Moshatarëve të mi, atyre që e kaluan fëmijërinë dhe rininë në vitet 1970-1980, do t’u kujtohet mbase figura kurioze e marksist-leninistit Fosco Dinucci, ose më mirë akoma zëri i tij, që përshëndeste turmat me një italishte të kulluar, që nga ballkoni i Komitetit Ekzekutiv në Tiranë, në mitingun e organizuar fill pas Kongresit VI të PPSH-së në nëntor të vitit 1971. Për të gjithë ne që ishim mësuar me italishten e Mike Buongiorno-s dhe të Raffaella Carrà-së dhe ndiqnim me pasion emisionet e RAI-t në radio dhe në televizion, ky italian që thurte lavde, në mes të kryeqytetit, vijës politike të PPSH-së dhe mësimeve të “compagno Enver-it” njëfarësoj do të zëvendësonte, edhe pse me maskë groteske karnevali, atë koncert me këngë italiane në sheshin Skënderbej që guxonim ta ëndërronim ndonjëherë, por që nuk e shijuam dot kurrë. Dinucci sillte me vete, të paktën, shpresën se jo gjithçka në lidhjet italo-shqiptare tashmë duhej të kalonte përmes valëve; dhe se mundësitë për kontakte njerëzore nuk ishin shterur.
Kjo është edhe tema e një libri të ri me titullin L’Italia che sognava Enver – Partigiani, comunisti, marxisti-leninisti: gli amici italiani dell’Albania Popolare (1943-1976), Editore Controluce (Nardò) (“Italia që ëndërronte Enver Hoxhën – Partizanë, komunistë, marksistë leninistë: miqtë italianë të Shqipërisë popullore (1943-1976)”), ka dalë tani në libraritë italiane dhe tek-tuk në ndonjë shqiptare. Autori, Nicola Pedrazzi, punon si hulumtues pranë Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa (OBCT) dhe bashkëpunon rregullisht me media si “Il Mulino”, “Kosovo 2.0”, “Riforma”, “Confronti” dhe me vetë OBCT-në. I pasur me material dokumentar dhe analiza të reja faktesh herë të njohura dhe herë më pak të njohura, ky studim i rëndësishëm i Pedrazzi-t mbështetet në tre vjet kërkimesh në arkivat e Tiranës, të fokusuara në një aspekt pak të studiuar të regjimit totalitar të Tiranës: jo në mbylljen, por në “hapjen” e këtij regjimi ndaj botës, dhe pikërisht ndaj grupeve të së majtës italiane marksiste-leniniste dhe maoiste, në vitet 1960-1970. Ishin pikërisht këto lidhje që vazhduan, sado paradoksale të tingëllojë kjo sot, traditën e marrëdhënieve të pandërprera, disa-shekullore, mes dy vendeve, këtë herë edhe në kuadrin e rrjetit botëror të solidaritetit me Kinën Popullore dhe rolin udhëheqës të Maos. Siç thotë Pedrazzi vetë, “në arkivat e Tiranës kuptova se kish një tjetër histori italo-shqiptare që meritonte të rrëfehej: një histori që u shpalos pas kolonializmit fashist dhe që i parapriu anijes Vlora, dhe që përkon në kohë me diktaturën e Enver Hoxhës.”
Shumë interesante kjo….Dinucci me fjalimet e tij asokohe jepte idenë se revolucioni në Itali ishte te dera…vetëm sa të hiqnin qafe ata komunistët fallco të PCI që i kishte merak…më kujtohet edhe një parrullë apo tip ovacioni që e përdornin të tijtë në manifestime:
Evviva il compagno Enver Hoxha;
Evviva il compagno Mao Tse Tung;
Terrore dei fascisti,
Terrore dei padroni,
Terrore di tutti,
Falsi comunisti!