Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

ARISTOKRATË NGA HALLI

Lexoj e dëgjoj herë pas here për pushtetarë që, haptazi para kamerave ose në sytë e publikut, zotohen në gjeste shpirtmadhësie në ndihmë të nevojtarëve, fatkeqëve, fukarenjve, ndonjëherë mbase edhe përfituesve – duke ndezur dritat jeshile: për një bursë, për një shpërblim, për një dërgim për mjekim jashtë shtetit, për një medalje të merituar por të vonë. Lexoj e dëgjoj e ndonjëherë edhe ua shoh vetëkënaqësinë në fytyrat dhe në buzëqeshjet. Këtyre që janë zgjedhur ose emëruar në postet e larta që kanë pikërisht për t’i zgjidhur këto halle e probleme të njerëzve jo individualisht dhe jo me metodën e bamirësisë, por metodikisht, ngaqë ashtu kanë kërkuar dhe kanë premtuar vetë dhe për këtë edhe paguhen mirë dhe gëzojnë të gjitha privilegjet që mund t’u japë sistemi. Edhe pse janë me përkufizim shërbyes të qytetarit, gënjejnë veten dhe të tjerët duke u sjellë si mbretërit dhe princat dhe dukët qëmoti, të cilët pushtetin nuk e kishin marrë nga populli, por e kishin trashëguar brez pas brezi për shkak të gjakut; dhe prandaj edhe ishin të lirë të ushtronin virtytin individual, sikurse edhe ishin të lirë edhe të mos e ushtronin. Përkundrazi, një pushtetar i sotëm duhet ta bëjë të mirën individuale vetëm në heshtje ose incognito, përndryshe shumëkush do ta njohë këtë bamirësi për çfarë është vërtet: një mënyrë për të mbuluar inkompetencën, ineficiencën, dështimin, madje edhe fajin; ose, në rastin më të mirë, një rrugë hipokrite për të shpëtuar shpirtin. Ajo kastë që ka sot pushtetin e ka marrë këtë si mandat; dhe e vetmja gjë që pret qytetari, madje edhe publiku prej këtyre pushtetarëve, është që ta përdorin pushtetin për të vënë në jetë atë program, për të cilin janë votuar; jo për të promovuar virtytet personale falas para kamerave; dhe aq më pak për t’u riformatuar në mënyrë të tillë, që t’u duken njerëzve jo si shërbyes, por si beautiful people që riprodhohen grupçe nga një dasmë në tjetrën, nga një bamirësi në tjetrën, nga një datëlindje në tjetrën, nga një ceremoni në tjetrën, duke u treguar qytetarëve kostumet, modelet e flokëve, kravatat, bizhutë dhe makijazhet e tyre. Imponimi i tyre skenik është edhe më grotesk se konsumi i spikatur i borgjezit; sepse këta jo vetëm po shijojnë solidaritetin reciprok dhe komplimentat e kryqëzuar, por edhe po pretendojnë që publiku t’i konsumojë si të tillë, ose si shtresë të lartë, për t’u mësuar pastaj dalëngadalë se këta njerëz jo vetëm kanë pushtetin, por edhe janë të destinuar nga statusi dhe reputacioni, për të pasur dhe mbajtur pushtetin.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin