A kanë të drejta lexuesit? Shkrimtari frëng Daniel Pennac mendon se po, dhe rendit disa të tilla në veprën e vet Comme un roman (Gallimard, 1992); duke porositur që këto duhet t’ua njohim veçanërisht të vegjëlve, sa kohë që ia lejojmë lirisht edhe vetes.
- E drejta për të mos lexuar
Shumë prej lexuesve, thotë Pennac, ia japin vetes këtë të drejtë çdo ditë. Aq më tepër që jemi të rrethuar nga një numër i madh njerëzish absolutisht të respektueshëm, ndonjëherë “të shquar”, disa edhe zotërues bibliotekash të mrekullueshme që nuk lexojnë.
Nuk e ndiejnë nevojën, ose kanë shumë punë, ose kultivojnë ndonjë pasion tjetër – me një fjalë, këtyre nuk u pëlqen të lexojnë.
Kanë të paktën një të mirë, vëren Pennac: nuk na torturojnë duke na pyetur se ç’mendojmë për librin e fundit që kemi lexuar as na shprehin rezervat e tyre ironike për romancierin tonë të preferuar, as na konsiderojnë si idiotë, ngaqë nuk kemi lexuar aksh autor të madh.
Do të bënim gabim, thotë ai, sikur të gjykonim se çdo person që nuk lexon duhet mbajtur për egërsirë ose për hajvan. Se ashtu do të na duhej ta paraqitnim letërsinë si detyrim moral, dhe ky do të ishte veç fillimi i një spirali që pastaj do të na bënte të vlerësonim “moralitetin” e librave.
Me fjalë të tjera, le të mos ngatërrojmë lirinë e të shkruarit me “detyrën” për të lexuar. Fëmijëve duhet t’u ofrojmë mundësinë për ta kuptuar vetë nëse e ndiejnë apo jo “nevojën për libra”. Meqë, thotë Pennac, nëse mund ta pranojmë me qetësi që një individ ta refuzojë leximin, nuk mund të lejojmë që po këtij individi t’i refuzohet – ose të kujtojë se po i refuzohet – leximi.
- E drejta për të kapërcyer faqe
Pennac rrëfen si e pat lexuar Luftën dhe paqen kur ishte ende fëmijë: duke kapërcyer faqe.
Të gjithë kalamajtë duhet ta bëjnë këtë, për të mos u mërzitur me librin, thotë; sepse po të mos e bëjnë kalamajtë, atëherë do ta bëjnë të tjerët për ta, duke rrëmbyer gërshërët e mëdha të budallallëkut dhe duke prerë nga libri gjithçka që këta e gjykojnë si tepër “të vështirë” për fëmijët.
Kjo është njëlloj, vëren Pennac, sikur dikujt t’i shkrepë në kokë ta ripikturojë Guernica-n, me pretekstin se Picasso e pat rënduar një çikë si shumë, për syrin e një 12-13-vjeçari.
- E drejta për të mos e çuar një libër deri në fund
Ka një mijë arsye për ta lënë një libër përgjysmë: na duket sikur i kemi lexuar këto gjëra më parë, historia nuk na tërheq, nuk biem dakord me autorin, stili na gërvisht veshët.
Mes këtyre arsyeve, thotë Pennac, ka një që ia vlen të trajtohet veçmas: ndjesia e turbullt e disfatës. E hap librin, e lexon, dhe fillon ta kuptosh se nuk po e kap dot, edhe pse e ke të qartë që libri meriton të lexohet.
Nëse të ndodh kjo, lëre librin mënjanë. Ndoshta do t’i vijë koha më vonë, ndoshta jo. Nëse ka një vepër të madhe, një kryevepër, që na e mban derën të mbyllur, kjo vjen ngaqë reaksioni kimik mes nesh dhe librit nuk ndodh.
Mund edhe të provojmë që ta lexojmë një libër deri në fund, për të kuptuar pse nuk na pëlqen. Në mënyrë që kur pedanti i radhës të na thotë: “Po si ka mundësi që të mos të pëlqejë Stendhal-i?” t’i përgjigjemi: “Ka mundësi që ç’ke me të.”
- E drejta për të rilexuar
Edhe rileximi, madje nga faqja e parë tek e fundit, mund të shijohet sa s’ka – aq më tepër kur zgjon fëmijën tek ne.
Por rileximi, do të shtoja unë, vlen me kusht që libri të jetë lexuar një herë – përndryshe, do të katandiseshim si snobët dhe pompozët, që gjithnjë të thonë: “Po rilexoja këto ditë Nietzsche-n…”
- E drejta për të lexuar gjithçka
Ka vepra të këqija, ka autorë të këqij – që nuk krijojnë, por shkruajnë në bazë të formulave të gatshme; nuk synojnë të vërtetën, por gënjeshtrën.
Në ato vepra autorin nuk e gjejmë dot.
Shpesh e fillojmë eksperiencën tonë letrare me vepra të tilla, thotë Pennac; dhe pastaj e gjejmë, hap pas hapi, rrugën tek autorët e mirë, që na shoqërojnë në qenie.
Me kusht që rrugën ta gjejmë vetë.
- E drejta për bovarizëm
Ose për të kërkuar një kënaqësi të çastit dhe ekskluzive të ndjenjave: të ndiejmë imagjinatën që zgjerohet, nervat që fërgëllojnë, zemrën që ndizet flakë, adrenalinën që na sprucon në gjak, identifikimin total dhe harresën…
Kështu e përjetojmë të gjithë leximin, në krye.
Dhe nuk ka ndonjë arsye për prindërit që të shqetësohen; as t’u rekomandojnë fëmijëve lexime më “serioze.”
Të mos harrojmë edhe se bovarizmin e shohim zakonisht tek tjetri; pa çka se shpesh të gjithë bashkëpunojmë për të krijuar idhujt letrarë të momentit.
- E drejta për të lexuar kudo
Pennac rrëfen historinë e një ushtari të ri, i cili çdo mëngjes dilte vullnetar për të pastruar nevojtoret e kazermës.
Një punë që, kush ka bërë zbor ose ka lexuar Shvejkun, e kupton se nuk është për t’u dëshiruar.
Por ai ushtari i Pennac-ut e shfrytëzonte detyrën për të lexuar nja dy orë, i mbyllur në një nga nevojtoret e sapo-pastruara.
Një vëllim 2900 faqesh me veprën e plotë të Nikolai Gogol-it.
Këtu autori kujton edhe një anekdotë tjetër: i famshmi Clemenceau e pranonte se, po të mos kish vuajtur nga kapsllëku kronik, nuk do t’i kish lexuar dot kurrë Kujtimet e Saint-Simon-it.
- E drejta për të çukitur
Kjo është liria që ia japim vetes, thotë Pennac, kur nxjerrim një volum çfarëdo nga biblioteka, e hapim kuturu dhe lexojmë atje një faqe a një paragraf të vetëm – sepse aq kohë kemi.
Kur nuk kemi mundësi të kalojmë një javë në Venezia, vëren ai, pse t’ia mohojmë vetes të drejtën për të kaluar qoftë edhe vetëm pesë minuta?
- E drejta për të lexuar me zë
Pyet autori një grua, me gjasë të dashurën e vet a të shoqen:
“Të lexonin histori me zë të lartë kur ishe e vogël?”
Jo, i përgjigjet ajo, prindërit nuk kishin kurrë kohë të mjaftueshme për këtë.
“Atëherë nga të vjen ky pasion për leximin me zë?”
“Nga shkolla,” thotë ajo.
Pennac gëzohet që, më në fund, takon dikë që ia njeh këtë meritë shkollës.
“Më keqkuptove,” vazhdon ajo. “Në shkollë na e ndalonin leximin me zë. Duhej lexuar në heshtje, drejtpërdrejt nga syri te truri.”
Pennac është i pasionuar pas leximit me zë, pas zërit në letërsi. Madje i kujton lexuesit edhe që Dostojevski jo vetëm lexonte me zë, por edhe shkruante me zë…
(Nuk di pse kjo anekdotë e fundit më kujtoi pasthirrmat që lëshon pianisti jazz Keith Jarrett, sa herë që ulet të luajë në koncert.)
Ai që lexon me zë, thotë Pennac, ekspozohet krejt. Nëse nuk e kupton se çfarë po lexon, nuk i merr vesh fjalët, kjo është për të ardhur keq dhe të tjerët e ndiejnë. Nëse refuzon ta banojë leximin e vet, fjalët mbeten të vdekura, dhe këtë të tjerët sërish e ndiejnë. Nëse e mbush tekstin me praninë e vet, autori tërhiqet; dhe leximi shndërrohet në një numër cirku, dhe këtë të tjerët gjithashtu e ndiejnë.
Ai që lexon me zë, u ekspozohet krejt syve që e dëgjojnë: një arsye më tepër që leximi të jetë një akt simpatie: për dëgjuesit, për tekstin dhe për autorin.
- E drejta për të heshtur
Njeriu shkruan libra, vëren Pennac, sepse e di që një ditë do të vdesë; njeriu lexon sepse ndihet i vetëm. Leximi është për të një lloj shoqërie që nuk ia zë vendin asgjëje, por që asgjë nuk mund ta zëvendësojë.
Arsyet pse lexojmë, thotë ai, janë po aq të çuditshme sa edhe arsyet pse jetojmë. Dhe askush nuk ka ndonjë autoritet që të na kërkojë t’ia shpjegojmë këtë intimitet.
Ata pak të rritur që më kanë dhënë libra për të lexuar, gjithnjë ua ka lënë radhën librave dhe nuk më kanë pyetur pastaj se çfarë kuptova nga ky apo ai lexim. Atyre edhe ua kushtoj këto faqe, përfundon Pennac.
Shënim: tani mësoj se ky libër i Pennac-ut është përkthyer nga Edmond Tupja dhe botuar nga Pegi në 1994, me titullin: Si një roman.
Ke bere sevap duke e sjell kete tekst ne shqip (per me teper falas:-)). Eshte nje lloj manifesti i te drejtave te lexuesit me nje fuqi te madhe emancipuese dhe çliruese nga shterngesat dhe komplekset e rastit, nje kundervenie e sukseseshme e pedagogjise mesjetare formaliste. Per mua ky tekst e ka afruar me shume lexuesin e zakonshem e popullor me librin se sa te gjitha doktrinat skolastike duke filluar nga Tomas Akuini.
E njoha per here te pare vite te shkuara kur nje koleg me te cilin dolem nga puna u kthye ne nje librari dhe bleu tekstin ne fjale te Pennac-ut. Djali ka filluar te lexoje me tha, por me pare dua te lexoje kete tekst qe te çlirohet nga serioziteti” i teper i te lexuarit.
Pak me perpara kisha gjetur vajzen time me nje liber fort te trashe te Niçes (Ainsi parla Zarathoustra) tek po e lexonte ne dhomen e saj, nderkohe qe nuk kishte me shume se 12-13 vjeç. Nuk me erdhi mire, por nuk e hapa gojen. Do te kisha dashur te konsultohej me mua me pare. Megjithate me kohe verejta se leximi nuk i ecte mire, hapte ndonje fjalor per te kuptuar ndonje term a koncept, deri sa nje dite me tha se do ta linte per me vone. I mesuar me nje edukate tjeter une i thashe: per mua nuk duhej ta kishe filluar fare, tani qe e fillove duhet t’i shkosh deri ne fund. Nje liber kurre nuk lihet pergjysme.
Keshtu me kishin thene dhe keshtu i thashe.
Qe nje gabim i madh.
Po te kisha lexuar ese- ne ne fjale te Penanac-un nuk do ta kisha bere.
Shumë shkrim dhe këshilla të vyera të Pennac. Ju falemnderit edhe ju Ardian për sjelljen e këtij shkrimi. Më kujtohet dikur në 9-vjecare, patëm bërë një analizë të Don Kishotit në klasë. Trajtuam atë pasazhin e famshëm në të cilin Don Kishoti lufton me mullinjtë e erës. Më pëlqeu aq shumë sa menjëherë u kërkova prindërve të më blejnë vëllimin e plotë dhe fillova ta lexoj. Sot e kësaj dite pendohem që lexova 500 faqet e para, sepse më bëri të ndihem budalla. Nuk e kuptoja ku ishte humori (mendoja se ishte vepër humoristike, faj ndoshta i mësueses ky) dhe përshkrimi i qindra kalorësve dhe veprave kalorsiake ishte i padurueshëm. Për një fëmijë në 9-vjecare, ballafaqimi me një libër të tillë dhe me një disfatë të tillë, sic e quan Pennac, mund të jetë nga ato ngjarje që të bëjnë të mos lexosh më. Fatmirësisht më ra ndër duar “Bijtë e Kapitenit Grant” dhe u riktheva te dashuria ime e parë letrare: Zhyl Vern.
Po të kishin futur një shkrim të tillë nëpër librat e letërsisë mund t’u kursenin fëmijëve ndjesinë e të ndjerit budalla sepse zgjedhin librin e gabuar për të lexuar, ose të të ndjerit të përcmuar nga “elitistët e letërsisë” kur të rriten sepse u pëlqen më shumë ndonjë thriller i John Grisham sesa poezi që s’i kuptojnë të Bodlerit.