Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Komunikim

URA NË HAVA

Kur ndesha në epitetin urëlidhës te një ftesë e dërguar nga z. Edi Rama, “Kryeministër i Shqipërisë”, për një event ceremonial, më shkoi mendja se ky funksiononte, në atë tekst, si sinjalizues i stilit të lartë, për të lajmëruar se eventi në fjalë ishte i posaçëm, madje “elitar”, dhe si i tillë duhej përcjellë edhe në dokumentet me natyrë burokratike. E megjithatë, kjo fjalë, urëlidhës, jo vetëm që nuk del në fjalorët e shqipes, por edhe më rezulton e ndërtuar keq: kompozita të tilla, si udhërrëfyes (“ai që rrëfen udhën”), qeleshepunues (“ai që punon qeleshet”), rrobaqepës (“ai që qep rroba”), frytdhënës (“diçka që jep fryte), etj., emërtojnë dikë sipas veprimit që bën, por ndryshe nga emrat e thjeshtë të vepruesit, si qepës, lidhës, punues, rrëfyes janë më “analitike”, meqë përmendin edhe objektin ose rezultatin e punës ose, në vija të trasha, kundrinën mbi të cilën bie veprimi i kryefjalës (“ai që vret vëllanë” – vëllavrasës); dhe këtu urëlidhës duhej të ishte dikush ose diçka që “lidh ura”, gjë që nuk ka kuptim. Sipas rregullave të shqipes, urëlidhës nuk shkon si njëfjalësim i togut urë lidhëse, pa çka se, në kontekstin në fjalë, bëhet fjalë për dikë – Skënderbeun – që në mënyrë metaforike lidh ashtu siç lidh ura, ose duke kapërcyer një pengesë, një ndarje, një humnerë. Por nuk mund t’ia atribuoj të drejtat e autorit shkruesit të ftesës në fjalë, meqë një kërkim në Google më tregon se urëlidhës, edhe si emër edhe si mbiemër, përdoret tashmë anembanë hapësirës shqipfolëse; dhe gjithnjë në mënyrë redondante, me kuptimin “urë”; ose, në raste të skajshme, “urë lidhëse”. Në një uebsajt, pashë që togfjalëshi “ofertë urëlidhëse” ish dhënë si barasvlera shqipe e Brückenangebot të gjermanishtes (literalisht: urë-ofertë); në një uebsajt tjetër, pashë që urëlidhës të përdorej për anglishten gateway (si në gateway drug – “drogë urëlidhëse”). Me fjalë të tjera, urëlidhës është një fjalë në kërkim të kuptimit; përndryshe e formuar keq, në kundërshtim me rregullsitë e fjalëformimit shqip.

Duke qenë metafora e urës egërsisht e modës, sidomos në kontekstin e një diskursi të hapjes, të komunikimit, të shkëmbimit dhe të tjerave klishe të ditës, nuk u habita shumë kur, vetëm pak ditë pas ftesës së Kryeministrit, gjeta fjalën urëndërtues, në një fjalim a përshëndetje të ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, të përdorur si epitet për përkthyesin e veprave letrare, madje duke e quajtur “urëndërtues i paemër”[1] dhe “hero të heshtur”, sërish në kërkim të një stili të lartë për ligjëratën e saj, kushedi në përputhje edhe me postin që ka. Por ndryshe nga urëlidhës, kjo urëndërtues edhe pse neologjizëm (në kuptimin që nuk e kanë fjalorët), është formuar sipas rregullave: “ai që ndërton urën”. Sërish, fjala nuk është krejt e panjohur, edhe pse e përdorur jo aq në tekste të industrisë së ndërtimit, sa me kuptim metaforik, si dikush që ndërton ura mes komuniteteve, fushave të dijes dhe të kulturës, e kështu me radhë. Shqipja përndryshe do të thoshte ndërtues urash, dhe do të mjaftohej me kaq. E vetmja gjë që urëndërtues i shton ligjërimit është konotacioni, ose sinjalizimi i stilit të lartë – nga ana e një folësi që kërkon t’u komunikojë dëgjuesve se po trajton një temë të rëndësishme, në mos fare sublime. Nga ana gjuhësore, fjala i përngjet gjermanishtes Brückenbauer. I njëjti koncept në latinishte jepej si pontifex, origjinalisht “urë-bërës”, dhe më pas “ekspert në punë të shenjta” dhe ndërmjetësues midis rendit sakral (më pas edhe juridik) dhe shoqërisë poshtë. Sipas disave, “urëndërtuesit” zotëronin edhe njohuritë e nevojshme teknike për të riparuar urat e Romës antike. Përkimi mes kësaj ekspertize inxhinierike të dikurshme dhe metaforës së sotme të ndërtuesit të urave si ndërmjetësues mes qytetërimeve, kulturave dhe komuniteteve duhet të jetë fryt i një koincidence.

Meqë jemi në vitin jubilar të Skënderbeut, ku do të na duhet të japim e të marrim deri në velje me stilin e lartë dhe pompozitetin leksikor dhe në përgjithësi ligjërimor, le të bëhemi gati edhe për shumë urëlidhës e urëndërtues të tjerë, në të gjitha ato kontekste ku folësit publikë ose e përfytyrojnë veten në këtë rol – ose si ndërtues urash gjithfarësh – ose janë të vetëdijshëm se ndërtimi i urave metaforike në diskurs nuk kushton absolutisht asgjë, në krahasim me ndërtimin e urave të tjera, që i shërbejnë komunikimit real mes dy brigjeve të një lumi, të një lugine a të një përroi. Edhe pse Shqipëria e sotme mbetet vendi ku ndërtohet frenetikisht, sikurse mbetet edhe vendi ku politikanët kanë treguar aftësi mbresëlënëse për të përqafuar ligjërimin kumbues dhe recitativ veçanërisht në punë që lidhen me kulturën, sërish po kemi vështirësi të mëdha që metaforën e ndërtimit ta zbatojmë edhe në ato sfera të jetës sociale ku ndihet nevoja kritike për të, si në edukim dhe në shoqërinë civile (institucionet) dhe kudo tjetër; madje sikur të mos mjaftonte kjo, ndërtimin e institucioneve e kemi reduktuar në dhënien e fondeve për ngritjen e karabinave dhe suvatimet e bojatisjet përkatëse.

Këto përsiatje nuk mund të mos i mbyll me lajmin e sotëm, aq të hidhur, për shembjen e urës së vjetër të Hoshtevës, në Zagori – nga moti i keq, por edhe e sidomos nga indiferenca e treguar prej institucioneve që e kanë për detyrë të kujdesen për monumente të tilla dhe që menaxhojnë kompetencat dhe “resurset” e urëlidhësve dhe urëndërtuesve në nivelin elitar; ose të gjithë atyre që sot do ta meritonin neologjizmin urëprishës.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës


[1] Këtë e kam të vështirë ta shpjegoj; sepse Afrim Koçi njihet si përkthyes, madje njihet mirë, edhe ngaqë emri i tij gjendet në faqen e parë të veprave që ka përkthyer; aq më tepër që ai, si çdo përkthyes tjetër, është paguar për punën që ka bërë, ndryshe nga shumë shkrimtarë sot në Shqipëri, të cilët jo vetëm që nuk përfitojnë gjë nga veprat e tyre, por ndonjëherë edhe u duhet të paguajnë ata vetë për t’i botuar. Nëse i quajmë përkthyesit heronj të heshtur, atëherë si duhet t’i quajmë krijuesit letrarë? Heronj të varrosur në gropë? Por kjo është çështje tjetër.

2 Komente

  1. Urelidhes mos e ka fjalen per urat e varura,qe tunden sa andej kendej,vertet te nxisin rritjen e adrenalines por te marrin jeten ne mot te keq,perderisa Zonjes Kumbaro nuk i behet vone per ura,si monumente trashegimie si ajo e ndjera e Hoshteves.

  2. E goditur paralelja mes fjalëve “të mëdha” shpesh gabim që politikanët tanë përdorin, aq më tepër kur duan ta paraqesin veten si dishepuj që shtrojnë ura dhe urës e cila u shkatërrua SIDOMOS prej moskokëçarjes së shtetit që e la atë në mëshirë te fatit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin