Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Letërsi

KALI I DETIT

Lexova këto ditë për tezën e një arkeologu italian, Francesco Tiboni, të Universitetit të Marsejës: sipas tij, Kali i Trojës paska qenë, në fakt, anije.

Keqkuptimi, siç ndodh në raste të tilla, i detyrohet një gabimi në përkthim, meqë hippos, siç e quanin kalin në greqishten e vjetër, ishte në fakt një lloj anijeje – fenikase – që quhej “Hippos.”

Te Plini plak gjendet një shpjegim për emrin: këtë model anijesh e pat shpikur një mjeshtër i quajtur Hippus. Ndoshta për shkak të homonimisë, këto anije përdornin një kokë kali si zbukurim të bashit.

Hippos-i fenikas, barelievi në Kohrsabad.

Nuk është, në fakt, e vështirë të përfytyrosh ngjashmëritë mes teknikave të ndërtimit të një kali gjigand prej druri dhe një anijeje – aq më tepër që atë të Trojës e patën ndërtuar mjeshtrit mirëmbajtës të flotës greke.

Dhe do të ketë qenë shumë e lehtë të fshihje një grusht luftëtarësh në barkun e një anijeje, sesa në barkun e një kali.

Hipoteza intrigon, edhe pse të flasësh për “të vërtetat” e luftës së Trojës jashtë Epeve të Homerit duket si ushtrim skolastik.

Përndryshe, në një plan më abstrakt, edhe anija edhe kali nuk janë veçse mjete për t’u zhvendosur: anija në det, kali në stere. Siç e thotë edhe fjala, njeriu të dyjave u hipën – në fakt, foljen shqipe hipi e kanë krahasuar me greqishten e vjetër hippos.

Pa folur pastaj që edhe anijen e supozuar Hippos, edhe Kalin e Trojës, mund t’i përfytyrojmë si enë për të mbajtur dhe bartur njerëz.[1]

Kali mitik i Trojës mbante brenda vetes çetën e luftëtarëve grekë që pastaj do të hapnin portat e qytetit; por edhe anija, si objekt abstrakt dhe platonik, nuk është veçse brendësi e kulluar.

Tek një nga esetë e tij të njohura (“Nautilus et Bateau ivre”), Roland Barthes vëren se anija, në një nivel më të thellë, është simboli i përmbylltësisë (clôture), dhe se shumë anije në legjendë dhe në fiction shënjojnë vetizolimin e kujt kërkon të shijojë një univers të mbyllur, të rrumbullt dhe të lëmuar.

Barku i Kalit të Trojës, njëlloj sikurse hambari i anijes Hippos (dhe i balenës që gëlltiti Jonas-in) funksionojnë kështu si mjedise të vetëmjaftueshme: kur janë fshehur brenda Kalit, grekët kushedi nuk do ta kenë ndier urgjencën për të dalë andej sërish.

Përndryshe, kuajt dhe anijet mjaftojnë, për ta përmbyllur eposin homerik edhe nga jashtë.

Lufta e Trojës, nga ky këndvështrim, nuk ishte veçse përpjekje e grekëve jashtë, për të hyrë brenda mureve të qytetit: një akt penetrimi titanik, që do të përkonte edhe me fundin e Trojës vetë.

Por ky penetrim, nga jashtë -> brenda, realizohet vetëm kur ata pak grekë të fshehur në barkun e Hippos-it arrijnë të dalin nga brenda -> jashtë, ose në kah të kundërt.

Kjo dinamikë e kundërvënies midis një brendësie dhe një jashtësie i shoqëron të gjitha kronikat e rrethimeve të kështjellave në histori. Për t’u shënuar edhe zgjidhja gjeniale e Gjergj Kastriotit, që duke ndenjur ai vetë jashtë mureve të Krujës gjatë kohës që osmanët ia kishin rrethuar kështjellën, i shndërroi forcat osmane nga rrethues në të rrethuar.

Sikurse ndeshet edhe tek “Odiseja”, e cila rrëfen endjen shumë-vjeçare të Uliksit përjashta, dhe më pas hyrjen e këtij në Itakë, në fillim po aq fshehurazi sa edhe grekët në barkun e Kalit (a të Hippos-it) e më pas, pas një masakre të domosdoshme, brenda vetë Penelopës.

Barthes-i e krahason anijen me një shtëpi perfekte, superlative, sepse përfundimisht të mbyllur. Duke folur për anijet e Jules Verne-it, ai vëren se largësitë e lundrimeve të tyre veçse ua shtojnë magjinë e përmbylltësisë, ose përsosmërinë e humanitetit të tyre të brendshëm.

Por përfundimisht e mbyllur është edhe një kështjellë e rrethuar, e cila bëhet perfekte vetëm e vetëm ngaqë prej saj nuk mund të dalësh më.

Në këtë kuptim, Kali i Trojës, anija Hippos, Troja dhe vetë Itaka ishull në mes të detit nuk do të ishin veçse forma të së njëjtit objekt mistik; dhe ri-interpretimi i rrëfimit homerik veçse kalim nga një formë në tjetrën, nën diktatin e shifrës së arsyes.

 


[1] Shqipen anije e afrojnë etimologjikisht me enë; të krahasohet edhe italishtja vascello, frëngjishtja vaisseau dhe anglishtja vessel, që vijnë në analizë të fundit nga latinishtja vascellum, nga vās, vāsis me kuptimin “enë, pjatë, vazo”.

4 Komente

  1. “Αἰδοίου θρίξ ναύν ἔλκει ἐν τοῖς ὄρεσι” është një shprehje që i atribuohet Homerit (ose bashkëkohësve të tij). Në shqipe do të ishte: “Qimja e vaginës zvarrit anijen nëpër male”. Ça s’bën vaki, ça s’bën vaki…

  2. Interesante kjo hipoteza e Kalit te Detit, perderisa kemi te bejme me kultura detare, me shume gjasa ka te adhuronin anijen sesa kalin, dmth edhe si simbol te fitores trojanet te fusnin brenda mureve nje anije mikenase sesa nje kale.Por kjo hipoteze do te kishte nevoje per raste te ngjashme kur fituesit fusin ne menyre simbolike nje anije te armikut te mundur brenda qytetit.

    Zakonisht Kali i Trojes neper rrethime ka qene ndonje ushtar apo oficer roje i te rrethuarve, i cili i ka lejuar te hipin neper mure gjate kohes se rojes, trupa speciale rrethuesish kane hyre brenda dhe kane hapur dyert. Ka rrethime pafund qe nga antikiteti deri vone ku Kali i Trojes ne fakt ka qene kolona e peste ose thjesht nje i korruptuar i oreve te fundit.
    Epoka dyshekullore e kryqezatave mbase nuk do te kish ekzistuar fare nqs, ne rrethimin e Antiokise, kryqtaret, nuk do te kishin korruptuar nje ushtar roje nga te rrethuarit, te cilit si per ironi te fatit kryqtaret i vrane pa dashje vellane ne masakren qe vijoi pas marrjes se qytetit.

    Realiteti i renies se Trojes mund te kish qene kaq i rendomte e prozaik sa i shume qyteteve qe kane rene prej tradhtise se nje ose pak ushtareve mbrojtes, keshtu qe Kali i Trojes mund te jete nje nevoje e rrefimit qe nje qytet aq madheshtor e nje lufte aq epike te mos perfundonte ne nje menyre kaq te zakonshme dhe pak heroike, sa eshte korruptimi i nje ushtari roje.

  3. Lidhur me mitin e Kalit te Trojes , Kadare tek Perbindeshi ka nje qasje tjeter:
    Sipas persiatjeve te Gent Ruvines, kipci fiksional i IK, greket pas dhjete vjet rrethim, u binden (apo u lodhen) se Trojen nuk mund ta mernin dot me lufte.
    Kesisoj pregatiten Dredhine e Madhe: nisen nje delegacion per bisedime me trojanet. U arrit nje marreveshje ku konfirmohej terheqja e tyre (ndoshta dhe reparacione lufte per trojanet). Bisedimet u mbajten fshehtas , sikurse fshehtas u fut delegacioni akejve ne Troje.
    Por terheqja ishte truperuese per Greqine fuqi e kohes. Dhe pikerisht per te mbuluar te verteten, paralelisht me bisedimet, pergatiten Kalin e drunjte. Trojanet e pranuan si dhurate. Kali ishte bosh brenda.Kali ishte Forma bosh. Thelbi , delegacioni, ishte jashte tij.
    Trojanet, kur pane se ne muzg greket u hypen anijeve, hapen portat, futen Kalin brenda dhe nisen festimet.
    Greket u kthyen . Porta , nga pakujdesia e harese, ishte harruar hapur prej trojaneve. The rest eshte e ditur cfare ndodhi.
    Greket perdoren dredhine e dyfishte ( marreveshje-kale ) per trojanet ( tek te cilet kishte pro dhe kunder pranimit te Kalit).
    Dredhia ishte per trojanet por dhe masen e ushtareve, te shteteve aleate dhe vete Historine.
    Ketu fillon ngjizja e Mitit. Barthes tek Mitologjite thote se Miti eshte nje forme dhe kuptim. Miti eshte nje mesazh i cili deformon dhe devijon te verteten.
    Duke u bere Forme, Miti boshatis historine e vertete dhe derdh ne te nje permbajtje te re te deformuar.
    Deformimi ne Mitin e Kalit eshte se akejte Kalin e Drunjte e perdoren si maskim te marreveshjes kurse ushtareve, aleateve dhe mbare botes i kumtuan se luften e fituan fale dinakerise dhe trimerise se ushtareve ne barkun e Kalit.
    Barku i Kalit ishte bosh. Ashtu sikurse bosh eshte vete zemra e Mitit.

  4. Ne kete kuptim, sterhollim dhe hullim te subjektit ne fjale, i bie qe dhe vete planeti yne eshte i njejti objekt mistik, sepse rrotullohet vetem ne hapsire dhe nuk do jete cudi kur te na lere te gjithve me goje ne gisht! Ndaj do thoja, se kjo (hipo)teze e ketij arkeologut italian nuk eshte as me shume e as me pak (dhe as e re) nga ato (hipo)teza te tjera ne lidhje -bie fjala- me varken e Noes, hapjen e detit, etj. Ndaj dhe diskutimet e mepasme i ngjajne asaj fjales se urte popullore shqiptare, nje budalla hedh nje gur ne lum dhe 20 shkencetare vrasin mendjen perse budallai e hodhi gurin ne lume!
    Te gjitha ngjarjet mitollogjike shprehin te vertetat permes simboleve; dhe ketu kali eshte padiskutim nje figure simbolike e caktuar, ashtu sic eshte ne te vertete e gjithe lufta e Trojes! Sepse duhet te jesh shume budalla te besosh se njerezit e kesaj kohe ishin aq budallenj, sa do te fusnin ne qytet nje kal druri pa e kontrolluar apo pa e ruajtur!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin