Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

PARAARDHJA

Duke shfletuar kuturu komentet e lexuesve për romanin Uria të Knut Hamsun-it në Amazon, ndesha në këtë vlerësim të mistershëm:

(Influencë madhore ndaj gjithçkaje që i parapriu).

Ndoshta autori me “preceded” kish parasysh të kundërtën, ose “followed” (“erdhi më pas”) – çfarë do të ishte edhe shpjegimi më logjik.

Por mua më pëlqeu ta lexoj literalisht; ose si një aluzion se një vepër letrare ndikon (edhe) në çfarë i ka paraprirë, duke na bërë që t’i lexojmë veprat e mëparshme ndryshe.

Për shembull, ndikimi i romanit 1984 të Orwell-it mbi romanin Ne të Zamjatinit (duke pasur parasysh që Orwell-i e kish lexuar këtë të fundit); ose ndikimi i Orestia-s së Eskilit mbi Iliadën e Homerit.

Thënia enigmatike e lexuesit anonim të Hamsun-it i referohet – dashur pa dashur – edhe vërejtjes të Borges-it se “çdo shkrimtar i krijon pararendësit e vet” (cada escritor crea sus precursores).

Ja si e arsyeton Borges-i këtë: duke folur për Kafkën, ai përmend një numër autorësh të mëparshëm, të cilët i ngjajnë Kafkës, por nuk i ngjajnë njëri-tjetrit; sikur Kafka të mos kish shkruar kurrë asgjë, thotë Borges-i, nuk do t’i shihnim këta autorë kurrë së bashku.

Kështu, poema e Browning-ut, “Fears and scruples”, e paraprin veprën e Kafkës, por leximi prej nesh i Kafkës dukshëm na e transformon edhe leximin që ia bëjmë sot asaj poeme.

Kjo do të thotë, vazhdon Borges-i, se vepra e çdo autori na e modifikon konceptimin që kemi për të kaluarën – me kusht që ne ta lexojmë, do të shtoja unë.

Ideja është tashmë integruar në aparatin teorik të letërsisë së krahasuar dhe të historisë së letërsisë; edhe pse jo aq sa duhet, në studimet albanologjike – a nuk do të ish me interes të studiohej, mes të tjerash, ndikimi i Lasgushit te Naim Frashëri?

Me kusht që të gjejmë aq forca në vete sa të pranojmë paradoksin, mund ta shtrijmë këtë metodë edhe përtej letërsisë.

Pata shkruar dikur se çështje kyç në albanologji është të ftillohet nëse ilirët kanë rrjedhur apo jo prej shqiptarëve – një pyetje që për mua mbetet edhe sot më logjike se e kundërta e saj.

Koncepti i “prejardhjes” ose i “origjinimit” vërtet i ka rrënjët në pakthyeshmërinë e kohës; por vendosja e ngjarjeve në kalendar është, në vetvete, banale.

Shto këtu edhe që, sa më thellë të shtyhemi në kohë, aq më shumë kemi nevojë për të tashmen, që të kuptojmë të djeshmen.

Ngaqë Racine-in e kuptojmë më mirë se Sofokliun, asgjë nuk na pengon që ta lexojmë Sofokliun në tonalitetin e të parit.

Nga ky këndvështrim, mund t’i japim një interpretim të ri edhe thënies “The child is the father of man,” që del në poemën “My heart leaps up”, të Wordsworth-it: sepse edhe fëmija, si shkrimtari i Borges-it, i krijon vetë pararendësit.

(Cili ishte ai prind që nuk u shndërrua në njeri tjetër, përmes eksperiencës prej prindi?)

Për ta thjeshtuar edhe më: filmi Shutter Island, i Scorcese-s, është nxjerrë nga romani homonim i Dennis Lehane; por shumë e kanë lexuar romanin – dhe e kanë shijuar – pasi kanë parë filmin.

Dhe meqë arritëm këtu, atëherë pse të mos guxojmë edhe pak, dhe ta zbatojmë të njëjtën metodë në interpretimin e historisë?

Ashtu do të mund të shpjegonim Revolucionin e Tetorit me Luftën II Botërore, lindjen e nazizmit në Gjermani me Luftën e Ftohtë dhe rendin imperial në Japoni me bombën që shpërtheu në Hiroshima.

Ose, për t’u kthyer tani në votrat tona, do të mund të niseshim nga diktatura e proletariatit, për të shpjeguar mbretërinë e Zogut; ose nga Enver Hoxha për të kuptuar më mirë Skënderbeun.

Eksperimenti mund të tingëllojë si shaka, por nuk është fare pa bukë: mjafton që të zgjedhësh me kujdes.

2 Komente

  1. Hem!.. U (mir)kuptua keshtu edhe i ati i Vladit (keshtu me duket se quhej) te Rumanise se para rreth 500 vjeteve, kur i biri (ky Vladi) futi ne denimin me vdekje perdorimin e bambuse nga poshte e deri tek koka, akt ky pas te cilit, ata qe e kishin share te atin me pare, thane ai kish qene lule! Ose me paksa keqdashje, (apo kushedi per hir te se vertetes), ne letersi mund te hidhet fjala per nje lloj perngjasimi (nenkupto: kopimi) i pasardhesit tek parakaluesi!
    E megjithate, eshte e vertete se nganjehere zbulohet nje veper apo teori e nje autori te kaluar (dhe harruar) prej (leximit te) vepres se nje autori te ri! Se si mund te ndikoje pastaj ky i riu tek i vjetri, ketu ia leme fjalen me mire shakase, apo figuralizmave dhe subjektivitetit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin