Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

VIZITË NË MANASTIR

nga Teuta Toska (*)

Nuk e heq dot nga mendja Manastirin. E vizitova për herë të parë në jetën time në ditët e fundit të nëntorit, ditë që për një shqiptar janë gjithnjë të ngarkuara me histori, me kujtime kolektive. Këto kujtime nuk janë nga jeta ime, por më vlojnë nëpër gjak e nëpër mendje si dije gjenetike.

Emrin e Manastirit e kam dëgjuar herët, si të gjithë shqiptarët, sapo ndërmendesh për gjuhën tënde. Ndoshta që në klasë të parë? Vetëm 6 vjeç? Ndoshta në festën e parë kombëtare që mbaj mend të jetë festuar në ato kujtimet e mia gjithë dritë, por shumë të largëta në kohë.

Në dhomën time e shoh çdo ditë emrin e Manastirit: një libërth me kopertinë gri, me dy emra burrash të njohur poshtë një skice libri të hapur të vizatuar me dorë, njëra faqe e kuqe e tjetra e zezë, me një pendë të bardhë e një pushkë e zezë, diçka pa shije, por që të ngulet menjëherë në mendje. Kështu më duket se janë të gjitha simbolet e identitetit kombëtarist: të pabukura, por që nuk të hiqen nga shpirti. Ky libër më del përpara nëse ulem të shkruaj, të lexoj, të pushoj, të mendoj: “Kongresi i Manastirit”, Sh.Demiraj dhe K.Prifti. Një “triadë” për t’u nderuar me admirim: Ngjarja e 1908-ës, Gjuhëtari dhe Historiani. Si ndodhka kështu që ky libër kaq i vogël rri kështu në mendjen time? Dhe sikur të bëja sakrilegj, nuk ia ndryshoj dot vendin: ai duhet të më rrijë përpara, në të njëjtin vend, si një koordinatë ekzistence. Ai është aty, prandaj unë jam.

Pastaj Manastirin e kam kaluar me kaq herë përpara syve të mi nëpër ato qindra faqe të redaktuara, të lexuara, që flasin për Gjerasimin, Sevastinë, jetën e tyre, familjen e tyre, udhëtimet e tyre, lëngimet, luftërat, punët, bëmat, shpresat e tyre. Nëpër atë qytet ka ecur Gjerasimi, Sevastia, Gjergji, Parashqevia, Kristo, janë veshur me rrobat e tyre të bukura dhe kanë dalë dhe kanë takuar njerëz, kanë folur për motin, për qeverinë, për të ardhmen, kanë blerë ushqimet, kanë shijuar borën e parë, gjethet e pemëve që bien mbi lumin që përshkon qytetin, janë trishtuar, janë gëzuar, kanë vuajtur, janë shpëtuar, kanë njohur Atë. Ky qytet më ka dalë përpara para se ta vizitoj.

Deri në Ohër rrugën e kisha të njohur, pastaj makina u zhyt nëpër pyjet plot ngjyra vjeshte dhe nëpër rrugë të panjohura për mua. Nuk e di për ty, por ndërsa jam duke udhëtuar nëpër udhë që nuk i kam vizituar më parë vetja del nga unë: jam e derdhur nëpër këto pemë, nëpër atë shteg, nëpër këtë rrugë që gjarpëron në zhdukje, nëpër atë shtëpi në mes të atyre pemëve, e vjetër por që mbahet mirë. Mund të mbyll sytë dhe mund ta kujtoj itinerarin e kësaj rrugës tjetër nga ajo që ka bërë makina jonë – udhën që ka përshkruar syri dhe mendja ime.

Rruga ishte e gjatë, por e bukur. Ishte sikur zhytej në thellësi: në hapësirë [dhe në kohë]. Largoheshim nga Shkupi dhe ngjiteshim në thellësi. Ndërsa makina përparonte nëpër një peizazh aq të ri për mua, por si të njohur, dalluam borën që si pluhuranë kishte mbuluar pemët dhe shkurret.

– Borë!

– Po, sepse jemi në të njëjtën lartësi me Korçën.

“Korça!”, ja pra. Prandaj m’u duk se po e njihja rrugën: po më dukej se po shkoja në Korçë! Ja ku u bashkua në një vijë logjike a gjeografike a historike [kush mund ta gjejë?!] qyteti tjetër që i shton edhe më shumë mallëngjim fundit të nëntorit. “Korça”, jo e sotmja, por ajo e përfytyrimeve të mia të së djeshmes, e rreshtave të lexuara nga jeta e heronjve të mi, e njeriut që do të doja ta njihja, t’i kisha qenë vetëm një ditë në krah. Ajo “Korçë” m’u ngjit nga pas për në Manastir.

Manastiri është gjithnjë Manastiri, dhe nuk mund ta përmend atë emrin tjetër që shënohet në tabelat shenjuese të rrugëtimit, emrin që të shfaqet në celular kur i kërkon google-it të të drejtojë. Kështu që edhe pse ti po hyn në një qytet me një emër tjetër në të tashmen, ai nuk do të pushojë të jetë gjithnjë po ai që ti e di.  Sepse unë kam ardhur për të gjetur imazhet e munguara që m’i kanë përvijuar fjalët e shkruara qindra vite më parë prej atyre që kam dashur t’i njoh.

Qyteti është si të gjitha qytetet e bukura që imagjinon t’i shohësh një ditë, ku ëndërron të arratisesh në kohët kur i yti të duket i vogël, i lodhshëm, pa dashuri. Manastiri na u duk një qytet i gjerë me një lumë që e përshkonte tej e tej, me godina të bardha e të verdha në të dy krahët e lumit, të radhitura njëra pas tjetrës me durim dhe ngadalë në kohë. Qyteti dukej i hapët, si ti kur shtrihesh i shpenguar dhe përkap me gjymtyrë gjithë hapësirën që dëshiron. Asgjë nuk të kufizon.

Dhe ashtu si ti e do, njerëz kishte aq pak në rrugë, dhe makina edhe më pak: një madhështi e zhytur në qetësi. Në qetësi dukej edhe shëtitorja kryesore e qytetit, me dhjetëra njerëz të ulur në kafene, duke biseduar me njëri-tjetrin, në orën e mbylljes së punëve. Mu aty të vjen ndërmend se ky qytet është në Ballkan. Ajri ishte aq i ftohtë sa e ndjeva veten në majë të malit, ajër i kulluar nga ftohtësia.

Qendra duket se ka rrëshqitur pak në kohët moderne, dhe pas ndërtesave më shumë se njëshekullore radhë-radhë, dy, vetëm dy të tilla të kujtojnë se sapo e kemi mbyllur shekullin e 20-të. Dhe si për t’i ngatërruar në mendje kohërat, ngjarjet, personat dhe personazhet, fletët e librave dhe heronjtë, ja muri anësor i një ndërtese 3-katëshe me një orë në gjithë faqen që shikon në shesh. Tri katet e saj kanë tri shekuj distancë nga njëri-tjetri. Mbi kryet e saj me shkronja të mëdha kumti dymijëvjeçar i filozofit “Panta rei”.

Të nesërmen dielli shndriste aq shumë nëpër rrugë, sa gjethet e rrapave dukeshin si copëza qelqi me shumë ngjyra: të verdha, portokalli, të kuqërreme. Ujërat e lumit vezullonin nga çdo anë që ta shikoje atë: nëse kaloje mes përmes urave prej guri, betoni a druri, i kalojë përbri, në njërën anë apo në tjetrën. Në atë të ftohtë të zakontë të një mëngjesi vjeshte të tretë në Manastir ndieje aq ngrohtë, ndieje aq dritë.

– Shkojmë në shtëpinë e Kongresit?

Ne vinim nga Pazari i Vjetër. Në ato rrugë shumëshekullore koha nuk kishte ecur as me hapat e turistëve të ngeshëm si ne. Edhe po të mos e kisha parë shtëpinë që e ka bërë të famshëm qytetin për shqiptarët, mua do të më mjaftonte ky takim me këtë qytet. Ai është shumë më tepër për mua sesa shtëpia e Kongresit. Por i kthyem hapat dhe u bashkuam me ata që kishin ardhur për të parë më së pari Muzeun.

Rruga deri të shtëpia-muze shkonte përbri lumit, një rrugë e gjatë, e gjerë, e zhytur në qetësi. Ecëm afër ndërtesave të vjetra publike, ndërtuar në kohë të ndryshme, të mirëmbajtura aq sa ta dalloje shenjën e shekullit që kishte kaluar në mure, në dritare e në kangjellat që rrethonin oborret e vogla. Kur filloi të ndihej pak lodhja, ja ku ishim në murin e katit të parë të ndërtesës së Kongresit. Priteshin vizita nga autoritetet shqiptare e maqedonase dhe ne arritëm të ngjitnim vetëm shkallët e drunjta brenda ndërtesës dhe të shihnim dyert e vjetra prej druri, të kyçura me dry, të dhomave të vogla ku dikur ishin biseduar dhe vendosur gjëra shumë të mëdha. Befas m’u kujtua Parashqevia. Nuk mund të ikja pa lënë një shenjë. Jo për vete. Për atë. Dhe shkrova në librin e shënimeve: “Në emër të Parashqevisë ka ardhur sot Teuta”.

Zbrita pa trishtim. E çfarë mund t’u shtojë kujtimeve të mia, mendimeve të mia, qëllimeve të mia, ndjenjave të mia shikimi i disa fotografive, i disa objekteve të kohës, i  librave të botuar, i “shkronjave tona[1] të ngulitura tek e tek dhe pa kuptim nëpër mure, i sendeve prej metali dhe druri nga “ajo” kohë?

Zbrisja shkallët sikur të isha banore e qytetit që po shoqëronte disa turistë entuziastë, pa asnjë ndjenjë të re. Sapo dola, ndjeva zhurmën e lumit dhe kalova rrugën për t’iu afruar dhe për t’ia dalluar thellësinë. Qëndrova aty derisa rrjedha e lumit të mos kishte asnjë të re për të më treguar. U ktheva të shoh përballë shtëpinë e Kongresit, shtëpinë e Gjergjit, shtëpinë ku nënë Maria kujdesej për miqtë e shumtë. Dhe ndërsa u ktheva ta shoh, pashë shtëpinë që e kam parë në aq faqe libri, në aq fotografi të kohës, në pulla poste, në stema që vihen në gjokse një herë në kaq vite. Një shkulm ndjenjash më ngrohu dhe më shtrëngoi kraharorin. U mallëngjeva prej vërteti. Të mitë janë këta lot? Pse?

Dhe që prej asaj dite nuk e heq prapë nga mendja Manastirin. Një copë e imja [e jona] e shkulur dhe e ruajtur aq mirë, po aq larg. Tani nuk është vetëm një grumbull fjalësh.

(c) Autorja

(*) Teuta Toska është përgjegjëse e departamentit të gjuhësisë, Fakulteti i Shkencave Humane, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan


[1] Himni i alfabetit shkruar nga Parashqevia e përsërit këtë tog në çdo strofë, p.sh. “shkronjat tona janë të arta / këto duamë”.

4 Komente

  1. Na dhe emocione të shumta profesore, me këtë vizitë magjepëse të shkruar! Të përshëndes dhe uroj gjithë shqiptarët të kenë mirësinë të vizitojnë qytetin dhe shtëpinë e Kongresit të Shkronjave Shqipe, Manastirin e dashur!

  2. Po,po është objekti Muze i Manastiri ku i dha jetë motra ime Mendushe Ajdini, që punoi pa u lodhur kurrë vetëm e vetën të senzibilizojë çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, por këtë nëntor edhe pse e priste me padurim nuk arriti të japë kontributin e sajë të palodhshëm.
    E la këtë botë mu në ditën e alfabetit të gjuhës Shqipe, muzeu mbeti pa një puntore të devotshme,pa një albanologe, pa një cicërone.
    U prehsh në paqë në tokën e Manastirit motra ime e dashur,lavdi veprës dhe punës që bëre për të ndritur popullin shqiptarë të Manastirit që ishin drejt asimilimit.

  3. Shkruani: “Kështu më duket se janë të gjitha simbolet e identitetit kombëtarist: të pabukura…”.
    Është e pabukur dhe pa shije e kuqja, e zeza, penda e bardhë, apo pushka e zezë?

    1. Në fakt, unë them “më duket se janë…”, çfarë do të thotë se nuk po flas me aq siguri dhe është veçse një ndjesi e imja.
      Pastaj mendoj edhe se disa imazhe që janë të përsëritshme dhe aq të pranishme në shikimin tonë, e humbin dalëngadalë befasinë dhe goditjen që ta krijon takimi me të bukurën.
      Dhe të falënderoj që e ke lexuar shkrimin me kaq vëmendje

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin