MODESTISHT

Në një ndërhyrje të para pak ditëve, kritiku Behar Gjoka trishtohej që sot po flitet më shumë për dosjet e shkrimtarëve të periudhës totalitare, sesa për veprën që këta kanë lënë trashëgim, raportin e saj me pushtetin dhe dialogun e saj me të sotmen.

Kur e lexova këtë, mendova jo pa ironi: publiku po mësohet të lexojë dosjet e shkrimtarëve të shquar, në vend që t’u lexojë veprat, çfarë përbën edhe një risi kulturore të denjë për vëmendje institucionale.

Sepse çfarë do të na pengonte, në këtë pikë, që ta hedhim edhe hapin tjetër, vendimtar, dhe t’i shpallim dosjet e Sigurimit të Shtetit si vepra letrare, ose pjesë e trashëgimisë letrare të periudhës totalitare?

Ashtu dosjet do të sistemohen, do të sanitizohen dhe do të botohen, me fonde publike, që lexuesit të mund t’i marrin në dorë të plota; për të shuar kureshtjen e tyre qoftë edhe thjesht patologjike rreth imtësive, çikërrimave, tradhtive të vogla dhe të mëdha, spiunimeve, provokimeve dhe të tjera ngjarjeve në jetën e përditshme të heronjve të vet.

Çfarë kanë më shumë kronikat e dikurshme të burokratëve perandorakë, ditarët e politikanëve, dorëshkrimet e murgjve, raportet e nëpunësve të kadastrave dhe kalemxhinjve qeveritarë gjithfarësh? A nuk i marrim sot në duar dhe i përpijmë, si t’i kish shkruar Thuqididi apo Shekspiri?

Autorët e teksteve të dosjeve janë të ndryshëm mes tyre, ndjekin stile dhe qasje të ndryshme; por nuk mund t’u mohohet vëmendja e tepruar ndaj detajit, sikurse nuk mund të mohohet prirja për të përdorur ligjëratën e zhdrejtë, në përpjekje për t’u dhënë koherencë fjalëve kuturu të Tjetrit.

Nuk janë regjistrues mekanikë, si shirita magnetofoni a kamera filmike; as stenografistë si ata të gjyqeve; as mbajtës proces-verbalesh si skllevërit e mbledhjeve dikur. Ka gjithnjë diçka selektive në punën e tyre, teksa i qëndrojnë besnikë viktimës. Madje lexim pas leximi, mund të shohësh si përvijohen konturet e një shkolle letrare të epokës.

Njëlloj si shkrimtarët e mëdhenj që vuajnë së bashku me personazhet e tyre të dashura, pa i penguar dot në rrugën që kanë marrë drejt katastrofës, detyra e raportuesve dhe hafijeve nuk është t’i ndalin mëkatarët dhe t’ua shpëtojnë shpirtrat, por t’i ndjekin teksa këta të fundit shkojnë në gropën metaforike me këmbët e tyre.

Autorët e dosjeve e kanë një emër kolektiv: Shteti.

Të rehabilituara nga arkivi në letërsi mirëfilli, këto dosje do të gjejnë pastaj vendin e tyre në raftet e librarive dhe të bibliotekave, në programet e letërsisë për shkollat dhe në tribunat e çmimeve letrare, kombëtare dhe, pse jo, ndërkombëtare, pasi të përkthehen në gjuhët e mëdha të kulturës dhe të qytetërimit.

Për një lexues si yni, gjithnjë të apasionuar pas realizmit fotografik dhe parimit estetik të “tamam ashtu ka ndodhur”, kualifikimi i dosjeve si letërsi do të përfaqësonte edhe një triumf të bonsensit ndaj snobizmit, pretendimeve kitsch dhe letërsisë që nuk shkruhet për t’u lexuar.

 

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: