Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

NA GËNJENI, JU LUTEM

Qarkulloi këto ditë në mediat dhe në rrjetet sociale shqip një letër “emocionuese” që Charlie Chaplin ia paskësh dërguar së bijës natën e Krishtlindjeve (sa për ilustrim, këtu dhe këtu). Si shumë dokumente të ngjashme që marrin dhenë kështu papritmas dhe zënë të bashkëndahen hareshëm, letra është e rreme. Çfarë nuk do të thotë se Chaplin-i nuk do të kish shkruar kurrë një gjë kaq sappy; tek e fundit, ai njihet si aktor dhe kineast, jo si njeri i penës; por vetëm që shumëkush në mediat tregohet ose më shumë mirëbesues se ç’lejohet, ose nuk e çan më kryet se çfarë po i jep lexuesit, ose e ka të qartë se po u ushqen të tjerëve trash, dhe që këtej është i vetëdijshëm për rolin që kryen, në këtë ekonomi të riciklimit të përmbajtjes (content). Tek e fundit, synimi i teksteve të tilla është të argëtojnë, duke ia konfirmuar lexuesit të gjitha shijet dhe pritjet, madje duke e bërë të ndihet “pjesë” e kulturës së hollë – ose e sallës virtuale ku luhet Koncerti i Vjenës 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.

Askush nuk pretendon të informojë, duke të paktën u orvatur të ndajë të vërtetën nga e dyshimta dhe nga gënjeshtra. Pa shtuar pastaj që kjo letër, pavarësisht nga raporti i saj me të vërtetën, nuk i shton as i heq gjë imazhit të Chaplin-it në kulturën e shekullit XX; si një dokument riprodhues i klisheve që brezat e tanishëm i mbajnë për të shenjta. Por dukuria ndihmon për të kuptuar se, në këtë epokë kur përmbajtja (content) mund të kopjohet, shpërndahet dhe shumëfishohet lirisht, kufiri midis së vërtetës dhe së rremes jo vetëm që vihet në diskutim, por edhe nuk ekziston më, madje as në parim; dhe e vërtetë është ajo që shkruhet dhe arrin të lexohet. Natyrisht, mjaftojnë pak sekonda kërkim në Google për të marrë vesh se letra e Chaplin-it është hoax, madje ka sajte të specializuara në identifikimin dhe zbërthimin e marifeteve të tilla[1]; prandaj shqetësimi i vërtetë, besoj unë, se këto dukuri që kohët e fundit edhe i kanë etiketuar si false news, bëjnë dëm jo aq në vetvete, ose duke gënjyer lexuesit për një letër të Chaplin-it ose të Garcia Marquez-it ose një poezi të paqenë të Borges-it; dhe as ngaqë çelin shtegun për përhapjen e pakontrolluar të lajmeve të tjera të rreme (për çka kam shkruar këtu), por ngaqë relativizojnë rolin e mediave në informimin e publikut. Dhe pikërisht, duke u lejuar manipulatorëve të ndryshëm të informacionit publik falas, sidomos online, që të vënë në dyshim dhe të “përgënjeshtrojnë” lajme që janë, në fakt, të vërteta, por që bien ndesh me vizionin e aktualitetit të mbështetur nga establishment-i. Kështu lexuesi, madje edhe ai më dyshues, çarmatoset; dhe dashur pa dashur do t’u falet pastaj burimeve “serioze” të informacionit, si bie fjala The New York Times, të cilat dihet se nuk gënjejnë kurrë (me përjashtim të rasteve kur gënjejnë rëndshëm); çfarë do të thotë – shpresoj vetëm hipotetikisht – se këtyre do t’u takojë tash e tutje jo vetëm monopoli i së vërtetës së autorizuar, por edhe ai i gënjeshtrës së autorizuar.


[1] Sikurse mjafton t’i hedhësh një sy origjinalit të letrës, për të kuptuar se këtë nuk mund ta ketë shkruar dikush që e ka anglishten gjuhë amtare.

2 Komente

  1. Letren e Chaplin-it e lexova.Nje proze e mrekullueshme.Dhe ndoshta,pikerisht per kete arsye nuk me bindi.Nuk them se pata nje dyshim te qarte,ishte me teper diçka instiktive.Diçka si-“Uau,kaq bukur te kete shkruar Chaplin”?,ose-“Si ka mundesi qe nuk eshte publikuar me pare”?
    Gjithsesi,mendoj se ajo qe me pengoi te artikuloja me mire dyshimin,ishte natyra e lajmit.Nuk ishte teori konspiracioni,nuk ishte zbulim i jashtezakonshem shkencor e te tjera si keto qe jemi mesuar t’i kalojme ne site.
    E kuptoj qe shkrime te tilla relativizojne rolin e mediave ne informimin e publikut,por nuk kuptoj ç’fiton vete botuesi nga keto perpjekje te qellimta.
    Dhe pastaj,rastet kur mediat vetepozicionohen ne shkallen me te ulet te zinxhirit te informimit,jo sepse duan,por sepse aq dine te bejne.Nje lajm i publikuar dje ne “MAPO”(pra,jo ne nje media te dores se kater-t),te pakten me ndihmoi te perballoj depresionin e nje dite te ftohte dimri.Po e ngjis me poshte,ju lutem lexojeni!(Fundi eshte,sidomos,ngushellues)
    Gazeta Mapo

    KËRKO KATEGORITË

    Shihni herë pas here një ‘lëmsh’ apo push në kërthizën tuaj? Ja pse ndodh…
    Postuar më: 28 December 2016 11:47
    kerthiza-633x330Shumica e njerëzve, në fillim dhe në fund të ditës, e shohin se u është shfaqur një shtëllungë ose lëmsh i vogël leshi në kërthizë.

    Arsyet prapa kësaj dukurie kanë qenë të shumta, derisa në vitin 2001 Dr. Karl Kruszelnicki nga Universiteti i Sydney, kishte zbuluar se kjo copë kryesisht përmban fibra të veshjeve, të përziera me qeliza të vdekura të lëkurës dhe qime të trupit.

    Qelizat e vdekura, edhe mund të krijojnë aroma të këqija.

    Gjithashtu, ai ka zbuluar se kjo copë e ‘leshit’ vjen nga të brendshmet tuaja. Femrat e përjetojnë më rrallë këtë dukuri sepse kanë qime më të shkurta trupi.

    Ekzistenca e këtij lëmshi është krejtësisht e padëmshme!

  2. Megjithate ka nje perpjekje, jo fort e zakoneshme kjo ne shtypin shqip, qe perkthimi te jete i ndjere. Por nuk mund te thuhet e njejta gje per saktesine e frazes.Që ne paragrafin e pare, fjalia: “All unarmed wars in my little castle slept” perkthehet me: Të gjitha rojet e kështjellës time të vogël i ka zënë gjumi.
    Duket sikur “unarmed” eshte shmangur per t’i dhene rrjedhshmeri fjalisë. Zgjedhje e gabuar. Ajo fjale nuk eshte nje detaj, por nje aksesuar i rendesishem i dekorit onirik qe autori (me sa thuhet eshte nje iranian, por ne rastin tone nuk ka rendesi), e sjelle duke bere nje dallim te rrepte midis realitetit dhe botes magjike e paqesore te Krishtlindjeve. Se po qe se edhe aty do te shfaqesh nje GI i armatosur deri ne dhembe…
    Dhe keshtu del te jete, sepse websteri thote se nje kuptim arkaik i wars eshte: soldiers armed and equipped for war.
    Pra duke shmangur nje fjale, perkthyesi jep krejt te kunderten e pershkrimit te dekorit magjik te Krishtlindjeve, tha.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin