‘‘Nuk do të ketë të qeshura
veҫ të qeshurës së triumfit mbi armikun.
Në doni një imazh të së ardhmes,
përfytyroni një ҫizme
ngjeshur në fytyrën e dikujt,
…përjetësisht.’’[1]
Jo më larg se kësaj fundjave zgjodha të shihja filmin Yarden nga regjisori suedez Måns Månsson i cili është bazuar në novelën me të njëjtin titull të autorit, gjithashtu suedez, Kristian Lundberg dhe është shfaqur për herë të parë në janar të këtij viti në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Gӧteborg-ut në Suedi. Bëhet fjalë për një film padyshim interesant por dëshpërak; një film që ndoshta nuk do ta kisha zgjedhur për të shtunën në mbrëmje nëse nuk do të dëshiroja të nxisja një debat politik/filozofik dhe të përfshihesha në të.
Yarden (Oborri) është një punim i pastër kinematografik që rrok një audiencë specifike. Për shikuesin mesatar i cili kërkon të argëtohet nga kinemaja, filmi do të ishte i mërzitshëm. Në qendër të veprës vendoset shfrytëzimi i punëtorit dhe dehumanizimi gradual i tij derisa ky i fundit detyrohet t’ia shesë shpirtin sistemit. Personazhi ynë është një burrë në moshë të mesme i cili kapërcen nga profesioni i shkrimtarit në atë të punëtorit më të ulët të një kantieri. Në film tregohet se si pavarësisht që punëtorët si shumësi përfaqësojnë të njëjtën shtresë sociale dhe ekonomike, ndërmjet tyre ekzistojnë diferenca goxha të qenësishme. Për shembull, një punëtor vendas (i bardhë dhe suedez këtu, si protagonisti ynë); është më i privilegjuar sesa emigranti i cili përpos se trajtohet si kafshë pune, duhet gjithashtu të durojë diskriminimin që i bëhet si i huaj, si tjetri ndryshe dhe i përҫmuar që ka zënë vend krahas punëtorit autokton. Personazhit tonë i kushtohet më tepër kujdes dhe vëmendje se sa emigrantit arab apo zezak. Paҫka se ai është po aq i shfrytëzuar nga sistemi dërrmues, prapësëprapë edhe në shtypje bëhen dallime; edhe në shtypje ka mbajtje me hater e padrejtësi…
Një fakt interesant dhe që regjisori e shfaq me mjeshtëri gjatë filmit, janë zgjedhjet që punëtorët detyrohen të bëjnë; zgjedhje imorale si për shembull, të spiunojnë sho-shoqin tek eprori. Këto zgjedhje ama nuk vijnë pse këta njerëz janë domosdoshmërisht servilë dhe të ligj por pse mënyra se si kushtet e funksionimit të punës janë ndërtuar në kompani, i DETYRON këta të fundit, të sillen në mënyrë të shëmtuar. Në fillim të filmit kur personazhi kryesor dëshmon se si përgjegjësi i turnit e trajton padrejtësisht njërin prej punëtorëve arab, i del në mbrojtje këtij të fundit duke marrë përsipër fajin që s’ishte faj – në fakt s’kishte asnjë faj por pretekst për ta poshtëruar dhe tallur punëtorin emigrant. Ky gjest e afron suedezin me arabin. Fundja ata s’janë aspak të ndryshëm nga njëri-tjetri: të dy shfrytëzohen, të dy paguhen keq, të dy trajtohen keq. Megjithatë kur këtij personazhi (suedezit) i mbahen para nga shuma e rrogës mujore për shkak të vonesave në punë, vonesa të shkaktuara jo prej përtacisë dhe neglizhencës së tij por pse rradha për të kaluar portën e sigurisë ҫdo mëngjesi ishte aq e madhe sa e ngadalësonte ritmin e ditës; ky detyrohet t’i rrëfejë shefit edhe pse pa dëshirë, të gjitha gabimet, fajet dhe thyerjen e rregullave që arabi kish kryer. ‘’Nëse dëshiron të përftosh shtesa në rrogë, duhet të përdorësh bonuset.’’, e këshillon njëri prej të punësuarve i ngërthyer pas tryezës, duke nënkuptuar kështu me bonus privilegjin, pra sjelljen dinake dhe mizore.
Një tjetër element filmik i gjetur dhe që i mëshon alienimit të njeriut nga sistemi kapitalist, janë numrat që punëtorët mbartin. Secili prej tyre jo vetëm që ka një numër të qepur mbi uniformë por numri shndërrohet në emrin, identifikimin dhe identitin e punëtorit. Ai është THJESHT një numër e të gjithë bashkë një tufë statistikash. Numrat kësisoji dhe thirrjet/të trajtuarit e punëtorëve si numra, më ndërmendën fituesin e Oscar-it për Filmin më të Mirë të Huaj, Son of Saul (2016) të regjisorit László Nemes. Në këtë film punëtorët duken si të burgosur brenda një kampi përqëndrimi, një burg i madh ku dhuna është ciklike dhe e vazhdueshme ashtu porsi tek Son of Saul (I biri i Saul-it), pavarësisht që patjetër, ndryshon forma (në një kamp vdekjeje shtypja është më e drejtpërdrejtë, më makabre, ndërsa këtu vjen më butë duke e bërë dhunën të duket pothuajse normale) – përmbajtja mbetet gjithsesi e njëllojtë: shqelmi i sistemit, surratit të më të dobëtit.
Një tjetër element që më tërhoqi vëmendjen dhe që nxjerr në pah robotikën e punëtorëve janë rregullat që u tregohen atyre me t’u pranuar në punë, rregulla absurde që do të bënin sens vetëm për një pajisje mekanike por kurrsesi për një person. Atyre nuk u lejohet telefoni, cigaret, ҫamҫakëzët, të shkojnë në tualet, etj. Kaq shumë bëhet punëtori shtojcë e makinerisë së sistemit, kaq shumë alienohet ai, sa edhe pasi përfundon orarin e detyrueshëm, nuk del dot jashtë rolit mekanik që në mënyrë të pavetëdijshme ka përftuar. Vizualisht kjo paraqitet në film me 111811-ën (protagonistin) i cili edhe pasi është kthyer në shtëpi, vijon të mos i heq kominoshet e punës, madje edhe qenin e nxjerr shëtitje me to mbathur.
Fragmenti kulminant shenjon minutën e 20-të dhe gjithashtu fotografinë më të bukur në film: një rradhë e pafundme në të ftohtë me makina të bardha dhe midis tyre personazhi ynë, një pikë e vogël e kuqe. Pika më e lartë filmike e paraqitjes vizuale të vetmisë dhe depresionit.
Krahas depresionit, një tjetër ndjenjë e fortë që del në pah është apatia. Protagonisti duket se nuk ka as fuqi dhe as dëshirë të nevrikoset, të rebelohet, të kundërshtojë apo edhe të debatojë; as në punë, as në shtëpi me të birin adoleshent me të cilin ka një raport jo të mirë edhe për shkak të faktit se puna ia gërryen kohën familjare, paҫka se ai e do të birin dhe netëve kur ky i fundit është sëmurë e gdhin mbi kokën e tij.
Është interesante të dëshmosh si reflektohet gjendja që profesione të caktuara nën kapitalizëm mbartin, në mënyrë të veҫantë punët intelektuale si profesioni i shkrimtarit për shembull. Poezia nuk shet dhe një diҫka që nuk shet automatikisht zhvlerësohet. Pakkush gëzon kushtet për t’iu dedikuar me kohë të plotë leximit apo mendimit. Kinematografikisht këtu do ta kritikoja filmin duke qenë se kalimin e protagonistit nga njëri stad socio-ekonomik në tjetrin, e kryen në mënyrë të vagullt. Nga këndvështrimi i filozofisë politike që s’do t’ia dijë fort për teknikalitetin kinematografik, ky moment godet si duhet.
Yarden (Oborri) është një film politik i cili deklaron kushtet e klasës punëtore jo vetëm në Suedi por në një perspektivë disi më globale ku goditet alienimi i shtresës së mesme dhe të varfër, konditat e tyre të punës, trajtimi dhe shfrytëzimi i pamëshirshëm sidomos i emigrantëve; ku goditet me ironi dhe satirë nacionalizmi, e gjitha kjo nga pikëpamja në fund të fundit pothuajse romantike e një vendi të zhvilluar dhe social si Suedia.
Do t’ia këshilloja këtë film shumëkujt në Shqipëri, në Shqipërinë ku ndarja midis pakicës së pasunarëve dhe popullit të thjeshtë është ekstremisht e dallueshme; ku varfëria nuk është varfëri po skamje, në Shqipërinë ku punëtorët vdesin përditë dhe askush s’do t’ia dijë për jetët e tyre; në Shqipërinë ku për udhëheqësin e vendit mungesa e sindikatave dhe mungesa e organizimeve të punëtorëve për të drejtat që u mohoen, është krenari dhe mburrje, jo dramë sociale dhe po aq, politike.
Pak e sikleteshme kur lexon shkrime te tilla se per nga menyra se si analizohet nje film, nuk te mbetet shume per te thene. Ke deshire te thuash: dakord, nuk ke shans ne jete, kapitalisti yt eshte burre i keq, por ç’fare t’i besh tani, kjo eshte jeta. Pastaj thua me vete se eshte fjala per nje shkrim qe ka dale te Pf e mbase kushedi se çfare fshihet. Dhe i kthehesh prape. Kerkon, por nuk te duket se ke gjetur gje.Flitet per alienimin e njeriut nga sistemi kapitalist dhe te duket sikur kthehesh tutje ne kohe, kur lumturia ne pune dhe zhvillimli i personalitetit te puntorit ishte cilesi e nje sistemi tjeter, qe ia vlente ta promovoje si alternativa e ketij …
Po te kerkosh, edhe kete rrethane qe pershkruhet ketu, mund ta gjesh diku. Po del pyetja per cilen kohe behet fjale? Mbase eshte fjala per nje shoqeri dhe kapitalizem, ne fillimet e veta, mjaft primitiv, diçka para Marksit. Sepse e kam te veshtira te besoj se ne nje uzine moderne qe prodhon industrialisht makina pa fund, nje gje e tille, pra qe puntori te detyrohet te spiunoje per te ruajtur vendin e punes apo per te fituar diçka me shume, kjo eshte krejtesisht e pakonceptueshme.
Nuk them se nuk ka probleme, por ne rastet e perditeshme del qe “kapitalistit” i shkulen veshet, pse nuk shkon ta informoje puntorin se ka te drejte edhe ai per leje lindje kur ka lindur nje bebe e shoqja. Pastaj kush e njeh dhe kush e ka pare kapitalistin sot? Ne uzinat e medha ku sindikatat kane dhe juristet e tyre as qe behet fjale per nje rrethane te tille, ne fabrikat e vogla, personi me i shfrytzeuar eshte vete pronari, qe i sheh me zili puntoret qe ikin pas pune dhe ai vete punon deri ne 15 ore ne dite.
Fakti se partite e ekstremit te majte kane rene te gjitha ne uje, e nuk ekzistojne, veçse ne leter, ky eshte tregues, se rrethana te tilla, jane reminishenca te nje periudhe te tejkaluar, te nje definicioni social qe nuk ekziston me, edhe pse problemet jane ende te medha, por jo te ketij niveli e as te kesaj natyre, madje e tejkaluar eshte edhe terminologjia qe perdoret.
Lyss, ndoshta e ke pare “La loi du marché”, film francez qe cek nje teme te ngjashme per kohet ku jetojme, ku dinjiteti njerzor i nenshtrohet llogjikes se ftohte manaxheriale.
https://youtu.be/tEa1J_iqnZk
Bere mire qe e solle shembullin e ketij filmi, edhe pse me afer do te ishte shembulli i ndonje filmi te Ken Loach, qe eshte magjister temash te tilla. Natyrisht, per t’ju afruar realiteti te caktuar, Brizé perdori mjetet e dokumentarit dhe ne ndonje rast u dyshua se kishte xhiruar me telefon portabel, por megjithate, ne vafrerine e mjeteve te tij, ai eshte shume me afer problematikes se njerezve qe duan te dalin nga mizerja. Dhe per ate qe na intereson ne, filmi i flet kohes sone dhe paraqet veshtiresite e kohes sone dhe jo ato te fillim shekullit te shkuar. Besoj i ke parasysh skenat e zyres se punes, apo takimet me bankieren ? Pra jane rrethana ne te cilat ti si shikues gjen pika orjentimi.
Kam pershtypjen se me siper jemi te gjithe dakord se problemet egzistojne, diferencen e ben natyra e ketyre problemeve (dhe ketu kam parasysh natyren e subjektit qe na pershkruhet dhe jo shkrimin e autores, qe keto shenime nuk duhet t’i marre sikur i drejtohen asaj). Cfare mund t’i thuash kohes sone per alienimin e individit me shume se sa tha Chaplin- ne fillim te shekullit te shkuar ?
Keshtu qe kur merr persiper te thuash diçka, pa dyshim qe duhet te dish te sjellesh diçka tjeter, te pakten te me bindesh se eshte fjala per ngjarje te diteve tona.
Ndoshta per te tejkaluar Chaplinin me shoke, na mbetet ta riformulojme narrativen mbi te cilen ngrihet ky diskurs me ane te nje simbolike me te pasur. Shembull interesant do ishte kritika qe Roy Andersson i ben nje kompanie suedeze (dhe jo vetem kompanise), me ane te nje pasazhi ne “A Pigeon Sat on a Branch Reflecting on Existence(2014)” https://www.youtube.com/watch?v=e2pS4FAd7mU
Problemi eshte se me shkruesen e kesaj analize, nuk dakordesohem ne piken ku thote se per shikuesin mesatar, filmi do ishte i merzitshem. Do ishte madje e veshtire, dhe problematike per te thene se per shikuesin mbi mesataren, te perjashtohej mundesia qe filmi te mos jete i merzitshem. Po se Yarden s’thote gje qe te re, nuk do shume mend. E rendesishme mendoj une, eshte gjuha me te cilen pershfaqet ky diskurs i tehuajtesimit permes imazherise. Nese pertej simbolikes, Yarden do kete sjelle me se paku ndonje teknike-dhe jo gjuhe- imazherie novatore, atehere ndoshta do ishte me pak i merzitshem si film.
Nje fantazem vjen verdalle neper kinematografi… 😛
PF – origjinali që i referohej kësaj fantazmës kwtu e 150 vjet më parë, u përkthye në shqip asokohe si “rrotull” dhe jo “vërdallë”….dhe unë jam dakord dhe këmbëngul në këtë, sepse “vij vërdallë” është një sorollatje pa qëllim, për të vrarë kohën etj. etj…kurse “vij rrotull” përcakton qëllim apo synim me ngjyrim kërcënues në këtë rast…në atë kohën së cilës i referohesh ti PF nuk u tha “një fantazmë vjen vërdallë nëpër Evropë” po “një fantazmë po i vjen rrotull Evropës”, ngaqë rrathët koncentrikë të kësaj “rrotull” po vinin e po ngushtoheshin gjithnjë e më shumë përmbi qiejt e kontinentit…
Ndjesë për pedantizmin e detajit, por, mbase e frymëzuar nga “Gramatika e Rrëfimit Historik” botuar para ca ditësh këtu në PTF, më ngacmoi ideja e diferencimit të “vërdallë” nga “rrotull”.
Sophieshqip,
kur i vinte rrotull Europes, fantazma u shnderrua ne tragjedi. E njejta dore shkroi edhe se historia perseritet dy here, heren e pare si tragjedi, ndersa heren e dyte si farse. Tani jemi ne nivelin e farses, qe nuk arrin te behet as historike, por mbetet thjesht kinematografike. Ka te drejte Pf-ja. Kesaj here vjen verdalle si ajo neper ato 🙂
E vërtetë, vërdallë vjen…nuk kualifikohet dot për “rrotull”
Nuk ka problem, pedantizmi juaj nuk me bezdis. Akademiket dhe Shpirtat e Lire gjithmone kane ecur perkrah njeri-tjetrit si mishi me thoin.
Origjinali: Ein Gespenst geht um in Europa – das Gespenst des Kommunismus.