Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shah

RRETH BUDALLALLËKUT

Sapo kërkova – në Google – për emrin e asaj dege të dijes që studion budallallëkun, por nuk gjeta dot gjë.

Gjeta, përkundrazi, diskutime nëse budallallëku është e njëjta gjë me kokëshkretësinë, ose inteligjencën e ulët, ose ngathtësinë mendore.

Shembulli që do të sjell më poshtë, nga shahu, ndoshta i shërben këtij debati (pa presupozuar se të luash shah është, në vetvete, shenjë inteligjence).

Jam nisur nga një mat i njohur me “dy lëvizje”, i cili ndeshet rrallë në lojëra reale, por të paktën ekziston si mundësi teorike; dhe që njihet si “mati i budallait” (fool’s mate).

Që të realizohet ky mat, duhet që i bardhi të lëvizë ushtarin g në g4, dhe pastaj ushtarin f në f3 ose f4, në një kohë që i ziu të lëvizë paraprakisht ushtarin e në e6 ose e5, për t’i hapur rrugë damës.

Një version standard i këtij mati do të ishte: 1. f3-e5 2. g4-Dh4 mat.

I bardhi, që është viktima në këtë pozicion, ka gabuar ngaqë ka lëvizur pa nevojë dy ushtarë, duke e nxjerrë mbretin zbuluar.

The Fool’s Mate

Veçanërisht lëvizja 2. g4 mund të merret, në këtë pozicion si budallallëk, sepse i jep të ziut shansin që ta fitojë lojën menjëherë.

Por budallallëku i të bardhit i ofron mundësinë edhe të ziut që të përgjigjet me një budallallëk të vetin – për shembull, duke bërë një lëvizje tjetër nga Dh4; ngaqë nuk e ka parë matin.

(Le të përjashtojmë këtu mundësinë që i ziu ta ketë parë matin, por të ketë vendosur që të luajë ndryshe, p.sh. ngaqë po luan me një fëmijë ose kushedi për ç’arsye tjetër jo shahistike. Le të përjashtojmë edhe mundësinë tjetër, tejet reale, që i ziu ta çojë damën në h4 thjesht për të dhënë shah, pa e kuptuar se ashtu po jep edhe mat.)

Pra, le të supozojmë se i ziu nuk e ka parë matin; dhe le ta vazhdojmë këtë eksperiment mendor, duke krahasuar mes tyre dy lëvizje të mundshme të tij: 2. … Kc6 dhe 2. … Dg5.

I ziu nuk e sheh matin në h4 dhe lëviz kalin në c6

Të dyja lëvizjet janë idiote; por pyetja ime do të ishte: a kemi të drejtë të mendojmë se lëvizja me damë është më budallaqe se ajo me kalë?

I ziu nuk e sheh matin në h4 dhe lëviz damën në g5

Në kuptimin që, sa kohë që ka vendosur të lëvizë me damë, i ziu duhej ta kish parë matin në h4 (është një kuti ku shkon dama) – tek e fundit, h4 është vetëm një pozicion më tutje se g5.

Përkundrazi, lëvizja me kalë është lëvizje rutinë zhvillimi, që nuk do të kishte të sharë, sikur të mos pëlliste me të madhe, që nga pozicioni në tabelë, mati i rrufeshëm në h4.

Me fjalë të tjera: a është budallallëku edhe më i madh, kur i afrohet shumë së kundërtës?

(Kjo pyetje nuk ka lidhje me pyetjen tjetër, njëlloj legjitime: A është më i madh budallallëku i të bardhit që luan f3 dhe g4, apo i të ziut që nuk luan Dg5?)

Një shembull jashtë shahut: edhe Iliri edhe unë blejmë bileta llotarie dhe pastaj harrojmë krejt që i kemi blerë. Ndodh që bileta ime fiton 10 milion USD (pa e ditur unë): a është harresa ime më idiote se ajo e Ilirit?

12 Komente

  1. Idiotlleku i atyre qe blejne bileta llotarie dhe pastaj i harrojne eshte i njejte dhe krejtesisht i pavarur nga fakti nese biletat jane fituese ose jo. Pasoja e idiotllekut eshte e ndryshme ne rast se bileta eshte fituese e 10 milion dollareve. Gjithesesi idiotlleku mbetet i njejte, sepse ne nje skenar tjeter psh ti qe fitove dhe nuk harrove, pra nuk ishe idiot i more ato 10 milionet. Disa keqberes te lagjes te rrembejne gruan dhe kerkojne ransom 10 milion dollare qe ti qe te shpetosh jeten e gruas i jep sic i more. Shtrohet pyetja, a ishe ti idiot qe bleve bilete llotarie ne dore te pare, pastaj nuk harrove dhe i more ato 10 milionet, dhe pastaj u fute ne nje mesele qe t’i nxorri per hundesh milionat. Ne kete rast i bie qe do te kishe qene me pak idiot po ta kishe harruar bileten, ne mos hic idiot po te mos e kishe blere fare bileten.

    1. Po i kthehem edhe një herë “matit të budallait” që përmenda më lart, por tani për të vërejtur se ka – në shah por jo vetëm – dy lloj gabimesh: njëri lloj, është ai i lëvizjes 2. g4 të së bardhit, sepse ajo e ekspozon ndaj matit të menjëhershëm (Dh4); dhe lloji tjetër, ai i lëvizjes hipotetike 2. … Dg5 të së ziut (ose çdo lëvizje tjetër që nuk është Dh4); ky lloj gabimi nuk është se ekspozon të ziun ndaj humbjes së menjëhershme; në fakt, nuk sjell asnjë ndryshim në pozicion; e megjithatë, do të konsiderohet si gabim. Budallallëku i parë është fatal, i dyti jo; e megjithatë, unë do të priresha ta konsideroja gabimin e dytë si më budallallëk se të parin (ndoshta ngaqë ka atje një element të qesharakes gjithashtu).

      Ja edhe një shembull tjetër. Një app shahu që kam në telefon luan relativisht mirë kur e çoj në nivelin optimal; në kuptimin që zakonisht i fiton lojërat me mua, përveçse po të arrij ta ruaj balancën deri në finale – meqë finalet nuk arrin t’i kuptojë. Nga ana tjetër, po t’ia ul nivelin te Cilësimet, nuk është se luan më dobët në mënyrë të qëndrueshme, por alternon lëvizje të mira me lëvizje fare të dobëta. Dhe kështu, qëllon që mu në fillim të lojës, duke luajtur app-i me gurët e bardhë, në 2-3 lëvizjet e para, bën një lëvizje krejt të panevojshme me mbret, si në pozicionin e mëposhtëm (1.e4-e5; 2. Me2).

      Kjo lëvizje ia keqëson pozicionin, por nuk është se unë mund të fitoj menjëherë – është lëvizje e keqe jo sepse shkakton humbjen, por sepse është alternativa ndoshta më e dobët nga shumë lëvizje të tjera të mundshme. Sërish, unë këtë do ta quaja budallallëk.

      Që të sqarohem: këto përsiatje të miat e përdorin shahun si shembull, por nuk janë për shahun; më intereson mënyra si e perceptojmë subjektivisht budallallëkun; dhe pse një lloj budallallëku na tërheq vëmendjen më shumë, edhe pse objektivisht nuk do të dallonte nga lloje të tjera.

      1. Thua: “me intereson menyra si e perceptojme subjektivisht budallallekun…”

        Nese eshte kjo qe te intereson, atehere ndoshta duhet t’i hedhesh nje sy librit “Stupidità” te semiologut italian G. Marrone, qe e gjen edhe si ebook ne Amazon.

        1. Ti pyet: “pse nje lloj budallalleku na terheq vemendjen me shume, edhe pse objektivisht nuk do te dallonte nga lloje te tjera?”. Ne librin qe permenda pergjigjja qe do te gjeje per kete pyetje eshte: “Sepse jemi budallenj”. Natyrisht kjo sinteze e imja eshte teper e thate dhe, si e tille, e paargumentueshme ne kete hapesire, prandaj mos me kerko ta argumentoj. Jo me kot autorit i eshte dashur te shkruaje nje liber per ta shpjeguar.

      2. Lind dyshimi mos e ke hapur këtë temë që të flasim budallallëqe, megjithatë meqë përmende shahun… Jam dakord me dudedupicard në një farë mënyre dhe do të shtoja se i ziu ka një përgjegjësi më pak sepse nuk e pret gafën e të bardhit. Përgjegjësia e të cilit mbetet e plotë sepse në mbrojtje nuk mund të bësh gabime të tilla. Sidomos në shah pasoja është e ndarë nga vetë veprimi, ie. një gabim i vogël që të çon në fitore mbetet gabim dhe kthehet në fat, përveçse nëse llogarit tipin e kundërshtarit. Njëlloj, në jetën e përditshme, niveli i gabimit përcaktohet nga rrethanat e kryerjes dhe jo pasojat, me dallimin që pasojat e njohura bëjnë pjesë tek rrethanat parandaluese të gabimit. Boh

        1. Shahun e përdora si shembull sepse është një mikro-botë e rregulluar mirë, por pa qenë synimi im që të diskutoj pikërisht për shahun. Por lojërat gjithnjë ndihmojnë si modele të thjeshtuara të ndërveprimit.

          Tani, shembulli im fillestar edhe në anglishte quhet “the fool’s mate” dhe kuptohet se gafën e bën i bardhi; por i ziu do të ishte budalla sikur, në rrethana normale, të mos përfitonte. Sërish, unë pyesja nëse përgjigjja ndaj gafës perceptohet më shumë si budallallëk, sa më e ngjashme të jetë me lëvizjen e saktë.

          Më pas kaluam edhe në tema të tjera; por gjithnjë duke e mbajtur të ndarë gabimin vetë nga perceptimi subjektiv i gabimit. Për shembull, për një sondë që nuk arriti dot të ulej në Mars (Mars Climate Orbiter, në 1999), u tha se katastrofa kish lidhje me një konflikt midis sistemit metrik dhe sistemit amerikan të masave – edhe pse gabimi nuk është se u bë vetëm për këtë sondë, por këtë herë dha pasoja të tilla që u tregua me gisht si budallallëk (http://articles.latimes.com/1999/oct/01/news/mn-17288); prandaj nuk më bind deri në fund kur thua se “në jetën e përditshme niveli i gabimit përcaktohet nga rrethanat e kryerjes dhe jo pasojat”; duke filluar nga ajo “përcaktohet”, që kam frikë se ti qëllimisht e ke lënë në formë pësore/pavetore: kush përcakton? Kompjuteri? Gjykatësi? Apo opinioni publik?

  2. Budadalleku nuk ka brire, thote fjala e urte e popullit. Rasti i shahut me budadallekun me duket jo me vend, sepse fillestaret ne shah jane vetvetiu “budallenj”. Edhe shembulli i komentuesit me lart, si dhe sa e sa shembuj te tjere, nje rast te konsideruar si budadallek dikur me pare mund ta nxjerrin si jo-budadallek! Pra shembujt mbeten relative, pa permendur pastaj edhe subjektive.

  3. Ka qenë një “budalla” në Tiranën e fëmijërisë sime – Titi e quanin, trupmadh gati gjigand, por i parrezikshëm. E mbaj mend kur vinte nga rruga e Durrësit dhe kalonte përmes sheshit mu atje ku është sot bar Hemingway, për të dalë te rruga e Kavajës; dhe ecte në një mënyrë të pakuptueshme, ose më mirë, ecte por jo për të shkuar gjëkundi, thjesht ecte, duke i rënë sheshit diagonalisht, me një nxitim të pashpjegueshëm. Ndoshta pikërisht ngaqë nuk kuptohej (së paku prej nesh) se ku shkonte Titi, dhe ngaqë ecja e tij ishte e vendosur, por pa synim, e konsideronim këtë si shenjë të budallallëkut: mungesën e synimit, ose edhe të ekonomizimit të lëvizjes, ose edhe të zgjedhjes së një trajektoreje që nuk kish formulë që ta përshkruante. Tani e mendoj se kjo ka të bëjë edhe me pritmëritë (expectations) e ne të tjerëve, ose me rregullsitë me të cilat jemi mësuar, por që për Titin nuk vepronin – por nuk di nëse mjafton kaq për ta përkufizuar budallallëkun, qoftë edhe një nga llojet e budallallëkut – shpërfillja e rregullave që për ne të tjerët janë intuitive. Shembulli i fundit që solla me shahun, ose lëvizja me mbret që në fillim të lojës, duket sikur e mbështet këtë – sepse nuk ka arsye pse të lëvizet mbreti ashtu, përveçse po të pranojmë se autori i lëvizjes ka parasysh diçka për ne të tjerët të pakapshme. Nga ana tjetër, në Tiranë të marrin për “budalla” po të këmbëngulësh për ta kaluar rrugën te vijat e bardha – sidomos sa kohë që nuk ka trafik; kur rruga është bosh, atëherë pse të lodhesh e të ecësh deri te kryqëzimi? Por ka kultura të tjera, ku vijat e bardha respektohen jo si opsionale, ose jo si për t’u përdorur vetëm kur ka trafik; por gjithnjë, edhe kur rruga është bosh – dhe vështirë t’i konsiderosh ata të tjerët si “budallenj”, aq më tepër kur kultura e tyre e ka provuar që është shumë e avancuar (produktive) se jona. Rregulla të tilla të thjeshta, gati mekanike, si vijat e bardha, janë produkt edhe ato i një seleksioni; madje edhe kur individët nuk e kuptojnë dobinë e tyre. Sërish për t’u kthyer te shahu: zakonisht, mënyrat për ta filluar lojën, ose ato që quhen si “hapje”, janë të kodifikuara dhe lojtarët e mirë i dinë përmendësh – p.sh. hapja spanjolle ose mbrojtja siciliane ose gambiti i mbretit. Radha e lëvizjeve në hapjet, ose më mirë akoma, strukturat që krijohen në fushë po të respektohen hapjet, janë produkt i dhjetëra mijëra lojërave, në kuptimin që janë seleksionuar hap pas hapi, si optimale edhe për të bardhin edhe për të ziun; dhe kjo pavarësisht nga sa i kupton lojtari individual. Unë mund ta luaj mbrojtjen siciliane, me gurët e zinj, pa e ditur se synimi strategjik për të ziun është të krijojë kundërlojë në krahun e damës, përkundrejt avantazhit që ka i bardhi në qendër; por gjithsesi, edhe për mua që mund të jem profan në shah është më mirë kështu (objektivisht), sesa të lëviz kuturu. Shahu – si çdo lojë tjetër – ka dy lloj rregullash: të parat, janë të pamodifikueshme dhe të tilla që ta mundësojnë lojën (p.sh. si lëviz fili ose si bëhet rokada); të dytat janë produkt i eksperiencës, dhe nuk janë të detyrueshme – për shembull, që nuk duhet lëvizur mbreti në hapje. Dikush që nuk i respekton rregullat e para thjesht nuk di; dikush që nuk pyet për të dytat mund të na duket si budalla – pa çka se ndonjëherë risitë më të mëdha në teorinë e hapjeve kanë ardhur pikërisht nga lojtarë që kanë guxuar të këmbëngulin për të bërë lëvizje deri atëherë të pakëshilluara. Tek e fundit, një përkufizim i budallait do të ishte si dikush që i njeh rregullat, por nuk e kupton pse duhet t’i zbatojë – për shembull, dikush që e pi supën nga pjata sikur të pinte ujë nga një gotë; pse jo? Kjo do të përjashtonte nga përkufizimi, për shembull, të gjithë ata që bëjnë budallallëqe në shah (ose kudo tjetër) ngaqë nuk i kanë mësuar akoma rregullat. Por kjo varet, natyrisht, edhe nga mënyra si ia lexojmë ne synimet tjetrit – meqë fare mirë budallai mund të jemi ne. Kështu, një lojëtar me gurët e zinj që nuk më kap mua mat me damën në h4 por vendos ta çojë damën në g5 mund ta bëjë këtë ngaqë i vjen keq për mua ose ngaqë nuk dëshiron ta përfundojë lojën me dy lëvizje, meqë nuk ka asnjë interes që të fitojë kaq lehtë; tek e fundit, edhe një skuadër futbolli do të frustrohej pa masë, sikur arbitri simpatizues t’i jepte një penallti në favor, sa herë që ndonjë lojtar i saj të futej në zonën e rreptësisë të kundërshtarit.

    1. Kush eshte ky Titi? Mos eshte ai qe e njihte gati gjysma e Tirones?! Ai qe ishte si pune jevgu me duket, pak ezmer ne fytyre?! Nese po, ai ka qene rob zoti! Problemi -mendoj une- ka qene me nje pjese tjeter te shoqerise, qe donin te piketonin disa tipa per te kaluar kohen. Po keshtu edhe me Sacin, qe thonin se hante gjyse-buke 40-ce ne nje vakt. E bene per psiqiatri, te shkretin! Teresisht normal nga mendja, po te beje muhabet me Sacin. Edhe Titi trup-madhi bente normal muhabet, panvarsisht se nja 4 klase shkolle ka patur, me duket! Apo Gezim Kulufi qe rrinte gjithe diten rrugeve me zhele te pista! Te beje muhabet me kulufin, ku e ku me i rregullt nga shume njerez normale! Por shoqeria ka nevoje per kategorite, per kategorizimin e disa tipave, sepse i duket vetja ne rregull, ndaj!

      1. Ah, se harrova, edhe doktor Arqilene e konsideronin te rrjedhur nga trute aty nga fundi i 70-ave dhe fillimi i 80-ave, por nga fundi i 80-ave dhe fillimi i 90-ave u detyruan ti jepnin kredencialet e njeriut normal, ndonese njerez te tille as qe kane nevoje per te tilla rehabilitime.

  4. Meqe je fiksuar tek shahu Ardian, po te sjell dhe une nje fakt. Une kam luajtur ralle shah! Me duket nje loje e merzitshme! Jo vetem kaq, por e dij qe jam shume i dobet. Troc muhabeti, nuk marr vesh fare nga shahu, as nga terminollogjia qe ke sjelle me lart. Pra jam nje cope budalla (pa thonjza) ne shah. Mirpo une, budallai i shahut, kur me detyronte ndonje shok te luaja shah me ‘te, per te kaluar kohen dhe qe ai te mundte merzitine e tij, duke me mundur mua ne shah, une i beja nje hapje krejt te paparashikuar, me ushtarin para tores, (kot fare, thejesht per eksperiment), dhe gjate gjithe lojes nuk beja (sepse nuk isha mesuar te beja) rokaden. Te gjitha levizjet e mia te mepasme ishin teresisht jashte atyre normave klasike te hapjes-sulmit-mbrojtjes, sa shoku perballe, (me nje eksperience nja 1000 here me shume se une ne shah) bente padashur ndonje gabim te radhes dhe une perfitoja, duke e fituar lojen ose duke e cuar ne remi. Kam patur disa pak raste te tilla ne lidhje me shahun.
    Pra, ketu (dhe ne cdo rast tjeter), kemi disa kategori qe mendja jone njerezore don ti veje ne sinkron (pershtatje) te njera-tjetres, dhe keto jane budadalleku, perfitimi, rregulli. Mire rregulli mund te vendoset i njellojte per dy e me shume subjekte, por perfitimi mund te duket sot si perfitim, por neser dej del qe ka qene nje humbje, pra ngelet relativ. Dhe aq me keq me budadallekun, i cili eshte teresisht subjektiv dhe do na e ngateronte me keq punen; po ti rikthehemi rastit tim te shahut, (e ti fusim edhe nje cmim per fituesin), i bie se duhet te jesh budalla (si une), qe te fitosh ne shah me kundershtare pak me te forte! Kjo bie ndesh me … arsyen!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin