nga Bekim Ramadani, Tetovë
Sa me vëmendje po e shikoja kandidatin për prefekt të komunës që po fliste me shumë përkushtim para turmës. Ishin jo vetëm idetë e tij që po ma ngjallnin kureshtjen për ta dëgjuar, por edhe mënyra se si qëndronte, se si ecte nëpër skenë, pastaj gjestet dhe lëvizjet e duarve që i koordinonte aq bukur me intonacionin e zërit, me frymëmarrjen e natyrshme dhe shikimin lutës.
“Nëse ma jepni votën, ju premtoj se Tetova do të jetë qytet i luleve, i shëtitoreve të shumta, i rrugëve të gjera, i pishinave të hapura e të mbuluara, i kopshteve të bukura, i varrezave të rregulluara… Të dashur bashkëqytetarë, ju garantoj se jeta e juaj do të ndryshojë në mënyrë radikale, ashtu siç ndryshojnë nata me ditën. Qyteti jonë do të ketë shkolla të reja me standarde të larta, fusha sporti, stadium ku do të mund të zhvillohen edhe lojërat olimpike, pastaj kinema verore e dimërore, qendra të përkryera tregtare dhe ekonomike… A nuk e meritojmë të kemi edhe një qendër të zhvilluar kulturore ku do të realizohen aktivitete me nivel të lartë artistik? Atë që Hektor Berliozi e përshkruante përmes shkrimit të tij utopik dhe futurist “Eufonia“ për qytetin gjerman Hertz, ne do ta bëjmë realitet për qytetin tonë. Pra, do të ndërtojmë lagje ku do të jetojnë vetëm artistë, lagje ku do të jetojnë vetëm sportistë, pastaj lagjen e mjekëve, të arkitektëve, të akademikëve e kështu me radhë. Tetova do të jetë një qytet krejtësisht tjetër. Do të bëjmë edhe një shtrat tjetër lumi ku do të rrjedhin idetë më të mira të njerëzve të ditur të cilat nëse nuk i shërbejnë ardhmërisë së ndritur të qytetit, do të pështyhen nga të gjithë kalimtarët. Duke përdorë përvojat më të mira të vendeve të zhvilluara, qytetin tonë do e bëjmë me nam. Nëpër gypat e qytetit do të rrjedhë ujë i kulluar dhe i pijshëm, në mushkëritë tona do të hyjë ajër i pastër, nëpër mendjet tona do të qarkullojnë vetëm mendime të drejta dhe të bukura. Në periferi të Tetovës do të ndërtohet fabrika më e përkryer për riciklimin e mbeturinave, ndërkaq nga Deti Egje përmes rrjedhës së lumit Vardar do të sjellim me gypa të tejdukshëm ujin e njelmët për të mbushur basenin e madh që veç më ka kaluar si propozim nëpër të gjitha institucionet përkatëse. Kjo do të mundësojë që banorët të cilët nuk kanë mundësi të shkojnë në det të bëjnë plazh rrëzë Malit Sharr. Furnizimin me rrymë do ta bëjmë përmes mullinjve të erës dhe paneleve diellorë, ndërkaq teknologjia e shfrytëzimit të deritanishëm të energjisë së fosileve do të kalojë në histori. Ju siguroj se ardhja ime në krye të qytetit do të sjellë begati, dashuri dhe mirëqenie, sepse do të përfitojmë para të majme nga vizitorët e shumtë që do të vijnë nga çdo skaj i planetit. Shpresoj se për nga numri i vizitorëve do të jetë qyteti i dytë pas Mekës së Arabisë Saudite. Thjesht, Tetova do të jetë një qytet përrallor, andaj ju lutem votoni për mua! Të votosh për mua do të thotë që ke votuar për ardhmërinë tënde… Vëllezër e motra, dikur në Turqi një polic kishte arritur ta vë në pranga njeriun më të kërkuar nga pushteti, për kokën e të cilit ishin ofruar edhe miliona euro. Gjatë rrugës për në burg, policit i ishte dashur që të futet në shtëpinë e vet për t’i informuar familjarët, por edhe për të marrë me vete gjërat e nevojshme, sepse për shkak të rastit shumë specifik, do të mungonte në vendlindje për ca javë. Andaj në rrugë takoi një njeri të cilit iu lut që këtë keqbërës me duar të lidhura ta vëzhgojë për ca çaste, derisa ky të përgatitej. Në ndërkohë, i prangosuri i lutet kalimtarit të rastit, kujdestarit që po e ruante, se do t’i jepte 10.000 Eu nëse ia largonte prangat. Ky iu përgjigj shkurt: asnjëherë. Atëherë i prangosuri iu drejtua: i ke 50.000 Eu nëse m’i zgjidh duart. Ky ia ktheu: jo, jo, nuk vjen parasysh. Atëherë po t’i jap 100.000 Eu dhe të lutem më liro sa më shpejt, i thotë i shumëkërkuari nga pushteti këtij rojtari të rastësishëm. O njeri, a e kupton ti që unë jam shqiptar, që tanimë ia kam dhënë besën policit. Nuk të liroj për asnjë shumë parash. Besa është besë, i drejtohet të paraburgosurit ky kalimtar, ky banor i Turqisë me prejardhje shqiptare… Andaj të dashur bashkëqytetarë, të dashur vëllezër e motra, të nderuar votues, unë dua që ju të ma jepni besën dhe të votoni për mua në këto zgjedhje lokale!”
Ky mesazh sikur më ngushtoi edhe mua, u ndodha në një situatë të palakmueshme, në mëdyshje, dhe derisa po zihesha e përzihesha, më doli gjumi. Isha bërë qull nga djersët. U ngrita nga shtrati dhe shkova në banjë për ta larë fytyrën, por fatkeqësisht nuk kishte ujë. Dola në ballkon për t’u freskuar, por u ktheva me të shpejtë brenda sepse kundërmonte erë e keqe, qyteti ishte në errësirë të plotë, nuk punonin dritat e rrugëve, ndërkaq më pengonte edhe rënkimi i thellë i një djaloshi të lagjes që neglizhenca e institucioneve vendore e ka sjellë në pragun e vdekjes. Zëri i përvajshëm që dilte nga dritarja e vogël e shtëpisë së tij të vjetër sikur ma shtonte trishtimin në këtë nate vjeshte. U ktheva në shtrat për të fjetur, por nuk më zuri gjumi, bile filluan të më shfaqen halucinacione, kisha edhe marramendje, kokëdhimbje. Në këto çaste më ra ndërmend një thënie e bukur: “Ti mund ta blesh shtratin, por nuk mund ta blesh gjumin!”. U ngrita sërish dhe vendosa që të shkoj deri në urgjencë për t’u konsultuar me mjekun kujdestar. Rrugës ecja me shpejtësi ndërkaq në dorë mbaja ombrellën sepse kishte filluar të binte shi. Pa arritur te sheshi ndalem te një dyqan, që punon ditë e natë, për të blerë ujë të pijshëm. Shitësi, një burrë me shtat të vogël e të dobët, burrë i pjekur dhe i zoti, i cili ishte duke rregulluar ca mallra në trotuar, para dyqanit të vet, më drejtohet: Xhi paske dal’ ç’kaç von’? I them, po shkoj deri në spital sepse nuk ndihem mirë. Përpos telasheve me “idaren”, jam lodhur nga gënjeshtrat, nga premtimet boshe, nga e ardhmja e pashpresë, jam lodhur nga rrëmuja e qytetit, nga bërlloku, nga pluhuri, nga ndotja, nga gropat, nga … Pikërisht në këtë moment kalon aty-pari me shpejtësi të madhe një veturë pa targa e cila na stërpiku me baltë, sepse shoferi si duket nuk e vërejti gropën e madhe në mes të rrugës që ishte krijuar nga shpërthimi i gypave të ujësjellësit. Mbetëm në vend si të ngrirë. Dyqanxhiu psherëtiu thellë: “Au, p… i nanës, na bani n’hall…”. Duke dashur që ta qetësojë shpirtin e tij të trazuar, i thash: Mos u nevrikos, krejt do të rregullohen, edhe rrugët, edhe parqet, edhe pushimoret, edhe gjelbërimet, edhe parkingjet, edhe … Kini durim! Së paku kështu thonë kandidatët në këtë kampanjë zgjedhore. Pa pritur fare, ma ktheu: “Xhi folish be taj, a ije n’men? A se kuptojsh se veç na k’llotin?… Tetova kshtau nuk a kan’ as n’vakt t’turkit, as n’vakt t’bugarit, as n’vakt t’sërbit. Ma beter – as’niher!”… Një blerës na e ndërpreu bisedën, ndërkaq mua m’u desh të kthehem sërish në shtëpi për t’i ndërruar rrobat. Kur mora përpjetën për në lagjen time, një grup qensh endacakë u kërleshën një copë herë sikur donin të më sulmonin, andaj u ndala nën strehën e një shtëpie për të pritur mëngjesin, për të pritur ditën e re, një ditë që ndoshta mund të sjellë edhe dritë.
E bukur dhe trishtuese njekohesisht!