‘‘Problemi ishte se vazhdimisht duhej të zgjidhje mes dy të këqijave dhe pavarësisht se ç’zgjedhje bëje, të rrëmbehej edhe një pjesë tjetër nga vetja, derisa nuk mbetej më asgjë. Në moshën 25 vjeçare, shumica e njerëzve kishin marrë fund. Një komb i tërë shkërdhatash që ngisnin makina, hanin, pillnin kalamaj, bënin gjithçka në mënyrën më të tmerrshme, si për shembull, votonin për president kandidatin që u kujtonte më shumë vetveten.‘‘
Ham on Rye, libri gjysmë autobiografik i Charles Bukowski-t vjen për lexuesin shqiptar nga Iris Sojli si Bukë me Sallam. Ky roman është një rrëfim tepër personal, i trishtë dhe padyshim argëtues; një ftesë nëpër taboret e shtresës më të varfër e të pamundur të SHBA-ve gjatë Depresionit të Madh, i përcjellë mes ҫiltërsisë fëmijërore dhe revoltës së qytetarit të shtypur e të nëpërkëmbur nga një sistem zhvatës e ҫnjerëzor.
Vështirë të haset përshkrim më i natyrshëm, më origjinal, më i drejtpërdrejtë dhe kaq intim mbi shtresat e ulëta, sa tek Bukowski. Moralistët do ta konsideronin këtë të fundit një bastard që i thur lavde dhunës, alkoolit dhe femrave e rëndom në median shqiptare qëllon të hasësh të tillë qasje të zvetënuar ndaj tij ҫka lë të kuptohet se Bukowski është një autor gjerësisht i keqkuptuar në shoqërinë tonë. Vepra e tij nuk është himn mbi dhunën e poshtërimin por kundërvënie ndaj tyre. Ajo shërben si goditja më e ndjeshme që i bëhet ëndrrës së mbivlerësuar amerikane (the American dream) duke qenë se e shpalos realitetin amerikan të kohës (bëhet fjalë për vitet ’30) siҫ është, pa ngjyra artificiale dhe afërmendsh, pa fotografinë ndjellëse të Hollywood-it për të. Puna e tij dhe në mënyrë të veҫantë ky libër që është edhe vepra e vetme që i referohet fëmijërisë së autorit, është një protestë në emër të të gjithë atyre ndaj të cilëve përplaset ҫizmja e ashpër e kapitalizmit dhe urrejtjes.
‘‘Ata eksperimentonin me të varfërit dhe nëse funksiononte e aplikonin trajtimin edhe te të pasurit. Por edhe nëse nuk funksiononte kishte të varfër sa të duash për të eksperimentuar. (…) Unë mësova se të varfërit mbeten të varfër, kurse të rinjtë e pasur nuhasin erën e keqe të të varfërve dhe mësohen me të, aq sa iu duket disi argëtuese. Iu duhej të qeshnin se, përndryshe do të ishte e tmerrshme.‘‘, rrëfen Bukowski.
Për ҫfarë i vlen ky libër lexuesit shqiptar? Për të kuptuar se dhuna nuk është një fenomen që mbin nga hiҫi por një zinxhir i gjatë shkak-pasojash në kohë e hapësirë dhe domosdo ajo gjen një shtrirje përtej kufijve shtetëror; që patriotizmi dhe nacionalizmi janë ide romantike pas të cilave kapen fort ata që kanë diҫka për të humbur, kryesisht ata që kanë shumë për të humbur .
‘‘Prindërit e pasanikëve kishin prirje të ishin më patriot sepse kishin dhe shumë më tepër për të humbur, nëse vendi pushtohej. Prindërit e varfër ishin shumë më pak patriot dhe shpeshpherë shfaqeshin si të tillë vetëm ngaqë kështu duhej ose ngaqë kështu ishin rritur. Thellë brenda tyre, e dinin se nuk do të ishte as më mirë e as më keq për ta, nëse vendi do të binte në duart e rusëve apo gjermanëve ose kinezëve ose japonezëve, sidomos për ata me ngjyrë.‘‘
Ky libër të mëson se për dëshpërimin, sado i tmerrshëm të jetë, ekziston përherë një rrugëdalje dhe ajo s‘është fatale; që axhendat politike zakonisht nuk ecin në mënyrë të drejtë e të barabartë në krah të popullit por në krah të interesave të një pakice; që prindërimi është status social, jo biologjik – shumëkush mund të ketë aftësinë të riprodhohet por pakkush gëzon inteligjencën dhe maturinë për të qenë prind; që marrëdhëniet e besimit krijohen në vatrën familjare dhe zhvillohen ose tkurren jashtë saj; që injoranca do të bëj vend kahera për dhunën e shtypjen.
Për ҫfarë i vlen ky libër lexuesit shqiptar sot? Në humnerën sociale, ekonomike dhe politike ku Shqipëria e 2016-ës gjendet, e zhytur në borxhe, varfëri, dhunë, imoralitet dhe depresion, një libër i tillë është një mik komfortues që të nxit drejt antikonformizmit me të ligën dhe përqafimit të fisnikërisë edhe atëherë kur duket se asgjë s’mbart më vlerë; të mëson të kuptosh që jo gjithҫka mund të humbasë dhe se ka përherë një vend për dinjitetin njerëzor dhe lirinë e se këto të fundit janë të pakompromis; të bën të vësh në pikëpyetje dyshemenë mbi të cilën ngrysesh e gdhihesh; të bën të kuptosh që nuk je asnjëherë…vetëm.
‘‘Njeriu kishte nevojë për dashuri por jo për atë lloj dashurie që shumica e njerëzve mësonin dhe me të cilën ishin mësuar. (…) Doja që të më donin por kurrë nga mëshira .‘‘, shprehet Bukowski duke iu kundërvënë mënyrës injorante dhe abuzive sipas të cilës ishte rritur në shtëpi, me respekt për dinjitetin. ‘‘I vështroja duart tim eti, fytyrën, vetullat dhe kuptoja që unë s’kisha asnjë lidhje me atë njeri. ‘‘
Ai i kundërvihet dhunës dhe nuk e pranon atë asesi, edhe kur i shitet si manifestim guximi. Dhuna është shprehi e të dobëtit, komunikon Bukowski, një perversitet. ‘‘Përse kishin nevojë për një gjë të tillë ҫunat? Kjo nuk kishte lidhje me guximin, ishte thjesht një lojë e ndyrë.‘‘, mban ai qëndrim kur fëmijët e tjerë kishin përgatitur skenën e therrtores për një mace që të rriturit e kundronin të qetë e pa bëzanë. ‘‘Ajo mace nuk po përballej thjesht me bulldogun, ajo po përballej me Njerëzimin.’’, ofshan ai.
Bukowski mund të tingëllojë goxha i ashpër dhe i errët e fundja ai është i ashpër dhe i errët por perspektiva e tij mbi botën dhe jetën nuk është e tillë. Mund të thuhet se Bukowski, për ironi, është një autor optimist. Ka ende diҫka për të pritur sipas tij, ka ende një gjë për t’u zbuluar, për të kritikuar apo nga e cila të distancohesh dhe kjo është e shëndetshme – është jetike.
Së fundmi por jo për nga rëndësia, ky është një libër për të gjithë etërit. Një dorëshkrim që provon të vrasë figurën e babait e jo atë të një babai të ҫfarëdoshëm por figurën e babait autoritar, të dhunshëm; babain patriarkal – burrin nga i cili vuajnë jo vetëm gratë por edhe djemtë.
“M’u kujtua që te Vëllezërit Karamazov Ivani kishte thënë: Kush është ai që nuk do të vrasë të atin?“, e përforcon Bukowski dëshirën e tij për atvrasjen.
‘‘Ndieja sikur edhe dielli i përkiste tim eti, sikur nuk kisha asnjë të drejtë ndaj diellit pasi ai shkëlqente në shtëpinë e tij. Edhe unë, porsi trëndafilat isha: diҫka që i përkiste atij dhe jo vetes.‘‘
Bukë me sallam është një libër që rrjedh në shqip me të njëjtën lehtësi si një vakt po kaq i lehtë dhe i shijshëm pas një ditë të lodhshme, një vakt ama që kërkon dhëmbë të fortë dhe aftësi akoma më të fortë përtypjeje.