Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

TË RRETHUAR

19 tetor

Na kanë rrethuar. Gjithçka ndodhi si në jerm; erdhi kumti për këtë ushtri të stërmadhe të pomakëve që po i afrohej tokës sonë të lashtë dhe pastaj – krejt papritur – të gjithëve u hyri paniku, kur dëgjuan për plaçkitjet, përdhunimet dhe masakrat. Falë Zotit, kasnecët tanë i kanë kuajt të shpejtë dhe reputacionin të mirë; por kjo eficiencë, e vlerësuar në kohë paqeje, nuk na bën më punë. Tashmë asgjë tjetër veç mureve të larta s’ua pret dot hovin barbarëve. Le ta bëjmë kështjellën tonë të papushtueshme, na tha kryebashkiaku Gjin Tanushi; ishim mbledhur në një belvedere te muret e jashtme, ne bujarët dhe të tjerë kuadro të rëndësishëm që u peshonte fjala; po binte muzgu dhe krillat fluturonin tutje, të pangacmuara, mes qiellit vjeshtak; me sa duket, pomakët kanë në plan ta shtien në dorë kështjellën pa vonesë, përndryshe nuk do të kishin sulmuar në tetor; po askush nuk e di se ç’i ka urdhëruar Zoti i tyre të kryejnë…

25 tetor

Na kanë rrethuar. Nga një prej kullave të anës jugore, komandanti i rojeve kont Marin Vrana, gjeneral Bua Leka, që përgjigjet për zahiretë dhe depozitat e ujit të pishëm dhe unë kundronim armatën oqeanike të pomakëve që po zinte vend në luginë; pamje ngjethëse, të kesh përballë një forcë natyrore të papërballueshme; por besoj se edhe komandantët armiq kanë të njëjtën ndjesi lëbyrëse, kur vështrojnë bedenat madhështorë të fortesës sonë të bardhë, nga errësira e çadrave të tyre plot lagështirë. Njerëzit në kështjellë janë mendjembledhur dhe të qetë; këto ditët e fundit u bashkuan me ne Jak Klementi, Marin Topia dhe i urti Gjon Buzamadhi; Dedan Gjoka – që është kunati i Marin Vranës – ka ardhur gjithashtu, me kushëririn e vet Uk Martini; nënmbreti plak Shkret Niketa sapo ia dorëzoi komandën e ushtrisë princit Zenebish Stanisha, një fisnik i mençur, që të gjithë e duan, prandaj edhe lajmi u prit shumë mirë brenda mureve; isha i pranishëm kur vetë Zakaria Mokra – nipi natyral i Tanush Engjëllit – e lëvdoi princin për një copë herë; dhe të mendosh se ky është vetëm 33 vjeç.

22 nëntor

Këta pomakët dinë të luftojnë; madje dinë edhe të humbin. Dy herë i kanë mësyrë muret – me shkallë, kulla lëvizëse, katapulta dhe të tjera vegla djallëzore; luftëtarët e tyre mjekëroshë u kacavaren mureve tona si majmunë të çartur, për të therur djemtë tanë të çmuar; por me ndihmën e Zotit ne ia kemi dalë të therim më shumë prej tyre. Gjithsesi, kam një dyshim se Tavxhai, atamani i tyre enigmatik, nuk pyet shumë për humbjet në njerëz; ka rezerva e burime të pafund poshtë në luginë, që mezi ç’pret t’i përdorë. Edhe ne kemi burimet tona: para së gjithash, komandantët tanë të shkëlqyer Merkur Spani (kulla jugore), Stres Aleksi (kulla perëndimore), dhe Muzakë Bua (fortesa e brendshme). Edhe një diçka tjetër: i shkreti baron Goiko Drishti u plagos nga një shigjetë kuturu; po e zëvendësoj unë përkohësisht tek portat.

30 nëntor

Një shi i dendur po i përmbyt edhe pomakët poshtë në luginë edhe trupat tona këtu; tmerri i të qenit në rrethim bën punën e vet me ne mbrojtësit; duke na lënduar pikërisht aty ku armiku nuk na dëmton dot me armët e veta trashamane, zemërimin prej shtaze dhe mizoritë e pathëna. Frang Perlati, që ka në ngarkim sigurinë, sapo më tha që konti Marin Vrana tradhtoi mbrëmë; mendja ime ndoshta e kufizuar nuk arrin dot ta kapë se çfarë mund ta ketë motivuar këtë efialt të braktisë familjen e vet të madhe dhe shokët e vet të luftës, dhe të gjithë ne të tjerët që i kishim besuar jetët, për të shkuar e puthur këmbët kutërbuese, gjithë këpurdha, të Tavxhait. Me siguri paraja; pse spiunët pomakë brenda mureve të kështjellës do ta kenë pikasur që herët grykësinë gargantuane të kont Marinit. E mbuloftë turpi dhe i qoftë mallkuar emri.

14 dhjetor

Kemi një komandant të ri për kullën perëndimore: dukën Reposh Aleksi, nipin tjetër të Tanush Engjëllit; kjo ndodhi sepse Stres Aleksi është zhdukur, së bashku me zonjën Andronika, motrën e kryetarit të bashkisë Gjin Tanushi; askush nuk dëshiron të thotë me zë të lartë çfarë gjithkush e dyshon: se kemi të bëjmë me një tjetër tradhti të nivelit të lartë. I tërbuar, princ Zenebish Stanisha e pushoi kont Frang Perlatin në vend: çfarë dreq sigurie ka pasur kështjella, kur deri edhe një komandant kulle arrin të zhduket pa pritur e pa kujtuar, madje duke marrë me vete motrën e vetme të kryetarit të bashkisë; Zenebish Stanisha foli fjalë të hidhura edhe për ne komandantët e tjerë, madje edhe për të plagosurin Goiko Drishti, që erdhi në mbledhje me barrelë. Vetë mbledhja u zhvillua në një kohë kur pomakët po mësynin sërish me berihaj, nga dy drejtime të ndryshme; po ne tashmë ua kemi humbur fillin këtyre sulmeve, aq më tepër që kapitenët tanë të mureve, Kostë Preveza, Vlash Arta dhe Gjikë Epiroti, ose treshja e artë siç i quajnë, janë në gjendje t’i zmbrapsin hordhitë pomake pa vështirësi.

23 dhjetor

Dukë Gjini, një oficer i zoti, është ngarkuar të mbikëqyrë varrosjen e pomakëve të vrarë. Ka kaq shumë nga këta; duket sikur pomakët bien të vdekur përdhe pa ndonjë arsye, meqë është e pamundur që rojet tona – sado të zotët – të mund t’i kenë vrarë në sasi kaq të mizërishme. Kështu, tani na duhet edhe të marrim parasysh një armik të ri: zhgabat që ushqehen me kufomat e qelbura të të vrarëve e që janë shtuar aq shumë, sa duket sikur po luftojnë mes tyre për hapësirë në shpatet ku i kanë foletë e tyre të fortifikuara mirë; për shkak të zhurmës shurdhuese që lë njerëzit pa gjumë dhe frikës nga sëmundjet, Dukë Gjini ka dhënë urdhër për t’i shfarosur me helm.

24 dhjetor

Çfarë vigjilje e trishtuar kërshëndellash këtë vit! Milosh Hyllini, Damian Mirdita, Gjorg Klementi, topuzmbajtësi Urt Gjonbiri, Dedan Gjoka dhe Dodan Rozafa tradhtuan; thuhet se arritën të përdorin urën lëvizëse pa rënë në sy; princ Zenebish Stanisha po shkumon nga tërbimi; zbriti vetë deri poshtë, për ta inspektuar urën lëvizëse vetë dhe për të biseduar me rojet truthara; pastaj urdhëroi që të arrestohej menjëherë Frang Perlati; duke harruar që Frang Perlatin e kishte zëvendësuar tani dukë Reposh Aleksi, menjëherë pas tradhtisë së Stres Aleksit; mirëpo tani del se edhe Frang Perlati edhe Reposh Aleksi paskan kaluar në anën tjetër gjithashtu… Vras mendjen se çfarë po ndodh me ajkën e komandantëve tanë; rrethimi nuk është se po shkon aq keq; ushtria pomake nuk ka dalë aq e frikshme sa ç’kishim kujtuar; si prijës, Tavxhai lë shumë për të dëshiruar; dhe megjithatë, nuk kalon ditë pa dëgjuar se më të mirët prej nesh po tradhtojnë njëri pas tjetrit! Miku im i vyer Gjopal Nika, që komandon brigadat e muratorëve, më thotë se kont Marin Vranën e paskëshin parë t’u hiqte udhën pretorianëve pomakë që mësynin muret, pikërisht ato mure që muratorët e tij po rrekeshin të meremetonin; dhe se ai kokëlopa, Zenebish Stanisha, kishte refuzuar të urdhëronte evakuimin e brigadës meremetuese, i bindur se sulmi pomak do të dështonte (siç, në fakt, dështoi).

29 dhjetor

Më në fund një lajm i mirë: Stres Aleksi u shfaq përsëri, me një pamje në fytyrë sikur nuk kishte ndodhur asgjë; ka rritur mjekrën dhe flokët, duket si ndonjë menestrel nga ata të frëngut. Gjeneral Bua Leka, miku im i vjetër dhe i besuar, me të cilin kam kaluar më shumë se një natë duke gjerbur verë e qëmtuar me ngé djathë të njomë stani, më thotë se zonjës së madhe Andronikë iu desh t’i japë shpjegime kryebashkiakut Gjin Tanushi; sa për Stres Aleksin, s’është hiç për t’u habitur që princ Zenebish Stanisha e emëroi shef të sigurimit në kështjellë, duke i dhënë kështu një dënim sa të hollë, aq edhe ironik. Në të vërtetë, sigurimi në kështjellë nuk ka qenë ndonjëherë më i keq se tani; nuk kalon natë pa tradhtuar ndokush, aq sa unë nuk mbaj më mend se kush ka ikur tashmë dhe kush jo; deri edhe Lekë Golemi, burri i parë i zonjës Andronikë dhe komandant i furrave ushtarake të bukës, thuhet t’ia ketë mbathur. Pse vallë gjithë këta luftëtarë, dikur të ndershëm dhe sypatrembur, vendosën kështu papritur që të tradhtojnë vëllezërit e tyre, tokën e tyre dhe besën, për të shkuar t’ia lëpijnë mollaqet e brumëta Tavxhait? Nuk merret vesh pseja, thotë Bua Leka, me sytë të humbur në vezullimet e verës në kupë; mistere si ky vetëm brezat e ardhshëm mund t’i ndriçojnë.

15 janar

Po na mbarohen komandantët. Jo se kanë rënë në vijë të frontit, duke mbrojtur muret dhe pirgjet e kështjellës, por vetëm ngaqë nuk janë më me ne: Gjok Topazi, Vuk Perlati, Lekë Gjoleka, Pjetër Filja, Pjetër Matranga, Pal Mërtiri, Mëhill Mazreku, Gjin Nika, Lekë Duka, madje edhe Goiko Drishti me nandë varra: të gjithë kanë kaluar në kampin armik. Nuk merret vesh si ua del dot ataman Tavxhai të gjithëve. Gjatë mbledhjes së mëngjesit, duke bërtitur me zë të hollë prej castrato-je për shkak të zallamahisë së sulmit pomak mu nën dritaret e sallës së konferencave, Stres Aleksi parashtroi një teori të re të vetën, origjinale, për këto tradhti të panumërta: duhet të ketë ndonjë llagëm të fshehtë, që i lidh bodrumet shumëkatëshe të kështjellës me kampin armik poshtë në luginë. Tha edhe se ka vënë njerëzit e vet më të zotët që të kërkojnë hyrjen e llagëmit dhe ta shtuposin. Bua Leka më thotë ndërkohë se Gjin Tanushi paska porositur në Drejtorinë e Karpentierëve Ushtarakë që t’ia bëjnë gati një palë baule të rënda, nga ato që nuk futin ujë; duhet të jetë thjesht koincidencë, edhe pse nuk merret vesh se ku dreqin kërkon të shkojë me kaq ngut kryebashkiaku i një qyteti të rrethuar…

20 janar

Në një artikull editorial të botuar sot në Buletinin e Oficerëve, Stres Aleksi rrëfen si shumë prej tradhtarëve tanë kanë përfunduar si oficerë fushorë në ushtrinë e Tavxhait, me disa prej tyre madje marrë në punë si ndihmës të komandantit armik: bie fjala viskonti Catenaccio, venedikasi dinak që u arratis javën që shkoi. Nuk e fsheh dot admirimin tim për këtë Stres Aleksin, megjithë disa njolla që ka në karakter; tek e fundit, nuk është i vetmi që është magjepsur prej hireve ngashënjyese të zonjës Andronika. Në një zhvillim tjetër, nënmbreti plak Shkret Niketa ndërroi jetë për shkaqe natyrale (shytat) në një kohë kur të gjithë ne e prisnim të kalonte përtej; por ai mbeti deri në fund hero i vërtetë, shembull për brezat e rinj si dhe për të gjithë ne që ende po rezistojmë këtu, kundër të gjitha parashikimeve. Bua Leka më thotë se kryebashkiaku Gjin Tanushi i ktheu mbrapsht me bujë baulet që ia dorëzuan karpentierët e ushtrisë, të shoqëruara me një pusullë plot vrer, meqë nuk ia kishin goditur siç kishte dashur; Matish Marku, Drejtori i Drejtorisë së Karpentierëve Ushtarakë, nuk e duroi dot turpin dhe dha dorëheqje të pakthyeshme.

1 shkurt

Ditë e bukur me diell përjashta; po bëja sehir mësymjen pomake nga dritarja e banjës, e vetmja pikë në shtëpi nga ku mund t’i shoh qartë veprimet luftarake, por edhe të mbaj njëkohësisht shënime. Tani mund t’i pikas ish-kolegët e mi, aty në mes të radhëve të armikut: kontin Marin Vrana, dhe dandy-n, Milosh Hyllinin, që s’e pata duruar dot kurrë; dhe atë miun e gjirizeve, Balshë Stresin; Dedan Gjoka, që gjithnjë i ka pasur sytë të fortë si të qiftit, më shqoi edhe ai për së largu dhe ma bëri me dorë, gjithë ngazëllim. Nuk ka qenë kurrë djalë i keq; do ta mbaj mend si të apasionuar pas balonave tauke, hekurit të punuar dhe balsamosjes së shpendve të gjahut; ia bëra edhe unë me dorë.

14 shkurt

Të gjithë po diskutojnë një artikull të ri nga Stres Aleksi, në edicionin e fundit të Buletinit të Oficerëve; sipas autorit, sikur të mos ishin arratisur tanët kaq rregullisht, ushtrisë pomake do t’i kishin firuar tashmë oficerët, madje edhe vetë ushtarët; lista publike e të ikurve zë pothuajse dy faqe in octavo; pas këtij artikulli, Stres Aleksi u zhduk nga qarkullimi dhe s’ia hapte kujt portën e vilës, por sekretari, i riu ambicioz Mëhill Gjeta, konfirmoi se shefi i vet do t’u shkonte gjërave deri në fund. Kryebashkiaku Gjin Tanushi ka urdhëruar që të zgjerohet porta që të çon tek i vetmi urëkalim i kështjellës; pas gjase, po përgatitet kundërsulmi vendimtar. Mua më ka kapluar një dhimbje dhëmballe që nuk rrëfehet; por i vetmi dentist që kishim në kështjellë ka kohë që u lëmon e zbardh çatajet bishave të Tavxhait… Nuk ka gjë më të shëmtuar se tradhtia, miqtë e mi; nuk ka gjë më të dhimbshme dhe mizorisht të papërballueshme.

18 shkurt

Me sa duket, fundi është afër: kryebashkiaku Gjin Tanushi dhe kryekomandanti princ Zenebish Stanisha janë arratisur të dy sot në mëngjes, nëpërmjet urëkalimit; askush nuk është në ngarkim të asgjëje; Bua Leka ka hyrë në fazën terminale të një kome alkoolike (madje shumë e vonoi); edhe ai druvari frymëqelbur, Matish Marku, u përpoq t’ia mbathë por u vonua për shkak të një sulmi pomak të paparashikuar; iu desh ta çajë rrugën me shpatë në dorë dhe më duhet të pranoj se luftoi burrërisht, derisa e peleqisën ushtarët e vet. Dukë Gjini, i cili ka për hise të kujdeset për kufomat e pomakëve, erdhi të kuvendojë me mua për fatet e kështjellës: historia do të na gjykojë si ata që i bënë ballë armikut deri në fund, më thotë. Sa për Stres Aleksin, thonë se është duke i dhënë dorën e fundit një teorie të njësuar për luftën, paqen dhe gjithçka tjetër; po e presim me padurim.

29 shkurt

Po përtoj shumë të dal nga shtëpia, teksa mjegulla që mbulon luginën ma pengon pamjen nga dritarja e banjës. Stres Aleksin e paskan likuiduar me një goditje thike pas shpine; dyshimet kanë rënë mbi një nxënësin e tij, një farë Nik Keta, që pastaj ia vodhi dorëshkrimin me teorinë e njësuar dhe ia mbathi për të kërkuar strehë, së bashku me Andronikën, në oborrin e Tavxhait; tani kemi mbetur vetëm Dukë Gjini dhe unë; dhe i shkreti Dukë Gjin, nuk ka kohë as të marrë frymë, ngaqë i duhet të kallë në dhé pomakët nga mëngjesi në darkë. Po kush vallë i kositka gjithë këta pomakë xhanëm? Kam frikë se as edhe brezat e ardhshëm nuk do t’i japin dot përgjigje kësaj pyetjeje: por varret janë atje, për të gjithë që t’i shohin; me të vrarët radhë-radhë si ushtri të ricikluara e të spërkatura me gëlqere dhe regjistrat mortorë plotësuar me kujdes nga kopistët e Dukë Gjinit në tri gjuhë: arbërisht, latinisht dhe sllavisht. Po përtoj shumë të vras mendjen për këtë luftë idiote; po përtoj madje edhe të bëj planin për t’ia mbathur edhe unë.

1 mars

Në mes të heshtjes asfiksuese, më vinin në vesh hapat e çizmeve të rënda prej luftëtari, që i ngjiteshin shkallareve të ngushta për t’iu qasur hyrjes së apartamentit tim. Duke hequr shapkat zvarrë nëpër korridorin e errët, shkova t’ia hap derën vizitorit të vetmuar; nuk ka mbetur këmbë hyzmeqari në lagjet rezidenciale të kështjellës (e kotë ta shkoqit se ku e kanë mbajtur vrapin). Burri që më ka ardhur në derë është shtatlartë, sykuq, me krahërorin të bëshëm si fuçi baruti. Unë e njoh sakaq: Tavxhai i mnershëm.

“Ti je i vetmi që nuk tradhtove,” më thotë.

“Po Dukë Gjini…?”

“Agjenti im, që në krye; agjenti im i parë fare.”

Më vë panxhën e rëndë mbi supin kockë e lëkurë.

“Ti je i vetmi që nuk tradhtove,” më thotë sërish. “Sa për të tjerët, veç një gjë mund të them: Nuk do ta kisha fituar dot këtë luftë, po të mos ishte për oficerët tuaj. Stres Aleksi kishte të drejtë: Mua po më mbaronin edhe oficerët, edhe ushtarët, madje edhe varrëmihësit…”

Më sheh për një copë herë, me sytë zhbirues; vë re se edhe ai merr frymë me zhurmë, si miku im i vjetër, gjenerali tashmë komatoz Bua Leka.

“Po presin të gjithë jashtë mureve,” më shpjegon. “Kolegët, miqtë e tu; janë kaq shumë, sa as nuk ua mbaj dot mend emrat. Po kujt i plasi për emrat, xhanëm. Të gjithë presin të marrin nën kontroll kështjellën.”

Po ata e kishin nën kontroll kështjellën, mendoj; dhe betejat ishin kaq të lehta për t’u fituar; dhe lavdia kaq e lehtë për t’u shijuar; çfarë u thoshte mendja, kur arratiseshin në masë?

“Të gjithë po presin, hajvanët,” thotë Tavxhai, duke nxjerrë papritur një tufë çelësash të mëdhenj nga një palë e thellë e tunikës së vet të leckosur. “Merri, vëlla; merri çelësat e kësaj kështjelle. Është e jotja.”

Unë i njoh këta çelësa; ia kam parë Gjin Tanushit në zyrën e Bashkisë.

“Çfarë do të thuash me këtë ‘është jotja’, Tavxha efendi?”

“Të emëroj Kryezot të Kështjellës, i dashur,” thotë Tavxhai, duke ma prekur çaçkën e kokës me faqen e shpatës së vet të latuar. Si pa dashur, paskam rënë në gjunjë. “Sepse vetëm për shkakun tënd mund ta konsideroj këtë luftë si të fituar,” vazhdon Tavxhai, monotonisht. “Përndryshe kjo kështjellë do të më kish mbetur peng, si pushtim i kotë, një andrallë më tepër, për t’ia emëruar kryezotin… Përmendore pa kuptim, për një fitore të zbrazët.”

I njomen sytë dhe më përqafon, ari cirku i moshuar pothuajse i dekomisionuar, teksa unë ia ndiej peshën vdekjeprurëse pushtetit mbi shpatullat e mia delikate prej shkronjëtari…

21 mars

Dita e parë e pranverës; bie shi me gjyma. Shembjet e dheut kanë zbuluar të vdekurit në varrezat e pomakëve, të gërmuara me aq ngut nga Dukë Gjini. Janë kohë të vështira për të gjithë ne, ditë zie dhe pendese dhe shpagimi. Gjithsesi, është ndjenjë e mirë e ngushëlluese të gjendesh sërish mes miqsh të vjetër: princ Zenebish Stanisha, dukë Reposh Aleksi, kont Marin Vrana – tashmë nën urdhrat e mi; më bëhet zemra mal për ekipin që kam ngritur, pa zënë pastaj në gojë kryelartin Dedan Gjoka dhe Zakaria Mokrën – nipin natyral të Tanush Engjëllit, dhe Lekë Golemin fjalëpak dhe vetë kryebashkiakun Gjin Tanushi, që e kam emëruar Mjeshtër të Ceremonive por edhe mazhordom timin privat, kur më bujnë në kështjellë mysafirë të shquar; e kalojmë të shumtën e kohës duke i qëndisur raporte të gjata e të hollësishme shefit tonë Tavxha, që ia dërgojmë pastaj me kasnecë; përndryshe jeta nuk është se ka ndryshuar shumë, duke përfshirë edhe time shoqe Andronikën; lufta është luftë, por e përditshmja e përditshme…

 


Shënim: Ky tregim është botuar për herë të parë në antologjinë “Shqipëria tregon”, 1991-2010, përgatitur nga Ardian Klosi dhe Elsa Demo, K&B, Tiranë 2010.

1 Koment

  1. Mjaft tregim (apo jetshkrim i vertet?) interesant! “Shqiperia tregon”, -ku gjindet ky liber?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin