Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

VRIMA NË KALENDAR

Për shumë nga ne që jetojmë në Perëndim, 11 shtatori 2001 është data themeltare e rendit të ri botëror – prandaj edhe e përkujtojmë si të ishte datë e kalendarit fetar, me sakrificat dhe shenjtët përkatës.

Vija re sot, poshtë e lart nëpër rrjete, se ish rikthyer memi “ku ishe ti kur…”, që dikur i bashkëlidhej vrasjes së Kennedy-t; por tashmë fjalën e ka marrë brezi i ikonës së Kullave Binjake, ose i Big Bang-ut të këtij universi tjetër.

Edhe pata shkruar diçka në këtë tonalitet, vite më parë: se ku isha unë pikërisht, kur avionët… Isha në fakt duke fjetur, nën dhé, në pritje që treni im i metrosë të më sillte në Times Square. Tani që e mendoj, janë edhe hollësi të tilla, ose ky kombinim i banales me ekspozimin brutal ndaj vdekjes me dhunë, që ta mbajnë peng kujtesën me lemeri.

Banor i New York-ut, e ndieva katastrofën të më kalonte shumë afër, si ndonjë kamion i paparashikuar tek kaloja rrugën; madje edhe të më prekte me pluhurin dhe aromën prej shpirtrash të djegur; por edhe sot pas 15 vjetësh, nuk jam në gjendje ta rrok në mënyrë logjike atë çfarë ndodhi; madje edhe kur më çon rruga përbri memorialit të ngritur rishtas, vend i çuditshëm. Ngaqë kullat nuk janë më, vetë e shkuara ime para 11 shtatorit më duket irreale, si prej ëndrre; por kjo i jep njëfarë irrealiteti edhe të sotmes.

E kam parasysh mirë narrativën që iu servir publikut nga mediat, dhe pastaj u sistemua nga autoritetet; sikurse e kam parasysh edhe kundërnarrativën në të gjitha trajtat e saj të çuditshme, eksperimentale, kundërfaktuale. Di edhe që, diku midis narrativës dhe kundërnarrativës fshihet edhe një teori komploti – por nuk shkoj dot më tutje se kaq.

Në fakt, 11 shtatori 2001 ishte edhe, mes shumë gjërash të tjera, edhe data kur informacioni i përcjellë nga mediat u nda përfundimisht nga realiteti, për të shpallur autonominë, më mos sovranitetin; dhe për t’u uzurpuar sakaq nga të gjitha ato agjenci që synojnë ta përdorin terrorin për të arritur objektiva politike.

Në të njëjtën kohë, sa më shumë i largohemi në kohë asaj pike mistike në kalendar, aq më shumë po mësohemi t’i mendojmë ngjarjet e asaj dite si një lloj katastrofe natyrore, si të ish fjala për një shpërthim vullkani a goditje nga një meteorit a një përmbytje biblike; dhe pikërisht, duke ia gjetur vetes koordinatat në raport me ngjarjen zero (“ku ishe ti, kur…”) dhe duke përkujtuar viktimat. Dhe këtë e bëjmë jo thjesht për t’u dhënë një kuptim të vrarëve kot, ose për të na përcjellë ne të gjallëve një mesazh; por edhe për ta normalizuar artificialisht botën që ka lënë pas eventi.

Thuase duam të harrojmë se bëhej fjalë atëherë për një akt të organizuar në mënyrë të qëllimshme dhe të kryer në mënyrë të vullnetshme, nga njerëz që e dinin se çfarë do të ndodhte dhe që po gatiteshin të përfitonin nga kjo masakër; dhe se asnjë nga shpjegimet, rindërtimet dhe narrativizimet e mëpasme nuk i janë afruar gjë së vërtetës, më shumë se ç’iu afrua shtëllunga gjigante e tymit që pashë, diku në jug të Avenysë së pestë, paraditen e çmendur të 11 shtatorit.

Madje kjo mani e sotme, për t’u përqendruar te viktimat dhe pafajësia, më kujton bagëtinë që e kujton ditën e sakrificës kolektive me lot në sy, pa e çuar mendjen te kasapët dhe pronarët e thertores dhe konsumatorët e mishit; por duke u munduar, me çdo kusht, për ta gjetur psenë, kuptimin, domethënien në transhendencë.

Për një farë kohe, mediat dhe autoritetet na shërbyen të gjithëve një fytyrë të autorit të krimit: Osama Bin Laden-in, një personazh të mbingarkuar me informacion si emri i së keqes; pa çka se Osama, për shumë nga ne, nuk mund të ishte veçse subjekti logjik i narrativës, ose – në analizë të fundit – një kategori gramatikore, një farë kryefjale, ose ajo pjesë e fjalisë që i përgjigjej pyetjes me kush.

Por sot, kaq e kaq vite dhe luftra dhe bombardime dhe të vrarë dhe sulme terroriste më pas, vendin Bin Laden-it ia kanë zënë të tjerë; dhe dramës i janë ndërruar personazhet. Teksa ne përpiqemi të përshtatemi me këto skena të ndërrueshme, për ca të tjerë rëndësi ka që teatri vetë të mos ndërpritet më.

Fizikanët, ose më mirë mitologët e fizikës, na shpjegojnë se nuk ka kuptim të pyesim se “çfarë kishte para Big Bang-ut”, meqë ky event kozmik krijoi jo vetëm universin tonë, por edhe vetë kohën dhe hapësirën. Ndoshta i njëjti parim do zbatuar edhe në histori: jemi të gjithë njëfarësoj të dënuar të jetojmë një përditshmëri, e cila i ka themelet në një event të pashpjegueshëm. Dhe në këtë rast, funksioni i mass mediave, ose nevoja për ta ruajtur këtë pashpjegueshmëri, do të ishte thjesht stabilizimi i realitetit të rrjedhur nga ajo datë primordiale. Nëse ky është edhe kuptimi i fshehtë i 11 shtatorit, këtë nuk di ta them.

5 Komente

  1. Fatmiresisht dukuria qe ti shtron ketu e ka nje shpjegim. E majta ne Perendim e ka humbur prej kohesh kauzen qe e krijoi: ngritjen dhe mbeshtetjen e proletariatit nderkombetar ne lufte kunder kapitalizmit. Shembja e murit te Berlinit ku vendet ish-komuniste u hodhen ne gjirin e ngrohte te kapitalizmit, por dhe “komunistet” sorosiane me shalle Burberry dhe konto bankare bilionshe nuk ngjisin me me simbolet e thjeshta bukolike te draperit dhe te cekanit pre-industrialist. Ndaj qe te qendroje prezente ne ndarjen e tortes se pushtetit, e majta u detyrua qe ta zevendesoje proletariatin me “minoritetet” dhe “internacionalizmen” me “multikulturalizmen”. Dhe “multikulturalizmes” nuk i shkon per shtat qe ne kete bote ka kultura qe na urrejne, apo religjione qe na shikojne si infedel qe duhen zhdukur. Eshte pikerisht kjo e majte qe perpiqet te fokusohet tek viktimat-“heronj” dhe jo tek kasapet qe vazhdojne te vrasin, duke u perpjekur idiotesisht te krijojne nje Arke te re te Noes qe multikulturalisht do na nxjerre ne bregun tjeter, por pa na e bere te qarte se sa do te jene shanset e deles demokrate per te mbijetuar prane ujkut terrorist ne 40 ditet e Kiametit qe do vijne. Tung.

    1. Nuk e diskutoj, ka shumë urrejtje për Perëndimin anembanë botës; por ka edhe njerëz, në Perëndim, që ushqehen me këtë urrejtje dhe pa të nuk do të ekzistonin; prandaj kujdesen që ta mbajnë gjallë me të gjitha mënyrat. Historia e terrorizmit këto 50 vjet të fundit tregon se nuk ka pasur akt terrorist madhor në Perëndim, pa pjesëmarrjen e shërbimeve të inteligjencës – dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për terrorin që vjen nga Lindja e Mesme, por edhe për RAF në Gjermani ose Brigate Rosse ose Ordine Nuovo në Itali. Por edhe vetë urrejtja totale për Perëndimin ndonjëherë është relativisht e përligjur – nëse e ke parë një serial televiziv, “Homeland”, do ta mbash mend se kryeterroristi gjatë dy sezoneve të para ishte radikalizuar pasi i ishte vrarë djali i vogël, gjatë një bombardimi amerikan. Prandaj edhe ia vlen të diskutohet nëse kjo urrejtje e “disave” për Perëndimin është pjesë e një zinxhiri ngjarjesh, mes të cilave edhe globalizimi vetë, të cilin e ka filluar dhe po e shfrytëzon Perëndimi para të tjerëve. Në një farë kuptimi, “ata” që sot vijnë këtu për të na vrarë, janë edhe vazhdim i logjikshëm i vajtjes “sonë” atje, për interesat tanë (sa janë vrarë në Irak pas ndërhyrjes së Bush-it dhe të Blair-it atje?). Unë vetë prej vitesh besoj se multikulturalizmi nuk funksionon dhe nuk ka funksionuar ndonjë herë, përveçse për të shkaktuar kriza gjithfarësh; por multikulturalizmin nuk ia faturoj dot as Bin Laden-it, as ISIS-it. Dhe nëse e majta në Perëndim është majmur me të, e djathta, nga ana e vet, ka përfituar njëlloj nga fryrja groteske e agjencive të kundërterrorizmit, ruajtjes së rendit, shërbimeve të inteligjencës dhe policisë. Dhe kjo që po ndodh më sjell gjithnjë në mendje një roman i vogël i Chesterton-it, The Man Who Became Thursday – lexohet për 3-4 orë dhe ia vlen.

      1. Well, na fute ne ca ujra tani ku mund te vazhdojme te diskutojme me ore te tera, po ajo qe thua eshte teresisht e vertete. Pa u futur ne analiza te detajuara dhe duke mbeshtetur mendimin tend do te thoja se asgje nuk e ka demtuar me shume Perendimin se sa imponimi me shkop dhe karrote i vlerave te tij moralo-kulturore ne civilizimet e tjera dhe kryesisht ai i te ashtuaquajturave Human Rights, te cilat tani po i kthehen si nje bumerang mbi koke duke kercenuar vete ekzistencen fizike te tij. Asgje nuk i shkon me shume kesaj situate se sa nje paragraf bga Arnold J. Toynbee qe ketu e 60 vjet perpara thote : “This thesis of the unity of civilization is a misconception into which modern western historians have been led by the influence of their social environment. the misleading feature is the fact that, in modern times, our own Western Civilization has cast the net of its economic system all round the world, and this unification on a Western basis has been followed by a political unification on the same basis which has gone almost as far; for though the conquests of Western armies and governments have been neither as extensive nor as thorough as the conquest of Western manufacturers and technicians, it is nevertheless a fact that all states of the contemporary world form part of a single political system of Western origin.
        These are striking facts, but to regard them as evidence of the unity of civilization is a superficial view. While the economic and political maps are now Westernized, the cultural map remains substantially what it was before our Western Society started on its career of economic and political conquest.”

        Nejse se e zgjata shume. Librin e Chesterton qe me permende nuk e kisha lexuar dhe po e fus qe tani ne listen e gjerave ASAP. 🙂

  2. Shkrim interesant ky. Por nuk e kuptoj përse duhet kornizuar 11 Shtatori si një një lloj date-fillesë e historisë moderne. Ka plot njerëz në botë që argumentojnë se këto që po ndodhin janë vazhdim i një historie të vjetër, me sajime armiqsh të jashtëm, në rastin më të freskët ajo që, në mungesë të gogolit të komunizmit lindor pas vitit ’90, u krijua gogoli i islamizmit aziatik, për të vazhduar të ushqyerit e interesave hegjemone të grupeve të caktuara interesi. Dhe kur këto grupe interesi bëhen pastaj frymëzim e shkas ngjarjesh të llojit të 11 Shtatorit, njerëzia priret t’i veshë këtij mendimi petkun përkeqësues të teorisë së komplotit. Siç thotë një historian pak i njohur, kur mblidhen në shesh një grup minatorësh për të kërkuar kushte më të mira pune, kjo quhet grevë; kur mblidhen në rrugë fermerë që kërkojnë më shumë subvencione nga shteti, kjo quhet protestë; ndërsa ideja se pasanikët mund të mblidhen në shoqatat e tyre, në bordet ku janë bashkanëtarë, në fondacionet që krijojnë vetë, në zyrat e shtetit ku kanë sponsorizuar punësimin e njerëzve që u shërbejnë politikave të tyre, thjesht në klubet me anëtarësi të kufizuar apo kudo qoftë ky vendtakim, dhe bëhen inicues ngjarjesh të tipit të sipërpërmendur me një axhendë për zbatim që u shkon mbroth interesave të tyre, kjo konsiderohet e pamundur dhe cilësohet “teori komploti”. Dhe historia u dashka filluar nga e para. Mirë, hajt po e fillojmë historinë nga zeroja. Po detyrën për djegien e librave të vjetër, kujt t’ia ngarkojmë?

    1. Puna eshte se pasi kalojne ca vite, disa prej librave te vjeter konsiderohen si shpifje te atyre qe i shkruan, per qejf te vet apo se ashtu ua porositen t’i shkruanin ata qe i paguan, disa te tjere (libra te vjeter e kam fjalen), qysh ne castin qe shohin driten e botimit jane te vjeteruar se nuk thone ndonje gje te re, dhe ka ende libra te vjeter qe perfundojne neper dyqanet e bukinisteve dhe u sherbejne ketyre si mjete per te nxjerre jetesen.

      Ne kete kuptim pra, nuk ka nevoje te punesojme militantet per te djegur librat e vjeter, se si me ata libra, si pa ata libra, libri tjeter do te tregoje nje histori qe nuk ka rendesi se kur fillon, perse fillon ne ate cast dhe jo me pare e as me pas, po me shume nje histori ne te cilen dikush apo disa ua fusin dikujt apo disa te tjereve. E di qe nuk tingellon shume e sofistikuar dhe e sublimuar po te pakten nuk me duket e rreme dhe labirint nga nuk te nxjerr dot as filli i Arianes.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin