Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim

VEÇ ANALFABETËT MUND T’I LEXOJNË KËTO

Një nga pionierët amerikanë të informatikës, Saul Gorn do të mbahet mend edhe për një listë fjalish vetë-kundërshtuese, të cilën ai vetë e kish quajtur, me shaka, “Përmbledhje e klisheve të përdorura rrallë”.

Mes këtyre, gjen perla të tilla si:

Ky libër mbush një boshllëk tejet të nevojshëm.

Thellë-thellë, ai është i cekët.

E vetmja arsye pse po e përmend, është ngaqë është e parëndësishme.

Më kanë rrethuar paranojakët!

Falë Zotit, jam ateist.

Para se ta filloj këtë fjalim, dua t’ju them diçka.

Shkatërroje para se ta lexosh.

Zgjohu, është ora që të pish ilaçin e gjumit.

Nëse do të jesh i pavarur, bëj siç bëj unë.

Në SHBA, vetëm një pakicë qytetarësh nuk i përkasin ndonjë pakice.

Gjysma e gënjeshtrave që thonë për mua janë të vërteta.

Ne të Akrepit nuk i besojmë astrologjisë.

Nëse yt atë ishte steril, gjasat janë që të jesh edhe ti.

Tani, mundet që Gorn të ketë ilustruar këtu një patologji të ligjërimit; por mundet edhe që të ketë ndeshur, qoftë edhe pa dashur, në një patologji të eksperiencës, ose më mirë, të marrëdhënies sonë me eksperiencën.

Për shembull, qëkur nisi të popullarizohej libri në format elektronik (numerik), pajisjet e specializuara të leximit si Kindle dhe app-et e leximit për telefonë celularë, tableta dhe PC, pati autorë, ndonjëherë edhe intelektualë kalibri, që u ngritën në mbrojtje të librit tradicional, duke sjellë gjithfarë argumentesh – konjitive, estetike, psikologjike, etj.

Mes këtyre, tani vonë edhe Roberto Casati, një filozof italian, me esenë Contro il colonialismo digitale: istruzioni per continuare a leggere, ku argumenton në thelb se mjedisi elektronik nuk është i volitshëm për të lexuar libra; dhe pastaj sugjeron rrugëdaljet nga ky “qorrsokak.”

Pozicioni i Casati-t është legjitim edhe pse konservator; aq më tepër për mua, që sot lexoj më tepër libra në Kindle, se ç’lexoj në formatin prej letre – pa çka se e kam shtëpinë të mbushur me libra.

Dhe kjo pa zënë fare në gojë që tashmë fjalorët dhe enciklopeditë kanë marrë rrugën e dinozaurëve; dhe që nuk e mbaj mend se kur ish hera e fundit që kam prekur me dorë një gazetë prej letre; dhe që një pjesë të leximit e bëj në mënyrë fragmentare, ose duke kërcyer nga një paragraf në tjetrin, si në Facebook.

Preferoj ta mendoj këtë si pasurim të teknologjisë së fjalës së shkruar, jo si zëvendësim të një teknologjie me një tjetër – edhe pse çdo risi e rëndësishme, në këtë fushë si në çdo fushë tjetër, e ripërkufizon edhe ekzistuesen (njëlloj siç e ripërkufizoi dikur fotografia pikturën, ose fotografia numerike fotografinë analoge).

Sikurse e kam të qartë se librat e mi të parë vërtet i kam shkruar me dorë, por tani nuk jam në gjendje të shkruaj me dorë asgjë më tepër se shënime dhe ide të shkëputura, të cilave më pas u jap formë të lexueshme në kompjuter. Kjo mund të ketë ndikuar, do të ketë ndikuar edhe në mënyrën si shkruaj, në stilin, në vështrimin tim si autor ndaj tekstit – por nuk është e thënë të ketë ndikuar për keq.

Gjithsesi, dhe pavarësisht nga çfarë më është dashur të shkëmbej, eksperienca e të shkruarit dhe të lexuarit elektronik (numerik) për mua ka qenë një positive sum game.

Por nuk është kjo tema e këtij shkrimi. Në fakt, arsyeja pse citova në fillim “klishetë pak të përdorura” të Gorn-it, lidhet pikërisht me paradoksin në të cilin ngecin libra të tillë si ky i Casati-t – meqë mua argumentet e tij kundër leximit elektronik më mbërrijnë në formatin elektronik, meqë librin e tij, sikurse qindra të tjerë, e kam në Kindle.

Madje jo vetëm e kam librin në Kindle, por edhe nuk mund ta kisha veçse në Kindle; meqë Casati e ka botuar librin në Itali, ndërsa unë jam në New York; dhe çmimi i librit të tij në “hard copy” është dyfish i çmimit të tekstit për Kindle – çfarë ka rëndësi për mua, meqë blej shumë libra (të tjerë libra të këtij autori nuk gjenden, përveçse po t’i blej në Itali, çfarë do të më kushtonte të paktën 3-4 fish).

Me fjalë të tjera, tezat e Casati-t kundër formatit elektronik, sado të argumentuara mirë, jo vetëm i nxori deti në këto brigje në formatin elektronik; por edhe, praktikisht, nuk do të kishin mbërritur dot në ndonjë mënyrë tjetër.

Nga kjo pikëpamje, revolucioni elektronik – po e quaj kështu – në përhapjen e librit është i krahasueshëm me atë të Gutenberg-ut: shtypshkrimi ndoshta ua hoqi dorëshkrimeve efektin e komunikimit intim me autorin (shkruesin), ose magjinë që shërben si emërues i përbashkët i shkrimit me dorë (kaligrafisë) dhe vizatimit; por ama e kompensoi këtë mijërafish me përhapjen e librit, të alfabetizimit, të leximit, të lexuesit dhe, në analizë të fundit, edhe të vetë argumentit se teknologjia i shërben vetes, jo njeriut.

Dhe meqë jemi në temë, edhe fjalitë vetë-kundërshtuese të Saul Gorn-it nuk do t’i kisha lexuar dot, dhe as do t’ua kisha sjellë ju, jashtë kontekstit të leximit dhe të shkrimit elektronik.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin