Me vështirësi të mëdha, kampioni botëror në fuqi Magnus Carlsen arriti sonte ta mbrojë titullin, kundër sfidantit Sergei Karjakin, pasi fitoi ndeshjen e tretë dhe të katërt të tiebreakers; pjesa e rregullt e match-it, prej 12 ndeshjesh, kish përfunduar në barazim, 6:6, me nga një fitore për secilin dhe dhjetë barazime; sikundër kishin përfunduar me barazim edhe dy tiebreakers-it e parë.
Carlsen-i e meritoi këtë fitore, pavarësisht ngase e arriti vetëm në lojërat e shpejta të tiebreakers; gjatë match-it ishte ai që e kërkoi më me ngulm avantazhin dhe fitoren dhe që u përpoq edhe në pozicione relativisht të shpëlara. Karjakin, nga ana e vet, i vetëdijshëm se ishte objektivisht i shfavorizuar, u përpoq të mbrohej me kujdes dhe shpëtoi një numër të madh pozicionesh të humbura; e megjithatë, asnjëherë nuk e duk se mund ta fitonte vërtet match-in.
Nga dy lojërat e para të tiebreakers që përfunduan në barazim, Carlsen-i duhej ta kish fituar lojën e dytë, po të kish pasur pak më shumë kohë për t’u menduar. Kampioni në fuqi fitoi, përkundrazi, lojën e tretë, ngaqë Karjakin-i bëri një gabim elementar. Gjatë lojës së katërt, sfidanti – që kishte të zezat – duhej të kërkonte fitoren, për ta barazuar rezultatin sërish dhe për të mundësuar një lojë të pestë. Kjo e zhbalancoi pozicionin dhe krijoi pastaj një situatë të tillë ku Carlsen-i s’e pati të vështirë të gjente lëvizjet më të mira dhe fitoi në mënyrë spektakulare.
Për ata që kërkojnë emocione të forta, po jap këtu përfundimin e lojës së katërt (me analizë të Stockfish 8), ku Karjakin-i luante me të zezat dhe sapo kish çuar damën në f2, ndoshta për të turbulluar ujërat në radhën e dytë, tashmë me shpresën e vetme të ndonjë gabimi katastrofik të Carlsen-it.
Për të arritur te ky pozicion, Karjakin-i kish sakrifikuar në lëvizjen 34 kualitetin (torrën për një kalë), kushedi duke pasur ndërmend ndonjë manovër destabilizuese me ushtarin në kolonën b. Megjithatë, lëvizja e tij me damë në f2 i dha mundësi kampionit të botës të jepte shah me torrë në c8. Këtu Karjakin mund të mbrohej me filin në f8, por ashtu i bardhi do të përgjigjej 50. T:f8 M:f8 dhe pas 51. T:f7, loja do të përfundonte pas pak lëvizjesh me mat.
Edhe varianti që zgjodhi sfidanti, duke çuar mbretin në h7, nuk është se premtoi gjë (shihni diagramin poshtë):
Carlsen-i e gjeti menjëherë lëvizjen e duhur, Qh6+ (shihni diagramin në vijim), dhe këtu Karjakin-i u dorëzua, për shkak se, sidoqë të luajë, kapet mat me një lëvizje.
Kjo situatë kaq dinamike, në mos dramatike, në asnjë mënyrë nuk përfaqëson frymën e këtij match-i, i cili në përgjithësi i zhgënjeu pritjet e publikut.