Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

SHTETI DHE KOMBI KRISTIAN

Pas asaj të “shtetit natyror”, një tjetër ide bazë e ndërgjegjes kombëtare amerikane që vjen nga koha e krijimit të Shteteve të Bashkuara, eshte ajo e kombit dhe shtetit kristian, po aq e rrënjosur thellë e me ndikim të qartë në historinë e vendit.

Kjo ide është formuar gradualisht e për disa arsye, dhe njerëz të ndryshëm i japin këtij termi kuptime po aq të ndryshme, të cilat do përpiqemi t’i sqarojmë në vazhdim. Pamë në artikullin e kaluar se Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta amerikane shprehnin qartë vizionin e themeluesve për shtetin e ri, si zbatim praktik i idealeve iluministe e deiste, si organizim i mbështetur mbi të vërteta të shpalosura në vetë natyrën. Ndërkaq Amendamenti i Parë kushtetues sanksionoi liri të plotë besimi, duke i ndaluar qeverisë çdo përzjerje në këtë çështje.

Nga ana tjetër ky pozicion i marrëdhënieve të kishës me shtetin ka qenë disi paradoksal në rastin e Shteteve të Bashkuara, sepse republika amerikane e nisi dhe e vazhdoi rrugëtimin e saj në shumë aspekte si një vend kristian. Deizmi i etërve themelues s’mund të mendohet i shkëputur nga Bibla, sepse megjithëse ata i rezistuan presionit për të krijuar një shtet qartazi kristian, konceptet biblike ndikuan gjerësisht në institucionet politike amerikane. Po ashtu, ideja e “shtetit kristian” u pasqyrua në rezultate praktike gjatë shekullit XIX kur protestantët pothuajse ia arritën ta kristianizojnë vendin nëpërmjet lëvizjeve të mëdha të zgjimit shpirtëror.

Një karakteristikë e debateve të sotme politike amerikane janë pohimet e vazhdueshme nga ndjekësit e grupimit të njohur si e Djathta Fetare se synimi i humanistëve e jobesimtarëve është të largojnë Zotin e besimin nga arena publike, duke e kthyer Amerikën në një shtet laik si ato të Europës Perëndimore. Por në fakt një frikë e tillë ka qenë e pranishme qysh në fillimet e shtetit të tyre, pavarësisht se pak amerikanë janë sot të ndërgjegjshëm për këtë. Edhe para 250 vjetësh etërit themelues shiheshin prej shumë bashkëkohësve si krejt të pafe e të tillë që synonin largimin e besimit nga kultura e nga qeverisja. Duke krijuar një shtet laik e me liri të plotë besimi, ata shtetarë të shquar ishin deklaruar haptazi, në sytë e besimtarëve, jo vetëm kundër një republike kristiane, por edhe kundër vetë besimit kristian. Kjo sepse nocionet e shtetit laik, apo të bashkekzistencës së shumë besimeve, që merren sot të mirëqena, zor se mund të konceptoheshin në atë kohë. Bile kur vetë hartuesi i Deklaratës së Pavarësisë, Thomas Jefferson, ishte kandidat për president në zgjedhjet e vitit 1800, mjaft zëra u ngritën duke e akuzuar për ateizëm të hapur e duke shprehur dyshimin se administrata e tij do të inkurajonte shthurjen morale e do të çonte republikën e re në një fund të parakohshëm. Megjithë polemikat e ashpra, Jefferson arriti të zgjidhej president dhe Amerika jo vetëm që mbijetoi, por edhe e dyfishoi territorin e saj pasi i bleu Francës zotërimin e Louisiana-s më 1803. As Amendamenti i Parë, garancia e qeverisjes laike, nuk u shfuqizua, e kështu për përkrahësit e vizionit të një “shteti kristian”, u bë e qartë se Amerika s’do të ishte e tillë, të paktën nga ana ligjore.

Në këto kushte besimtarët iu vunë punës për të arritur nëpërmjet bindjes objektivin e tyre të mohuar nga ligji, duke u angazhuar në një lëvizje masive të përtëritjes së besimit, të njohur me emrin Zgjimi i Dytë i Madh, në dallim nga lëvizja e ngjashme, Zgjimi i Madh, që pati përfshirë kolonitë treçerek shekulli më parë. Kjo ishte një përpjekje serioze për të realizuar idealin e vjetër puritan të vendosjes së një rendi shoqëror të bazuar vetëm në vullnetin hyjnor, dhe u kushtëzua nga disa faktorë, si p.sh. përkrahja për modelin europian të një kishe zyrtare, pa të cilën mbijetesa e Amerikës quhej e pamundur. Po ashtu Revolucioni francez, me dhunën e mizoritë e panumërta dhe me sanksionimin zyrtar të arsyes si Qenia Supreme, i tronditi thellë amerikanët, sidomos besimtarët kristianë. Kjo sepse ndihma e Francës kish qenë vendimtare në suksesin e luftës së tyre për pavarësi, por edhe sepse Revolucioni francez shpallte po ato parime si amerikani: të drejta të barabarta për të gjithë, bazuar tek “natyra dhe Zoti i natyrës”.

Si shprehje e nevojës për ringjallje të vërtetë të besimit, mitingje e predikime të zjarrta shpërthyen në të gjithë vendin rreth vitit 1800, me pastorët që u bënin thirrje njerëzve për pendesë të thellë, duke u përqëndruar në dashurinë e Zotit, e duke lënë mënjanë dallimet mes sekteve të ndryshme. Oratorët insistonin se kristian i mirë mund të ishte vetëm ai që kërkonte më të mirën e mundshme jo veç për vete, por edhe për botën përreth, e kësisoj një numër i madh besimtarësh iu kushtuan reformave sociale si përmirësimit të kushteve në burgje, luftës kundër alkoolizmit, dhe nismave për edukimin e popullatës në përgjithësi. Kjo lëvizje e gjerë reformash u përhap me shpejtësi, mbështetur edhe nga krijimi një numri të madh shoqatash, të cilat me punën e tyre arritën të kryejnë ndryshime të thella e të përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve.

Por pasoja më e dukshme e këtij zgjimi shpirtëror ishte shumëfishimi i përpjekjeve kundër skllavërisë, ku një shembull i spikatur ishte ai i autores Harriet Beecher Stowe, e mirënjohur edhe nga lexuesi shqiptar. Me përshkrimet e gjalla të tmerreve të jetës zezake në librin i saj të famshëm “Kasollja e Xha Tomit”, ajo dha ndihmesë të paçmuar në ndryshimin e opinionit publik në Veri e në Jug, aq sa presidenti Lincoln gjatë Luftës Civile e quajti atë “gruaja e vockël që filloi një luftë të madhe”. Mbi bazën e besimit kristian, Shoqata Amerikane kundër Skllavërisë iu kushtua luftës për çrrënjosjen përfundimtare të saj, nëpërmjet fushatash intensive për të liruar sa më shumë skllevër e për t’i dërguar sëbashku me zezakët e lirë në bregdetin e Afrikës Perëndimore. Këto përpjekje çuan midis të tjerash në themelimin e Republikës së Liberisë më 1847, të vetmit shtet afrikan të pakolonizuar ndonjëherë nga fuqitë europiane. E gjithë kjo veprimtari e ethshme sociale solli edhe përhapjen e protestantizmit në të katër anët e vendit dhe fillimin e mbizotërimit të tij absolut, që zgjati për më se një shekull e që arriti ta rrënjosë thellë idenë e “shtetit kristian”, cilësim që haset edhe në dokumente zyrtare të kohës.

Ndërkaq aspektet kritike të këtij koncepti qëndrojnë së pari në atë se duke u nisur nga qëllimet e themeluesve, qenia e Amerikës “shtet kristian” ishte në rastin më të mirë e diskutueshme, por nga ana tjetër ky koncept është i dyshimtë edhe nga pikëpamja e vetë domethënies së tij. Grupe të ndryshme besimtarësh e kanë kuptuar atë në mënyra të ndryshme, duke filluar qysh nga periudha e Reformës, dhe një vend të veçantë ze këtu sekti i rëndësishëm i anabaptistëve, ose ripagëzuesve. Ata e hidhnin poshtë si të pakuptimtë synimin për të kristianizuar kulturën, dhe refuzonin vendosmërisht çdo përzjerjeje të kishës me pushtetin, pra me forcën shtrënguese. Ky refuzim u solli anabaptistëve përndjekjen nga grupet e tjera kristiane, megjithëse ishte pozicioni i tyre ai që përputhej më tepër me mësimet e Jezu Krishtit e të Dhiatës së Re. Qëndrimi i tyre parimor vinte vetëm nga dëshira për të mbrojtur pastërtinë e besimit e të kishës, sepse nëse kjo synonte të kristianizonte krejt vendin, duhej të bëhej e pranueshme për publikun në përgjithësi, duke komprometuar vlerat e saj themelore. Ishte pikërisht kjo që ndodhi në Shtetet e Bashkuara në fillim të shekullit XIX, kur besimtarët u përpoqën të krijonin në praktikë një “Amerikë kristiane” që u ishte mohuar formalisht.

Duhet shënuar këtu se për shoqërinë amerikane të kohës vlera më kryesore ishte liria, e kuptuar si liri individuale për të ndjekur interesin personal, bazuar në parimet e natyrës. Por kjo kundërshtonte konceptin kristan të lirisë, pra atë të një lirie për t’u zveshur nga interesi personal me qëllim që t’u shërbehet të tjerëve. Megjithatë, për t’u pranuar nga kultura e përgjithshme, kisha duhej ta mbështeste atë kulturë, e kësisoj kristianët u përpoqën ta paraqesin besimin e tyre si të bazuar në natyrën dhe arsyen. Ky besim iu përshtat gradualisht normave kulturore, në vend që të ishin këto të fundit ato që të ndiqnin besimin. Ndodhi pra ajo së cilës i qenë druajtur anabaptistët e hershëm, dhe të drejtat e patjetërsueshme të të gjithë njerëzve u transformuan lehtësisht në praktikë në të drejta të patjetërsueshme për të gjithë njerëzit e bardhë, duke e zveshur besimin kristian nga radikalizmi i mësimeve morale të Jezu Krishtit. Në mbarim të këtij procesi njëshekullor ishte vështirë të dalloje kristianizmin amerikan nga kultura amerikane në përgjithësi, dhe shembulli më i qartë e tragjik i përparësisë së vlerave kulturore ndaj atyre kristiane mbetet justifikimi i skllavërisë nëpërmjet besimit kristian nga popullsia e bardhë e Jugut.

Pikërisht kjo përparësi ishte në qendër të kritikës së idesë së “shtetit kristian” nga pakica me ngjyrë e cila shihte tek ajo ide kontradikta të qarta, megjithëse të padukshme për shumicën e bardhë. Autorët zezakë, si D. Walker apo F. Douglass, ishin besimtarë kristianë të devotshëm, por ata shtronin pyetjen logjike se si ishte e mundur që një vend edhe të vetëquhej kristian, edhe të ruante skllavërinë për një kohë aq të gjatë. Për këta autorë ungjilli i predikuar nga kisha e bardhë s’kishte asnjë lidhje me ungjillin paqësor, të paanshëm e çlirues të Jezu Krishtit. Konfirmohej pra përsëri ajo se rezultati i përpjekjeve për të kristianizuar kulturën do të çonte në komprometimin e vetë besimit kristian.

Edhe pas heqjes së skllavërisë e mbarimit të Luftës Civile më 1865, diskriminimi racial qëndroi si tipar kryesor i jetës në Jug për 100 vjet të tjera, duke gëzuar përkrahjen e kishave të bardha. Shumica e tyre u rreshtuan hapur kundër lëvizjes për të drejtat qytetare në vitet ’60 të shekullit XX dhe udhëheqësi i kësaj të fundit, pastori Martin Luther King ishte personaliteti publik zezak që u prononcua më ashpër asokohe ndaj kishës së bardhë. Por megjithë zhgënjimin e madh, King bënte kujdes të shprehte qartë dallimin ndërmjet dashurisë së tij për besimin kristian e mësimet e Jezu Krishtit, dhe neverisë për përçudnimet e atij besimi nga Amerika e bardhë. Deri në fund të jetës ai mbeti i mendimit se integriteti i kishës amerikane ishte cënuar rëndë nga një përshtatje e tillë me kulturën raciste të Jugut dhe me shpërfilljen e problemeve të tjera sociale.

Megjithë këto kontradikta, ideja e “shtetit kristian” vazhdoi të ishte e dukshme gjatë shekullit të kaluar, por ajo është rikthyer fuqimisht në arenën publike ç’prej viteve ’70, kur një pjesë e besimtarëve vendosën t’u rezistonin prirjeve laicizuese, e të mbronin me çdo kusht “Amerikën kristiane”. Në artikuj të mëvonshëm do të ndalemi në politizimin e kësaj rezistence, të kurorëzuar me përfshirjen masive të besimtarëve në politikë dhe krijimin e grupimeve me objektiva të deklaruara për rikthim te “shteti kristian” e të rreshtuara hapur në një anë të vetme të spektrit politik.

Si përfundim mund të themi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë një vend kristian në aspekte të rëndësishme, sepse ky ishte burimi i shpresave e aspiratave të kolonistëve puritanë, megjithëse duhej të kalonin 200 vite të tjera deri te krijimi i republikës amerikane. Edhe programi e vizioni i themeluesve ishin të rrënjosur në një botëkuptim moral judeo-kristian, e së fundi, “shteti kristian” u bë pothuaj realitet gjatë shekullit XIX, si rezultat i Zgjimit të Dytë. Është gjithaq e vërtetë që ky nocion u zbeh disi gjatë shekullit XX, por ai mbetet ende i fuqishëm, sidomos në krahasim me shoqëritë e ngjashme europerëndimore. Përkushtimi ndaj besimit kristian ka bërë që mijëra misionarë të shkojnë e të punojnë në kushte të vështira kudo në botë për të shpallur ungjillin e Krishtit e për të ndihmuar të tjerët me të gjitha mënyrat e mjetet e mundshme. Dhe ne shqiptarët s’mund të harrojmë ndihmën e madhe të besimtarëve amerikanë për punën e figurave të tilla të panteonit tonë kombëtar si Gjerasim, Parashqevi e Sevasti Qiriazi, Kristo Dako, Petro Nini Luarasi, etj.

Por nga ana tjetër ideja e një “Amerike kristiane” është problematike, sepse kundërshton vizionin e etërve themelues, të cilët pavarësisht nga besimi i tyre, nuk synuan të ndërtonin një shtet haptazi kristian. Ky nocion nuk përputhet as me ndryshimet e thella të shoqërisë amerikane qysh prej asaj kohe, e as me larminë e besimeve dhe kulturave në ditët e sotme. Dhe arësyeja e fundit, por jo më e pakta, është se një “Amerikë kristiane” më së shumti do të thotë një besim kristian i amerikanizuar dhe akulturor, siç e kanë treguar qartë përvojat e anabaptistëve të shekullit XVI e ato të zezakëve amerikanë gjatë gjithë historisë së tyre. Dëshmia më e freskët e këtij akulturimi ishte përkrahja masive e një kandidati si Donald Trump në zgjedhjet e fundit presidenciale, që do të kemi rastin ta analizojmë në artikuj vijues.

2 Komente

  1. Kontradikta, paqartesia, rremuja, ka karakterizuar gjithmone boten (e ashtuquajtur) anglo-saksone! Si ne ligje, si ne dekrete, si ne veprime!

  2. Ne rastin e Amerikes nuk eshte e drejte te flasesh per ”shtet e komb”, mund te flasesh per shtet-komb. Duhen disa shekuj te tjere jete e nje koncept te lidhur te pakten me nje gjuhe te perbashket si Franca qe te lejohet ndarja ne ”shtet e komb”. Perndryshe mund te flasesh lirisht per ”shtet e komb” italian, gjerman, polak, shqiptar etj. Kombi si i veçuar nga shteti, do te thote nje komunitet qe mund te ekzistoje pavaresisht shtetit te vet, dmth qe ka dhene prova ekzistence ose qe mund te supozohet se mund t’i mbijetoje zhdukjes se shtetit te vet, si ne rastin freng (supozohet mbijetesa, i jepet kredi hipotezes, edhe pse s’ka qene ndonjehere pa shtet).

    Feja ka luajtur rol kyç ne krijimin e mbajtjen gjalle te komuniteteve ne Amerike, gjate gjithe fazes se ekspansionit amerikan nga Lindja ne Perendim. Nuk duhet anashkaluar fakti se amerikanet gjate ketij ekspansioni nuk i kane krijuar komunitetet mbi bazen e vlerave amerikane te Kushtetutes, por mbi Bibel te cilave u rrinte si garniture Kushtetuta.

    Duhet diçka e madhe, nje koncept si atdheu,gjaku/etnia, gjuha apo feja per te krijuar komunitete te qendrueshme ne kohe, nuk eshte nje cope letre e firmosur nga aristokratet qe krijon komunitet.
    Amerikanet nuk kishin as atdhe, se e kishin lene prapa ne Europe, as nje etni, se ishin nga cdo cep i Europes, as nje gjuhe te perbashket, anglishtja ka sherbyer de facto, por ishte gjuha e nje shteti tjeter.
    Ne keto kushte njerez pa nje atdhe, pa nje gjak, pa nje gjuhe detyrimisht do te shkonin tek feja per te gjetur perbashkesine elementare per te krijuar komunitet. Madje mundesisht Protestante e njihet mire diskriminimi relativ i katolikeve.

    Amerika mund te kish zgjedhur anglishten si themel te shtet-kombit amerikan, keshtu te hiqte fene njehere e mire nga nevojat ekzistenciale te komunitetit, ne fund te fundit koncepti i Atdheut eshte i mjaftueshem per ta dalluar nga Anglia dhe koncepti i Atdheut eshte krijuar tashme se kane kaluar mbi 1 shekull qe Amerika ka kufij stabel.

    Por, per mendimin tim ky gabim esencial tashme eshte i pandreqshem sepse spanjishtja nepermjet hispanikeve ka zene rolin e vet e Amerika do filloje t’i ngjaje Kanadase, do krijohet ne Amerike ndonje ‘Quebek’ hispanik ne shtetet kufitare me Meksiken, qe gjithsesi kane qene meksikane para se te beheshin amerikane.

    Atehere te vjen edhe Trumpi edhe Kisha Protestante. Po tashme gabimi i nje koncepti themeltar, nje emeruesi minimal te perbashket, eshte bere e s’ka kthim prapa. Nuk te ben komunitet nje cope letre, duhet diçka qe ka dhene prova ne historine e njerezimit, duhet ”the Book of Eli”.
    Atdheu po ka vlere te paçmueshme, veçse duhet edhe gjuha ose feja, diçka shpirterore te balancoje tokesoren.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin