Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi / Totalitarizëm

FATI I DITARIT TË BULGAKOVIT

Një episod kurioz nga jeta e shkrimtarit rus Mikhail Bulgakov (1891-1940) mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë raportin mes dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe kulturës nën totalitarizëm.

Më shumë se për gjithçka tjetër, Bulgakovin sot e njohim si autor të romanit Mjeshtri dhe Margarita, që mbahet si kryevepër e prozës rusishte të shekullit XX; por në kohën kur ai ishte gjallë, publiku në Bashkimin Sovjetik e admironte sidomos për dramaturgjinë.

Në fakt, veprat e tij më të njohura në prozë, si romani në fjalë, por edhe një novelë satirike me titullin Zemra e qenit[1], nuk u botuan kurrë në të gjallë të autorit, por vetëm shumë më vonë.

I qortuar keqas për bindjet dhe qëndrimet e tij politike të lëkundura, por për prejardhjen e tij klasore dhe simpatinë që kish shprehur për “të bardhët”, Bulgakovi do të kish përfunduar pa ceremoni në burgjet dhe kampet e punës të regjimit, sikur të mos kish qenë për një lidhje të çuditshme, gati të pashpjegueshme, mes tij dhe Stalinit.

Në fakt, Stalinit aq shumë i pat pëlqyer drama e Bulgakovit Ditët e Turbinëve e vënë në skenë në vjeshtë të vitit 1926, sa thuhej se e pat parë të paktën 15 herë.[2]

Megjithatë, shkrimtarin vazhdonte ta persekutonte hap pas hapi burokracia e censurës totalitare, që me pretekste të ndryshme nuk po e lejonte as të botonte, as t’i vinte në skenë pjesët e tij teatrale.

Madje një vit para suksesit të dramës së tij për vëllezërit Turbin, dy oficerë të OGPU-së (policisë politike të Bashkimit Sovjetik) i patën shkuar atij në shtëpi me një autorizim për bastisje, dhe i patën konfiskuar dorëshkrimin e Zemrës së qenit si dhe një ditar privat, të mbushur me shënime subversive, që kujtdo në Bashkimin Sovjetik do t’i kishin kushtuar shtrenjtë.

Më kot u përpoq Bulgakovi, për disa vjet, që këto dokumente personale t’ia kthenin.

Edhe perspektiva e tij si autor i botuar dhe i vënë në skenë, në Bashkimin Sovjetik, po errësohej; pavarësisht nga simpatia që kish shprehur Stalini për të, censura po ia ndalonte veprat hap pas hapi. Edhe kritika e regjimit ish treguar tejet e ashpër me autorin; sipas llogaritjeve që kish bërë ky vetë, gjatë dhjetëvjeçarit 1920-1930, kish pasur 301 artikuj për të në shtypin sovjetik, prej të cilëve vetëm 3 lëvdues ose miqësorë, dhe 298 armiqësorë ose abuzivë.

Në këto kushte, Bulgakovi i shkroi personalisht Stalinit, në 1929, për t’i kërkuar leje që të emigronte jashtë Bashkimit Sovjetik, sa kohë që talenti i tij atdheut nuk po i hynte në punë. Një kopje e letrës i shkoi edhe Gorkit, që në atë kohë jetonte ende në Sorrento, afër Napolit.

Letra pati një efekt të menjëhershëm: Bulgakovit ia kthyen dorëshkrimet e konfiskuara, madje edhe ditarin – të cilin shkrimtari, me ta rimarrë në dorë, e asgjësoi sakaq, duke e djegur në zjarr.[3]

Siç rrëfen historiani Andy McSmith[4], ishte fat për kulturën dhe për studiuesit e letërsisë ruse, që policia sekrete i kish kopjuar të gjitha pasazhet “subversive” në ditar; dhe këto u zbuluan pastaj, në arkivat e KGB-së, nga gazetari Vitali Shentalinski më shumë se gjashtëdhjetë vjet më pas.[5]

Njëlloj siç ndodh sot me skedarët e ruajtur në një disk të ngurtë, që kërkojnë përpjekje të posaçme për t’u fshirë që andej në mënyrë të parikuperueshme, edhe një dorëshkrim subversiv mund të ketë qenë e vështirë për t’u zhdukur nën një regjim totalitar, nëse për të kish filluar të interesohej policia sekrete. Ti mund ta digjje, por kopje të tij do të mbeteshin – pa çka se në atë kohë kopjet bëheshin me dorë, ose me teknika fotografike. Madje regjimi, kur ishte veçanërisht kurioz për penën tënde, mund të t’i kopjonte dorëshkrimet nga skrivania, pa e marrë vesh ti, autori, fare.

Kësisoj persekutimi policor i Bulgakovit ndihmoi – tërthorazi – për ruajtjen e një pjese jo pa rëndësi të veprës së tij.[6]

Ka ngjashmëri midis këtij zbulimi dhe fatit të poemës së I. Kadaresë “Pashallarët e kuq”, e cila gjithashtu kujtohej si e humbur, por pastaj u zbulua në arkivat dhe ashtu u ndriçua në mënyrë ndoshta përfundimtare një aspekt deri atëherë i paqartë i marrëdhënieve të Kadaresë me regjimin, në vitet e mbrapshta 1970.

Po sa janë gjasat që në dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe në arkivat e tjera sekrete të Komitetit Qendror të PPSh-së, të LSHA-së dhe të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” të jenë ruajtur materiale letrare dhe dokumentare me interes për studiuesit e sotëm por edhe e sidomos për lexuesin e letërsisë shqipe?

Më tej akoma – a nuk u janë sekuestruar vallë, të persekutuarve, ditarë privatë, shënime, poezi dhe vepra të tjera letrare, të cilat sot marrin vlerë tjetër, madje jo vetëm dokumentare?

Zakonisht thirrjet për “hapjen e dosjeve” vijnë në kontekstin e fushatave për të vërtetën dhe të drejtën, ose të përpjekjeve për zbardhjeve të krimeve të regjimit totalitar në Shqipëri.

Ndoshta do të duhej folur edhe për vlerat arkivore të kësaj pasurie, që është mbledhur duke “fotografuar”, pavarësisht nga qëllimet djallëzore të ndjekësve, përditshmëritë private të viktimave dhe të ndjekurve.

Të paktën këtë ma sugjeroi episodi i mësipërm, me ditarët e Mikhail Bulgakovit.

 

(c) Peizazhe të fjalës, 2017


[1] Më pëlqen kaq shumë kjo novelë, sa do t’ia rekomandoja çdokujt, me forcë.

[2] Ka spekulime se Stalinit i pëlqente veçanërisht që Bulgakovi, në romanin e tij Garda e bardhë, vinte në gojë të një personazhi që nuk ishte veçse alter egoja e shkrimtarit vetë, një paralajmërim të kobshëm për Trockin, si e keqja e madhe e Rusisë; sipas disa të tjerëve, shtresa sociale së cilës i përkiste Bulgakovi e shihte bolshevizmin në Rusi si shfaqje të një komploti hebraik, të përfaqësuar në personin e Leon Trockit. Vitet 1926-1930 ishin edhe vitet e tatëpjetës së madhe të Trockit dhe të trockizmit në Bashkimin Sovjetik.

[3] Arsyet pse u veprua kështu nuk janë të qarta; ndonjë historian mendon se regjimi sovjetik kërkonte të shmangte me çdo kusht një reagim kritik nga Gorki, meqë plani ishte që ta bindnin këtë që të kthehej përgjithmonë në Bashkimin Sovjetik.

[4] Në librin Fear and the Muse Kept Watch: The Russian Masters—from Akhmatova and Pasternak to Shostakovich and Eisenstein—Under Stalin, The New Press, 7 korrik 2015, f. 71.

[5] Veç pjesëve të ditarit të Bulgakovit, Shentalinski zbuloi në arkivat edhe tekste të tjera me vlerë, përfshi poema nga Mandelstami dhe Kljuevi, dhe një roman deri atëherë të panjohur nga Andrei Platonov.

[6] Një vit më pas, në 1930, Bulgakovi i dërgoi Stalinit një letër të dytë, me të njëjtat ankesa dhe kërkesa. Këtë herë Stalini i telefonoi drejtpërdrejt shkrimtarit në 18 prill 1930, dhe e ftoi që të aplikonte për një vend pune, në Teatrin e Artit në Moskë (MAT); ashtu edhe bëri, për t’u emëruar menjëherë si asistent-regjisor. Përtej simpatisë personale, arsyet për këtë ndërhyrje të drejtpërdrejtë të diktatorit i kanë kërkuar edhe te frika e këtij se mos Bulgakovi vriste edhe ai veten, si Majakovski pak ditë më parë (në 14 prill 1930), çfarë do ta kish dëmtuar rëndë jo vetëm imazhin e Moskës në Perëndim, por edhe atë të regjimit stalinist përballë intelektualëve në Bashkimin Sovjetik, duke ia nxjerrë në shesh hipokrizinë.

3 Komente

  1. Në biografinë e tij për Stalinin, Robert Conquest ka një paragraf (të cilin nuk e citoj dot, se nuk e kam librin në duar) ku shpjegon (shkoj me memorje) që Stalini kishte një respekt të veçantë për shkrimtarët në përgjithësi, i trajtonte më me kujdes se të tjerët, kur i kritikonte shprehej gjithnjë në shumës “ne mendojmë…”. Është pastaj telefonata e njohur që i bëri Pasternakut për Mandelshtamin, një peng i Pasternakut…

  2. Arben, me sa duket paskemi te gjithe ndonje kujtim te vogel per te. Mua me vjen ndermend se kur i sugjeruan te ulte honoraret e shkrimtarve, ai nuk pranoi. Dhe thuhet se me nje liber te vogel qe mund te botoje ne kohen e tij, nuk jetoje keq (mbase edhe per shkak te tirazhit, botimit nga nje republike ne tjetren).
    Pastaj eshte rasti i Shollohovit. Thuhet se i kerkoi atij te bente komunist nje personazh kryesor te Donit te qete. Me vone Shollohovi iu pergjegj se e kishte pyetur Grigori Melehovin (personazhin e tij) por ai nuk pranoi te behet komunist.

    Keto gjera tregoheshin ne kohen e E. Hoxhes nga ish studente qe kishin perfunduar studimet ne BS, mbase edhe ata vete te tronditur ca qe censuar ne Tirane ishte mjaft me e ashper, se t’i pergjigjeshe Hoxhes ne ate menyre, te zhdukte me gjithe personazhet e tu.
    Perfundimi?
    Nganjehere ngaterrohemi ne zgjedhjet qe bejme en jete. Po qe se Stalini nuk do te kishte synuar te behej shef superem i BS por thjesht te lakmonte postin e kryetarit te Lidhjes se Shkrimtarve te BS, mbase so do te kujtohej per te mire, sikunder E. Hoxha te kishte synuar te behej drejtor i Liceut te Korçes (mbese do t’ia kishte mbushur mendjen francezve ta financonin edhe pas Lufte).
    ……….
    Kam ne dore numrin e sotem te revistes Pelerin. Nuk e di a ekziston ne linje, por shoh se idene qe jep Vehbiu ne shkrim e permend edhe nje speciliste e njohur e Rusise, Sophie Coeré. pyetjes e a ka gjera te reja qe mund te mesohen nga arshivat ruse per revolucionin, ajo i pergjigjet: Jashtezakonisht shume. Dhe veç arkivave personale te mbetura neper familje, ditareve personale te aristokratve te Saint Petersburgut, e ve theksin te dokumentet e konfistuara nga policia, nga te cilat thekson, shteti sovjetik nuk zhdukte asgje.

  3. Zemra e Qenit eshte bere film ne BS ne vitet 80. E rekomandoj per te gjithe. Eshte ne YouTube me titra anglisht.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin