Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

PËR HERË TË PARË

Shumë gjëra ngjasin për herë të parë në Shqipëri – ca për të mirë, ca për të keq, dhe ca për t’u dhënë një shans mediave, zyrave të propagandës dhe të reklamës dhe mburrësve profesionistë që të trashin zërin dhe t’i shpallin me të madhe.

Ndonjëherë kjo do të ishte e vërtetë dhe ia vlen të shënohet: shfaqja e baletit Bolshoi, lidhja hekurudhore Shkodër-Sarandë, zgjedhja e një gruaje President i Republikës, përurimi i një linje ajrore të rregullt JFK-Rinas ose shqipërimi në kohë rekord i nobelistit më të fundit.

Në ndonjë rast tjetër, ka arsye të mira që një event a një aktivitet të jetë vonuar kështu, dhe ndoshta më mirë të mos ish realizuar fare: eventi Miss dhe Mister Pornostar.

Edhe ky për herë të parë në Shqipëri: a thua se po mbanim frymën. Porn made in Albania: chi l’avrebbe detto?

Zakonisht, kësaj culeje i fryjnë agjencitë e reklamave ose zyrat e PR-së, duke lajmëruar me të madhe për ngjarje të vogla ose rutinë, ose dhe krejt të parëndësishme: teknologjia më e re e dobësimit, organizohet në Durrës International Opera Masterclass, realizimi i bizhuterive me printer 3D, mbahet Festivali i tangos argjentinase, trajnimi i basketbollit në karrige me rrota, Panairi HoReCa, Charter-i i Shkodra Travel, Panairi i Turizmit Malor, shpallet lista e televizioneve më të ndjekura, demonstrohen armatimet e NATO-s te Poligoni ROGAT, hapet Kupid Shp Agjenci Martesore…

Janë pastaj reklamat e klinikave mjekësore: kurimi i strabizmit me botox, vihet në punë Tomografia Spektrale e Syrit, testi i intolerancës ushqimore.

Ca nga këto aktivitete, sidomos ato me natyrë “kulturore”, ndodhin vërtet për herë të parë, si p.sh. Eventi Swing Marathon, Argëtimi i vërtetë në ujë, The Queen of Albania, ose Eventi Color Sensation Power.

E megjithatë, vetëm hera e parë nuk do të mjaftonte – në kuptimin që hera e dytë dhe akoma më shumë e treta do të provonin krijimin e një tradite; ose së paku suksesin e idesë dhe të eventit vetë.

Kjo të kujton atë çfarë ndodh me shumë libra: të gjithë i fillojmë, por pak i vazhdojmë dhe akoma edhe më pak i çojmë deri në fund. Kush nga ne nuk e ka lexuar faqen e parë të Vëllezërve Karamazov?

E njëjta gjë për vizitat dhe koncertet dhe performancat në Shqipëri të pop-star-ëve dhe starlet-ëve dhe rapper-ëve dhe të tjerave atraksione për turmën: edhe për këta, një vizitë e dytë do të ishte më e rëndësishme dhe më me interes se e para.

Pa folur për ca OJQ-ra që sigurojnë ndonjë fond të rastit dhe pastaj sajojnë aktivitetin përkatës, p.sh. “Panairi i Hemorroideve”, i cili doemos mbahet për herë të parë në Shqipëri – dhe të fundit, me siguri.

Por këtë shprehje, për herë të parë dhe të fundit, mos prisni që ta lexoni ndonjëherë në njoftime të tilla.

Ka ngjarje që, për nga natyra e tyre janë vetvetiu unike, ose pritet që të ndodhin vetëm një herë – p.sh., për herë të parë në Shqipëri, “lind bebja Ritaora Pilafi.” Në një kuptim, këto ngjarje pritet që të ndodhin për herë të fundit më shumë se për herë të parë; dhe jetë të gjatë e të lumtur për Pilafen e vogël!

Pa folur për kronikën gjithfarësh: “për herë të parë në Shqipëri, bashkëshorti me motosharrë e ndan gruan e vet në dy gjysma asimetrike.” Epo mirë, xhanëm, thank you very much.

Për herë të parë në Shqipëri:

“Një Audi e eskortës së të fortit të famshëm Timi i Shajes përplaset me lopën dhe përfundon në majë të pemës.”

“Qytetari Elket Katruvari përshkon me zvarritje distancën Korçë-Vithkuq.”

“Ambasadori gjerman e piu kafenë me pak.”

“Vidhet një bankë, por kamerat e sigurisë zbresin nga muri dhe e arrestojnë ato vetë hajdutin.”

“Sillen nga Tarabulluzi eshtrat e patriotit të shquar Dyrrahim Dyrrahu.”

“Parlamenti legalizon ligjin.”

Ka, më në fund, ngjarje që mund të kenë ndodhur vërtet për herë të parë në Shqipëri, por kjo nuk është e sigurt, sepse askush që e shpall këtë nuk ka kohë të shkojë dhe të rrëmojë arkivat, p.sh. “lexohen me zë pjesë të zgjedhura nga Meshari i Buzukut.”

Ose: “dixhitalizohet Formula e Pagëzimit.”

Në kuptimin që ti vërtet mund ta kesh bërë këtë sefte, por kushedi ndonjë tjetër të ka paraprirë dhe ti thjesht nuk e di.

Ngjarjet në fushën e kulturës dhe të studimeve kulturore, temat e disertacioneve dhe të konferencave dhe njoftimet për përpjekje të ngjashme shpesh i dëgjon të prezantuara sikur po bëhen “për herë të parë në Shqipëri.”

P.sh. “Për herë të parë në Shqipëri u studiuan trajtat e shkurtra të kallëzores njëjës në fjalitë pyetëse.”

Vërtet? Po sikur të gjendet një disertacion i mbrojtur para 30 vjetësh, me të njëjtën temë, në Shkodër a në Prishtinë a në Gjirokastër?

Ose: “Për herë të parë në Shqipëri, kemi analizuar shtatërrokëshin në vjershat e Mërtir Adhamit.”

Këtu kombinohet hareshëm megalomania me injorancën: sepse autori vërtet kujton se po e bën diçka për herë të parë, por nuk është se e mbështet gjëkundi sigurinë e tij.

Dhe nuk i shkon në mendje, bie fjala, se gjasat janë që, kur diçka përnjëmend nuk është provuar as tentuar më parë, kjo ka ndodhur ngaqë ka qenë konsideruar si gjë pa rëndësi, pa peshë, çikërrimë.

Përndryshe, je ti thjesht që nuk di, ose që bën sikur nuk di, ose që ke ditur por ke harruar, ose që je thjesht deluzional.

Shpesh, kush thotë “për herë të parë në Shqipëri”, ia dhuron egos së vet një masazh të bujshëm me shpenzimet e atij që e dëgjon.

Nga masazhi te mesazhi: çfarë përçohet, në këtë rast, është se “ta dini mirë se unë jam i pari në Shqipëri.”

Mburrje, mburrje, mburrje.

Më në fund, ja një lajm që do ta mirëprisja, por që vështirë se do ta dëgjoj ndonjëherë:

“Sot, për herë të parë në Shqipëri, nuk ndodhi asgjë për herë të parë në Shqipëri.”

Shënim: nga shembujt që kam sjellë më lart, ato me korsive janë autentike; ato në thonjëzat janë të sajuara prej meje – ose thuhen në shqip për herë të parë. Por dorën në zjarr nuk e vë.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin