Nëse ideja e popullit të zgjedhur që analizuam në artikullin paraardhës, gjente zanafillën e saj në Amerikën koloniale, periudha e Revolucionit amerikan dhe e krijimit të Shteteve të Bashkuara (1765-1783) sheh lindjen e disa ideve të tjera bazë të ndërgjegjes kombëtare, të cilat mbeten në qendër të kuptimit të vetvetes nga amerikanët. Ato dukeshin asokohe aq të qarta e të padiskutueshme, sidomos për amerikanët me origjinë europiane, saqë zor se mund të viheshin në dyshim, e fakti është se ato ide e kanë përkufizuar kulturën amerikane në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Një nga idetë kryesore të mbrujtura në atë periudhë është ajo e “shtetit natyror” e cila filloi të dilte në fillimet e Revolucionit, duke pasur rrënjët në filozofinë iluministe europiane, sidomos atë angleze.
Rrethanat e lindjes dhe zhvillimit te iluminizmit ishin ato të periudhës së Reformës së besimit kristian në Europën e shekujve XVI-XVII, kur një numër vendesh u shkëputën nga Kisha katolike e Romës dhe përqafuan variantin e ri të kristianizmit, atë protestant. Reforma tronditi në themel krejt organizimin e shoqërisë europiane, e jo vetëm në aspektin besimtar apo kishtar. Në atë kontekst luftrash të përgjakshme ndërmjet katolikëve e protestantëve disa mendimtarë filluan të argumentonin se mosmarrëveshjet vinin nga interpretimet e shumta të Biblës si pasojë e përkthimit të saj në gjuhët lokale. Kjo sepse Reforma i kish dhënë praktikisht fund monopolit të Kishës Katolike romane mbi Biblën në latinisht dhe mbi interpretimin autoritativ e zyrtar të saj.
Por Zoti, shkruanin këta mendimtarë, si Edward Herbert of Cherbury më 1624, i kish dhënë njeriut edhe një libër tjetër përveç Biblës, librin e madh të natyrës, ku njeriu mëson disa të vërteta që gjenden në të gjitha besimet fetare të botës. Më themelorja ndër to është ekzistenca e Zotit, bazuar jo vetëm në rregullin e simetrinë e krejt sistemit të natyrës, por sidomos në parimet morale më elementare që na mësojnë për avantazhet e virtytit ndaj vesit, apo se s’duhet të vrasësh, të vjedhësh e përndryshe të abuzosh një qenie tjetër njerëzore, parime pra që na bëjnë të dallojmë të mirën nga e keqja. Po ashtu, natyra na mëson që njerëzit duhet të pendohen për gabimet që bëjnë dhe që drejtësia e Zotit do t’i shpërblejë të mirët e do t’i ndëshkojë të këqinjtë pas vdekjes. Përderisa parime të tilla ishin në themel të të gjitha besimeve, këta mendimtarë e filozofë, të njohur si iluministë dhe deistë, i këshillonin besimtarët kristianë të vinin në qendër të vëmendjes librin e natyrës, për t’ia hequr kështu bazën teologjike luftës fetare e për t’i dhënë fund një gjëme të tillë. Të gjitha fetë, apo sektet e ndryshme brenda së njëjtës fe, reduktoheshin pra në disa të vërteta të vetëkuptueshme, të bazuara tek natyra, për të cilat mund të binin dakord të gjithë njerëzit e arësyeshëm.
Pikërisht në një kuadër të tillë u formësua edhe republika amerikane, me konceptimin më 1776 dhe sanksionimin me kushtetutë më 1787, si një produkt i botëkuptimit iluminist. Shumica e etërve të saj themelues ishin të frymëzuar nga ajo filozofi, dhe këtu një vend të spikatur zë sidomos Thomas Jefferson, autori i Deklaratës së Pavarësisë dhe ideatori i shumicës së parimeve mbi të cilat u ngrit sistemi politik amerikan. Të tillë ishin po ashtu edhe Benjamin Franklin, John Adams, James Madison, Thomas Paine e të tjerë, parimet iluministe e deiste të të cilëve ndërthureshin ngushtë me traditat e konceptet biblike që mbeteshin baza e ideve politike të këtyre etërve të kombit amerikan. Mund të pohohet se përqafimi i deizmit nga ana e themeluesve pati pasoja tepër të rëndësishme për shtetin e ri, bazuar në potencialin që besimi e feja në përgjithësi kishin për të ardhmen e këtij shteti. Nga njëra anë besimi ishte një avantazh i madh, sepse nxiste moralitetin e shëndoshë, por kjo shoqërohej edhe me rrezikshmëri serioze nga numri i madh i sekteve e rrymave kristiane në konkurrencë me njëra-tjetrën. Secila prej tyre shpresonte në fakt të bëhej ajo vetë kisha apo feja zyrtare e shtetit te ri, dhe kishin qenë pikërisht shpresa e ambicje të tilla në zanafillë të katastrofës europiane të shekullit XVII. Për etërit themelues, konflikte të tilla edhe në Amerikë përbënin një rrezik të madh e të mundshëm, prandaj çështja më e rëndësishme ishte parandalimi i tyre.
Në mes të diskutimeve të shumta gjatë Revolucionit këta shtetarë të shquar ja dolën ta zgjidhin problemin në mënyrë gjeniale, duke shmangur çdo pozicion të skajshëm. Kështu ata refuzuan edhe shpalljen e ndonjërës prej kishave ekzistuese si kishë zyrtare, edhe formulimin e vizionit të tyre mbi baza krejt laike. Besimi fetar u reduktua kësisoj në disa të vërteta themelore të bazuara kryesisht mbi arsyen, dhe në këtë kuadër, Deklarata e Pavarësisë është dokumenti ku perspektiva deiste pasqyrohet me qartësinë më të madhe. Duke shpallur që në fillim frazën lapidare se ”ne i quajmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe janë pajisur prej Krijuesit me disa të drejta të patjetërsueshme midis të cilave janë jeta, liria dhe synimi për lumturi”, duket se dokumenti e pohon haptazi ekzistencën e Zotit (Krijuesit). Ndërsa me konceptin e të drejtave të patjetërsueshme Deklarata afirmon po aq haptazi edhe ekzistencën e një rendi moral të vetëkuptueshëm prej të gjithëve. Për më tepër, hyjnia quhet me emrin “Zoti i natyrës”, pra një Zot i njohshëm prej çdokujt nëpëmjet natyrës, ndërsa e drejta e kolonive për shkëputje nga perandoria britanike mbështetet qartë vetëm tek “ligjet e natyrës dhe të Zotit të natyrës”.
Pikënisja e Revolucionit amerikan bëhet kësisoj vetëm egzistenca e një Zoti të njohshëm nga natyra, dhe e një rendi moral të konsideruar të mirëqenë. Duke respektuar në mënyrë të barabartë të gjitha besimet fetare, dhe duke vënë theksin jo tek dogmat e veçanta të tyre, por tek sjellja e mirë morale, hidhen bazat e një shoqërie në të cilën besimet e ndryshme munden të bashkëegzistojnë në mënyrë paqësore, tipar që e dallon qartë republikën e re nga shoqëritë e ngjashme të Botës së Vjetër.
Suksesin e jashtëzakonshëm të këtij vizioni të themeluesve e dëshmon fakti që amerikanët kanë respektuar në vazhdimësi parimin se pavarësisht se cilës rrymë apo kishë i përkasin, themelorja është besimi tek Zoti dhe jeta e moralshme. E drejta për liri edhe në fushën e besimit u konsolidua më vonë me Amendamentin e Parë të Kushtetutës, i cili parandalon çdo mundësi që qeveria federale të shpallë një besim të veçantë si fenë zyrtare të vendit, duke e bërë kështu besimin thjesht të paprekshëm nga ana e qeverisë.
Por nga ana tjetër është gjithaq e gabuar të pretendojmë se ndarja e kishës nga shteti, e çimentuar në këtë amendament, do të thotë edhe ndarje e besimit nga kultura. Kjo do të injoronte jo vetëm forcën e kredos amerikane, por edhe mënyrat e panumërta me të cilat besimet fetare, e sidomos ai kristian, edhe pse shpesh të pashpallura hapur, kanë mbrujtur ndërgjegjen kombëtare dhe krejt jetën e amerikanëve.
Me një vizion të tillë të natyrës dhe të ”Zotit të natyrës” në bazën e eksperimentit amerikan, ishte e lehtë të mendohej se ky organizim i ri politik thjesht pasqyronte mënyrën me të cilën vetë Hyjnia synonte të rregullonte punët e njerëzve. Sistemi amerikan shihej kështu jo si i dalë nga mendja e disa njerëzve, sado të urtë e të mençur, por si i shpalosur në natyrë nga Providenca hyjnore, gjë që përputhej për bukuri edhe me idenë më të hershme të ”popullit të zgjedhur”. Një ilustrim i kësaj bindjeje na vjen nga pena e Thomas Paine, njëri prej etërve themelues më të njohur, i cili shkruante se “rrethanat e Amerikës janë si ato të krijimit të botës. Ne gjendemi në pikën e fillimit të qeverisjes njerëzore, sikur të ishim në fillim të kohës. Përpara nesh është një vëllim i madh jo historie, por faktesh, të pagjymtuara nga peripecitë apo gabimet e traditës njerëzore”. Pikërisht kjo është edhe shprehja më e plotë e më e qartë e konceptit të shtetit natyror.
Mund të themi se kjo ide është mishëruar në praktikë në njëfarë nënvlerësimi prej amerikanëve të forcës së historisë e të traditave në formimin e kombit të tyre, duke e parë atë si të paprekur nga historia njerëzore me gjithë majat e humnerat e saj, si një ”komb të zgjedhur” të dalë drejtpërsëdrejti nga dora e Zotit. Identiteti amerikan, me fjalë të tjera, s’kishte lidhje as me historinë dhe kulturën angleze, as me Greqinë apo Romën e vjetër, por vinte thjesht nga natyra dhe nga vetë Krijuesi.
Nga ana tjetër “shteti natyror” përmban në vetvete edhe një kontradiktë të spikatur, sepse tradita politike e kulturore e krijuar prej amerikanëve vinte nga një kontekst i dominuar nga meshkujt e bardhë, protestantë, me origjinë europiane. Megjithatë ajo traditë, dhe institucionet përkatëse, janë mbrojtur me gjuhën e të drejtave e idealeve natyrore, duke u absolutizuar e duke u shpallur si të natyrshme e të përgjithshme. Ato janë konsideruar pra të përshtatshme për të gjithë njerëzit në çdo vend e në çdo kohë, gjë që përbën njëfarë gjymtimi të kësaj ideje themelore. Në aspektin e saj më konstruktiv ajo ide afirmon se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, por disa herë ajo mund të kthehet në atë se vetëm disa qytetërime e kultura janë të bazuara në ligjet e natyrës, apo sipas shprehjes së njohur “më të barabarta” se të tjerat, që do të thotë se këto të fundit janë të sajuara nga mendja e njeriut, nga historia, etj. Dhe kështu ka ndodhur në disa raste gjatë historisë amerikane, si p.sh. gjatë luftës me Spanjën më 1898 kur ndërhyrja në Kubë e Filipine u justifikua midis të tjerash, edhe me ligjet e natyrës.
Shihet qartë pra se në ç’mënyrë ideja e “shtetit natyror” ishte njëfarë thike me dy presa, me ndikime në dy drejtime të ndryshme. Nga njëra anë ajo premtonte se “jeta, liria dhe synimi për lumturi” ishin “të drejta të patjetërsueshme” për “të gjithë njerëzit” dhe të bazuara fort në “natyrën dhe Zotin e natyrës”. Nga ana tjetër ajo e përkufizonte natyrën në terma qartësisht eurocentrike, pra në interesin e veçantë të meshkujve të bardhë me origjinë europiane. Dhe një shembull i kësaj kontradikte janë edhe veprat e Jefferson, sepse autori famëmadh i Deklaratës po aq famëmadhe, e urrente personalisht sistemin e skllavërisë, por megjithatë mbeti deri në fund të jetës një pronar i madh skllevërish, ashtu si shumë nga etërit e tjerë themelues. Në librin e tij ‘Shënime për Virginia-n’, të botuar pas kurorëzimit me sukses të Revolucionit, ai argumentonte se të zinjtë ishin ”prej natyre” inferiorë ndaj të bardhëve, e se kjo vinte vetëm nga natyra, e jo nga kushtet sociale.
Por ishin pikërisht zezakët, të cilët duke qenë si të thuash “jashtë” kredos amerikane, mund t’i shihnin më qartë kontradiktat dhe eurocentrizmin e saj. Kështu nga rradhët e tyre dolën një sërë veprimtarësh e autorësh të shquar, si David Walker më 1829, apo Frederick Douglass gjatë Luftës Civile, të cilët e kritikuan ashpër sistemin e skllavërisë, duke sjellë argumenta të shëndosha se mjerimi i tyre vinte nga gjendja ku ndodheshin, dmth nga skllavëria, e jo nga natyra. Kritikat e tyre i kundërviheshin Jefferson-it drejtpërsëdrejti, duke nxjerrë në pah ambiguitetet dhe ironinë e idesë së “shtetit të natyrshëm”, e duke thënë se të bardhët e kishin bërë veten e tyre “armiq të natyrshëm” të të zinjve me veprimet e tyre haptazi të dhunshme ndaj “natyrës njerëzore”. Fakti që të bardhët e kishin të nevojshme t’i mbanin zezakët në pranga ishte sipas tyre dëshmia më e mirë e qenies së afrikanëve anëtarë me të drejta të plota të racës njerëzore, ”mbajtës të shëmbëlltyrës së Zotit” në kuptimin më të vërtetë të fjales.
Nga të gjitha këto mund të pohojmë se ideja e kombit dhe shtetit ”natyror” është produkt i drejtpërdrejtë i kredos amerikane, e cila shpall se ndërmjet të vërtetave me të cilat njeriu ndeshet gjatë jetës, disa janë thjesht “të vetëkuptueshme” prandaj s’kanë nevojë të provohen logjikisht. Më kryesoret ndër to janë liria e barazia e njerëzve, dhe synimi i tyre për lumturi, të cilat sipas kredos janë të tilla sepse janë të rrënjosura në “natyrën dhe Zotin e natyrës”, e pasqyrojnë thjesht mënyrën se si gjërat duhet të jenë. Por është gjithashtu e vërtetë se disa herë për fat të keq ideja e shtetit natyror është gjymtuar dhe kthyer paradoksalisht në të kundërtën e kredos nga e cila buron. Nga ana tjetër s’ka asnjë dyshim se në masën që amerikanët e kanë vënë në jetë kuptimin e parimeve të saj, kredoja amerikane ka sjellë të mira të panumërta jo vetëm për ta, por (siç dëshmohet edhe nga ne shqiptarët në momente kyçe të historisë sonë) gjithashtu për shumë popuj të tjerë kudo në botë.