Po i kthehem edhe një herë diskutimit të hapur rreth nenit 29 nga Anila Shuka në shkrimin e saj PËRKTHIM ME PARAGJYKIM.
I nisa këto shënime si koment, por po i organizoj tani si shkrim më vete, me shpresë se ashtu do të tërheq më shumë komente nga kolegë që i njohin këto punë më mirë se unë.
Si përkujtesë, neni 29 i Kanunit të Lekës thotë sa vijon:
“Grueja asht shakull per me bajtë”
Grueja njifet si calikë per me bajtë sa të jetë në derë të burrit, se prindja s’hjekin dore prej sojet, e ndalin per vedi e mbi vedi të përgjegjmen per te, por edhe me lypë arsye, ba me e gjetë gja.
Se çfarë do të thotë kjo ‘grueja asht shakull per me bajte’ pritet që ta sqarojë teksti pasues pas gjase i hartuar nga Gjeçovi vetë; i cili në vija të përgjithshme flet – siç më duket mua – për përgjegjësitë e burrit dhe të prindërve të gruas ndaj kësaj të fundit, gjatë kohës që gruaja kjo në derë të burrit.
Çfarë nuk kuptoj këtu, është lidhja midis këtij përcaktimi të përgjegjësisë dhe interpretimit që i është bërë deri më tash nenit, sipas të cilit interpretim Kanuni e përcakton gruan si kafshë barre.
Pak gramatikë
Madje më del edhe një problem thjesht gramatikor: te shprehja ‘grueja asht shakull per me bajtë’, gruaja luan vallë rolin e kryefjalës apo të kundrinës logjike të foljes ‘baj’?
A përkufizohet gruaja si ‘shakull që ban’ apo si ‘shakull që bahet’ (‘që e bajnë’)?
Meqë teksti shpjegues specifikon përgjegjësitë e të tjerëve ndaj gruas, atëherë mund edhe të jetë që proverbi, ‘grueja asht shakull per me bajte’ të bëjë fjalë për detyrimet ose përgjegjësitë që ka familja e burrit ndaj gruas, në krahasim me detyrimet ose përgjegjësitë përkatëse të familjes së prindërve të gruas; në kuptimin që “burri e ka për detyrë/tagër/përgjegjësi që ta (m)bajë gruan si të ishte kjo shakull” – me ç’rast ‘shakull’ do të ishte metaforë për ‘barrë, peshë’ (angl. burden, dead weight).
Me fjalë të tjera: gruaja ashtu nuk do të përkufizohej si dikush që mban, por si dikush që mbahet prej të tjerëve (që e mbajnë).
Kështu do të shpjegohet edhe ajo pjesë ku na thuhet se prindërit kanë përgjegjësinë ‘me lypë arsye’ po t’i ndodhi gruas gjë, sa kohë që është në derë të burrit.
Gruaja në kontekst
Këtë hipotezë duket sikur, tërthorazi, e mbështetin edhe nenet e afërta me nenin 29; kështu, neni 28 na thotë se ‘grueja s’bjen në gjak’, se ‘burri e blen mundin e të jetuemt e grues por jo jeten e saj’, etj.; neni 30 flet për statusin e gruas së ve; neni 31 tregon se çfarë ndëshkimi merr gruaja kur nuk sillet si duhet; neni 32 për statusin e gruas së pakurorë.
Brenda këtij konteksti, që përcakton në vija të trasha statusin e gruas në familje, nuk më duket se ka shumë kuptim interpretimi që i është dhënë deri më tash gruas ‘shakull per me bajtë’ – dhe pikërisht, funksionit të saj të supozuar si kafshë barre.
Siç e vërejti edhe Anila në shkrimin më lart, aty nuk thuhet asgjë se si dhe sa duhet të punojë ose të ‘bajë’ gruaja; në të njëjtën mënyrë sikur nuk thuhet, në nenet e afërta, se si dhe sa duhet të punojnë pjesëtarët e tjerë të familjes. Të gjitha këto nene nuk kanë të bëjnë me punën, por i përkasin atij që Gjeçovi e quan “Kanuni i dhandrris” (nenet 26-31).
Cila grua?
Ka edhe një pikë të tretë, që sërish do të doja ta diskutoj me ju.
Sikurse dihet, fjala ‘grua’ në shqipe ka dy kuptime, femër dhe bashkëshorte – të cilat në anglishte u përgjigjen fjalëve woman dhe wife; ose në italishte donna dhe moglie; janë kuptime të ndryshme dhe në raport hiponimik mes tyre, meqë gruaja si bashkëshorte është gjithashtu edhe grua femër, por e kundërta nuk qëndron.
Në tekstin e KLD fjala përdoret lirisht me të dyja këto kuptime.
Prandaj nuk më duket e kotë të pyes se cilës ‘grua’ i referohet proverbi ‘grueja asht shakull per me bajtë’ në nenin 29: gruas femër apo gruas bashkëshorte?
Konteksti nuk më duket se lë dyshim për atë që bëhet fjalë për bashkëshorten dhe statusin e saj, jo për gruan si femër.
Pra për atë pjesëtar të familjes që nuk është e një gjaku me burrin.
Femrat e tjera që rrethojnë burrin – nëna, vajza, motra, kushërirat etj. – nuk duket se përfshihen nga ky përkufizim dhe as preken nga neni në fjalë, i cili qartazi përcakton statusin e gruas “bashkëshorte”.
E megjithatë, në përkthimet që ka sjellë Anila në shkrimin e vet, gjithnjë flitet për Frau, donna, woman – çfarë për mua është përkthim i pasaktë; i cili i ka pështjelluar pastaj interpretimet e Kanunit nga antropologët e huaj.
Mirëpo nuk ka kuptim as që Kanuni të dallojë te neni 29 ‘gruan’ bashkëshorte nga femrat e tjera, dhe t’i japë vetëm kësaj statusin e kafshës së barrës, ose të një personi që transporton pesha; sepse ashtu do të detyroheshim të pranonim që ‘gruas’ bashkëshorte do t’i njihej një status shprehimisht më i ulët se i grave të tjera femra në familje – për çfarë nuk është rasti.
Edhe pse statusi i gruas femër në familjen malësore tradicionale ka qenë ai që ka qenë, siç e kujtoi këtu edhe Relapso, sërish unë nuk besoj se neni 29 merret me këtë status; përkundrazi, ai përcakton statusin e gruas bashkëshorte, në raport me prindët e saj dhe me familjen.
Mua më tingëllon bindshëm argumenti i Anilës se këtu bëhet fjalë për gruan shakull që ‘mban’ farën e burrit; por njëkohësisht më ngacmon edhe hipoteza tjetër, që ky nen flet për përgjegjësitë JO të gruas bashkëshorte, por të së tjerëve NDAJ gruas bashkëshorte; dhe pikërisht atë që burri duhet “ta mbajë atë në kurriz” si të ishte shakull.
Dhe gjithsesi do të ishim shumë larg nga çfarë është marrë deri më sot si e mirëqenë, ose përcaktimi aq i nxituar i gruas në Kanun si kafshë barre.
Si mendoni?
Ne gjithe tekstin e kanunit ka shume inkoherenca mes parimit a dispozites dhe shpjegimit qe permbahet brenda nenit, sikurse ka shume inkoherenca dhe kontradikta mes neneve te ndryshme, gje qe varet nga fakti se Gjeçovi i mblodhi dispozitat dhe parimet ne treva te ndryshme dhe nga goje te ndryshme. Edhe shpjegimet qe jep Gjeçovi ne fakt reflektojne shpjegimet qe i kane dhene atij informatoret e ndryshem. Nuk kishte asgje te shkruar, por vetem te dhena gojore, afermend subjektive.
Ne praktike shume norma kerkonin interpretim juridik, pleqesim, dhe per kete kanuni ngarkonte “pleqesite” dhe “pleqte”, te cilet pasi benin gjyq per ta ftilluar çeshtjen, merrnin vendime te paapelueshme.
Interpretimi qe i ben ti nenit 29 eshte interesant. Gruaja si barre per t’u mbajtur. Edhe ky kuptim konfirmohet nga norma te tjera qe e trajtojne gruan si barre te tepert. Ne fakt qysh kur lind, vajza shihet si peshe nga prinderit, te cilet shpresonin te lindte djale. Neni 20 e thote qarte: “kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi” dhe ketu e ka fjalen per shtepine e origjines, te prinderve, jo te burrit.
Nga ana tjeter kemi nenin 28 ku thuhet se “Burri blen mundin dhe te jetuemit e grues, por jo jeten e saj”.
Po ndalem pak te ky nen.
Se pari, sikurse parashkruhet qarte ne pjeset ku flitet per fejesen dhe martesen, burri e blen gruan, e blen me parà sikur te ishte mall a kafshe pune.
Se dyti, ai i blen gruas mundin, pra punen, por jo jeten.
Kjo dispozite, ne fakt, e ben qarte dallimin mes gruas dhe kafshes se punes. Kaun e parmendes malesori e blinte per pune, por edhe mund ta therte. Pra kaut i blinte mundin por edhe jeten. Ndersa gruas i blinte vetem mundin, por jo jeten! 🙂
Une nuk jam ndonje specialist, po me duket se ben sens qe ky percaktim eshte me shume per te treguar qe gruaja eshte e destinuar te linde femije “te baje barren” e femijes ne “calik” gje qe ishte edhe detyra dhe nderi e cdo gruaje ne ate kohe. Pak a shume me nje sy te tille shihet gruaja ne cdo mitologji, liber te shenjte e kod social deri ne mes te shekullit te 20, ndaj dhe me duket shume me i mundshem ky variant. Po te isht thjesht per ngarkesen ne kurriz mund te thuhej edhe thjesht “kafshe barre” se atehere njerezit nuk ishin politicaly correct ne ate mase qe jane sot. Ndersa “caliku” ne kete rast e percakton barren si dicka qe mbahet perbrenda gruas.
He se u kujtova. Kur ishim femije, kishim edhe nje sharje qe ishte “bark calik” ose barkderr ne gjuhen e sotme.
Qasja e propozuar nga A V duket interesante por kam pershtypjen se, si interpretimi gramati kor dhe ai kontekstual , zor se I qendrojne logjikes strukturore dhe leksikore te Kanunit si dikument tashme i kodifikuar nga Gjecovi.
1.Per nga struktura, Kanuni ndahet ne Libra ose kapituj (Libri 1 Kisha, L 2 Familja , L3 Martesa, L4 Shpi, gja e pasuri etj) Ne Librin 2 (Familja) jane percaktuar me detaje tagri, detyrat dhe pergjegjsite e burrit dhe gruas si bashkeshorte .e gruas si zoj e shpis, gruaja e ve etj. Kur radhiten detyrat e gruas ( te bej dru, te coj uje punetorve, te korri… dhe… me BAJT pleh) fare kollaj mund te shtoheshin edhe detyra te tjera te transportit te barres/ bartjes (bajt- bart dicka ) si bart drithin ne mulli, bart uj, bart bulmet ne calik etj ose sikurse thote Pf ,te shprehej tulle ,duke i permbledhur te gjitha funksionet e bartjes/ ngarkeses me percaktime te tipit “gruja si dhe kafshe ka me bajt ngarkesa etj ” .Edhe sikur shprehja e diskutueshme te nenkuptoje kete funksion (“kafshe” ngarkese) nuk eshte hata. Gruaja ne shoqerine patriarkale rurale shqiptare ashtu ka qene.
Por nese shprehja:” gruaja asht shakull me bajt” ka kuptimin ” eshte kafshe barre” , perse do futej dhe madje te vecohej si nen ne pjesen mbi Dhandrrine dhe jo ne kapitullin mbi detyrat e gruas ?
Nese kuptimi do te ishte lidhur me pergjegjesine e bashkeshortit ndaj saj, kjo fare qarte eshte percaktuar ne kapitullin mbi Familjen.
Fakti qe ky percaktim futet ne paragrafin per Dhandrrine (Martesa) te le te nenkuptosh se gruaja-vajza e bere nuse, ka nje funksion te rendesishem ne martese: ajo e lindjes se femijeve. Eshte interesant te lexohet neni per Martesen(Nye 11, neni 28):
Me u martue dmth m’u ba shpi,me i shtue shpis nji rob ma teper, sa per krah te puneve, sa per te shtuem te femive”
Pra roli prodhues dhe riprodhues i gruas ( femres se martuar) eshte i gdhendur ne Kanun.pikerisht kur flitet per krijimin e familjes.
2.Nga pikpamje gramatikore: fjala me m(bajt) dhe “bajt” kane dallim kuptimor. Ne Kanun thuhet psh burri ka detyre me mbajt arat ne sy; me mbajt drejtesi ne familje etj. Kurse “me bajt” ka kuptimin e bartjes, transportit te dickaje. Por bartja e produkteve ne nje shoqeri arkaike rurale mund te behej me qase/qese/thase, me kosha prej thupre dhe …me shakull/ calik. E nese asokohe kishte disa lloj mjetesh per me bajt, perse do vecohej shakulli?
Sepse shakulli kryesisht bart produkte t langta (qumesht, url, kos, ) por dhe te ngurta(djathe ) . Pra dhe faren e lenget dhe fmiun. Plus shakulli eshte pete e sapo i shtje brenda gjene, nis e fryhet.Si barku gruas.
E pare ne kontekst te paragrafit dhe duke mare ne konsiderate delikatesen e fenomenit qe shenjon, gjuha e malsorit me namus behet simbolike dhe metaforike. Gjeniale gjuha simbolike e popullit, fenomen lehtesisht I konstatuar ne folklorin tone.
Per te vijuar gramatikisht: per gruan qe eshte shtazene thuhet “eshte me barre” dhe kjo e perafron gjuhesisht me ” kafshe barre” . Ose thuhet “eshte e ngarkuar” , duke asiocuar me “kafshe ngarjese”. Por ne zhargonin popullor per katin seksual dhe lenien e gruas shtatzane thuhet ” e mbushi” cfare te con te shakulli qe mbushet dhe bart.
E thene shkurt , shprehja “Grueja asht shakull per me bajte ” , eshte nje formule lakonike e dyfishte :
*ku percaktohet funksioni biologjik riprodhues i gruas (me shtue fmijt ) dhe statusi social ne familjen patriarkale (si krahe pune );
*ku percaktohet e drejta ekskluzive e dhandrrit/burrit me e mbush (shakullin) dhe detyrimin e gruas me (m) bajt barren (femiun e ngjizun dhe ngarkesat ne ekonomine familjare te bashkeshortit.)