LLAFE KOLLTUKU

E preu me sëpatë pemën që ia zinte pamjen e parkut.

Mikut tim, tashmë të thinjur, të gjithë i thoshin: flokë të zinj si të tutë s’i ka pasur kush.

T’i bindim njerëzit se truri është muskul dhe ka nevojë të stërvitet, për të ruajtur formën. Kjo metodë ka dhënë rezultate me penisin.

Ja një restorant ku mund të hash edhe menynë! Ja edhe një restorant tjetër, ku nuk mund të hash gjë tjetër, veç menysë!

Nuk e merrnin në punë, me arsyen se nuk kish punuar kurrë.

Kish konstatuar shumë gabime drejtshkrimi në mbishkrimet e gurëve të varreve. Por duke qenë ai vetë i vdekur prej kohësh, nuk e ngrinte dot zërin në mbrojtje të gjuhës.

Thirrjes për referendum iu përgjigj vetëm populli.

Sikur të luftonin aktorët me armë reale, konfliktet do të zgjidheshin në skenën e teatrit.

Kryeministri i ri qëlloi kampion i kërcimit me shkop. Prandaj preferonte të hynte në zyrë përmes dritares së hapur.

Ishte arkitekt largpamës. I projektonte ndërtesat duke përfytyruar si do të dukeshin, kur t’ia prishnin.

Kish frikë nga vijat e bardha. Aty ndodhin më shumë aksidente, thoshte.

I lexoj me shumë kujdes të gjithë artikujt e Petritit. Çdo fjalë që ka shkruar dua ta përdor kundër tij.

Kush mbështet dënimin me vdekje duhet pushkatuar.

Nuk e kish ditur, që i dashuri i saj ishte i pamartuar.

Nuk po ma var askush: më duhet një zëdhënës.

Ngaqë i pëlqente sallata e freskët, e quante veten vegjetariane.

Typo në menynë e një restoranti kinez: “mish qeni” e kishin shkruar “mish qengji”.

Ka vende ku bashkëshortin e zgjedhin akoma me short.

Po të jetë puna për të goditur të intervistuarin, kamera bën më shumë dëme se mikrofoni.

Mami, çfarë do të thotë “ka mënyra”? Po ja, mor bir, kur martohet eunuku.

Nuk pati fat: e zuri korrenti në vaskë sapo erdhën dritat.

Veç të varfrit e kuptojnë çdo të thotë të jesh i pasur.

Të trokita në derë, por ma hapi komshiu. Nuk e mora vesh pse jetonte në apartamentin tënd.

Ç’humb kohë duke parë futboll, më thoshte. Ndeshjes nuk i dihet rezultati.

Kirurgu që e operoi ishte i paaftë: i hoqi gabimisht zemrën e shëndoshë, në vend të së sëmurës.

Nuk ishte i krishterë, por i pëlqenin priftërinjtë.

Eskimezët nuk e kanë mbajtur kurrë akulloren në frigorifer.

Shkruante me dorën e majtë, por firmën e hidhte me të djathtën.

Gjithnjë kam qenë kundër heqjes së dënimit me vdekje, tha tekniku i karrigeve elektrike.

Mori një infeksion në spital, që ia ngordhi të gjitha mikrobet e trupit.

Të gjithë floririn që kish fshehur, e përdori për të rregulluar dhëmballët.

Kur ishte hera e fundit që ke bërë seks? Para martesës.

Kur të prishet bota, do të shkojmë të banojmë tek IKEA.

Ishte kaq ekstravagante sa, kur vdiq, të gjithë thanë se e kishin vrarë këpucët.

Gjithnjë ulu të hash me barkun plot.

Nuk e përdorte telefonin celular. Thoshte se shkurtonte distancat mes njerëzve.

 

1 Comment

Comments are closed.