Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim

SURREALIZËM ADMINISTRATIV III

Xhandarmëria e ushtron zanatin e saj në një territor jo të njëjtë me atë të policisë. Përgjithësisht është e pranishme në zona  rurale dhe kontrrollon trafikun ndërqytetës,  por kjo nuk vlen kushedi se çfarë për ta shpëtuar nga fataliteti i të qenit objekt barsoletash nga më të ndryshme. Veçse këtë herë nuk është fjala për gjëra të sajuara dhe kjo provohet nga fakti se të gjitha janë të dokumentuara me shkrim… nga vetë xhandarët.

Meqë era ndërroi drejtim, plumbi bëri një gjysmë rrotullimi dhe u kthye andej nga kishte ardhur.

Shpjegimet e tij ishin aq të paqarta saqë ne u detyruam ta lirojmë meqë nuk kishim asnjë provë se mund të kuptonim shpjegimet e tij.

Dy hajdutët kishin një bashkëpunëtor që me siguri ishte një hajdut i tretë.

Personi e kërcënoi brigadierin se nëse ai i fliste me atë ton edhe ai do t’i përgjigjej po me njëjtin ton.

Kur mbërritëm ne vetura tashmë kishte vdekur nga plagët e marra.

Personi pranoi me shumë dëshirë të vinte me ne megjithëse nuk donte.

Në atë çast i vdekuri lëvizi dhe kjo na bëri të dyshojmë për identitetin e tij.

Meqenëse personi mohonte fajin e tij, ne e arrestuam…

Burri kishte marrë hallatet e tij në dorë dhe i tundte para vitrinës së dyqanit të të brendshmëve për gra, nën vështrimin e dëshpëruar të ankueses.

Kur kundërvajtësi bërtiti « gomar i madh ! » në kurriz të tij, brigadieri në shërbim kujtoi se ishte i tillë dhe e gjobiti.

Burri që ishte po aq shurdh sa edhe e shoqja, dukej se nuk merrej vesh mirë me të.

Personi u përgjigje gojarisht se nuk do të na përgjigjej veçse me shkrim.

Pas anketës, unë dhashë përfundimet e mia me unanimitetin tim..

Kufoma ishte parë të kalonte përmes fshatit me biçikletë ditën e vdekjes…

Burri hyri i qetë në shtëpinë e tij, pa i rënë në sy që kishte vdekur…

Me ta zënë gafil duke shurruar të dera e një veture që kishte ndaluar, individi na vuri re dhe u përpoq të fshihte seksin e tij me dorën e djathtë, gjë që fatkeqësisht doli të jetë e pamundur për shkak të përmasës së seksit të sipërcituar që neve na u duk fort më i madh se përmasa e dorës të cilën ai e përdorte për ta fshehur. Me të konstatuar fajin, e gjobitëm.

Që prej disa muajsh, personi terrorizonte familjen e tij me një dajak që nuk kishte asgjë njerëzore…

E morëm në pyetje të dyshuarin, i cili refuzoi të na tregojë identitetin e tij me motivin se ne e shohim çdo ditë te kafeneja e fshatit dhe prandaj atij i pëlqente të ruante anonimatin…

Vërejtëm se qeni bënte veprime të turpshme në publik dhe për këtë arsye i kërkuam të zonjës të merrte në dorë situatën.

Asnjë provë nuk u gjet në vendin e krimi, përveç çiftes së gjahut me të cilën ishte kryer vrasja.

Në atë çast i burgosuri iku duke marrë me vete edhe radiatorin ku ishte lidhur.

Personi pranoi se ai vërtet e kishte goditur kundërshtarin e tij me manivelë, por duke u kujdesur të mos i shkaktonte dhimbje.

I ulur në makinën e tij personi bënte gjoja sikur priste autobusin.

Personi ishte një tetëdhjetëvjeçar në lule të moshës.

Meqë nuk mund ta merrnim në pyetje veturën, ne vazhduam me verifikimet e rastit..

Personi ishte dehur për vdekje, meqë ishte e diel…

Megjithë festën e Vitit të ri që zhvillohej brenda, ai kishte guxuar të urinonte në murin e kishës…

Personi u fut brenda gruas së tij dhe doli me një armë të tipit top gun…

Në furrën akoma të ngrohtë të furrëpjeksit ne zbuluam trupin e ngirë të të vetëvrarit.

Karroceria e makinës nuk ishte veçse një kafshatë për kafshën.

Ai ngiste kamionin prej disa orësh me pamjen e shkujdesur të një të dyshuari.

Megjithëse i mungonte një krah, të gjithë e dinë se ai nuk është dorac.

Ankimi i saj u regjistrua pa shumë interes nga ana jonë, sepse nuk ishte hera e parë që gruaja ishte cilësuar nga ne si një recidiviste ankimesh pa interes. Kur zoti Kryetar i bashkisë erdhi të na njoftojë se gruaja kishte vdekur në mënyrë të dyshimtë ne u interesuam për ankimet e saj dhe nisëm një hetim që vazhdon…

Me ta arrestuar gjatë një kontrolli rutinë, vjedhësi pretendonte se kishte grabitur qirinjtë për të ushqyer fëmijët e tij…

Atë çast vetura hyri në bashkëpunim me një kamion.

Personi pretendonte se kishte marrë nishan një lepur, por me këtë rast vrau komshiun e tij…

I zoti i lokalit pranoi se e ka kërcënuar ankuesen me një pushkë të zemëruar.

Ankuesi, që dukej hapur se ishte i dehur, pretendonte se quhej Jesus dhe firmosi formularin me një kryq.

Po qe se xhandarët tanë nuk do të kishin ndërhyrë, përdhunimi nuk do të kishte ndodhur kurrë.

Te kryqëzimi i quajtur « La Roquette » vetura bëri ca shenja të dukshme me dorë dhe shkoi e u përplas pas murit.

Burri shëtiste krejt lakuriq në mes të rrugës, i veshur vetëm me një paruke bionde, që nuk e fshihte dot anatominë e tij.

Përfundimisht, i arrestuari pohoi vjedhjen që kishte bërë dhe ndonjë vrasje…

Me t’u arrestuar nga xhandarët, vjedhësi i kërcënoi se do të njoftonte policinë.

Personi pretendonte se vjedhjet do të qenë bërë nga një sozi e tij, që nuk i ngjante shumë, por gjithsesi i ngjante diçka…

Duke na u lutur që të pranonim ndjesën e tij, personi na pohoi që plagët ishin shprehje e mendimeve të tij dhe kështu incidenti u mbyll.

Eshtë vërejtur që të dy veturat janë përplasur me njëra tjetrën saktësisht në të njëjtën ditë…

Meqë e adhuruara nuk i pranoi shprehjen e dashurisë së tij, M. Viande, nguli një thikë në mishin e tij.

Personi ishte vërtet i verbër, siç pretendonte. Pantallonat e tij të njollosura e provonin mirë një gjë të tillë.

Fort i inatosur ai hëngri një mollë të tërë duke skërmitur dhembët…

Pak të vdekur ishin aq llafazanë sa ai.

Tamam aty ku kryqëzoheshin dy rrugët, muri goditi me forcë veturën..

Kufoma nuk dukej se i zotëronte të gjitha aftësitë e saj…

Duke qenë i zhdukur prej pothuaj tre javësh, personi nuk kishte dalë nga shtëpia e tij ku shumë banorë të fshatit kishin mundur ta shohin të tërin, megjithë mungesën e tij.

I fajshëm apo i pafajshëm personi e tregonte dukshëm fajësinë e tij.

Kur e mbërthyem nga pas, gruaja tentoi të zbythet, që të shkëputej më mirë…

Një goditje e fortë me çekiç e kishte gozhduar në shtrat për dy javë.

Ritkusi i të vdekurit deformonte buzëqeshjen e tij.

Pa bërë fjalë, personi zbatoi të gjitha urdhrat që askush nuk ia kishte dhënë.

Personi u akuzua menjëherë për veprime të turpshme. Shkaqet e zjarrit ende nuk janë përcaktuar…

Kur u gjet me kafkë të thyer me çekiç nga kalimtarët, viktima nuk ishte në gjendje të jepte shpjegime për agresionin e urryer nga i cili ishte viktimë.

I varuri kishte vdekur i mbytur.

Kur u kap me një pushkë të mbushur dhe nja njëzet fishekë, personi këmbëngulte të na bindte se po shkonte për peshk…

Meqë duhej të shtrohej sa më shpejt në një çmendinë, atë e sollën në xhandarmëri.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin