DHJETË VJET PEIZAZHE TË FJALËS

Revista Peizazhe të fjalës feston sot 10-vjetorin: ja një arsye për të reflektuar, qoftë edhe së bashku me ju lexuesit, se çfarë jemi, çfarë jemi bërë, dhe çfarë duam të jemi.

Kalendarët dhe përvjetorët nuk janë veçse mënyra përtace për të kremtuar qëndrueshmërinë në kohë; edhe pse këta 10 vjet jetë, për një revistë online, e kanë një domethënie të paktën relative, shënjojnë diçka – në mos një moshë, të paktën një akumulim, një shtresim; kushedi edhe një rritje.

Kur e filluam, në 8 korrik 2007, e quajtëm këtë ndërmarrje “blog” meqë ishte epoka e uebit 2.0 dhe e interaktivitetit, dhe blogu ishte një mënyrë e lehtë dhe praktike, për të themeluar një prani virtuale. Me kalimin e viteve, e pamë krijesën tonë të shndërrohej në hapësirë kontakti dhe dialogu, në forum intelektual dhe më pas, logjikisht, në revistë. Duam ta përfytyrojmë këtë proces ndryshimi edhe si zhvillim.

Dhjetë vjet ngrenë peshë edhe ngaqë kanë ndihmuar për t’ia dhënë dhe kristalizuar një zë të vetin Peizazheve; të dallueshëm dhe – me gjasë – të respektuar, qoftë edhe vetëm ngaqë kurrë nuk jemi përpjekur ta gënjejmë dhe ta manipulojmë lexuesin; dhe as të vihemi në shërbim palësh të treta.

Sikurse ngrenë peshë edhe për mijëra shkrime – artikuj, analiza, ese, përsiatje – të cilat kushdo mund t’i hapë dhe t’i lexojë, kur të dojë, nga çdo cep i globit; një shtresim pothuajse gjeologjik, por që duam të besojmë se ka marrë, me kalimin e kohës, atributet e një arkivi a të një biblioteke.

Nga vizitorët e shumtë që ndalen çdo ditë te Peizazhet, një pjesë vijnë për të lexuar shkrimet e reja të radhës ose për t’u angazhuar në temat e ditës; por një pjesë tjetër i sjellin te ne motorët e kërkimit. Janë me dhjetëra mijëra bashkatdhetarë, që kërkojnë për një përgjigje nga Google, Yahoo dhe Bing; dhe që kërkimi i nxjerr në brigjet tona.

Një vështrim sado i shpejtë dhe i sipërfaqshëm në termat përkatës të kërkimit, të bind se kemi përftuar tashmë, në arkivat e revistës, një enciklopedi të mendimit shqip, që shkon përtej kontributeve personale të autorëve dhe natyrës spekulative ose eksperimentale të disa shkrimeve.

Për arsye kryesisht komerciale, atmosfera në mediat e sotme shqip është e tillë, ku gjithçka duhet të konsumohet brenda ditës për t’ia lënë vendin sakaq diçkaje tjetër; por Peizazhet e kundërshton këtë kinse fatalitet, duke provuar se kultura dhe diskursi publik kanë nevojë edhe për një përmasë kohore, më të qëndrueshme se videot në YouTube, dhe ndërhyrjet e llojit “ti ke thënë…” në debatet televizive.

Në fakt, edhe pse ne nuk kemi synuar ta kemi politikën si orientim dhe preokupim kryesor, jemi bërë dashur pa dashur pjesë e politikës sa kohë që kemi shërbyer si tryezë e mendimit intelektual të ditës; dhe ditë pas dite, edhe të bashkëkohësisë dhe, më tej akoma, të epokës.

Dhjetë vjet janë mjaft edhe për të krijuar një traditë; në kuptimin që ata që na njohin dhe na ndjekin rregullisht, janë mësuar tashmë të presin diçka të caktuar prej nesh – një qasje, një ton karakteristik, një orientim të mendimit; ose gjithçka që u jep Peizazheve individualitet dhe përgjegjësi para lexuesit. Kjo lloj tradite mund të krijojë rutinë dhe inerci; deri edhe rrezik që revista jonë të mundohet tej mase, për të ruajtur vijueshmërinë me të shkuarën.

Për fat të mirë, ka një mënyrë për t’u “vaksinuar” ndaj këtij rreziku: prurjet e reja, nga bashkëpunëtorë, miq dhe autorë të rinj, të cilët njëherazi i japin frymë të re revistës sonë. Edhe pse sot nuk është lehtë për askënd që të krijojë dhe të shprehet në mënyrë të artikuluar në publik, sërish dëshira për të ushtruar fjalën e lirë nuk mungon; sikurse nuk mungon bindja, mes miqve dhe lexuesve, se Peizazhet është një nga ato pak loci që kanë mbetur për ta bërë këtë.

Dikur pushteti e kontrollonte fjalën nëpërmjet frikës; sot vendin frikës ia ka zënë, si instrument, paraja. Për fat të keq, paratë këtë periudhë nuk kanë munguar, kur ka qenë puna për të paguar mercenarë, lehaqenë, kalemxhinj, përbaltës, shpifës, agjitatorë politikë dhe trollë të së gjitha ngjyrave; por fondet u janë mohuar rregullisht të gjithë atyre që kanë dashur të mbajnë në këmbë modele të fjalës së lirë, të dinjitetit dhe të pavarësisë intelektuale.

Mjaft të shohësh sot varfërinë intelektuale të fjalës publike shqip, për t’u bindur; pa çka se shqipja kurrë nuk është shkruar në publik më shumë e më dendur se sot, sikurse fjala kurrë nuk është abuzuar më rëndshëm se sot.

Në këtë kontekst, Peizazhet mund të jetë për disa edhe fryt i një deluzioni ose i një megalomanie; sikurse mund të jetë për disa të tjerë fryt i një donkishotizmi, që më kot kërkon të kundërshtojë logjikën e reales. Armiqtë e lirisë së mendimit, të fjalës dhe të vullnetit me siguri që do të donin të na shihnin kështu – si një përpjekje të padëmshme, madje të tolerueshme, për të sfiduar statu quonë dhe sundimin e hapësirës diskursive nga komercializmi dhe trollët politikë; si një përjashtim që ua vërteton atyre rregullin.

E pranojmë këtë si efekt të pashmangshëm të luftës intelektuale dhe kulturore që po zhvillohet, prej vitesh, midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, dinjitetit dhe nënshtrimit, kokës lart dhe përkuljes, dritës dhe errësirës. E dimë, megjithatë, se për shumë lexues, miq, mbështetës dhe dashamirës Peizazhet është jo vetëm dëshmi e gjallë e një modeli të suksesshëm të sfidës ndaj ekzistueses, por edhe provë se diskursi publik mund të artikulohet edhe kështu.

Kemi dhjetë vjet që i ofrojmë publikut, falas dhe lirisht, spunto për mendim, për debat dhe për dialog; dhe nga kjo pikëpamje, jemi unikë në llojin tonë, edhe pse gjithnjë të vetëdijshëm se Peizazhet, në vete dhe për vete, nuk mjafton për të shëruar patologjitë e rënda të medias shqip sot. Ne bëjmë atë që mundemi, me burimet e pakta që kemi në dispozicion, dhe me mbështetjen bujare të pak miqve dhe kolegëve – modeli ynë është treguar i mbajtshëm, në kuptimin që nuk i shohim kujt duart as portofolin; por nga një shtim i bashkëpunimit veç do të përfitonim, ne dhe, me siguri, edhe lexuesi.

Për fatin tonë të mirë, rrjetet sociale dhe në veçanti Facebook-u na kanë shërbyer si një platformë e vyer për të afruar, te Peizazhet, lexuesin më të ri; i cili nuk e ndjek median tradicionale, por mbetet tejet i vëmendshëm ndaj rrethprerjes midis politikës dhe kulturës, ose pikërisht atë arenë ku ne ngjizim dhe ushtrojmë idetë tona. Nuk është rastësi që shumë kontribute me vlerë, këto vite të fundit, kanë ardhur prej të rinjve, të cilët e kanë gjetur veten te një institucion që në thelb i ka rrënjët te një epokë më e hershme.

Dhjetë vjet kanë shërbyer dhe për të krijuar një komunitet; me lexues, miq, dashamirës, mbështetës; herë të njohur herë të panjohur, të cilët kanë vendosur një raport të qëndrueshëm me Peizazhet, ngaqë vijnë te ne herë pas here, në mos rregullisht, për të filluar ditën, për ta mbyllur, ose ndonjëherë edhe për ta kaluar. Ky komunitet virtual është shpesh i padukshëm dhe i vështirë për t’u matur, por mbi të themelohet reputacioni i revistës sonë – çfarë mjafton për të na vënë para përgjegjësisë.

Edhe pse marrëdhënia që kemi me lexuesin nuk përfshin asnjë lloj kontrate, përtej mirëbesimit që do të ishte një kontratë etike, megjithatë Peizazhet i ka disa detyrime ndaj atyre që e ndjekin, sado anonimë të jenë, sado të përtejmë dhe të paarritshëm; detyrime që për ne – autorët, administratorët dhe bashkëpunëtorët e drejtpërdrejtë – marrin formën e një imperativi për të ruajtur dinjitetin. Vërtet nuk kemi atë lloj kontrate që vendoset vetvetiu në rastin e medias me pagesë; por kemi një fytyrë që ia tregojmë botës, dhe që tani na e njohin, madje edhe nga larg.

Ky është edhe premtimi që i bëjmë vetes dhe publikut; dëshira dhe vendosmëria jonë për të folur hapur me këdo që është gati për të na dëgjuar dhe për të biseduar me ne; pa e kapur njeri për mënge, dhe pa lejuar që të na kapë njeri për mënge. Ky është edhe modeli që ofrojmë për median shqip: i një komuniteti autorësh, redaktorësh, mbështetësish dhe lexuesish, që kërkon të marrë pjesë aktive në jetën publike, por jo si shtojcë dhe as si instrument i politikës.

Duam t’ju falënderojmë, ju si lexues, për vëmendjen ndaj nesh; në një hapësirë të fjalës ku lufta për vëmendjen e publikut ka marrë trajta të përbindshme, dhe ku mediat komerciale kacafyten, për një klik të vetëm. Besojmë se këtë vëmendje jua kemi fituar ngaqë tryezat tona ju kanë tërhequr – për temat e trajtuara, për mënyrën si i kemi trajtuar, për hapësirën që i kemi lejuar debatit dhe dialogut.

Ju ftojmë gjithnjë që të jeni pjesë e asaj çfarë duam të bëjmë; si lexues, si bashkëpunëtorë dhe si autorë. Edhe pse nuk jemi në shërbimin tuaj, as i japim njeriu llogari, kemi nevojë për ju, në mënyrë që ta gëzojmë lirinë e fjalës dhe të shprehjes dhe të mendimit; sikurse shpresojmë se edhe ju keni nevojë për ne, për të arritur të njëjtat liri. Duam edhe që ta mbajmë Peizazhe të fjalës si një lojë me shumë pozitive – ku të përfitojmë të gjithë; por këtë mund ta arrijmë vetëm bashkë.

Këtë dhjetëvjetor të Peizazheve do të vazhdojmë ta kremtojmë edhe në muajt që vijojnë, përfshi këtu edhe një program eventesh që duam të organizojmë këtë vjeshtë në Tiranë. Edhe pse synimi ynë nuk është t’i gëzohemi aq arkivit, sa ideve për të ardhmen, kemi gjithnjë arsye për t’u gëzuar dhe për t’i riprodhuar lidhjet me ju, brenda komunitetit. Forma të tjera bashkëpunimi mund të përvijohen gjatë këtyre kontakteve të ripërtërira, të tilla ku të gjithë ne të përfitojmë për ta shprehur krijimtarinë tonë intelektuale me rrugë të reja. Si pjesë e kulturës së sotme dhe e diskursit të sotëm publik, i ndiejmë edhe ne si të tjerët baticat dhe zbaticat; kushedi luajmë edhe rolin tonë, sado modest, për t’i trazuar ujërat.

Le të kalojmë, pra, së bashku edhe të paktën dhjetë vjet të tjera!

6 Komente

  1. Urime te sinqerta xha xha!
    10 vjet vetem 5% e bizneseve arrijne t’i kapin, se 95% falimentojne me pare. Aq me teper vlere ka mosha kur mendon se nuk eshte biznes dhe ne kete kuptim mund te jete unik.

  2. Pergezime Ardian, por edhe pjesetaret e tjere te ekipit !
    Une personalisht kam rreth 7 vjet qe e vizitoj rregullisht PTF, dhe ja ka vlejtur cdo sekonde e kaluar ketu.
    Ju falenderoj perzemersisht !

  3. Urimet më të sinqerta Xha Xhait dhe ekipit! Shpresoj me gjithë zemër që puna cilësore e derisotme për ta mbajtur dritën ndezur të vazhdojë me sukses të plotë edhe për shumë e shumë vite të tjera!

  4. Urime te sinqerta dhe krijimtari te mbare!Edhe 100 themeluesit dhe revistes “Peisazhe te fjalws”

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: