nga Jorge Luis Borges
I lodhur me dheun e vet të Spanjës, një ushtar i vjetër i mbretit kërkoi shpëtim në gjeografitë e hapëta të Ariostos, në atë luginë të hënës ku gjendet koha e shkapërderdhur prej ëndrrave dhe në idhullin e artë të Muhametit, që pat vjedhur Montalbani.
Duke qesëndisur veten shtruar, ai përfytyroi një burrë sylesh që, i trazuar nga leximet e mrekullive, u vu të kërkojë trimëri dhe magjepsje në vende prozaike të quajtura El Toboso ose Montiel.
I mposhtur nga realiteti, nga Spanja, Don Kishoti vdiq në fshatin e vet të lindjes, dikur në 1614. Miguel de Servantesi i mbijetoi vetëm pak.
Për të dy këta, ëndërruesin dhe të ëndërruarin, e gjithë fabula mishëroi kundërvënien e dy botëve: botës irreale të librave të kalorësisë, botës së përditshme dhe të rëndomtë të shekullit XVII.
Nuk u shkoi mendja se vitet do të arrinin ta zbutnin mospajtimin, nuk u shkoi mendja se La Mancha dhe Montieli dhe figura hollake e kalorësit do të bëheshin, në të ardhmen, jo më pak poetike se udhëtimet e Simbadit ose gjeografitë e hapëta të Ariostos.
Meqë në fillim të letërsisë është miti, por edhe në fund.
1955
[përkthimi: A.V.]