Ismail Kadarenë e ka intervistuar Vjollca Hajdari, për Die Welt; një version i përkthyer i intervistës ka qarkulluar tashmë në shumë media shqip.
I pyetur mes të tjerash se çfarë mendon për çmimin Nobel që nuk e ka marrë, megjithë nominimet e rregullta dhe shpresat e adhuruesve të tij[1], Kadareja përgjigjet kështu:
Kadare: Ich habe kein Unbehagen. Es ist ein bisschen wie Weihnachten. Die Literaturwelt darf für diese große Aufmerksamkeit der Weltöffentlichkeit dankbar sein, auch wenn sie in einer Art und Weise naiv zu sein scheint.
[Shqip: Sinqerisht nuk kam ndonjë përgjigje për pyetjen tuaj. Midis zakoneve të botës sonë janë edhe pyetjet e kësaj natyre. Ka kolegë që bezdisen prej tyre. Mendoj se s’ka vend për bezdisje. Përkundrazi, më duket një zakon i bukur që, kur afron koha e këtij çmimi, ashtu siç ndodh me afrimin e Krishtlindjeve, kur bëhen pyetjet e njohura, ku do t’i kaloni festat etj.,etj., shumë njerëz pyesin për këtë çmim. Mendoj se letërsia duhet t’i jetë mirënjohëse kësaj vëmendjeje, qoftë disi naive, të publikut botëror.][2]
Kjo e Nobelit është në fakt pyetje irrituese; aq më tepër që lista e shkrimtarëve të mëdhenj që nuk e kanë marrë Nobelin (“lista e kandidatëve të përhershëm”) është të paktën po aq prestigjioze, për nga emrat, sa lista e fituesve; shto këtu edhe njëfarë fisnikërie që ia jep çdo autori të rëndësishëm “mosfitorja”, nëse mund ta përdor këtë fjalë.
Një përgjigje të bukur së njëjtës pyetje, nga të njëjtat pozita të shkrimtarit të madh të snobuar, ia pat dhënë Borges-i, të cilin gjithashtu çdo vit e përmendnin si kandidat për çmimin: “Ndoshta ata tipat në Stockholm kujtojnë se ma kanë dhënë Nobelin tashmë.” Çfarë edhe sugjeron – në frymë borges-iane – mundësinë e një universi paralel, ku Nobelët letrarë të jenë ndarë ndryshe; për të mos thënë hedh farën e shpresës për një efekt Mandela.
[1] Pyetja në origjinal del kështu: Alle Jahre wieder gelten Sie als Kandidat für den Literaturnobelpreis. Wie gehen Sie damit um? Në shqip e kanë “përkthyer” kështu: Jeni nominuar shumë herë për çmimin “Nobel” në letërsi. Krahas pritshmërisë së madhe të adhuruesve tuaj, ju nuk e keni marrë atë. Përse? Çfarë mendoni ju, ku qëndron problemi?
[2] Ka dallime të mëdha mes versionit gjermanisht dhe atij shqip, dhe jo vetëm ngaqë i pari duket i shkurtuar. Në gjermanisht Kadareja thotë që “nuk kam ndonjë problem me këtë”, çfarë është përkthyer si “nuk kam ndonjë përgjigje për pyetjen tuaj.” Me siguri krahasimi i kujdesshëm i versioneve do të nxjerrë edhe dallime të tjera të mëdha, por nuk është ky qëllimi i këtyre shënimeve.