Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

KAFE ME PAK

Te Diario Notturno, Ennio Flaiano rrëfen një episod që e ka përjetuar vetë, në Romën e vitit 1948 – të sapodalë nga Lufta e Dytë, ende të varfër, të poshtëruar, me plagët të pambyllura.

Para një kafeneje në Via Veneto, dy fotografë amerikanë nxjerrin foto çasti të njerëzve të veshur mirë, që shijojnë ditën me diell. Italia vërtet sapo mund të ketë dalë nga lufta, por Via Veneto është Via Veneto. Amerikanët pastaj e zhvendosin objektivin dhe fillojnë të fokusohen te lypësit, që rrinë te dyert e kafenesë. Të pranishmit nuk e miratojnë këtë. Dalin nga lokali tre të rinj, u kërkojnë fotografëve që të largohen që andej, nuk duan që t’u fyhet atdhedashuria. Të pranishmit duartrokasin. Dëgjon të zihet në gojë “populli italian” dhe fotografëve të përtejdetit u bëhet thirrje të kthehen në vendin e tyre e t’i lënë italianët të vdesin rehat, në “mjerimin e tyre dinjitoz.” Edhe lypësit e miratojnë këtë, por nuk reshtin, megjithatë, së kërkuari lëmoshë, edhe pse – vëren Flaiano – me më shumë dinjitet se më parë, madje duke u ndier pak nacionalistë. Tek e fundit, duket sikur kërkojnë të thonë, Italia ka lypësit më të mirë në botë.

Flaiano-ja (1910-1972), që ua pat shkruar skenarët disa prej filmave më të njohur të Fellini-t, kushedi e ka pasur në mendje La Dolce Vita që atëherë; Via Veneto, një nga rrugët më elegante dhe luksoze të Romës, e ka marrë emrin nga beteja e Vittorio Veneto-s, moment vendimtar i aventurës italiane në Luftën e Parë Botërore; kujtimi i një fitoreje më të vjetër e bën më të dhimbshme katastrofën më të re; pa folur pastaj që në Via Veneto e ka selinë, dhe pikërisht në Palazzo Margherita, ambasada amerikane në Romë (që në vitin 1931), si përkujtesë e painjorueshme e hierarkive të Pasluftës; për emrin që ka, por edhe për shkak të famës së rifituar nga filmi La Dolce Vita i Fellini-t, Via Veneto gjithnjë ka shërbyer si magnet për turistët në Romë, përfshi këtu edhe vetë amerikanët, që kushedi ndihen mirë në afërsi të ambasadës së tyre; nuk është ndonjë çudi që kamerat e fotografëve që përshkruan Flaiano-ja më lart të kenë shërbyer, pa dashur, si paraprijëse a kasnece të filmit aq të suksesshëm që do të vinte më pak, aq më tepër si pika takimi midis “italianes” dhe “së huajës”, por edhe fiksuese të kontrastit mes luksit dhe mjerimit mu në zemër të Romës.

Por mua tek episodi i rrëfyer prej Flaiano-s më pëlqyen veçanërisht lypësit, që përjetuan një moment krenarie të beftë, teksa e panë veten si mishërim të Italisë “tjetër”, asaj që ish hequr zvarrë deri në dyert dhe vetrinat llamburitëse të Via Veneto-s por vetëm për të figuruar në një foto të amerikanëve, për t’u përjetësuar nga një foto e amerikanëve; se përndryshe do të kish mbetur, të paktën atje, e padukshme; madje jo vetëm e padukshme, por edhe e papranueshme, e papajtueshme me estetikën e dritës së pasdites – po ia lejoj vetes të përfytyroj se ishte pasdite – në qelqet e hoteleve, të dyqaneve dhe të syzeve të vizitorëve chic. Kur dëgjojnë protestat e klientëve të rrugës, lypësve u zgjohet vetëdija jo vetëm aktoriale por kushedi edhe klasore për rolin e tyre në logjikën e dritëhijeve të rrugës, dhe sakaq gjejnë shelbim te krenaria patriotike. Ndonjëri do të jetë edhe përlotur.

Nuk di pse mua, këtu, më shkoi pra mendja te ngushëllimi “o sa mirë me qenë shqiptar.”

2 Komente

  1. Ajo qe Flaiano nuk ka paraqitur apo qe ka lene per te nenkuptuar eshte perberja e grupit debatues, domethene nga kush perfaqesohej kjo Itali revoltuese ne kete perballje me dy fotografet amerikane. Perderisa ishte nje zone e shtrenjte, edhe ata tre te rinj qe dalen nga kafeneja per te kundershtuar fotografimin e lypesve para kafenese me siguri do kene qene ne gjendje te mire ose nga shtrese e pasur. Ishte vetem ndjesi nacionaliste thua apo edhe ceshtje statusi?
    Eshte interesante se si zonat e pasura jane magnet edhe per lypesit, ashtu sic edhe cdo kamarier do deshironte shume te punonte ne lokale klas ne zona klas, ku edhe bakshishet jane me te larta, ku edhe klientet jane me cilesore, sidomos financiarisht. Ishujt Hawaii per shembull, qe cilesohen edhe si parajse turistike vuajne ende nga nje krize per strehim te te pastreheve qe jane bere gjithashtu edhe problem pasi lypin rrugeve e ishujve etj. Ne disa vende te botes ndalohet me ligj lypja rrugeve, apo edhe ulja e shtrirja ne rruge te qyteteve, ne ca vende lypesit sot futen edhe ne burg, e ne vende te tjera autoritetet shteterore shkurajojne banoret per tu dhene lemoshe lypesve duke theksuar efektet negative ne shoqeri.
    Eshte interesante jo vetem simbolika e fotove por edhe se ku perfundojne ato. Gazetare te huaj mund te kene fiksuar karroca te terhequra me kale edhe ne zonen e Tiranes ne 2005, 2010 a me vone, e ca nga ato foto perfundojne ne artikuj ku perpiqet ti terhiqet vemendja lexuesit e shikuesit per kontrastet e thella qe ekzistojne. Po fqinjet si po e kalojne kete periudhe te pas-krizes se 2008?
    Tashme fotografet nuk pyesin me per leje,
    http://neoskosmos.com/news/en/Over-a-million-Greeks-live-in-extreme-poverty
    Nderkohe duket qe ne Itali e kane perfeksionuar edhe artin e pritshmerise, duke ia lene kohes te zgjidhe problemet e shumta,
    https://www.bloomberg.com/news/articles/2017-10-19/italians-have-perfected-the-art-of-waiting-it-out

    Me siguri eshte me e lehte te ironizohet me Shqiperine e Ballkanit, por edhe duke hamendesuar se cila do ishte doza e pranueshme apo e shendetshme e shfaqjes se krenarise kombetare ne ditet e sotme? Sa vend duhet te kete pozitivizmi e optimizmi?

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading