ZHBLLOKOHET MATCH-I

Po zhvillohet këto ditë në New York match-i për titullin e Kampionit të Botës në shah, midis kampionit në fuqi Magnus Carlsen nga Norvegjia dhe sfidantit Sergei Karjakin nga Rusia.

Tetë lojëra janë luajtur deri më tash në këtë match, nga të cilat shtatë kanë përfunduar në barazim; dhe vetëm mbrëmë u këput vargu i barazimeve, kur Karjakin-i arriti fitoren në një lojë që objektivisht duhej të kish përfunduar edhe ajo në barazim, sikur të mos kish kërkuar Carlsen-i të trazonte ujërat me çdo kusht.

Analiza të luajtshme të kësaj ndeshjeje mund t’i gjeni këtu dhe këtu; më poshtë po riprodhoj vetëm pozicionin final, ku i bardhi, Magnus Carlsen, u dorëzua menjëherë pasi i ziu, Sergei Karjakin, e shtyu shah-finalushtarin e vet në a2. Vëreni si e dominon pozicionin dama e zezë në c5, e cila nuk e lejon damën e bardhë që të japë shah në e7, teksa përgatitet të shoqërojë ushtarin në a2 drejt gradimit; në një kohë që kali i zi në e5 nuk e lejon damën e bardhë të japë shah në d7 dhe njëkohësisht bllokon ushtarin e bardhë në e4 dhe, tërthorazi, edhe aktivizimin e filit të bardhë në e2. Në këtë pozicion, i bardhi nuk ka asnjë shans të pengojë gradimin në a1, por as ta çojë lojën në barazim me shah të përhershëm, me gjithë pozicionin krejt zbuluar të mbretit të zi; meqë, çuditërisht, dy figurat e zeza ia mohojnë damës së bardhë të gjitha kutitë e mira. Tani, në qoftë se i bardhi vendos të marrë me damë ushtarin në a2, i ziu do të përgjigjet duke dhënë shah me kalë në g4 dhe pasi i bardhi ta çojë mbretin në h3, i ziu e sjell damën në g1 dhe loja praktikisht përfundon, pasi i bardhi nuk arrin të japë shah të përhershëm – meqë Qa7 parandalohet nga dama e zezë në g1, të bardhit nuk i mbetet veçse një shah në b2, dhe pasi i ziu e çon mbretin në g6, shah nuk mund të jepet më (kutia b6 sërish kontrollohet nga dama në g1). Në këto rrethana, të bardhit do t’i duhet të mbrohej urgjentisht ndaj matit në h2, por çdo lëvizje e filit (p.sh. në f3) çon në katastrofë (p.sh. Kf2 shah). Shpresoj se edhe shumë të tjerë do ta shijojnë, si unë, elegancën e këtij pozicioni.

Mbeten edhe katër lojëra për ta vendosur match-in; kushedi humbja e mbrëmshme do ta ketë zgjuar nga gjumi luanin Carlsen, i cili të paktën në teori mbetet më i fortë dhe guximtar se rivali i tij dinak.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: