Letra përbën episodin më flagrant, por përgjatë gjithë veprës janë të shumta rastet e gjykimeve dhe përfundimeve aspak profesionale.
Të gjitha këto çojnë në dyshimin se Schmitt-i i ka hyrë hartimit të veprës së vet për Skënderbeun me një paradigmë të qartë; e thënë më thjesht ka formuluar konkluzionet dhe më pas ka rendur të gjejë prova. Ose , në rastin më të mirë, 38-vjeçari zviceran, ka rënë viktimë e pasionit të vet të pakontrolluar në ndjekje të një zbulimi që do ta bënte të famshëm. Duke harruar se jo çdo copë letër, e denjë për kazanë plehrash, është e mjaftueshme për të përmbysur historinë.
Opinionin e tij të paragjykuar nuk e lëkundin as referencat që sjell vetë në librin e vet. Përmend shpesh Kritobulos-in, kronistin bizantin të kohës, duke vlerësuar “ analizën e hollë që ai u bën motiveve të kryengritjes” (f. 484), madje sa “asnjë bashkëkohës tjetër nuk e ka rrokur kaq mirë çështjen e kryengritësve: ata ishin malësorë krenarë, që nuk njihnin asnjë perandor…” (f. 238) dhe ky motiv i kryengritësve arbër, sipas autorëve që sjell në mbështetje, nuk ishte veçse dëshira për liri: “Bashkëkohës bizantinë si Halkokondili dhe Kritobulos-i janë në një mendje se shkas për kryengritjen ishte dëshira e fortë për liri e malësorëve, mospranimi i tyre për të paguar taksa e për t’iu bindur zotërinjve të huaj” (f. 79). E megjithatë, përkundër këtyre pohimeve të kolegëve të kohës të vlerësuar lart prej atij vetë , Schmitt-i mbeten peng i përjetshëm i paragjykimit të vet se “Kryengritja kundër sulltanit ishte lufta krejt personale e Skënderbeut.”(f. 272).
Dhe në fund fare dy fjalë lexuesit: autori i këtij shkrimi nuk është historian dhe në këtë parashtrim mund të ketë mungesa por shpresoj që thelbi i logjikës së leximit të qëndrojë.
(fund)
(c) 2018, autori.
Pa qene historian ju keni bere analiza shume te argumentuara. Ju lumte she ju lutem shkruani me emer e mbiemer .
Nje shtjellim i thuket,qe edhe historiane te mirfillte,do ta kishin zili,pa nxitim pa ngutje mllef apo etje boshe per lavdi,mbas nje pune te palodhur&sfilitese hulumtuese,te shtrire ne kohe zgjatje,na jep nje pamje tripermasore,te arsyetuar e perimtuar,te Skenderbeut dhe vendit te tij te merituar,si mbrojtes i vlerave&krishterimit Europian,i paepur deri ne ditet e fundit te jetes,rrumbullaksimi fundor tejet i qelluar& i perulur,shenje fisnikerie anipse,sipermarrja nuk ka qene aspak e lehte,dhe pa pengesa tè llojllojta.
“Letra përbën episodin më flagrant, por përgjatë gjithë veprës janë të shumta rastet e gjykimeve dhe përfundimeve aspak profesionale.”
Pikerisht kete bindje kam krijuar edhe une gjate leximit te librit te Schmitt-it. Tani te vijme te nentitulli i shkrimit te Fatmes qe per mua perben thelbin e çeshtjes:
(ose si mund ta perceptojë një lexues i zakonshëm veprën e O. J. Schmitt)
Pajtohem plotesisht se Schmitt-i ka bere nje liber te dobet, pa prurje te reja dhe pa vlera te veçanta. Kjo eshte mese normale, po te konsiderohet mosha, mungesa e pervojes dhe fakti se nuk kemi te bejme ketu me ndonje autoritet te jashtezakonshem ne fushen e studimeve historike. Libri per Skenderbeun ishte punimi i dyte qe shkruante Schmitt-i, pas “Arbërise Venedike” qe perbente punimin e tij te doktorates, mbrojtur nen udheheqjen e historianit te mirenjohur Peter Bartl.
Me fjale te tjera, nuk eshte faji i Schmitt-it, sepse ai aq diti e aq beri. Tek e fundit, nuk ka ndonje ligj qe t’i ndaloje njerezit te shkruajne budallalleqe. Pra “si duhej ta perceptonte lexuesi i zakonshem vepren e Schmitt-it”? Ashtu siç ishte ne te vertete, si nje liber te mbushur me budallalleqe. Si i tille libri i Schmitt-it duhej te kishte kaluar ne heshtje dhe jo te ishte vene ne qender te debateve te zjarrta sikunder ndodhi te ne. Mua me duket me interes te madh analiza e perceptimit te librit te Shchmitt-it ne Shqiperi. Une do ta shtroja pyetjen keshtu:
Pse te ne budallalleqet terheqin vemendjen dhe ndezin gjakrat shume me teper se gjerat e mençura dhe me vlere?
Fatma, mund te kishe marre parasysh edhe publikun e huaj te etur per klishene e Kanunit, ne vazhden e filmit Taken, qe tashme gjendet edhe si serial televiziv (kete s’e kam pare,qe te them ne ka shqiptare). Ashtu si tek Filmi, hakmarrja eshte fenomen njerezor per te gjithe ata qe kane mundesi kur ligji nuk ndeshkon dot, si vete protagonisti,
Letra eshte korrekte, percjell çfare eshte degjuar, por meqenese asgje nga ato qe shkruhen aty nuk ka ndonje burim mbeshtetes, çdo interpretim eshte legjitim. Psh versionin ne fjale mund ta kete perhapur vete Skenderbeu per te treguar se si hakmarresi i te atit i takonte legjitimiteti i prones/principates. Gjoni do kete vdekur nga pleqeria dhe Skenderbeu s’ka qene fare e nevojshme te ishte pjese e komplotit te Mara Brankoviçit, por ama te thuash qe e vrau turku dhe une u hakmora, si version qe legjitimon ne kontekste te caktuara pronesine e Principates, ka kuptim.
Por mund te jete version i perhapur nga kundershtare te Skenderbeut ne Rome, ose agjente te turkut, si i permende, te cilet duke dashur te diskretitojne Skenderbeun ne syte e Papes, e perdorin si argument qe Skenderbeu nuk ka motive fetare ne lufte, por personale, keshtu qe nuk mund te jete komandant apo nje prej komandateve te kryqezates sepse eshte mekatar ne syte e Perendise.
E kam fjalen qe nuk eshte e nevojshme te vihet ne dyshim vertetesia e letres, sepse dyshimin ajo e ka si burim i vetem i disa ngjarjeve historike – shkaku i vdekjes se Gjonit, pjesemarrja e Skenderbeut ne komplotin e Mares-, por te vesh ne dukje se permbajtja e letres eshte totalisht e pavertetueshme, pra çdo interpretim eshte legjitim; dhe kur çdo interpretim eshte legjitim atehere asnjeri nuk eshte i besueshem.
Fakti qe gjendet ne ngjarje qe kane lidhje me Romen ben me te besueshem psh qe te jete version i perhapur nga armiqte e Skenderbeut, nga vete turqit, qe kishin interes qe Skenderbeu te mos lidhej me Papen. Apo edhe nga fisnike italiane te cilet kane dashur komanden e kryqezates, kurdo qe ajo te thirrej, dhe Skenderbeun e shihnin si rival te padeshirueshem. Kjo duke marre parasysh qe çdo kryqezate ka pasur probleme te medha me lidershipin, kane falimentuar rregullisht sidomos per shkak te konflikteve se kush do komandonte. Edhe kryqezata e pare, e vetmja realisht e suksesshme rrezikoi disa here te falimentonte per shkak te konflikteve mes fisnikeve per komanden e saj.
Gjera te tilla, si kjo letra, jane gjahu i spekullatoreve, sepse mund te ndertohen 100 interpretime. Po ne fund fare interpretimi me i vlefshem eshte ai qe shpjegon me shume gjera, qe lidhet logjikisht me mire me fenomenin ne kuptimin holistik. Si konstrukt logjik, kritika nuk behet ne fushen e shkences, por te logjikes, prandaj nuk eshte e nevojshme te jesh historian, madje ndonjehere me mire kur nuk je historian, se je me pak i prirur t’i fantazosh ngjarjet (ose pa qene historian i historise ushtarake, te merresh me shkurre, pyje e lendina per te kuptuar strategjine. shenje e paqendrueshmerise mendore).
Ti Fatma nuk je historiane, po nuk kritikove nje historian, kritikove Shmitin qe eshte regjizor Hollivudi,