Nëse kalon në ditë pushimi, që nuk përkon me ndonjë nismë artistike, vështirë ta dallosh punishten “Il Marmoraro” në via Margutta. E mbyllur me kangjella hekuri, pa dritë brenda, punishtja humbet mes dyerve të tjera e mes bimëve të shumta, që duken si ujëvara të gjelbra që rrjedhin mbi mure.
Të gjithë mund ta marrin me mend se zanati “marmoraro” (mermerpunues) ka qenë në Romën e lashtë shumë i rëndësishëm; por pak e dinë se, edhe sot e kësaj dite, ka një Universitet të mermerpunuesve (Università dei Marmorari), natyrisht i vetmi në llojin e vet.
Në një qytet si Roma, ku mermeri përdorej gjithkund, nga ndërtesat publike tek shtëpitë e familjeve me emër, nga vilat e luksit të të pasurve tek tempujt fetarë, nuk mund të mungonte arti i punimit të këtij materiali.
Rënia e Perandorisë romake, ardhja e mesjetës, e më pas periudha e Rilindjes, e Barokut, etj., kur mermeri klasik ripërdorej me shumicë, e nxorën në pah protagonizmin e mermerpunuesve romanë[1]. Në fakt, arti i punimit të mermerit i ka rrënjët në periudhën klasike të Romës së lashtë.
Artizanët e mermerit njiheshin ndryshe edhe si “cosmati“, ngaqë një pjesë e madhe e tyre mbanin emrin Cosma. Megjithatë, rreth mermerit rrotulloheshin detyrimisht edhe zanate të tjera, përfshirë skulptorët, prerësit, skalitësit, etj. Gjurmët e punës së marmorari shikohen sot në shumë vepra artistike: nga këmbanoret e kishave deri tek mozaikët e ndryshëm.
Krijimet artistike që cilësohen si kozmateske, bëheshin nëpërmjet teknikës artistike të opus sectile, një lloj inkrustimi i copave shumëngjyrëshe të mermerit, të prera sipas formave të parapëlqyera gjeometrike. E tepërt të përmendet bukuria e veprave të tilla, që mund të admirohen edhe sot në shumë vende të Romës.
Pronari i Bottega del Marmoraro në via Margutta e ka emrin Sandro. Është shumë i sjellshëm dhe i disponueshëm. Kur i them se jam shqiptar tregohet kureshtar. Rrëfen se punishten ia ka lënë i ati, që punonte aty që nga viti 1967. E thekson me dëshirë se marmoraro nuk është vetëm ai që bën tabela prej mermeri për t’i ngjitur në mur, ose për t’ua shitur turistëve.
Zanati i nderuar i mermerpunuesit është art më vete, vijon Sandro. Dikur, ishte mjeshtri që ndërhynte kur monumentit prej mermeri i shkëputej një copë, ose kur mozaiku me mermer të larmishëm dëmtohej për arsye të ndryshme. Mermerpunuesi i rrugës Margutta flet me dashuri e krenari për zanatin e vet.
I rrethuar nga veglat e punës dhe nga copat e mermerit, tregon se tani më së shumti vijnë turistë. Një herë e një kohë, në këtë rrugë, kishte dhjetëra zejtarë, ndërsa aktualisht kanë mbetur pak të tillë. Punishten e mban të hapur sa herë zhvillohet ekspozita e piktorëve, edhe të dielave.
Në një intervistë në televizion e pata dëgjuar zejtarin Sandro të thoshte se “jemi rojtarë të kulturës, të dy mijë vjetëve” dhe se kishte rëndësi mënyra se si u mësohet të rinjve zejtaria. Për fat të keq, asnjë nga pasardhësit e tij nuk ka dëshirë ta vazhdojë rrugën e të atit. Me sa duket, kjo punishte do të mbyllet përfundimisht me përvojën e Sandros[2].
Në punishte ka lloj lloj sendesh: vegla pune, pllaka mermeri, libra të vjetër, sende antike, skulptura… I kërkoj leje për t’i bërë një fotografi ndërsa punon. Pranon me kënaqësi dhe fillon punën. Dëgjohet zhurma e ftohtë e daltës, që godet mbi mermer. Është aq i vëmendshëm, saqë duket sikur e ka harruar praninë time.
Bëj disa fotografi. I drejtoj objektivin edhe një grumbulli pllakash mermeri të gdhendura me thënie të njohura për Romën. Ka edhe shprehje dialektore tipike romane. Të këndshme, si gjithnjë, dhe tingëllojnë më bukur në këtë cep të qytetit.
Në fund, para se të dal nga punishtja, më bie në sy një pllakë e varur me një mbishkrim në dialekt: “Sta Via Margutta in fonno non ha gnente de speciale. Benchè non sia però ne bella, ne brutta, trovame ar monno un’artra strada uguale” (Kjo rruga Margutta fundja nuk ka asgjë të veçantë. Megjithëse nuk është as e bukur, as e shëmtuar, gjema në botë një rrugë tjetër të njëllojtë).
[fund]
[1] Të dhënat për historinë e mermerpunuesve janë marrë nga faqja internet http://www.universitadeimarmorari.it/storia/ , e cila mund të konsultohet edhe për detaje të tjera.
[2] Intervista është dhënë në TV2000 e mund të ndiqet këtu.
P.S. Fotografitë janë të autorit.