Kur u zhvendosa nga Europa në NY, një nga blerjet e mia më të para të pasionit ishte një radio me valë të shkurtra; por më kot kërkova në bandat e saj të ndryshme ndonjë nga stacionet me të cilat isha mësuar: kapja vetëm tek-tuk ndonjë zë predikues fetar, që më dukej sikur vinte nga nëndheu. Përjetova, jo pa një farë tmerri kozmik, se krejt bota e stacioneve radio, që gumëzhinte rreth meje në Europë, tashmë nuk do të ekzistonte më, të paktën për mua.
Një ndjenjë të ngjashme, edhe pse të modeluar sipas ligjit herën e parë tragjedi të dytën farsë, po e provoj tani që lexoj se në Norvegji, pas pak ditësh, do të fiken të gjitha transmetimet radio analogjike (FM), për t’u zëvendësuar tash e tutje me radiot dixhitale, që transmetojnë nëpërmjet Internetit (*). Kjo në rrethanat kur Interneti po shndërrohet me të shpejtë në hapësirën kryesore ku shkëmbehet masivisht informacioni; dhe radioja ka kohë që e ka kufizuar rolin dhe misionin e vet; madje edhe radioja FM, e cila në fund të viteve 1980 neve të Shqipërisë na dukej aq futuristike.
Sikur të më thoshin nesër se gazetat nuk do të dalin më, nuk besoj se do të trazohesha kështu; por radion – atë që të mbërrin në shtëpi nëpërmjet “eterit” – gjithnjë e kam lidhur me lirinë e shprehjes dhe me pamundësinë për t’i vënë fre komunikimit. Nuk besoj se kjo lidhet vetëm me të kaluarën specifike të brezit tim, që e mësoi lirinë e të shprehurit nga radiot e huaja, që nga RAI te Zëri i Amerikës dhe radioja Europa e Lirë. Ka diçka te radioja, si medium, që i përshtatet mirë mendimit të lirë, në kohët kur liritë individuale janë në rrezik; ndoshta sepse radioja të flet, gjithë duke e mbajtur të fshehtë fytyrën e folësit, identitetin e subjektit, burimin material të informacionit; çfarë e shndërron në mediumin më të përshtatshëm dhe të thjeshtë për komunikimin subversiv.
Kur dëgjon një stacion radioje misterioz, gjithnjë tundohesh për të pyetur: nga transmeton ky stacion? Nga ç’shtet i përtejmë, nga ç’majë mali, nga ç’anije në det? Pa folur pastaj për zhurmat, gërvimat, kujisjet dhe pulsimet që të sjell radioja mu në hapësirën tënde më familjare, si përkujtesë për universin që të rrethon: ato zhurma mund të vijnë nga një galaktikë e largët, sikurse mund të vijnë edhe nga lavatriçja e komshiut – por është vetë mundësia e hapur, që ia jep radios këtë cilësi kaq metafizike.
Do të më thonë: dude, sot Interneti është kaq i përmbytur në subversion dhe kundër-informacion, sa radioja që ke ti parasysh ka përfunduar në muze edhe pa u fikur antenat e transmetimit radiovalor; çfarë është jashtë çdo dyshimi. Aq më tepër, burimi i informacionit subversiv dhe anti-establishmentar në Internet është më i vështirë për t’u lokalizuar se një antenë e një radioje çfarëdo.
Por Interneti ka një problem: shteti dhe operatorët e rrjeteve mund ta fikin me një shtypje të butonit (the Internet Kill Switch); sepse rrugët në të cilat qarkullon informacioni dixhital janë gjithnjë të kontrolluara, ose të paktën po aq të kontrolluara sa edhe shinat e hekurudhës. Përkundrazi, sado i fuqishëm të jetë shteti ose një operator privat multinacional, e ka praktikisht të pamundur të kontrollojë “eterin”.
Ose ndoshta jo. Mënyra më efikase, sot për sot, për ta mbajtur nën kontroll këtë medium kaq rebel, kaq të pashtruar, është që ta vjetrosh teknologjinë përkatëse të konsumit, ose t’i shtysh njerëzit që t’i hedhin radiot e vjetra në plehra, pse nuk do t’u duhen më; njëlloj siç kanë hedhur në plehra televizorët e dikurshëm me kineskop ose, më herët akoma, të gjitha pajisjet me llamba.
Ajo liri e fjalës, që ende e garanton radioja analoge, mund të mos duket ndonjë vlerë kushedi çfarë sot, kur e drejta e fjalës ushtrohet kryesisht në Internet; por le të mos harrojmë se liria e fjalës merr vlerë në momentet kur rrezikohet, ose kur shtetit dhe pushtetit nuk i pëlqen më që qytetarët të flasin lirisht në publik; dhe këto janë edhe momentet kur, kushdo që është në komandë, do të tundohet ta përdorë butonin.
Ndoshta nuk vjen kurrë ai moment, të paktën për demokracitë perëndimore, kur radiot analoge të duan të rifillojnë transmetimin, por aparatet për t’ua kapur sinjalin të mos gjenden më; imazhi nuk është larg atij imazhit tjetër, të abuzuar nga filmat apokaliptikë, të një sinjali radio që transmetohet automatikisht, nga një stacion tashmë i braktisur prej njerëzve, për një planet tashmë të zbrazur prej njerëzve. Teknologjia do të ishte kështu e admirueshme, edhe pse nuk do të kish mbetur kush ta admironte.
(*) Shkrimi origjinal përmbante një pasaktësi; i lutem lexuesit t’u referohet komenteve në vijim.
Pa dashur te heq fokusin nga tema e shkrimit, desha te bej nje sqarim. Radiot dixhitale nuk transmetojne apo marrin sinjalin nepermjet internetit por ne “eter” dhe nga “eteri”, si gjithnje.
Të falënderoj për sqarimin: e kisha keqkuptuar lajmin në fillim, ndoshta edhe ngaqë unë vetë, kur dëgjoj radion (gjë që e bëj shumë rrallë), e bëj vetëm në Internet.
E megjithatë, duke qenë radioja tradicionale një teknologji tashmë “e normalizuar”, nuk besoj sa do të turren që të blejnë radiomarrëset e reja, që kapin transmetime dixhitale DAB (Digital Audio Broadcasting), në një kohë që e kanë gjithçka në dispozicion online.
Duke hequr një paralele me një medium tjetër, shumë më të suksesshëm – televizionin, kujtoj të paktën këtu në ShBA janë gjithnjë e më të shumtë konsumatorët që nuk kanë më televizor në shtëpi; dhe “televizionin” e shohin gjithashtu online.
Më shumë se media, Interneti po shërben tani si media e mediave, ose si mjedis ku artikulohen mediat e tjera, sidomos mass mediat.
Për radiot dixhitale lexova tani se, ngaqë teknologjia është e shtrenjtë dhe e ndërlikuar, ato do të ndihmojnë për të luftuar dukurinë e radiostacioneve pirate, që transmetojnë sot në FM, në metropolet.
Këto dy realitete – refuzimi i konsumatorëve për të blerë radio të teknologjisë së re dhe sofistikimi i teknologjisë së transmetimit rrezikon t’ia heqë radios atë aurë “rebele” që ka pasur deri vonë.
Krahasimi më i mirë që më vjen në mendje është ai midis një sheshi publik dhe një qendre tregtare ose shopping mall-i, siç e quajnë këtu në ShBA. Mall-i mund të jetë më i pastër, më i bukur, më shplodhës, më interesant dhe më stimulues se një hapësirë publike çfarëdo – por në mall ti nuk i ushtron dot të drejtat civile njëlloj si në një shesh; sepse mall-i ka pronar, që mund të të nxjerrë përjashta.
Ka qytete në ShBA, si Las Vegas-i, që praktikisht janë shndërruar në mall-e, ose në konfigurime urbane që kanë diçka nga qyteti i mirëfilltë, diçka nga skenografia e qytetit dhe diçka nga qendra tregtare. Ndoshta këtij modeli i përket e ardhmja.
Frika ime është se mos edhe hapësira e lirisë së komunikimit publik fillon të komodifikohet, në atë masë që Interneti vihet nën kontrollin e poleve të fuqishme të komunikimit, korporatave të rrjeteve sociale dhe organeve të ruajtjes së rendit; me fjalë të tjera, mos Interneti që të gjithë përdorim dhe ku gjejmë akoma veten mos përfundojë në një mall, në kuptimin amerikan të fjalës; ose në një hapësirë të rregulluar, madje të disiplinuar deri në imtësi, por në mënyrë të padukshme; dhe ku qytetarët shndërrohen në vizitorë dhe u kufizohen të drejtat civile automatikisht.
Në rrethana normale askujt nuk i bëhet shumë vonë për këtë; pa çka se karakteristika përkufizuese e mall-it është dera (reale ose virtuale), ose më mirë çelësi (dryni); së bashku me policin privat me shkop, zakonisht qyqar, që funksionon më shumë si shenjë e ruajtjes së rregullit.
Që nga momenti kur shopping mall-i zëvendëson hapësirën publike të qytetit tradicional borgjez, atëherë kjo e fundit, hapësira publike, fillon të perceptohet si vendi gjeometrik i kaosit, ose i së keqes që duhet mbajtur përjashta (të pastrehët, imigrantët, drug dealers, prostitutat, parazitët).
Pak e ndan këtë tablo distopike nga ajo situatë kur vetë ushtrimi i lirive qytetare do të shihet si një formë subversioni ndaj rendit publik. Tipik, në këtë kontekst, ka qenë krijimi i “zonave të fjalës së lirë” (free speech zones) në momente tensionesh sociale, për shembull gjatë presidencës George W. Bush; të cilat prej disa të tjerëve u quajtën “free speech cages.”
Natyrisht, edhe Internetit të sotëm, të mbarështuar dhe të mbikëqyrur nga shumë anë, i përgjigjet një darknet; ku antikonformizmi dhe subversioni gjithnjë bashkëjetojnë ose detyrohen të bashkëjetojnë me krimin dhe kriminalitetin. Edhe establishment-it vetë i intereson, deri diku, që kundërshtarët t’i shtyjë përtej, për t’i delegjitimuar. Nuk është e rastit që goditjet më të mëdha rendit të sotëm botëror i kanë ardhur nga hacker-ët; të cilët janë duke i dhënë një kuptim të ri edhe subversionit.
Por hacker-ët janë një pakicë; dhe është e vështirë, për individin, që t’i ripërkufizojë të drejtat dhe liritë e veta, në një botë dhe brenda një konteksti ku pushtetin mund ta sfidojnë vetëm pakica sekrete teknokratike, me përkufizim të kontaminuara nga shërbimet e inteligjencës dhe të kundër-inteligjencës.
Le të krahasojmë, bie fjala, dy figura të mirënjohura anti-establishment, si Nelson Mandela dhe Julian Assange, për të kuptuar si dhe sa ka ndryshuar marrëdhënia e qytetarit jo vetëm me pushtetin, por edhe me kundërshtimin e pushtetit.
Ky i fundit, pushteti, deri vonë mediat arrinte t’i kontrollonte nëpërmjet censurës – ose edhe thjesht fare, policisë dhe prokurorisë. Sot, përkundrazi, po tundohet fort që t’i kontrollojë thjesht me rrugë teknologjike – dhe unë këtu do të futja edhe “obsolescencën” e radios, ashtu siç e kemi njohur.
Përderisa dynjaja dalldisej nga Facebook Revolutions, Skynet në mënyrë subversive ja hoqi John Connor-it armën e tij të fuqishme, radion revolucionare. Dhe ne ishim dëshmitarë.
Ironikisht, kurrë s’ka qenë më e lehtë të kishe radio, mjaftonte të shkoje te Maker Space-i i lagjes. Por, puna ishte se s’kishim revolucion. Tashmë të gjithë ishim shndërruar në Winston Smith-ë, tradhëtarë të tradhëtuar, të kënaqur me lajme – e dinim që ishin të rreme, por na pëlqenin si të tilla – nga Maqedonia.
Hahaha same here. Me kujtove vehten time ne mes te viteve 90 kur kerkoja nje radio ultra neper dyqanet e Cikagos. Radiot e Radio Shack me dukeshin te gjitha qelbesira per cunat e mamase qe nuk e dinin se cfare ishte radioja e vertete dhe nuk e ndala kerkimin deri sa gjeta nje radio Sony me 12 vale te shkurtra, 3 te gjata dhe 2 te mesme 😛 qe me kushtoi diku atje ke 200 dollareshi. Jam dhi duke degju Radio Palestinen dhe Radion Madegaskarin ne frengjisht se Radio Luksemburg dhe Radio Montecarlo s’kishte me.