Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

FJALË RACISTE, RACISTË ME FJALË

Një sqarim që ndoshta duhej ta kisha bërë që në shkrimin tjetër për fjalët çifut dhe hebre: nuk duhet të ngatërrojmë fjalën keqësuese, atë që në anglishte i thonë “slur” dhe që është pjesë e asaj që, sërish në anglishte, i thonë “hate speech”, me urrejtjen ose përbuzjen (racizmin) që një përdorues i fjalës mund të ndiejë për një grup etnik. Fjala mund të jetë tregues (indicie) i racizmit, por mund edhe të mos jetë; dhe një racist mund të jetë i tillë pa përdorur ndonjëherë “slurs”. Kështu, dikush mund të ngrihet dhe të thotë: “hebrenjtë janë ashtu dhe kështu, u pinë gjakun të tjerëve, e kanë mendjen te paraja, etj.”, ose të përdorë të gjitha tropet dhe stereotipitë e diskursit antisemitik, pa përdorur asnjë “slur”, por duke u kujdesur të përdorë etnonimin politikisht korrekt –hebrenjtë. Këtë folës nuk është se do ta shlyejë nga akuza për antisemitizëm leksiku që përdor – sepse antisemite është përmbajtja e fjalëve që thotë. Një fjalë shndërrohet në “slur” kur mjafton të përdoret, që ta identifikojë tjetrin si racist, si urrejtës, si bigot, etj.; sepse e sjell negativitetin me vete dhe nuk ka nevojë t’i referohet kontekstit diskursiv. Fjala çifut tradicionalisht nuk e ka pasur këtë natyrë në shqipen, qoftë edhe ngaqë ka qenë emër standard i atij populli të paktën në ligjërimin bisedor; por edhe ngaqë antisemitizmi në kulturën shqiptare nuk ka pasur përhapje (për arsye historikisht të njohura). Për krahasim, po sjell fjalët breshkaxhi ose breshkaman të cilat, që në zanafillë, e kishin këtë ngjyrim keqësues ose përbuzës për italianët. Për arsye të ngjashme, fjala Redskin në anglishten e sotme (për indianët amerikanë) konsiderohet si “slur” dhe shpesh mjafton ta përdorësh për t’u cilësuar si racist ose bigot, madje edhe sikur të thuash “Redskins are the most gifted people in the world”; por kjo ka të bëjë me historinë e marrëdhënieve racore në Amerikë dhe me përpjekjet e popujve vendës për t’u emancipuar. Përkundrazi, në shqipen letrare tradicionale lëkurëkuq nuk ka ndonjë ngjyrim veçanërisht negativ – siç përdoret në letërsinë e përkthyer; dhe kjo sepse ne, shqiptarët, nuk kemi kontakte të përditshme me vendësit amerikanë dhe as arsye për të hyrë në konflikt me ta. Megjithatë, e për t’u kthyer tek emrat etnikë jo-metaforikë, çifut sot në shqipe po priret të negativizohet me shpejtësi, kryesisht për shkak të importimit dhe të zgjerimit të diskursit anti-semit, brenda të cilit kultivohet kjo lloj ligjërate urrejtëse. Në vend të kësaj fjale, në kontekste neutrale, po sugjerohet të përdoret tani hebre dhe ndoshta edhe izraelit (si e ndryshme nga izraelian, siç e shpjegoi Edon Qesari në një koment te tema tjetër). Por problemi me fjalë të tilla, të cilat përvetësohen edhe nga ligjërata urrejtëse në përpjekjet e kësaj për t’i kapërcyer barrierat e politikishtes korrekte, është se herët a vonë “infektohen” brenda kësaj ligjërate dhe duhen ndërruar shpejt – siç ka ndodhur me emrat për të zinjtë në SHBA, ku është kaluar me të shpejtë nga NegroBlack e në Colored dhe tani në African-American dhe nesër kushedi në çfarë tjetër; thjesht ngaqë çdo fjalë që e fiton rishtas certifikatën e “sjelljes së mirë” do të mbushet sakaq me kuptime të padëshiruara, për shkak të kontekstit të përdorimit. Ata që mendojnë se fjala çifut në shqipe gjithnjë ka pasur konotacion negativ (përçmues, racist) ngatërrojnë përdorimet e kësaj fjale, dje dhe sidomos sot, në diskurse raciste me natyrën e fjalës vetë; një saussurean do të kish thënë: ngatërrojnë gjuhën me ligjërimin. E njëjta gjë ndodh edhe me emrin tonë etnik: një serb ose maqedonas mund të vjellë vrer kundër shqiptarëve, duke thënë se ata vjedhin, ose janë të pagdhendur e të paqytetëruar, se duhen zhdukur a dëbuar nga faqja e dheut etj., gjithnjë duke përdorur fjalën aлбанац (albanac), që është neutrale; përkundrazi, nuk ka nevojë të thotë gjë tjetër përveç slur-it shiftar, për t’u identifikuar si racist (një zhvillim paralel duhet të jetë përftuar brenda dysorit sllav/shka në shqipe, sidomos në shqipen verilindore). I pari përdorues shfaqet si racist nëpërmjet gjërave që thotë, i dyti nëpërmjet fjalëve që përdor. Ka një dallim të hollë dhe ndoshta teknik, por të rëndësishëm, që duhet mbajtur parasysh, madje edhe kur diskutojmë për statusin e fjalëve si çifut, përdorimet raciste të së cilave, edhe pse ndeshen gjerësisht, ende nuk janë kodifikuar në gjuhë.

1 Koment

  1. Keni plotesisht te drejte,sa per ilustrim,perkthyesi i nderuar me origjine hebraike,Robert Shvarc,jo vetem qe nuk perfitoi asgje nga honoraret e perkthimeve te panumerta,ne kohen e PPSH,por edhe pas 90-tes,vdiq i harruar ne apartamentin e tij,prej 50metrash katror ne katin e peste,i semure me hipertrofi te miokardit,hyp e zbrit perdit,katet e pallatit,perkthen nje liber madheshtor me diku600faqe,mbi formimin e kombit te lzraelit,pas luftes se dyte boterore,te Leon Uris,bashke me djalin Edvin Shvarc,keshilltar presidentesh qe nga koha e presidentit Moisiu,dhe nuk ka nje banese te denje,por banon me mamane dhe gruan,tek i njejti,apartament i babait,qeveritaret tane jane mjaftuar me emertimin e nje rruge periferike,Robert Shvarc,nje mik vlonjat mbas nje kohe shume te gjate me pohon”Un jam Çam por nuk te kam treguar,sepse na thone me perçmim,çamet jane kurrnac te pabese, madje shkojne edhe me tutje,çamet&çifutet jane njelloj te ndyre”u ndjeva keq sepse nuk isha ne dijeni te ketij,racizmi lokal&pertej te nendheshem,Ana Cohen amerikano-hebraike,shprehej”Triporti ne Vlore duhet te shpallet,vend pelegrinazhi per hebrenjte sefaradi,te Spanjes,qe u perzune me 1492,me force,gjate mbreterimit te kridhterimit fondamentalist,qe hodhi bazat e lnkuizicionit,ne kohen e Ferdinandit dhe lzabeles”se çfare fati i hidhur i priti lekurkuqet,kur Spanjollet zbuluan Ameriken e Jugut,shprehet qartazi tek libri”Konkuista e Amerikes”nga Tzvetan Todorov botuar nga Pika Pa Siperfaqe,ne kryqezaten ndaj Sorosit ne shqiperi,shqipot zbuluan se KM.Rama eshte i tille se nga mamaja,eshte nje çifut i ndyre nga kodra e çifuteve ne Vlore,ku kane edhe varrezat,ndaj Shqiptaret nuk jane aspak imun,ndaj ksenofobise edhe pse ne dukje folklorike,dhe mjerisht nje perpjekje burracakesh,per te mos e kerkuar faJin tek vetvetja,ne rradhe te pare,pastaj tek”greku shkau çami çifuti maloket çeçen(Çecenia sa per dijeni ka plot 365 objekte kulturore:teatro, kinema biblioteka, monumente te mbrojtura nga shteti,etc paçka se Ruset duan ta paraqitin nje komb;Tabula Rasa”.

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading