Në një shkrim-ese të paradokohshëm, botuar në Facebook (Detaji shmagjepsës), Georges Xexo, ndalet në përkthimet në shqip të poemës “Re me pantallona”, të Majakovskit.
Këtë poemë, të vitit 1915, e kanë shqipëruar mes të tjerash Ismail Kadareja që në fund të viteve 1950, më pas Faslli Haliti dhe tani së fundi Shkëlqim Çela, i cili e ka përkthyer jo nga origjinali, por nga anglishtja.
Varianti i Kadaresë është edhe më i njohuri; edhe pse më mungojnë të dhënat për kohën se kur është botuar për herë të parë, nuk ka dyshim se bëhet fjalë për herët, ndoshta që në vitet 1960.
Një riprodhim i përkthimit të Kadaresë mund të lexohet këtu; administratori i faqes më siguroi se teksti është nxjerrë nga një vëllim i vjetër që kanë pasur në bibliotekën e qendrës së tyre sociale.
Në esenë e tij, Xexo ndalet te një mospërputhje e çuditshme, midis tekstit të Majakovskit dhe variantit të Kadaresë[1]. Vargun e origjinalit:
…. Где глаз людей обрывается куцый, главой голодных орд, в терновом венце революций грядет шестнадцатый год.
Kadareja e ka përkthyer si:
… Atje ky syri i njerëzve s’arrin/ Në krye të hordhive t’uritura, Tatëpjetë, Me kurorën me gjëmba të revolucionit, Vjen viti i shtatëmbëdhjetë.
Ku viti 1916 i origjinalit del i zëvendësuar me vitin 1917.
Në një kohë që dy përkthyesit e tjerë, edhe Haliti pas gjase nga rusishtja, edhe Çela nga anglishtja, e kanë dhënë vitin me korrektësi: 1916.
Përse ta ketë ndryshuar vitin Kadareja përkthyes? – pyet Xexo. Ta ketë bërë këtë qëllimisht, apo thjesht për shkak të një lajthitjeje ose mosvëmendjeje? Ta ketë korrigjuar vitin më pas ndonjë redaktor i tejzellshëm?
Megjithatë, vëren ai autor, kur arsyetojmë për këtë gabim, nuk mund të shpërfillim faktin që viti 1917 është edhe viti i Revolucionit Bolshevik.
Majakovski, që në 1915 nuk kish nga ta dinte vitin se kur do të ndodhte Revolucioni, riparaqitet në versionin shqip jo vetëm si poet, por edhe si profet.
Nga shpjegimet që janë përsiatur, unë do ta përjashtoja modifikimin për hir të rimës, sikurse e përjashton edhe vetë Xexo, ngaqë 1916 dhe 1917 rimojnë mes tyre.
Duke lënë jashtë shpjegimin më të thjeshtë, të një lajthitjeje si rezultat i një “gabimi material” ose lapsusi ose ndërhyrjeje të ndonjë redaktori, më shkon mendja edhe për dy shpjegime të tjera të mundshme.[2]
I pari ka të bëjë me atë që vetë poema “Re në pantallona” është botuar disa herë: më parë në shtator 1915 nga Osip Brik-u, por e shkurtuar shumë; pastaj në 1916 nga shtëpia botuese Parus, sërish me shkurtime, por jo aq të thella sa versioni i mëparshëm. Versionet e plota të pjesëve 2 dhe 3 të poemës (me 75 rreshta të shkruara) Majakovski i botoi në mars të vitit 1917. Më në fund, në formën e vet të plotë, poema u botua në vitin 1918.
Këtu mua më shkon mendja se mos viti 1917 është shfaqur që në ndonjë nga këto versione të poemës origjinale dhe Kadareja thjesht e ka përcjellë në shqip që andej. Me siguri që kjo mund të verifikohej duke krahasuar botimet kritike të poemës në rusishte (vërej se në të gjitha përkthimet në gjuhët perëndimore që kam mundur të shoh, viti gjithnjë jepet si 1916).
Kjo do të ishte njëra nga hipotezat.
E dyta hipotezë do ta merrte këtë si një gabim të pavullnetshëm të përkthyesit, i cili vitin 1916 e ka lexuar si 1917 (të shkruar me fjalë), ngaqë është ndikuar ose orientuar nga prania e fjalës “revolucion” në vargun e mëparshëm (kurora me gjemba e revolucioneve), fjalë që sjell me vete një kontekst specifik.
Aq më tepër që, në një tekst poetik, fjalët zgjidhen dhe marrin kuptim nëpërmjet solidaritetit horizontal (të njohur teknikisht si izotopi), duke ftuar njëra-tjetrën gati-gati pa ndërhyrjen e poetit; edhe pse jo për hir të ndonjë klisheje, por ngaqë ashtu e dikton historia. Te vargjet që po analizojmë, të poemës “Re me pantallona”, pasazhi ku viti 1916 pikturohet si “me kurorën me gjemba të revolucionit” merr pjesë së paku në dy izotopi: atë të revolucionit vetë, dhe në atë tjetrën, mjaft të njohur për lexuesit e Majakovskit origjinal, të Krishtit që, siç rrëfehet në Ungjijtë, ia vunë ushtarët romakë kurorën me gjemba mu para se ta kryqëzonin.[3]
Në kohën kur përkthente Kadareja Majakovskin, fjalët revolucion dhe 1917 përbënin tashmë një binom të pandarë, dhe jo vetëm në rusishte; çfarë do të thotë se ato “rimonin” mes tyre kuptimisht; njëlloj siç rimonin, të paktën fonetikisht, fjalët poet dhe profet.
Dhe nëse është kështu, atëherë Kadareja – pa vetëdije se çfarë po bënte – e ka “korrigjuar” Majakovskin, duke ia vendosur vargun në një kornizë historike më pranë realitetit.[4]
Le të mbajmë këtu parasysh edhe se përkthimi i “Re me pantallona” nga Kadareja nuk ishte thjesht përkthim, por edhe gjest madje manifest poetik prej tij; sepse ai përkthim, sado i lirë dhe me licenca poetike ndonjëherë të tepruara, ishte edhe i pari ku Kadareja hodhi “themelet” (nëse më lejohet kjo klishe) e një ligjërimi të ri poetik për shqipen, që pastaj do të shpërthente te “Shekulli im” dhe më vonë.[5]
Ky lloj ligjërimi nuk ishte parë ndonjëherë në letërsinë shqipe – prandaj fillimvitet 1960 kanë qenë dhe ende konsiderohen si vijë ujëndarëse në historinë e poezisë sonë moderne; edhe për nga përmbajtja por edhe e sidomos për nga forma.
Depërtuan në atë kohë me vrrull gati brutal dhe shkatërrues stilemat e poezisë ruse futuriste dhe avan-gardiste të viteve 1910-1920, sipas shtegut të çarë nga Majakovski. Dhe kjo mund të ndodhte më lehtë, të paktën fillimisht, nëpërmjet përkthimit – deri atëherë në shqip poetët u këndonin lëndinave, trëndelinave, grigjave në ograja, kaut dhe parmendës; poezia shqipe moderne nuk ishte shkëputur dot nga pastoralizmi i Rilindjes, me gjithë ndonjë përjashtim të spikatur (si Migjeni).
Do të ishte ky një revolucion në ligjërimin poetik që imitonte revolucionin e vitit 1917; sepse për herë të parë fjalë të tilla si ato të terminologjisë teknike-shkencore por edhe të burokracisë dhe të materializmit dialektik kërkuan me forcë dhe fituan statusin e fjalëve poetike, që deri atëherë nuk e kishin pasur.
Ishte një formë e avant-gardizmit në ligjërimin poetik të shqipes të cilën e mundësuan poetë si Kadareja vetë dhe deri diku edhe Fatos Arapi dhe Dritero Agolli; por që unë besoj se nuk do të mund të ndodhte, të paktën në rastin e Kadaresë, pa Majakovskin dhe veçanërisht pa përkthimin e “Re me pantallona”.[6]
Madje po të krahasojmë krijimtarinë poetike të Kadaresë para dhe përkatësisht pas stazhit të tij në Moskë, nuk mund të mos vërejmë një evolucion dramatik në tematikë dhe sidomos në stil dhe leksik, i cili i detyrohet – në masë të madhe për mendimin tim – Majakovskit dhe futurizmit rus në përgjithësi.[7]
[1] Nuk e kam të qartë se kush e ka vënë re i pari këtë mospërputhje pikërisht; kam përshtypjen se kjo është bërë publike, në krye, te një diskutim në këtë faqe të forumit Peshku pa ujë.
[2] Këtu e më poshtë, teksti rimerr në mënyrë të zgjeruar një koment që unë pata lënë tek faqja e esesë së Xexos.
[3] Majakovski vetë ka shkruar se titulli origjinal i poemës ishte “Apostulli i trembëdhjetë”, por censura e kohës nuk e lejoi që ajo të botohej kështu; dhe se pasazhet më të censuruara në poemë kanë qenë ato me referenca fetare-biblike. Meqë mes këtyre pasazheve figuron patjetër edhe ky i poetit si paralajmërues i revolucionit, atëherë nuk është për t’u përjashtuar edhe gabimi në ndonjë botim të “plotësuar” a të “rindërtuar” të poemës me të cilin të ketë punuar Kadareja, gjithsesi të ndryshëm nga botimi kritik përfundimtar.
[4] Për koincidencë, vetëm dje më qëlloi të shkruaja për “efektin Mandela”, ose për lajthitjet masive të kujtesës kolektive për ngjarje historike ose edhe trivia të kulturës pop, të cilat tashmë janë dokumentuar mirë. Nëse hipoteza ime qëndron, kjo ndërhyrje e përkthyesit te vargu i Majakovskit do të ishte shembull flagrant i “efektit Mandela” në veprim; sepse duke zëvendësuar vitin 1916 me vitin 1917, përkthyesi krijon – në mënyrë të pavetëdijshme – një realitet paralel me tonin, ku Majakovski ka parashikuar vitin e saktë të revolucionit rus: 1917.
[5] Vetë Majakovski e mbante poemën “Re me pantallona” si “kanon të artit bashkëkohor.”
[6] E kam lexuar “Re me pantallona”, në përkthimin e I.K., herët në vitet 1980. Kam qenë atëherë student në gjuhë-letërsi, zhgarravisja edhe vetë ndonjë varg dhe, pasi e lexova, thashë me vete se unë nuk do të shkruaja dot kurrë kaq mirë.
[7] Ky transformim formal, që nuk kaloi atëherë pa polemika të ashpra, do të bashkëtingëllonte edhe me atë çfarë po ndodhte në Shqipëri në vitet 1960: industrializimi, “revolucionarizimi” social, kantieret e mëdha dhe ristrukturimi i të jetuarit së bashku.
Vrejtja eshte me vend, por besoj se jemi te gjithe te nje mendjeje se nuk eshte fjala per lajthitje me shume se sa per diçka te menduar, per nje zgjedhje qe eshte bere me vetedije, mund te jepi apo jo dakord..
Por duke u kthyer te lidhjet qe jep autori me terhoqi vemendje diçka tjeter, sa i parendesishm mbetet ne perkthimet shqipe subtiliteti i fjales, sa pak rendesi i kushtohet zgjedhjes se fjales se sakte dhe perdorimit pa shume gajle te kusherires se saj, gje qe per mua si problematike prek thelbin e perkthimeve tona te sotme.
Po marr vetem vargun: Видели,
как собака бьющую руку лижет?!
Kadreja e ka perkthyer:
Ndonjëherë a e kini parë/
Si, dorën që e rreh, e lëpin qeni ?
Mbase vargu mund te rishikohej ne ngonje aspekt, veçanerisht te ate te ekonomizimit te fjaleve (kerkese aq e rrepte e vete poetit sovjetik), por ne teresi mbetet i sakte. собака eshte perkthyer besnikerisht, qen.
Te Çela kemi kete perkthim te te njejtit varg:
A keni parë/
Si e lëpin dorën që e godet një langua?
Pra, qeni eshte bere langua.
Ne pamje te pare duket gje e thjeshte dhe e faleshme, por nuk eshte keshtu, nuk mund te sillesh keshtu me poetet gjeniale, me ata qe i dhane frymemerrje te re poezise.
Termi i zgjedhur nga Majakovski i referohet arketipit te njohur (e drejte apo jo eshte tjeter muhabet, nuk i kerkohet Çeles te rehabilitoje specien kanine) te qenit qe nuk shquhet shume per karakter te forte, qe leh per ate qe e ushqen, qe brenda dites mund t’i sherbeje te zoterve te ndryshem, qe gelltit ‘turpin e fyerjen” dhe lepin doren qe sapo e ka rrahur, se nuk ka zgjidhje tjeter. Ky eshte arketimi i qenit te pa nuancuar, i thirrur nga subkoshienca dhe qe i drjetohet lexuesit duke dashur te shkaktoje emocionet dhe neverine me te cilen eshte ngarkuar ne origjine, pra nje fjale e zgjedhur qellimisht nga autori.
Kur qenin e zevendeson me langua, nuk eshte e njejta gje. Ky term nuk shkakton neverine e synuar nga autori. Langoi si te thuash i perket nje kaste tjeter, ne nje fare menyre perfshihet ne rangjet e aristokracise kanine, ai nuk eshte nje lehes vulgar, qe leh per te ngrene dhe qe po per te ngrene lepin doren qe sapo e ka goditur. Perkundrazi, langoi eshte i tille, qe me atributet e veta, inteligjencen dhe shpejtesine e rrufeshme, ai ka aftesine qe te ushqeje edhe vete te zotin, se po nuk e kapi gjahun atje ku eshte, edhe i zoti nuk ka se ç’te haje ate dite. Langoi trajtohet ngryshe, nuk i kerkohet te lehe pas deren, madje nuk lihet fare jashte.
Keto jane atributet e langoit, qe transmeton nje fjale e tille te ne si lexues. Por te gjithe e kemi te qarte, se ne ate kontekst te dhene Majakovski nuk ka dashur te thote nje gje te tille.
Ta “zbukurosh” keshtu, nje poet gjenial do ta thote ta trajtosh si kale evgjiti, te cilit mund t’i varesh lloj lloj xhinglash e farfurish ne qafe, qe te terheqe vemendjen e kalimtarve.
Me kete rast edhe une po pyes : pse ta bejme thjesht, kur i kemi te gjitha mundesite per ta komplikuar ?
Ardian,
Rasti – ose më mirë, një kërkim i kryqëzuar në internet për një tjetër çështje, e solli të bie mbi këtë shkrim, prandaj edhe kjo përgjigje “e vonuar”.
Për t’ju kthyer kësaj teme dhe dy hipotezave që ti shtjellon në të:
– së pari, mundësia e të përkthyerit nga Ismail Kadare të poemës “Re me Pantallona” mbi një version të origjinalit të “korrigjuar” qysh në burim
“… Këtu mua më shkon mendja se mos viti 1917 është shfaqur që në ndonjë nga këto versione të poemës origjinale dhe Kadareja thjesht e ka përcjellë në shqip që andej. Me siguri që kjo mund të verifikohej duke krahasuar botimet kritike të poemës në rusishte (vërej se në të gjitha përkthimet në gjuhët perëndimore që kam mundur të shoh, viti gjithnjë jepet si 1916)”
një përgjigje – do të thoja shterruese, ka dalë gjatë komenteve që pasuan daljen e shkrimit tim në Peshku pa Ujë. Bashkëngjitur po citoj komentin e Endacak:
[… Logjika ta do qe pas aq vitesh, botimi me i popullarizuar dhe me i njohur nga publiku, e per me teper, teksti baze per studentet e letersise ruse duhet te kete qene varianti origjinal, i pa censuruar. Variantet e tjera te censuruara thjesht mbeteshin kuriozitet i studiuesve te historise se letersise. Nga ana tjeter, vete propagandes sovjetike (te pakten deri ne vitin 1955 para destalinizimit) do ti interesonte prezantimi Majakovskit si profet i revolucionit dhe, rrjedhimisht, varianti me i popullarizuar rusisht do te kishte vargun ” viti shtatembedhjete..” i cili do te ishte reference edhe per perkthimet ne anglisht, italisht e gjuhe te tjera.
Duke kerkuar ne internet, ndesha ne nje analize ku thuhej shprehimisht se Majakovski ishte profet i revolucionit dhe thjesht gaboi me nje vit dhe kete e ilustronte me strofen e vargut kaq te debatueshem nga ne. Por fakti qe ne boten anglosaksone , te gjitha perkthimet bejne fjale per “vitin gjashtembedhjete” te le te kuptosh se varianti me i popullarizuar ka qene ai origjinal, pra i vitit 1915. Nga ana tjeter, po ne internet gjeta nje dokument ne rusisht me komente rreth poemes “Re me pantallona” ku jepen detaje per pjeset e censuruara ne botimet e viteve 1915-1917. (shih: Облако в штанах).
Ne kete dokument thuhet se: botimi i parë i poemës u mundesua nga Osip Brik në shtator 1915. Ai permban mjaft shkurtime nga censura dhe konkretisht rreshtat 250-253, 323-335, 348-355,360-363; 474-475, 501-505; në pjesën e 4 vargjet 620-623, 630, 668-708. (Ketu duhet nenvizuar se vargu i famshem “viti gjashtembedhjete” sipas botimit qe shoqeron dokumentin e komenteve eshte me numur 351, pra rezulton i censuruar ne botimin e pare).
Në vitin 1916, poema u ribotua në librin ” Простое как мычание” nga shtepia botuese”Parus” e Gorkit, me më pak prerje nga censura dhe perfshihen edhe strofa e “vitit 16-te” e cila mungonte ne botimin e pare. Edhe ne kete variant, Majakovski thote ” viti gjashtembedhete..” Botimi trete u bë më 17 Mars 1917 (Novy Satyricon’s No.11 ) me versionin e plote te pj.2 dhe pj. 3 (75 vargje) me titullin “Reinstate” (Восстанавливаю). Teksti i plote , i pacensuruar, u publikua ne fillim te vitit 1918 nga shtëpia botuese e organizuar nga Majakovski “Asis” (Association Socialiste Art).
Kur thuhet “i plote, i pacensuruar” logjikisht i bie te jete teksti origjinal, ai i vitit 1915. Ose “lepuri” fshihet pikerisht ne kete botim, pra ne vitin 1918, kur entusiazmi fitores se Revolucionit te Tetorit ishte ne apogje e ndoshta kesaj atmosfere i shkonte paraqitja e Majakovskit si profet . Por gjasat qe kjo te kete ndodhur jane shume te pakta. Gjithsesi shpresoj te hedhi pak drite (pak drite o shok, o mik, o vlla) z.Agron Tufa, si njohes i mire i letersise ruse.]
* * *
– së dyti, lidhur me gabimin e pavullnetshëm të përkthyesit Kadare – ndoshta, për hir të “izotopisë” ose të solidaritetit horizontal:
sikundër përmendet në shkrimin tënd, shumë shpejt përkthyesi Kadare ja la vendin poetit dhe shkrimtarit Kadare i cili, të paktën, dy herë e e ka çuar poemën “Re me Pantallona” në botim. Sipas të gjitha gjasave, hera e parë i bie të ketë qenë diku në vitet 60′ (në mos, në fillim të viteve 70′), gjë e cila shpjegon qoftë egzistencën e atij teksti të vjetër në Organizatën Politike qoftë edhe kujtimet e ish-studentit Vehbiu në fundin e viteve 70′. Hera e dytë është përfshirja e këtij teksi në vëllimin e tij “Ftesë në Studio”, të botuar në vitin 1990.
Pyetjet që shtrohen, dhe jo një herë por dy herë rresht, janë të mëposhtmet:
– a e ka rilexuar shkrimtari Kadare përkthimin e tij të hershëm dhe a e ka krahasuar ai atë me origjinalin në rusisht, aq të patur në zemër dhe aq frymëzues në krijimtarinë e tij të mëpasme? apo, duke i bërë besim të plotë gjenisë së tij përkthyese si student i letërsisë në Institutin “Gorki” e ka nisur tel quel drejt redaksive përkatëse?
– a e kanë kontrolluar këto redaksi përkthimin e Kadaresë përpara se ta botonin apo, edhe ato, i kanë bërë fillimisht besim shkrimtarit Kadare tashmë të njohur me veprat e tij “Gjenerali… ” dhe “Dasma”, dhe më tej, të atij Kadareje që jo vetëm fama por edhe trupi i tij fizik kishin kapërcyer kufijtë e vendit?
E thënë disi ndryshe, kjo vërejtje është berë edhe nga Endacaku i mësipërm:
[… Sikur kete perkthim ta kishte botuar ne vitet 60, kur ishte djalosh, kur Majakovski ishte idhull dhe paraqitja e tij si profet i revolucionit te tradhetuar nga hrushovianet, i rriste edhe kreditet e perkthyesit, gjithcka behet e kuptueshme dhe do ja benim kabull.
Por e botuar ne vitin 1990 kur I. Kadare po braktiste regjimin e ikte ne France, cfare kuptimi do kishte nje homazh per poetin-profet te Tetorit, kur e gjithe bota qe erdhi prej atij revolucioni po rroposej e groposej para syve te perkthyesit tashme disident. ?!
Atehere mbetet te besojme se ne mendjen e redaktoreve fjala revolucion eshte asociuar automatikisht me vitin shtatembedhjete. Prandaj Lasgushi me te drejte pyeste: po redaktoret kush i redakton??]
Me fjalë të tjera, i vetmi përfundim që qëndron më këmbë duhet të gjendet në ndërprerjen e dy hipotezave :
– Pse jo, hir të “izotopisë” ose të solidaritetit horizontal, studenti Kadare u gabua në datë gjatë përkthimit të rreshtit 351 të poemës “Re me Pantallona” dhe, pa e riparë atë përkthim të hershëm, ai e dërgon dy herë drejt redaksive të cilat nuk e kontrollojnë aspak lidhur me origjinalin;
– edhe pse ai ta ketë vënë re gabimin më vonë, në vitet 60′, ai e mbajti atë gabim për ta pajisur poetin Majakovski me një përmasë “profetike” dhe të tillë, ai e dërgon dorëshkrimin dy herë drejt redaksive të cilat nuk e kontrollojnë aspak.
Në këtë mënyrë, i vetmi përfundim që imponohet është:
– qoftë përkthyesi, qoftë redaksitë – për të mos thënë të dy bashkë, nuk kanë as edhe një skrupull profesional ndaj autorit dhe origjinalit të vepërs dhe aq më pak ndonjë respekt për lexuesin!