Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

KUR MUZIKA

nga Mikaela Minga

“Po një muzikologe çfarë dëgjon?” Ma bëri këtë pyetje një mikja ime, ndërsa diskutonim mbi rolin që ka procesi i të dëgjuarit në muzikë. Trajtës spontane së pyetjes m’u duk me vend t’i përgjigjesha në mënyrë po aq spontane: me çka isha duke dëgjuar në ato momente: Albumin në CD, me titull Fantaisie, interpretuar në duo nga Dhurata Lazo (piano) dhe Zija Bushi Bejleri (saksofon sopran/alto). Megjithëse nuk ish ky qëllimi, kureshtja ndaj albumit bëri që biseda të kalonte nga problematikat “tinëzare” të gjykimit mbi shijen muzikore, te përvoja konkrete të të dëgjuarit, siç ajo e një CD-je me repertor “klasik”.

Albumi në fjalë është publikuar jashtë Shqipërisë, nga dy muzikantë shqiptarë shumë të talentuar. Kështu, nga një anë feedback-u që kisha marrë prej dëgjimit dhe nga ana tjetër kureshtja e mikes sime u bënë sebep që mendimet rreth tij të mos ngeleshin thjesht bisedë, por të artikuloheshin në rreshtat e mëposhtëm.

Albumi Fantaisie përmban vepra të shkruara posaçërisht për saksofon dhe piano dhe disa transkriptime. Në të parat inkuadrohen autorë si Jean-Baptiste Singelée, Jerome Savari, apo Jean Baptiste Arban, që i përkasin shekullit XIX. Këta duhen përmendur ndër të tjera edhe si kontribues në integrimin e shpejtë që pati një instrument i krijuar rishtas si saksofoni në humusin tingullor romantik.[1]

Repertori i zgjedhur nga këta kompozitorë i jep tonin e përgjithshëm albumit; një ton diskret, por ftues për dëgjim; subjektiv, por i rafinuar; meditativ, por me një trazim të brendshëm që pulson në mënyrë kostante brenda veprave të përzgjedhura. Dëgjohet që në pjesën e parë, Fantaisie op. 89 të Jean-Baptiste Singelée, një vepër tipike e asaj që konsiderohet stili i vonë romantik francez, me një hyrje dramatike, reminishenca nga vokaliteti operistik dhe që pastaj, kalon në situatë të përmbajtur, për t’u mbyllur me një një atmosferë energjike plot eskpresivitet, me tiparet e një kapriçioje.

Kjo nuk i takon vetëm një pjese. Mund të flasim për një impostim estetik, me të cilin duoja Lazo – Bejleri pagëzon gjithë albumin. Fantazia (Fantaisie) është një krijim instrumental që buron nga “mjeshtëria dhe imagjinata e atij që e krijon”, thoshte Luis de Milàn rreth viteve 1535-36, koha kur kjo filloi të afirmohej si gjini e pavarur. Të njëjtat tipare ajo i ruajti deri në shekullin XIX, pra duke mbajtur statusin subjektiv në mënyrën si improvizimi dhe lirishmëria në trajtimin e materialit muzikor bashkoheshin me rregullin dhe qëndrimin strikt ndaj kanoneve formalë e stilistikë. Rreth këtij koncepti të fantazisë Lazo-Bejleri ndërtojnë gjithë lojën e tyre në duo, me një interpretim plot finesë e inteligjencë. Koncepti në fjalë përshkon gjithë veprat e tjera, ndonëse jo të gjitha futen brenda gjinisë së fantazisë.

E gjejmë mjaft bukur te Café 1930 e Astor Piazzolla-s, vepra më bashkëkohore në krahasim me të tjerat. Café 1930 është koha e dytë e Histoire du Tango (1986) shkruar në origjinal për flaut dhe kitarë. Në këtë interpretim për saksofon dhe piano duoja Lazo-Bejleri e vendos në raport shumë interesant me autorët e tjerë “klasikë” për saksofonin që gjenden në album dhe sidomos në raport me gjuhën muzikore të romantizmit të vonë francez, të cilit edhe Astor Piazzolla i detyrohet shumë në formimin e vet.

Ky koncept i fantazisë sendërtohet i plotë te Sonata e César Franck-ut, vepra më impenjative dhe sfiduese njëkohësisht e gjithë albumit. Kjo sonatë është një nga krijimet më sublime të romantizmit të vonë francez e më tej atij europian. Kritiku George Jean-Aubry e ka përshkruar artin muzikor të César Franck-ut si një “ankth i qetë”, shprehje kjo që u bë e mirënjohur. Muzikaliteti por edhe teknika e Zija Bejlerit në saksofon e sjellin një gjendje të tillë me një elokuencë krejt origjinale, ndërsa loja në piano i bashkëngjitet me shumë ekspresivitet dhe inteligjencë, rezultat ky i përvojës që Lazo ka në interpretimin e kësaj sonate edhe me duo të tjera[2] si dhe në përgjithësi në muzikën e dhomës.

I paraprirë ndër të tjera nga një tjetër album në duo – Albanian Memories, me violinistin Klajdi Sahatçi, me vepra të kompozitorëve shqiptarë të shekullit XX – ardhja sërish me formacion të ngjashëm në Fantaisie mbart në vetvete një lloj risku, të cilin Dhurata Lazo e kalon me shumë natyrshmëri duke ndërtuar së bashku me Zija Bushi Bejlerin një lojë elegante, me një ndërkomunikim i cili karakterizon gjithë pjesët, por shfaqet më i plotë te sonata në fjalë.

Në fund, regjistrimi i albumit në Fazioli Concert Hall, një hapësirë regjistrimi dhe koncertale me cilësi akustike për t’u pasur zili janë shenja përfundimtare e një pune të kuruar deri në detaj me inteligjencë artistike dhe, pa dyshim, plot fantazi.

 

(c) 2017, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

[1] Saksofoni është krijuar në 1840 nga Adolphe Sax dhe është patentuar më 1846.

[2] Vepra në fjalë është shkruar për violinë e piano, por ka njohur edhe disa transkiptime, ndër të cilët ai për violonçel është gjithashtu shumë i njohur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin